Fjalimi i fundit i kryekomisionerit Juncker përmendi shkurtazi zgjerimin, qetësuese për disa, por duke ripërsëritur mungesën e vendimeve të rëndësishme të zgjerimit deri në pranverën e 2019. Pak fjalë shpësëdhënëse dhe konkrete u dhanë për Serbinë dhe Malin e Zi, pararendësit e procesit ndërsa Shqipëria dhe pjesa tjetër e synuesve nga rajoni duhet të kënaqeshin me një ripohim të thatë të së ardhmes së tyre evropiane.

Ndërlikimi në rritje dhe më keq akoma pasiguria për procesin e zgjerimit po fillon të bjerë edhe mbi shoqëritë më optimiste dhe pro-BE si Shqipëria. Integrimi evropian përfshihet në përparësitë kyçe të programit të qeverisë së re të paraqitur këtë javë. E megjithatë konfuzioni vazhdon. Kryeministri Rama nuk e përmendi integrimin në fjalimin e tij të parë ku përvijoi shpirtin qeverisës dhe e përfshiu atë në paraqitjen në Kuvend, duke shprehur shpresën për hapjen e bisedimeve vitin tjetër.

Hapja e bisedimeve, sidoqoftë, duket një hap i rëndësishëm në strukturën e zgjerimit, një prej atyre hapave që duket se do të shtyhen për pas pranverës 2019 nëse do ta marrim fjalë për fjalë fjalimin e Juncker-it.

A është atëherë projekti i integrimit një ëndërr në ikje?

Për pothuajse të gjitha vitet e tranzicionit integrimi ka qenë arsyeja, struktura dhe shpirti i reformave dhe zhvillimeve të mëdha. Është sigurimdhënëse që vazhdon të jetë kështu.

Shqipëria sapo po fillon të zbatojë reformën në drejtësi, një prej kërkesave kyçe të procesit. Operacioni i vështirë dhe i brishtë në organet e drejtësisë dhe vetë thelbin e funksionimit të shtetit sapo ka filluar. Dhe të paktën nga rezultatet, po shohim se po përshfaqet sëmundja në gjithë tërësinë e saj. Procesi i vetingut tashmë ka nxjerrë në pah shuma të pabesueshme pasurish të gjykatësve të lartë në Shqipërisë dhe më rëndësishëm ka vënë në dukje faktin që kjo është e pajustifikueshme.

Reforma në drejtësi dhe procesi i vetingut jo vetëm që u miratuan me shtytjen themelore nga aktorët dhe institucionet evropiane por më e rendësishme është që do të bëhet nën udhëzimin e kujdesshëm dhe mbikëqyrjen nga BE. Kjo i shton një efikasitet dhe legjitimitet të dobishëm procesit.

Reforma në drejtësi mund të jetë më e rendësishmja dhe më e përmendura për momentin por me siguri nuk është e vetmja e shtytur prej synimeve të integrimit evropian.

Nëse integrimi vazhdon të furnizojë këtë reformim të shtetit, përmirësimin dhe transparencën e institucioneve, vendosjen e standarteve dhe zhvillimin ekonomik dhe shoqëror të vendit, atëherë vazhdon të jetë një busull udhëzuese që nuk mund ta humbasim.

SHPËRNDAJE