Duke u përpjekur të zgjidhin krizën vazhduese politike në Shqipëri, disa përfaqësues të lartë ndërkombëtarë, vizitorë nga shtetet anëtarë të BE por dhe nga Shtetet e Bashkuara, po bëjnë përpjekjet e fundit për të gjetur kompromisin mes dy palëve, duke mbajtur gjallë një fije shprese që do t’i risjellë njëfarë normaliteti në dukje situatës.

Është e lavdërueshme vendosmëria e ndërkombëtarëve për t’i çuar gjërat përpara. Kjo vjen ballë kundërshtimeve më të ashpra dhe më vokale që ata kanë hasur deri më tani në Shqipëri gjatë përpjekjeve të tyre për të negociuar dialogun dhe për të zgjidhur ngërçet politike.

Megjithatë shumë shenja dëshmojnë se Shqipëria për të parën herë në 26 vite zgjedhje demokratike do të hyjë në procesin elektoral pa partinë kryesore opozitare, në këtë rast Partinë Demokratike. Ndërsa fletët e votimit po shtypen me një numër të limituar partish dhe Komisioni Qendror Zgjedhor po shpërndan fonde publike për fushatën duke përjashtuar PD nga to, të gjithë hapat proceduralë po vijojnë normalisht pavarësisht bojkotit të opozitës. Komuniteti ndërkombëtar në Tiranë përfshi këtu disa Ambasada të rëndësishme perëndimore dhe misionin e vëzhguesve zgjedhorë kanë deklaruar publikisht që zgjedhjet do të njihen si të rregullta pavarësisht vendimit të PD.

Megjithatë skenarët afatshkurtra dhe afatmesme në dukje nuk janë fort optimiste. Skenari më i keq është mundësia e dhunës dhe e destabilitetit. Ky skenar parashikon akte të dhunshme dhe përplasje ndërmjet militantëve të opozitës dhe elementëve kriminalë me policinë e shtetit ose akoma më keq, me qytetarët që do t’u afrohen qendrave të votimit. Ka pak gjasa që kjo të ndodhë duke qenë se bojkoti i opozitës dhe protestat e lidhura me të kanë qenë deri më tani mjaft paqësore. Sidoqoftë, vetëm se kjo ka pak gjasa të ndodhë, nuk është tërësisht e pamundur. Shqipëria është shumë e ndjeshme ndaj shpërthimeve të dhunshme dhe po të ishte ky rasti, do të pësonte humbje të mëdha. Politikanët që luajnë me nocionin e mosbindjes civile duhet të përcaktojnë qartazi kufijtë e tyre kundër nxitjes së dhunës dhe t’i respektojnë këta kufij.

Edhe nëse ky makth nuk bëhet realitet, rezultati i zgjedhjeve do të kontestohet dhe sidoqoftë, nuk do të jetë zgjedhja e të gjithë qytetarëve shqiptarë. Në këtë kontekst autoritarianizmi mund të gjejë tokë pjellore për të lulëzuar pa u shqetësuar shumë për kontrolle dhe për të qenë të balancuar.  Një mazhorancë e pafrenuar do të ketë një liri veprimi të rrezikshme për të çuar përpara ligje dhe reforma që do të diskutohen përciptazi dhe nxitimthi për të përfituar nga momenti. Zgjedhjet mund të nevojitet të përsëriten më shpejt nga ç’mund të mendojë shumëkush.

Ç’është më e rëndësishmja është se përsëritja ciklike e ngërçit politik në Shqipëri është gjithmonë e më tepër duke i ngjarë një rrote torture për brejtës, në të cilën e gjithë shoqëria rrotullohet pambarimisht, pa një perspektivë të qartë në horizont. Kushtet e paqëndrueshme, përleshjet e pafundme janë një pengesë për zhvillimin ekonomik të vendit, teksa investimet e huaja si dhe projektet strategjike po kërkojnë kushte më avantazhuese gjetkë.

Veç kësaj, duke patur parasysh kontekstin e jo-favorshëm dhe trazirat në Perëndim, vëmendja dhe fokusi i Bashkimi Europian por dhe Shteteve të Bashkuara, është zhvendosur nga i tërë rajoni. Gatishmëria e komunitetit ndërkombëtar për të ndërmjetësuar në kriza të tilla dhe për të toleruar sjellje të tilla po pëson rënie të ndjeshme.

Në kushte të tilla, Shqipëria duhet ta harrojë marrjen e një date për hapjen e negociatave dhe ecjen përpara në rrugën e integrimit europian.

Polarizimi agresiv dhe mungesa e konsensusit mbi reforma të rëndësisë madhore që supozohet të ndërtojnë institucionet e shtetit ligjor në Shqipëri është e garantuar të zbehin mbështetjen në radhët e BE për vendin. Edhe mbështetësit më entuziastë të kandidaturës së Shqipërisë e kanë pohuar këtë gjë mjaft qartë.

Së fundmi, qytetarët shqiptarë të cilët nuk e gjejnë veten në asnjërin prej kampeve, po distancohen sa vjen e më tepër nga detyra e përcaktimit të fatit të tyre politik, po i kthejnë krahët ekraneve të televizioneve dhe kutive të votimit me neveri. Ata po kërkojnë mënyra për të imigruar apo të jetojnë jetët e tyre në kërkim të njëfarë mirëqenieje individuale, duke u shtirur sikur s’po ndodh asgjë. Rritja në zhgënjim, apati dhe madje, cinizëm do të ketë pasoja afatgjata për zhvillimin demokratik të Shqipërisë, përtej kuadrit të kohëzgjatjes së krizës aktuale.

Duke patur parasysh faktin që koha kushtetuese dhe ligjore dhe limitet procedurale janë shtyrë, një kompromis përsa i përket këtij raundi zgjedhor është i pagjasë. Megjithatë, nuk është i pamundur. Ndërkaq mbetet ende shumë punë për t’u bërë për shfrytëzimin e mundësive për të përmirësuar komunikimin, rivendosjen e besimit dhe lehtësimin disi të tensionit midis palëve politike. Nëse politikanët shqiptarë duan ta mbajnë larg rrezikun e skenarit të implikimeve negative, duhet të tregohen më të vëmendshëm.

 

 

SHPËRNDAJE