Dr. Sylë Ukshini*

Çështja e zgjidhjes së problemit të Kosovës është ngritur të paktën në agjendën e qarqeve  akademike greke që nga viti 1996, kur Fondacioni Grek për Politikë të Jashtme dhe të Mbrojtjes prezantoi propozimin për të evituar  një konfrontim të armatosur shqiptaro-serb  në Kosovë. Qëllimi  i këtij propozimi ishte rivlerësimi i pozitës së shqiptarëve të Kosovës si bashkëthemelues të Jugosllavisë së mbetur, në vend të statusit të pakicës, propozohej avancimi i pozitës kushtetuese të shqiptarëve si popull me të drejta të barabarta.

Ajo që është më interesante, kërkesa kyçe e këtij institucioni akademik ishte zgjidhja politike e çështje së Kosovës  duhej të garantohej nga OKB, NATO dhe BE. Realisht kjo kërkesë për zgjidhjen paqësore të çështjes së Kosovës e integronte qeverinë greke në politikën rajonale ballkanike. Si pikë tjetër kulmore e kësaj politike vlerësohet Samit i Kretës në nëntor 1997, i cili nga kosovarët kujtohet për takimin kontrovers midis Milosheviqit dhe kryeministrit shqiptar Nano, i cili mendohet se ishte sponsorizuar nga amerikanët. Mirëpo, Greqia, përkundër kësaj nisme akademike, megjithëse vend anëtar i BE-së dhe njohëse e mirë e rajonit, nuk arriti të luante rolin e një aktori për bërjen e paqes në Ballkan dhe për një kohë të gjatë mbeti në periferi të zhvillimeve. Gjatë kohës së shpërbërjes së Jugosllavisë, negociatave të Dayton-it dhe Rambuillet-t, shteti grek ishte i paralizuar dhe shpesh u ndodhë në pozicion të izoluar. Në politikën e saj të jashtme Athina provoi të ruante një ekuilibër mes solidaritetit politik me politikën e BE-së dhe raporteve të veçanta me Beogradin. Në të vërtetë, marrëdhëniet e mira me Beogradin shfrytëzoheshin nga Athina për qëllime pozitive, për ta përcjellë zërin e BE-së tek autoritetet serbe dhe njëkohësisht evokonte për inkuadrimin e Jugosllavisë së mbetur në institucioneve ndërkombëtare. Në këtë mënyrë, Athina provonte të shfrytëzonte në mënyrë konstruktive rolin e dyfishtë si anëtare e BE-së dhe si shtet ballkanik. Shteti helen angazhohej  për një intensifikim të bashkëpunimit politik në rajon dhe uljen e shpërthimit të konflikteve në vatrat e krizave potenciale. Diplomacia greke nuk dëshironte të mbetej në periferi të zhvillimeve ballkanike, nga një qasje izoluese të kalonte në një pozitë bashkëpunim multilaterale me të gjitha vendet e Ballkanit.

Në çështjen e Kosovës pozicioni i Athinës ishte kryesisht identik me atë të vendeve anëtare të BE-së dhe të ShBA-së, qëndrimi i saj ishte për arritjen e një zgjidhje politike mes Jugosllavisë së mbetur dhe përfaqësuesve të Kosovës. Madje në vitin 1996 Fondacioni grek për Politikë të Jashtme   doli me propozimin për të evituar konfliktin e dhunshëm  të Kosovës, sipas të cilit shqiptarët parashikohej të trajtohen jo pakicë kombëtare, por komb bashkë-themelues i Jugosllavisë së mbetur dhe që një status i tillë të garantohej nga OKB, NATO dhe BE. Ky angazhimi grek për gjetjen e një zgjidhje politike në rastin e Kosovës e integronte Athinën zyrtare edhe në politikën ballkanike.

Vlen të theksohet se edhe gjatë luftës së Kosovës dhe gjatë Konferencës e Paqes në Rambuillet të Francës roli i diplomacisë greke ishte aktiv dhe ekuilibrues, ajo nuk dëshironte të binte në pozicion izolues si në rastin e luftës së Bosnjës. Por, edhe më tej pozicioni i saj ishte i veçantë, pasi Athina zyrtare nuk mbështeste ndërhyrjen ushtarake, përkundër fakti se ajo njihte si përgjegjëse kryesore palën serbe. Derisa marrëdhëniet ndërmjet Athinës dhe Shkupit gjithmonë janë determinuar nga gjetja e një zgjidhje e kontestit të emrit të Maqedonisë, ndërkaq Greqia në luftën e Kosovës është sjellë në mënyrë strikte shumëpalëshe, por jo pa theksuar situatën e saj të veçantë dhe ndjekjen e linjës së vet brenda Aleancës, respektivisht një politikë që nënkuptonte një “rrugë të veçantë” greke dhe që konfirmoi imazhin grek si një rast të veçantë brenda BE-së. Elementet e politikës së jashtme greke në raport me Kosovën e bëjnë Greqinë më shumë si pjesë e politikës perëndimore, një model i diskursit që favorizon një politikë që mbështetej më shumë në multilateralizmin.

Edhe pse Greqia nuk ishte pjesë e sulmeve të NATO-s, një delegacion i saj mori pjesë në bisedimet e NATO-s me ushtarakët jugosllavë në Kumanovë, ndërkaq pas lufte ky vend dërgoi në Kosovë një kontingjent ushtarak paqeruajtës në kuadër të KFOR-it. Ky pozicion i shtetit grek mund të shpjegohet me rolin e veçantë gjeografik në rajon, anëtarësinë e saj në BE si dhe interesat e saj ekonomike. Profili i përgjithshëm dhe sjellja e Greqisë ka konfirmuar se Athina zyrtare ndjek një politikë të jashtme veçantë, e cila në fakt nuk kishte një linjë të qartë dhe koherente që nga anëtarësimi në BE, por që luhatet midis multilateralizmit dhe politikës nacionale. Kjo u manifestua në rastin e Kosovës si para ashtu edhe pas luftës dhe sidomos pas deklarimit të pavarësisë në shkurt 2008, kur shteti grek nuk u bashkua me qëndrimin e shumicës së vendeve të BE-së, por ndoqi një rrugë dhe praktikë të veçantë nacionale.

Çështja e Kosovës  ishte ngritur shumë në agjendën e politikës së jashtme greke edhe gjatë periudhës së negociatave për adresimin e statusit, të cilat u zhvilluan nën mbikëqyrjen intensive ndërkombëtare dhe të dërguarit të OKB-së, Martti Ahtisaari. Ashtu si shumica e vendeve, Athina ka mbajtur një pozicion të qëndrueshëm. Në deklarata, fjalime dhe intervista të shumta, zyrtarët dhe lidershipi shtetëror grek ka argumentuar nevojën e një marrëveshje  të  mundshme të pa imponuar ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve të Kosovës, e cila do të ratifikohej nga Këshilli i Sigurimit të Kombeve të  Bashkuara, pikërisht ashtu siç ishte dizajnuar Pakoja e Ahtisaarit. Mungesa e unitetit të vendeve të BE-së, dhe refuzimi i Rusisë për ta miratuar këtë dokument në Këshillin e Sigurimit e bëri më të komplikuar procesin e njohjes ndërkombëtare të shtetit të Kosovës. Pasi Kosova shpalli pavarësinë e saj, reagimet në Greqi në përgjithësi ishin të balancuara dhe asnjëherë nuk u bënë pengesë në procesin e integrimit evropian të Kosovës. Greqia mori pjesë aktive në kontekstin multilateral dhe nuk ndoqi ndonjë rrugë të veçantë në raport me Kosovën, por u bë pjesë thelbësore e misionit paqeruajtës të NATO-s (KFOR) si dhe të misionit evropian për sundimin e ligjit (EULEX).

Një qëndrim  domethënës në rrafshin e politikës nacionale greke në raport me Kosovën, pos njohjes pasaportave  ishte shpërfaqja e vullnetit të Athinës zyrtare për të lejuar hapjen e një Zyre Ekonomike të Kosovës në kryeqytetin grek. Natyrisht, ky hap nuk shënon aktin e fundit të njohjes së Kosovës, hap shtegun për thellimin  jo vetëm të  relacioneve mes Kosovës dhe Greqisë, por edhe të njohjes të realitetit dhe të njohjes graduale të shtetit të Kosovës. Madje, mund të thuhet se në mesin e pesë vendeve të BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën, shteti grek ka demonstruar një qëndrim shumë pozitiv, që në shumë pikëpamje mund të lexohej si një lloj njohje faktike e pavarësisë.

Por, pos në raporte me pavarësinë e Kosovës, diplomacia grek është përballur në Ballkan edhe me një çështje tjetër, me kontestin e emrit të Maqedonisë, që në fakt janë problem, të cilat indirekt paraqesin një trashëgimi të zhvillimeve të viteve 1912/1913,  ngarkojnë raportet në Ballkan dhe frenojnë shpejtësinë e integrimit të këtyre vendeve në BE dhe në NATO.  Shpallja e pavarësisë së Kosovës, 17 shkurt 2008, përkoi me kulminacionin diplomatik sa i përkiste kontestit në lidhje me emrin e Maqedonisë e cila arriti kulmin në momentin kur Greqia vuri veton për aderimin e Maqedonisë në NATO në Samitin e Bukureshtit në prill të vitit 2008. Një marrëveshje përfundimtare lidhur me kontestin e emrit të këtij shteti ballkanik dhe  pranimi i  pavarësisë së Kosovës mbeten dy çështje sensitive  për politikën e jashtme greke. Pa paragjykuar,  një pragmatizëm i elitës politike shqiptare dhe një fleksibilitet  më i  madh, mund të rezultojë me sukses në zgjidhjen e këtij kontesti me Shkupin zyrtar, që pa dyshim do të mund të hapte rrugën edhe për njohjen e Kosovës. Në përgjithësi Greqia ka adoptuar një kurs të pavarur, që pak është influencuar nga anëtarësia e saj në BE ose në NATO. Por në të njëjtën kohë, Greqia ka adoptuar një politikë të kujdesshme në këtë zonë të ndjeshme, që përfshin Ballkanin, Qipron dhe Turqinë.

Interesi kombëtar grek më së miri i shërben stabilitetit rajonal,  ndërsa në objektivat e saj çështja e njohjes së Kosovës gjithsesi qëndron në rrafsh më të lartë sesa kontesti për çështjen e emrit të Maqedonisë. Për të shpjeguar qasjen që Athina është e prirë të ndjek, së pari duhet të theksohet se ekziston një opsion  që interesat e Greqisë më së shumti i shërbejnë stabilitetit rajonal si dhe ndërtimit të kohezionit të politikës së jashtme evropiane. Nëpërmjet njohjes së Kosovës krijohet një hapësirë dhe mundësi më e mirë që Greqia të rikthehet në Ballkan si dhe të avancojë marrëdhëniet në Athinës dhe Tiranës. Në të kundërtën,  prolongimi i njohjes së Kosovës nuk i shërben interesave afatgjate të Greqisë, pasi e  dobëson rolin që aspiron ta luaj ky shtet në të ardhmen në rajon. Njohja e Republikës së Kosovës, duke u nisur nga  fakti se pas opinionit të Gjykatës së Hagës, sipas të cilit pavarësia e Kosovës nuk bie ndesh me të drejtën ndërkombëtare, nuk ekziston asnjë kontekst juridik, dhe nga fakti tjetër edhe më domethënës se në mes shtetit të Kosovës dhe atij helen nuk ekziston asnjë çështje rënduese nga historia, është edhe në funksion të sigurimit të interesave greke në lidhje me faktorin e përgjithshëm shqiptar në vendet fqinje. “Ne e shohim se duhet të mbajmë një lloj balance mes fqinjëve tanë,  dhe në këtë logjikë ne kemi qasje shumë konstruktive karshi Kosovës”, thoshte vite më parë shefi i Zyrës Ndërlidhëse greke në Prishtinë, Dimitris Moschopoulos, duke shtuar se “ në të njëjtën kohë, ne duam të kemi marrëdhënie të mira me shqiptarët, shqiptarët e Shqipërisë, ata të Kosovës dhe të IRJM-së”.

Në anën tjetër, edhe institucionet e republikës së Kosovës gjatë këtyre viteve kanë ndërtuar  kanalet e komunikimit institucional dhe zyrtar me  me autoritetet e shtetit grek, duke eliminuar pikëpamjen se ekziston një bllok i pesë shteteve  që nuk e njohin pavarësinë e Kosovën. Qëndrimi i deritanishëm i Greqisë ka qenë indikator se ky shtet në një të ardhme jo të largët mund ta njoh Kosovën. Sigurisht, ky akt politik mbetet në diskrecionin e shtetit grek nëse do ta njoh shtetin e Kosovës, por tashmë të gjithë e kanë të qartë,  si në Athinë ashtu edhe në kryeqendrat tjera  se Kosova madje edhe para pavarësisë përmbushte katër kriteret e Konventës së Motevideos për shtetësinë, të cilat janë të pranuara nga organizatat ndërkombëtare. Shteti i Kosovës pos të tjerash ka marrë edhe legjitimitetin nga e drejta ndërkombëtare me vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës më 2010, dhe tashmë asnjë shtet, duke përfshirë edhe Serbinë, nuk kanë justifikim të qëndrueshëm që t’i referohen këtij parimi.  Edh sipas të drejtës ndërkombëtare, pranimi i një shteti paraqet vetëm një akt politik dhe shteti grek ka diskredicionin e tij në këtë çështje.  Sidoqoftë, Greqia edhe pse nuk e ka njohur Republikën e Kosovës,  qëndrimi i saj dallon nga katër vendet tjera të BE-së. Athina, pos që ka vazhduar të mbajë komunikim intensiv me institucionet e Kosovës, ajo ka njohur pasaportat e Republikës së Kosovës,  duke lehtësuar kështu lëvizjen e qytetarëve dhe të biznesmenëve të Kosovës. Në këtë mënyrë, kosovarëve mund të lëvizin me vizat greke në të gjitha vendet e Schengenit, me përjashtim të Spanjës, e cila po ashtu nuk e ka njohur Kosovën.

Për anëtarësimin e Kosovës në FMN, në BB (World Bank), EBRD dhe së fundi për anëtarësim në Këshillin Rajonal të Bashkëpunimit (RCC), Greqia votoi pro. Veç kësaj,  Greqia në seancat e Gjykatës së Hagës lidhur me ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës, ka mbajtur qëndrim neutral dhe nuk ka deponuar asnjë deklaratë kundër pavarësisë së Kosovës. Se Athina i kushton rëndësi Kosovës, kjo shihet edhe nga niveli i përfaqësimit të saj në Prishtinë, Zyra  Ndërlidhëse Greke, e cila vepron që nga vitit 1999, drejtohet nga një diplomat me rang ambasadori. Si anëtare e BE-së, Greqia gjithmonë ka mbështetur rrugën e integrimit evropian të Kosovës, duke i mundësuar asaj të bëhet pjesë e agjendës evropiane të Selanikut (2003).  Të gjitha faktet e mësipërme tregojnë se, përkundër mosnjohjes, Greqia ka një qasje të posaçme dhe pragmatike ndaj pavarësisë së Kosovës, gjë që është shndërruar në komunikim intensiv institucional me Kosovën.

Gjithashtu, komunikimet e deritanishme ndërshtetërore midis Prishtinës dhe Athinës paraqesin një raport të veçantë ndërmjet këtyre dy shteteve të rajonit, të cilat nuk kanë asnjë çështje të hapur në mes tyre. Një moment të veçantë në komunikimin politik ndërmjet dy vendeve është edhe dakordësia e diplomacisë greke për lejimin e hapjes së një  përfaqësie të shtetit të Kosovës në kryeqytetin e Greqisë, në Athinë, fillimisht e karakterit  ekonomik, përmes së cilës do të shtohej edhe prezenca ekonomike, politike, kulturore dhe informative kosovare në këtë shtet. Për më tepër, një moment tjetër shumë cilësor në këto raporte bilaterale Kosovë-Greqi përbënë edhe vizita e ministrit të Jashtëm grek Nikolas Kotzias në Prishtinë në korrik 2015 dhe deklaratat e tij e bërë në konferencën për shtyp në kryeqytetin e Kosovës, në Prishtinë, se vota greke do të jetë pro anëtarësisë së Kosovës si shtet në UNESCO dhe Interpol. Sigurisht, kjo deklaratë nuk kaloi po tensione të vazhdueshme në mes Beogradit dhe Athinës. Një nivel i tillë i lartë i komunikimit ndërshtetëror Kosovë-Greqi pos që dëshmojnë diskursin e pavarur dhe pragmatik të politikës së jashtme grek ndaj rajonit, ajo i  kontribuon evidentimit të pikave të përbashkëta të bashkëpunimit dhe eliminimit gradual të qasjes hezituese  lidhur me njohjen e shtetit të Kosovës. Por, rëndësia e avancimit të marrëdhënieve Kosovë-Greqi kapërcen kuadrin dypalësh, sepse ato i japin fund mungesës së pranisë greke gjatë viteve të fundit dhe i japin peshë dhe prestigj rajonal shtetit helen. “Ne e shohim se duhet të mbajmë një lloj balanci mes fqinjëve tanë,  dhe në këtë logjikë ne kemi qasje shumë konstruktive karshi Kosovës”, thoshte ish-shefi i Zyrës Ndërlidhëse greke në Prishtinë, Dimitris Moschopoulos, duke shtuar se “ në të njëjtën kohë, ne duam të kemi marrëdhënie të mira me shqiptarët, shqiptarët e Shqipërisë, ata të Kosovës dhe të IRJM-së”.

Qëndrimi e Greqisë

Pavarësia e Kosovës nuk është temë që diskutohet shumë në Greqi. Publikisht diskutohet kryesisht në rrethe të ngushta akademike, të krijuesve të politikave dhe të biznesit dhe të krijuesve të opinionit në media.

Pra, cila është arsyeja e mosnjohjes së Republikës së Kosovës nga Greqia në mund të shikohet në këtë mënyrë. Së pari, qëndrimi zyrtar grek është se pavarësia e Kosovës është shpallur në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare. Shqetësime të caktuara janë ngritur për shkak të frikës se ajo praktikë do të hap “kutinë e Pendores” dhe komunitetit  ndërkombëtarë do të duhet të ballafaqohet me një varg të pafund pretendimesh separatiste sipas modelit të Kosovës. Theksi është vënë në shkeljen e aspekteve të ndryshme të së drejtës ndërkombëtare nga aktorët e fuqishëm, që çon në minimin e rolit të Kombeve të Bashkuara.

Lartësimi i së drejtës ndërkombëtare është në pajtim me qëndrimin që mban Greqia për problemet e veta (për shembull Egjeu apo krijimi i një precedenti për Qipron) dhe pasqyron imazhin e vendit si mbrojtës të status quo-së në Ballkan. Sidiqoftë shteti grek ndaj Kosovës ka lëvizur në mes njohjes de facto dhe mosnjohjes de jure: duke mbështetur integrimin e Kosovës në organizatat rajonale, evropiane dhe ndërkombëtare, si dhe të dokumenteve të saj zyrtare, dhe mos refuzimit kategorik për njohje. Në këtë linjë duhet parë edhe deklarata e ish-shefit të zyrës ndërlidhëse të Greqisë në Kosovë, Dimitris Moschopoulos, në korrik 2014, se Greqia një ditë do të njohë Kosovën e pavarur, por saktësuar ndonjë afat kohor.

Pretendimet e shteteve mosnjohëse të  pavarësisë së Kosovës paraqet  shkelje të së drejtës ndërkombëtare, edhe pse si referencë kanë argumente në rrafshin e të drejtës ndërkombëtare,  janë kryesisht politike dhe të motivuara nga interesa politike nacionale. Në rend të parë, argumenti juridik ndërkombëtar ishte në anën e Kosovës, meqë pavarësia rezultoi në kontekstin e shpërbërjes së një shteti multinacional dhe pas një luftë të gjatë afro njëqindvjeçare për shkëputje nga dominimi serb, e u konfirmua edhe nga autoriteti më i lartë në botë për të interpretuar atë të drejtë, nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë (korrik 2010), e cila në opinionin e saj vinte në përfundim se pavarësia e Kosovës  është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare është dhe se shpallja e pavarësisë nuk e ka shkelur këtë të drejtë. Prandaj, pesë shtetet e BE-së, në këtë kontekst  edhe Greqia, nuk kanë as një arsye tjetër ligjor që ta refuzojnë njohjen e Kosovës dhe me këtë qëndrim kanë dëmtuar procesin e ndërtimit të një politike të jashtme unike, respektivisht është indikator se ky proces nuk është përmbyllur akoma.

Natyrisht, është në dorën e çdo shteti  të vendosë nëse do të njoh pavarësinë e Kosovës apo jo, duke u bazuar vetëm në interesat nacionale. Në rastin e Greqisë në raport me Kosovën është një situatë e veçantë, meqë  midis dy vendeve të rajonit nuk ka ekzistuar dhe as nuk ekziston ndonjë kontekst politik, juridik apo historik. Përtej kësaj,  deri më sot Greqia asnjëherë nuk e ka përjashtuar mundësinë e njohjes së pavarësisë së Kosovës dhe është inkurajues fakti  që Greqia ka demonstruar një mbështetje  ndaj perspektivës evropiane të tërë rajonit, duke përfshirë edhe Kosovën. Sigurisht, një politikë e tillë ka bërë që Kosova të ketë misionin e EULEX-it në Kosovë, të nënshkruaj MSA-në si dhe të jetë pjesë e shumë nismave dhe organizatave rajonale dhe ndërkombëtare.  

Pse rasti i Kosovës është i veçantë

Pos kësaj, si nga SHBA, BE ashtu edhe nga GJND është njohur fakti se pavarësia e Kosovës paraqet një rast sui generis dhe nuk mund të ketë asnjë ndërlidhje apo precedent juridik me rastin e Qipros, Katalonisë apo  të ndonjë rasti tjetër, meqë konteksti i brendshëm politik dhe ndërkombëtar i pavarësisë së Kosovës ka qenë krejt i veçantë.  

E para, rasti i Kosovës ka qenë i veçantë, sepse bëhet fjalë për një populli të ndarë në një forum ndërkombëtar në kontekstin e pasojave të luftërave ballkanike të vitit 1912/1913. Thjeshtë Kosova për afro njëqind vjet ka qenë një kolonie. Zgjidhja e çështjes së Kosovës nuk mund të shikohet në optikën e çështjes së pakicës kombëtare, por si nevojë e një korrekture të vendimeve të shteteve evropiane në Konferencën e Londrës 1912/1913. Rasti i Kosovës ishte krijuar si rrjedhojë e luftërave ballkanike 1912/1913 dhe komuniteti ndërkombëtar kishte dështuar ta adresonte në përfundim të Luftës së Dytë Botlërore.

Rasti i Kosovës dëshmon se problemi i saj nuk ka qenë çështje të drejtave të njeriut, por e kërkesës për vetëvendosje, e cila i ishte mohuar edhe me 1944, përkatësisht me 1945. Kosova kundër vullnetit të saj dhe në kundërshtim me vullnetin e popullit shumicë shqiptar ishte përfshirë në kuadër të Jugosllavisë federative, pasi paraprakisht ishte aneksuar ushtarakisht nga qeveria qendrore e Beogradi. Edhe në këtë periudhë, ngjashëm si pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore komuniteti ndërkombëtar, për shkak të ruajtjes së ekuilibrave ndërkombëtar dhe klientelës ballkanike, nuk ishte i interesuar ta adresonte problemin e Kosovës.

– Jugosllavia vazhdimisht ishte kujdesuar që shqiptarët të mos kenë asnjëherë statusin e popullit apo të republikës, por vetëm të kombësisë (një shpikje ideologjike sovjetike) dhe të krahinës autonome, me qëllim që të parandalohej dhe pamundësohej e drejta e secesionit apo e vetëvendosjes.

-Në rastin e Kosovës kishim të bënim me diskriminim dhe shkelje të rëndë dhe permanente e të drejtave të njeriut, të drejtat politike dhe ato kombëtare të shqiptarëve të Kosovës nga qeveritë e Beogradit në harkun kohor 1912-1999, duke marrë shpeshherë  trajtat e një sistemi represiv të tipit të aparteidit, tokës së djegur dhe të tendencës për zhbërjen kolektive të shqiptarëve.

– Kërkesa për pavarësi ose shkëputje u bë nga një institucion kompetent qendror (nga Parlamenti i Kosovës), i zgjedhur në mënyrë demokratike dhe që përfaqësonte një entitet territorial të caktuar. Një kërkesë e tillë përbënte një rikonfirmim të shpalljes së pavarësisë me 2 korrik 1990 nga Parlamenti i Kosovës dhe i referendumit për pavarësi të vitit 1991. Në fakt, Kosova, si njësi e tetë e ish-federatës jugosllave,  ndoqi rrugën e pavarësisë ashtu si edhe republikat të tjera federative në kontekstin e shpërbërjes të një shteti shumëkombësh. Pra, pavarësia e Kosovës nuk është rezultat i recesionit, por i des-integrimit të një shteti federativ, që nga e drejta ndërkombëtare njohet si dismembration, pra, një shkatërrim komplet i një shteti.

– Argumenti i të drejtës së Kosovës për pavarësisë buron edhe nga fakti se Beogradi kishte bërë përpjekje permanente për spastrim etnik, dëbim masiv dhe serbizim të Kosovës, gjë e cila kishte rezultuar edhe me intervenimin ushtarak të NATO-s kundër regjimit represiv të Beogradit.  

– Pavarësia e Kosovës ndodhi pas një procesi të negociatave paqësore ndërkombëtare që nga Konferencën e Rambuillet-it1999 e deri tek bisedimet për adresimin e statusit në Vjenë (2005-2007), të zhvilluar nën ndërmjetësimin ndërkombëtar, Grupi i Kontaktit, BE, SHBA dhe OKB.

– Pavarësia e Kosovës erdhi, jo vetëm si nevojë e  korrigjimit të një padrejtësie historike ndaj shqiptarëve të Kosovës, por si një nevojë për një zgjidhje të qëndrueshme afatgjate dhe si një mundësi për integrimin e rajonit dhe evropianizimin e tij, si një predispozitë e vetme për parandalimin e luftërave ndëretnike brenda kontinentit evropian.

– Në fund të fundit, më shumë se rregullat e vjetra të së drejtës ndërkombëtare determinues është realiteti i krijuar në terren. Administrimi 8 vjeçar në Kosovë i kishte suspenduar çdo pushtet të Serbisë mbi Kosovës. Rikthimi i saj mund të bëhej me luftë.

– Rasti i Kosovës është indikator po ashtu se shtendërtimi nuk ka një patent për zgjidhjen e tij. Kjo është konfirmuar edhe në vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës, e cila ka konfirmuar se nuk ekziston një ligj apo rregull për krijimin e shtetit.

Procesi i njohjes

Ndër prioritetet kryesore të politikës së jashtme kosovare ka qenë dhe mbetet fuqizimi i pozitës ndërkombëtare të shtetit të Kosovës, si dhe integrimi i plotë në sistemin ndërkombëtar. Por, duke pasur parasysh se Plani i Ahtisarit nuk u miratua në Këshillin e Sigurimit, për shkak të qëndrimit bllokues të Rusisë, ngjashëm si në fund të procesit paqësor në Konferencën e Rambouillet-it, procesi i pavarësisë së Kosovës dhe bashkë me të edhe njohja e pavarësisë mori një kahe dhe dinamikë të veçantë.  Në këtë drejtim Republika e Kosovës kanë qenë të detyruar të ndjek rrugën e njohjeve individuale, shtet për shtet. Për një dekadë me radhë procesi i njohjeve ndërkombëtare të Kosovës ka pasur një shtrirje dhe gjeografi globale. Për më tepër, ky proces i njohjes së Kosovës mbetet i pandalshëm, pavarësisht pengesave në këtë rrugë. Po kështu, në planin e politikës së jashtme kosovare orientim strategjik mbetet bashkëpunimin institucional me pesë vendet e BE-së, që deri më tani nuk e kanë njohur Kosovën, me qëllim të lëvizjes së tyre rreth njohjes së Kosovës. Në këtë kontekst, shteti grek mbetet me rëndësi edhe për shkak të afërsisë gjeografike rajonale si dhe konditës për një qëndrueshmëri dhe integrim afatgjatë rajonal.

Kërkesa e Kosovës për njohje ekziston në Athinë prej shumë vitesh, por akti i njohjes është një vendim që do ta bëjë Greqia si shtet sovran dhe natyrisht  vendimi i saj determinohet nga rrethanat dhe  interesat e shtetit  grek, të cilat sigurisht që korrespondojnë me intencën për Kosovës për politikë konstruktive rajonale dhe proceset integruese evropiane të këtë rajon.  me njohjen e Kosovës nga Greqia,  Athina do të ndërtonte një urë të fuqishme  miqësie me një shtet të ri në rajon, që do të kishte impakt pozitiv po ashtu edhe  shtetet tjera ku jetojnë shqiptarët, pra edhe me Shqipërinë, me Maqedoninë, Malin e Zi dhe Luginën e Preshevës. Në këtë mënyrë, shteti grek do të bëhej promotor i  proceseve integruese të rajonit në BE e në NATO,që nga të gjitha  shtetet  e rajonit si destinacion i vetëm për qëndrueshmëri dhe siguri afatgjate. Për më tepër, njohja  e pavarësisë së Kosovës nga Greqia dhe katër vendet tjera të BE-së dhe NATO-s do t’i ndihmonte edhe Serbisë, sepse do ta lironte nga një barrë dhe do t’i mundësonte ta pranonte më lehtë realitetin. Një hap i tillë do të krijonte mundësi për të forcuar unitetin dhe kohezionin e Politikës së Jashtme të BE-së në raport me Kosovën. Njohja e Kosovës nga ana e Greqisë do të ofronte kësaj të fundit një shtet mik të rëndësishëm në rajon i cili do të ishte faktor balancues si me botën shqiptare, ashtu dhe me shtete tjera në rajon. Për më tepër, edhe relacionet Greqi dhe Shqipëri do të fitonim një dimension të ri në kontekstin rajonal dhe evropian.  
Hapat që ka ndjekur deri më tani Greqia në raport me shtetin e Kosovës kanë qenë më pragmatik dhe më të avancuar në krahasim me shtetet tjera të BE-së, të cilat edhe pas afro dhjetë vitesh nuk e kanë njohur Kosovën. Prezenca diplomatike greke në kryeqytetin e Kosovës, Zyra Greke, dhe rangu diplomatik në krye të këtij misioni përbënë një lloj njohje ose të paktën uverturë e njohjes ndërkombëtare të Kosovës. Natyrisht njohja e Kosovës nga shteti grek është një veprim i saj i brendshëm, ashtu si edhe i shteteve të tjera, të cilin ajo mund ta bëjë kur e sheh të arsyeshme, duke pasur detyrimin e vetëm që të jenë në përputhje me normat e përgjithshme të së drejtës ndërkombëtare. Komisioni i Arbitrazhit i Konferencës për paqen në Jugosllavi (Badinter), në vitin 1992 vinte në përfundim: “njohja është një akt diskrecionar që shtetet e tjera mund ta kryejnë në momentin që e quajnë të përshtatshëm, në formën që ata vetë vendosin lirisht”.  Edhe pse deri më tani ka munguar njohja formale, mbështetja e Greqisë për anëtarësimin e Kosovës në disa organizata ndërkombëtare, si dhe roli i përfaqësuesve diplomatikë grekë që shërbejnë në Kosovë, si dhe ushtarëve grekë të cilët kanë shërbyer në Kosovë në kuadër të KFOR-it, si dhe misioneve të tjera të rëndësishme për shtet-ndërtimin e Kosovës, paraqet një qëndrim afirmativ të Athinës për Kosovën dhe thellim i vazhdueshëm të bashkëpunimit. Ky pozicion paraqet një kapitull të ri për marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Greqisë dhe është përgjegjësi e dy elitave politike dhe shtetërore për gjetjen e rrugës për njohjen formale të Kosovës nga Greqia do të përbënte një moment kthese dhe mundësi unike për të eliminuar barrierat e fundit ndërmjet dy popujve, si për të rikthyer peshën e saj rajonale i shteti me “stazh” më të gjatë brenda BE-së. Në të njëjtën kohë, njohja formale deklarative e Kosovës nga shteti grek do të ndikonte edhe  në integrimin  dhe qëndrueshmërinë e rajonit të Evropës Juglindore, si dhe  do të ndikonte në mënyrë të drejtpërdrejt në fuqizimin e identitetit dhe për rikthimin e unitetit të  Politikës së Jashtme të Sigurisë të BE-së. Në këtë mënyrë, Greqia dhe politika e saj e jashtme do të fitonte më tepër profil dhe më shumë peshë brenda rajonit dhe BE-së.

 

*Autori është Shef i Misionit në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Tiranë. 
SHPËRNDAJE