Kur bëhet fjalë për krimin dhe politikën, vijat e kuqe në Shqipëri kanë ardhur duke u zbehur në vitet e fundit dhe kjo është një temë të cilën revista Europa e ka adresuar shpesh herë në të shkuarën, por kur flitet për kultivimin e kanabisit dhe trafikun ndërkombëtar të drogës vlen të përmendet sërish — derisa të vendoset një vijë e fortë e kuqe dhe ata që e shkelin të marrin dënimin e merituar, Shqipëria do të vijojë të përballet me probleme të mëdha.

Është një fakt i pamohueshëm që kanabisi është kultivuar në Shqipëri gjatë katër viteve të shkuara në nivel industrial. Në fakt, kanabisi është shndërruar në një element të rëndësishëm të “ekonomisë së zezë”, që numëron mijëra njerëz të punësuar gjatë viteve të shkuara, duke filluar që nga ata që punojnë nëpër fusha deri tek ata që e përpunojnë, trafikojnë  dhe bosët  e mëdhenj që numërojnë fitimet.

Disa të dhëna tregojnë që përdorimi i kësaj substance të paligjshme në vend është dhjetëfishuar në vitet e fundit, megjithatë, sasia më e madhe është e destinuar për tregjet evropiane: nëpërmjet kamionëve, skafeve apo dhe aeroplanëve.

Është e qartë se po përftohen miliarda dollarë nga ky “biznes”  prandaj lind pyetja: ku po shkojnë këto para?

Opozita ka bërë akuza të qarta  mbi përdorimin e këtyre parave për ta mbajtur të majtën në pushtet nëpërmjet blerjes së zgjedhjeve, influencën mediatike – e thënë shkurt, blerjes së pushtetit.

Nëse marrim në konsideratë një statistikë globale, sipas së cilës, zakonisht vetëm 10 për qind të drogave sekuestrohen nga njësitë e anti-drogës; atëherë me disa qindra mijëra  tonët e sekuestruara deri tani vetëm në Itali dhe në Shqipëri, përfitimet duhet të jenë marramendëse.

Është një kohë kritike për Shqipërinë po të marrim parasysh fuqinë që organizatat kriminale mund të zotërojnë me atë lloj paraje.

 

Përpos kanabisit, Shqipëria është listuar tashmë edhe si një vendkalim për drogat më të forta që vijnë nga Lindja. Trendi përkeqësohet edhe më tej me përfitimet që vijnë nga ky burim.

Vetëm pak vite më parë, situata nuk ishte kaq e rëndë. Atëherë, çfarë ka ndodhur që e ka sjellë vendin deri në këtë pikë? Ka vetëm dy skenarë të mundshëm.

I pari është që qeveria dhe  institucionet e zbatimit të ligjit e kanë humbur krejtësisht kontrollin mbi territorin e vendit dhe kufijtë e tij.  Dhe nën këtë skenar kjo ka ndodhur sepse qeveria është e dobët dhe shteti nuk funksionon. Nën këtë  skenar krimi i organizuar, organizatat kriminale dhe e gjithë bota kriminale është më e fortë sesa shteti me qeverinë dhe institucionet e tij.

Skenari i dytë është edhe më shqetësues.  Shqipëria ka dështuar në luftën kundër   krimit të organizuar, kultivimit të  drogës dhe trafiqeve ndërkombëtare të drogave të tjera sepse qeveria dhe institucionet e saj janë të përfshira në to.

Në të dy rastet qeveria ka dështuar në zbatimin e detyrave të saj themelore. Dhe asnjë qeveri në një shtet normal nuk  mund të qëndrojë në pushtet kur dështon në detyrën e saj themelore: kontrollin e territorit, të kufijve dhe vendosjen e ligjit.

Ne ende nuk e dimë se cili nga këta skenarë po luhet. Për të dytin nevojiten prova, ndërsa i pari është evident. Megjithatë, ndërsa ish-ministri i brendshëm është nën hetim, skenari i  dytë  mbetet i mundshëm. Ndërkaq edhe drejtues të nivelit të lartë të policisë janë shpallur në kërkim ndërkombëtar pas një urdhër arresti të lëshuar nga prokuroria, por të kërkuarit arritën ta lënë vendin.

Sido që të shkojnë gjërat, shqiptarët meritojnë më shumë, prandaj ajo vija e fortë e kuqe është e nevojshme për të vendosur një kufi të qartë mes ekonomisë kriminale dhe qeverisjes.

SHPËRNDAJE