Deklarata e Kryeministrit shqiptar, Edi Rama, se do të bashkojë Shqipërinë me Kosovën në rast se Bashkimi Europian zbeh aspiratat për anëtarësimin në Union, vazhdon të bëjë bujë dhe të analizohet nga ekspertët.
Albert Rakipi, nga Instituti i Studimeve Ndërkombëtare në Tiranë, e ka cilësuar këtë deklaratë si një logjikë shumë të çalë, e cila hyn në grupin e manovrave për të shmangur vëmendjen nga dështimet në politikën e brendshme. Ai nuk e ka cilësuar këtë deklaratë as si kërcënim dhe as si shantazh për BEnë, por e ka quajtur një situatë qesharake, pasi Shqipëria sillet sikur të jetë një gjigant në punët e jashtme.
Madje, ka bërë një krahasim me kritikat që i ka bërë Pekinit Enver Hoxha, pa u konsultuar më parë me Partinë Komuniste, për pritjen që do t’i bënte presidentit amerikan të asaj kohe, Riçard Nikson. Rakipi kujton se Kosova dhe Shqipëria janë dy shtete të dobëta, të cilat, edhe nëse bashkoheshin, do të zgjeronin thjesht një territor ku do të përplaseshin dy shoqëri që flasin të njëjtën gjuhë, por që kanë kultura të ndryshme, sipas tij do të formohej një shtet i dobët dhe i paqeverisshëm.
Cili është komenti juaj i parë për deklaratat e Kryeministrit E. Rama, sipas të cilave, nëse perspektiva e anëtarësimit të Shqipërisë në BE zbehet, Shqipëria do të kërkojë bashkimin me Kosovën.
Integrimi europian i Shqipërisë ka qenë forca shtytëse e ndërtimit të shtetit në Shqipëri gjatë gjithë transformimit postkomunist, i ndërtimit të një shteti funksionues, i modernizimit të shoqërisë, vendosjes së një sistemi demokratik, sundimit të ligjit, respektimit të lirive e të drejtave të njeriut dhe zhvillimit ekonomik. Ky proces transformues ka ndihmuar dhe ka çuar përpara perspektivat e integrimit europian të Shqipërisë. Besoj se është një logjikë shumë e çalë të mendosh se nëse Bashkimi Europian nuk e pranon Shqipërinë, atëherë Shqipëria bashkohet me Kosovën. Kosova ose bashkimi i saj me Shqipërinë nuk mund ta zëvendësojë fuqinë magjike transformuese të Bashkimit Europian. Mendoni se si do ta ndihmojë bashkimi i Kosovës me Shqipërinë ndërtimin e një shteti modern dhe funksionues, sundimin e ligjit dhe të kushtetutës në Shqipëri, vlerat e lirisë, zhvillimin ekonomik dhe modernizimin e shoqërisë.
Po nëse vërtet nuk do të ketë më një zgjerim të BE, apo për çfarëdo arsyeje tjetër Shqipëria dhe vende që aspirojnë anëtarësimin nuk do të jenë të mirëpritura në BE, çfarë do të ndodhë?
Integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian nuk është çështje bashkimi me një territor e në këtë rast me territorin e vendeve anëtare të BE. Ta konceptosh kështu integrimin në BE, besoj se është një logjikë shumë e gabuar. Sipas këtij koncepti, nëse Shqipëria nuk bashkohet me territorin e BE, atëherë bashkohet me Kosovën. Bashkimi Europian aktualisht ndodhet përballë sfidave shumë të mëdha, që kanë të bëjnë me vetë ekzistencën e tij (për shembull, një fitore e Le Pen në Francë, që ka premtuar daljen e Francës nga BE, do të thotë automatikisht fundi i BE). Por a do të thotë kjo që Shqipëria dhe vende të ngjashme të heqin dorë nga ndërtimi i shoqërive dhe sistemeve demokratike, që bazohen te sundimi i ligjit dhe lirive të njeriut? Perëndimi dhe shoqëritë që jetojnë në liri kanë ekzistuar përpara Bashkimit Europian.
A duket ky si një kërcënim apo shantazh mbi BE, që vjen në mënyrë të përsëritur nga Shqipëria?
Kjo e bën edhe më qesharake situatën. Shqipëria vijon të sillet si një gjigant në punët e jashtme. Kjo vjen nga kultura politike nën komunizëm. Po lexoj një studim të ri për marrëdhëniet shqiptaro kineze në periudhën e fundit të tyre, kur Hoxha i dërgon një letër
Komitetit Qendror të PK Kineze dhe e qorton rëndë Pekinin që ka vendosur të presë Presidentin Nikson, pa e shqyrtuar më parë këtë me Partinë Komuniste të Shqipërisë. Por nuk është vetëm kultura politike që vjen nga komunizmi. Udhëheqësit në Shqipëri merren intensivisht dhe kryesisht me çështjet ndërkombëtare. Kjo është një mënyrë për të shmangur dështimin në politikat e brendshme, por edhe një mënyrë sikur janë në hartën europiane të vëmendjes, në mos në atë botërore.
Le të kujtojmë deklaratat e udhëheqësve shqiptarë se çfarë do t’i ndodhte botës nëse Trump zgjidhej President. Në të vërtetë, nëse Shqipëria dhe Kosova bashkohen, atëherë ka një rrezik. Të dyja vendet janë shtete të dobëta, kurse Kosova ende e pakonsoliduar si shtet.
Të dyja shtetet janë të gërryera nga konfliktet e brendshme politike, kanë një shkallë të ulët funksionaliteti dhe standarde të ulëta demokratike. Bashkimi, nëse ndodh, do të sillte thjesht një shtet më të madh, por sigurisht shumë të dobët dhe ndoshta të paqeverisshëm, pa folur që në integrimin e dy shoqërive, që flasin të njëjtën gjuhë, por që janë të ndryshme, do të kishte një tension të përhershëm.
E di se shpura laramane e nacionalistëve fanatikë do të nervozohet ndaj kujtdo që është kundër bashkimit kombëtar apo çështjes kombëtare për të cilën flasin si njëqind vjet më parë. Sidomos do të nervozohen shumë ata që janë ende në bunkerin nacionalkomunist, nga i cili sulmonin pa reshtur “imperializmin amerikan” me fletërrufe të gjata, patetike.
Çështja kombëtare është zgjidhur pas pavarësisë së Kosovës dhe ajo që udhëheqësit e shoqëritë tona duhet të bëjnë sot është ndërtimi i shteteve, ku sundon ligji, i shteteve dhe shoqërive të zhvilluara që nuk jetojnë nën frikë. Së fundi, por jo e fundit, Shqipëria është një vend anëtar i NATOs dhe një anëtar i NATOs jo vetëm që nuk kërcënon, por duke qenë shumë i vogël, duhet të sillet në mënyrë serioze dhe me maturi.
Por a ekziston ideja e bashkimit në Shqipëri dhe në Kosovë?
Sipas studimit më të fundit të Institutit të Studimeve Ndërkombëtare, vetëm 9 për qind e shqiptarëve në Shqipëri e shikojnë si pozitiv bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Ashtu sikundër e dimë se në Shqipëri nuk ekziston asnjë parti politike, organizatë apo individ me influencë që të mbështetë apo inkurajojë një lëvizje politike për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Edhe një parti politike në Shqipëri, që doli me platformën e bashkimit të të gjitha trojeve shqiptare në Ballkan, nuk mori as një për qind të votave në përfundim të dy zgjedhjeve më të fundit parlamentare.
Në Kosovë ekziston një parti politike, Vetëvendosja, që nuk e njeh shtetin e Kosovës dhe kërkon bashkimin në një shtet kombëtar, por besoj se nuk është sekret publik, që pavarësisht nga populizmi, që është në rritje në elitat politike, kulturore apo intelektuale, janë elitat politike së pari, që jo vetëm nuk e duan, por janë kundër një bashkimi të mundshëm.