Zgjedhja e Emanuel Macron është lajm i mirë jo vetëm për Francën por gjithashtu për Gjermaninë dhe bashkëpunimin gjermano-francez. Kjo për shkak se Macron është një europianist i bindur që dëshiron të ndërmarrë hapa të mëtejshme në drejtim të integrimit, veçanërisht në lidhje me Eurozonën dhe politikën e mbrojtjes. Nuk është e fshehtë që ai pret shumë prej bashkëpunimit me Berlinin. Por përfshirja e tij nuk do të thotë që tashmë Franca do të vihet përkrah Gjermanisë për t’u bërë një fuqi pas Bashkimit Europian. Macron nuk u zgjodh për, por pavarësisht qendrimeve të tij mbi politikën europiane.

Vendosshmëria e rezultatit të së dielës, me Macron që fitoi bindshëm 65 përqind të vota kundër Marine Le-Pen të së djathtës ekstreme, është mashtruese. Errëson faktin që zgjedhjet presidenciale ishin të polarizuara në një nivel të pashoq në historinë e re të Francës. Do të ishte thjesht vetë-mashtrim ta interpretoje këtë fitore si një votë  për Evropën, për liberalizmin dhe për një kozmopolitanizëm të iluminuar. Emmanuel Macron u bë President sepse shumica e votuesve francezë vendosën kundër alternatives – Marine Le-Pen dhe bashkimit të saj nacionalist me Nicolas Dupont-Aignan.

Pasojat mund të shiheshin që në raundin e parë, kur shumë vendosën për një votë taktike në parapëlqim të Macron, kundër dobësive serioze të kandidatëve nga partitë tradicionale dhe perspektivës së vërtetë të një lëvizjeje ekstremiste si në të djathtë dhe në të majtë. Vetëm 40 përqind e atyre që votuan për të në raundin e parë thotë që e mbështesin manifestin e tij dhe vetëm 9 përqind besojnë se do i mbajë premtimet.

 

Një votë për Macron; jo për BE

Përfundimi nuk duhet parë si një votë për Bashkimin Evropian, meqë Emmanuel Macron bëri pak për të kundërshtuar gjatë fushatës zgjedhore ndjenjën kundër-BE. Në Berlin, Bruksel dhe Londër ai shprehu adhurim për BE, ndërkohë që brenda Francës u përqëndrua më së shumti në tregun e punës, politikën e edukimit dhe mbështetjes për sipërmarrjet. Rrjedhimisht, zgjedhësit e tij i vlerësuan çështjet europiane të ishin më pak thelbësore se sa papunësia dhe fuqia blerëse. Sa më shumë zërat kundër-evropianë mbizotëruan, aq më i frenuar u bë diskutimi pro-evropian i Macron. Në Francë ai e paraqiti veten si kandidati që dëshironte ‘’një Evropë tjetër’’ dhe tha ‘’Unë nuk do ta mbaj Evropën kështu siç është tani’’. A do të thotë kjo se në vitin 2017 një kandidat duhet të tregojë largësinë e tij nga Evropa në mënyrë që të bëhet President i Francës?

Kritika ndaj politikës së sotme evropiane, nuk është gjithmonë e barazvlefshme me euroskepticizmin. Macron ka prekur çështje si udhëzimi i BE për punëtorët që punëdhënësi i dërgon të kryejnë një detyrë të përkohshme në një vend tjetër të BE. Në Francë ky udhëzim është bërë simbol i  pagave të ulëta për punëtorët nga Evropa Lindore. Marine Le-Pen thërret që të hidhet poshtë dhe Presidenti Hollande dëshironte ta luftonte abuzimin me të. Emmanuel Macron dëshiron ta ndryshojë atë, por në asnjë mënyrë të mos sfidojë lëvizjen e lirë të qytetarëve brenda BE. Gjithsesi është e qartë se ndjenja kundër-Evropë ka karakterizuar fushatën zgjedhore me të gjithë kandidatën që e kanë kritikuar BE-në në nivele të ndryshme. Në Francë, qytetarët shohin rritje të pakënaqësisë me BE-në; sot mbi 25 përqind ndjejnë se anëtarësia në BE është më shumë e paleverdisshme; shifra përkatëse në Gjermani është 14 përqind. Shumë janë mosbesues ndaj globalizimit dhe kërkojnë siguri që do të mbrohen në çështje sociale dhe sigurisë së brendshme.

Kjo gjendje shpirtërore do të vazhdojë të formësojë diskutimet politike në Francë dhe mund të kufizojë ndikimin e Presidentit të ri mbi politikën evropiane. Në përditshmërinë e tij, Macron do t’i duhet të bashkëpunojë me partnerë që jo gjithmonë ndajnë entuziazmin e tij për Evropën. Nuk është ende e qartë nëse lëvizja e tij ‘’En Marche!’’ do të marrë shumicën parlamentare në qershor dhe nëse jo, cilat koalicione mund të jenë të mundshme për të. Sido që të jetë përfundimi, Presidentit të ri do i duhet të bëjë kompromise. Në një vend ku edhe vetë partitë tradicionale janë të ndara përsa i përket Evropës, kjo nuk është një çështje e vogël. Marrim për shembull bashkëpunimin e BE për politikën e azilit, gjatë fushatës zgjedhore, kandidati Macron lavdëroi politikën e qeverisë në përgjigje të krizës së refugjatëve. Sidoqoftë, sistemi i kuotave për strehimin e refugjatëve ka hasur një kundërshti kaq të fortë ndërmjet zgjedhësve në të gjithë kontinentin sa një ndryshim drejtimi do të ishte i vështirë për t’u realizuar nga Macron. Si përfundim, mundësia e parapëlqyer e Macron është të krijojë qendra azili për BE-në në vendet përtej Bashkimit.

Presidenti Macron takon Ministrin e Jashtëm Federal gjerman Sigmar Gabriel

Jo kaq shpejt

Nuk është vetëm në politikën evropiane që duart e Macron janë të lidhura. Ai do e gjejë të vështirë të zbatojë reformat strukturore. Të paktën për një shkak, çdo ndryshim që ai kërkon të bëjë do të mbështetet mbi aftësinë e tij për të marrë mbështetjen e shumicës në Kuvendin Kombëtar. Presidenti i ri e ka shpallur mandatin e tij për të reformuar një pjesë të ligjit të punës nëpërmjet një vendimi. Fillimisht duhet të marrë autoritet nga parlamenti, i cili edhe pas kësaj ka fuqinë të shfuqizojë rregullat e zbatuara. Jashtë parlamentit, gjithashtu, Macron do të përballet me kundërshti të fortë. Sindikatat – mbi të gjitha kundërshtuesja KPP (Konfederata e Përgjithshme e Punës) – kanë njoftuar tashmë protesta për këtë verë, të cilat kanë për qëllim t’i përdorin për të bllokuar reformat e punës. Shumë në të majtë janë rezistentë ndaj Macron: në sytë e tyre ai është mishërimi i neoliberalizmit. Thirrja përbashkuese ‘’As Macron as Le Pen’’ nga mbështetësit e majtistit Jean-Luc Melenchon e përshkruan këtë sjellje. Grupe brenda lëvizjes së Melenchon, “La France insoumise”, kërcënojnë të vihen në lëvizje kundër Macron. Kritika ndaj globalizimit vjen dhe nga e djathta ekstreme: herë pas here gjatë fushatës zgjedhore Le Pen sulmoi Macron si përfaqësues të ‘’globalizimit të shfrenuar’’. Fronti Kombëtar do e bëjë zërin e tij të dëgjohet si në Kuvendin Kombëtar ashtu dhe jashtë korridoreve të pushtetit. Dhe populli francez i të gjitha ngjyrave është ngurrues për të lëshuar pe ndaj thirrjeve gjermane për reforma.

Politikanët gjermanë pëlqejnë ta imagjinojnë Emmanuel Macron si në krye të një bashkimi të madh, por për shkak të kufizimeve politike dhe institucionale në Francë, kjo duket e vështirë. Gjermania gjithashtu duhet të përgatitet për mundësinë e kërkesve të papërshtatshme nga Parisi. Macron është zotuar të krijojë një buxhet të përbashkët dhe të themelojë vendin e Ministrit të Ekonomisë dhe Financave për Eurozonën, për të financuar investime të ardhshme dhe për të siguruar ndihma financiare urgjente. Plane të tilla kanë fituar pak entuziazëm në Gjermani, meqë ato kërkojnë zhvendosje financiare që qeveria fedeale deri më tani i ka kundërshtuar. Pavarësisht kësaj, dy vendet do të duhet të bisedojnë. Ashtu si Gjermania ka nevojë për një Francë të fortë, Presidenti i ri francez ka nevojë për mbështetjen e Gjermanisë për të ndërmarrë reformat e tij. Vetëm atëherë mund të përfitojë BE nga një bashkëpjesëmarrje franko-gjermane.

SHPËRNDAJE