Një shprehje popullore që dëgjohet shpesh në Shqipëri, në variante të ndryshme, thotë: “Po nuk pate shëndetin, nuk ke asgjë” – “Shëndeti i pari” – “T’na japi Zoti shëndet se të tjerat vijnë vetë.” Nëse mendoni se këto janë shprehjet e një populli që vlerëson shëndetin mbi çdo gjë tjetër, gaboheni. Ajo që duan të thonë është se presin ndihmë nga Zoti për të mos u sëmurur, se përndryshe u zë derën varfëria. Kjo është gjerësisht për faj të situatës së sistemit shëndetësor në Shqipëri, si në sektorin privat dhe në atë publik, i cili i ngjan aq shumë një gracke të frikshme sa njerëzit mund vetëm të shpresojnë ta mbajnë larg duke u lutur për fat të mire.
Një raport rajonal ekonomik nga Banka Botërore doli në përfundimin se 4.5% e njerëzve në Shqipëri u varfëruan për shkak të sëmundjeve që kanë dhe shpenzimeve shëndetësore. Më shumë se 120,000 njerëz të prekur nga sëmundje, të cilët duhet të paguajnë fatura shëndetësore, të blejnë ilaçe dhe të kujdesen për veten apo familjarët, përfunduan me xhepa bosh dhe financa të këputura për shkak të situatës. Asnjë shtet tjetër në rajon nuk përfaqësohet me shifra aq negative. Arsyeja e përmendur në raport është se pavarësisht përrallës se shëndetësia është falas, të cilën deri dhe mazhoranca qeveritare e ka braktisur gjatë mandatit të dytë, taksapaguesi Shqiptar ngarkohet me të paktën gjysmën e shpenzimeve për fatura mjekësore. Mali i Zi vjen pas Shqipërisë, me qytetarë që mbulojnë rreth 42%, ndërkohë që shtete të tjera mbulojnë një pjesë më të madhe, duke u lënë 20%-30% të kostos shtetasve të thjeshtë.
Situata është edhe më e gjerë dhe komplekse se kaq: edhe pse pjesa tjetër e klasës së mesme mund t’i shpëtojë një sëmundjeje pa u zhytur në varfëri ekstreme, pasiguria e lidhur me shëndetësinë në Shqipëri është një nga faktorët kyç që rrezikon jetët e tyre. Një sëmundje serioze apo një aksident i papritur do e grabiste shumicën e klasës së mesme nga të gjitha kursimet dhe do detyronte shumë prej tyre të kërkonin borxh nga bankat. Disa mund të marrin borxh nga pjesëtarë të familjes nëse është e mundur, për të evituar normat e interesit. Nga këtu nis një rreth i gjatë dhe i lodhshëm pasigurish dhe rëndesash financiare për ta.
Ironia qëndron se i njëjti fat bie mbi ata që kërkojnë ndihmë si në sektorin publik dhe në atë privat. Në spitalet publike kushtet janë shpesh të mjerueshme, ilaçet duhen gjetur në mënyra alternative dhe korrupsioni vazhdon të mbijetojë. Dje, e gjithë skuadra e mjekëve të urgjencës nga spitali më i madh në Shqipëri ishte gati të firmoste një peticion dhe deri të hiqte dorë, po të ishte e nevojshme, për të protestuar mbingarkesën me pacientë dhe kushtet e këqija të punës. Në sektorin privat, faturat ekstravagante paguajnë për atë që duket si shërbim më i mire. Dhe të gjithë ata që paguajnë taksa dhe kontribute rregullisht (kontributi mjekësor është rreth 4% i të ardhurave në Shqipëri) nuk përfitojnë asgjë nga spitalet private pavarësisht premtimeve të shumta se taksat e tyre do llogariten diku: duke shërbyer si çmim i zbritur në sektorin privat.
Një fat edhe më i keq i pret ata që nuk jetojnë në Tiranë apo në qytetet e rëndësishme. Shpenzimet e tyre rriten nga udhëtimet që duhet të bëjnë dhe ditët e punës që duhet të humbasin për tu konsultuar me mjekët specialistë në një nga spitalet më të mëdha të kryeqytetit apo rajonit, duke qenë se qytetet e vogla apo fshatrat kanë shumë vite që nuk përfitojnë shërbim të zakonshëm. Kjo është dhe arsyeja pse bllokojnë spitalet kryesore, të cilët nuk janë të përgatitur për atë ngarkesë pune.
Ndërkohë që ky realitet i errët prek jetët e Shqiptarëve çdo ditë, realiteti virtual i ministrave që inaugurojnë sektorë spitalesh të rinovuar ndriçon fort dhe pa pushim nëpër televizione. Shëndetësia është vërtetë një grackë në Shqipëri: kur përfshihesh, përgatitu për një betejë të madhe, jo vetëm për shëndetin tënd, por edhe për mbijetesën financiare.