Ëndrrat europiane për vitin 2018

Këndvështrime nga kryeqytetet europiane

0

BE duket t’i ketë mbijetuar krizës ekzistenciale të votimit të Brexit, ardhjes në pushtet të Donald Trampit (Donald Trump) dhe rritjes së mbështetjes për ekstremin e djathtë në mbarë kontinentin. Por Bashkimi Europian dhe influence e tij ndërkombëtare mbeten të brishta. Vala populiste mund të këtë arritur kulmin, por padyshim që nuk ka kaluar, marrëveshjet me Turqinë dhe Libinë për refugjatët janë të rrezikuara, kurse rajonet jugore dhe ato lindore mbeten të trazuara. Në vijim do iu njohim me shpresat dhe shqetësimet më të mëdha të shtetarëve europianë në marrëdhëniet e jashtme për vitin 2018.

Në brendësi të kupolës së Parlamentit gjerman

BERLIN

Vite më parë, Angela Merkel iu përgjigjej pyetjeve mbi të ardhmen e afërt të Europës duke u shprehur se “Europa do të ringrihet më e fortë nga kriza.” Në vitin 2017 kohërat ndryshuan. Zhan Klod Junker (Jean Claude Juncker) mund të ketë ndjerë “erëra të forta në velat” e Europës, por kjo vjen kryesisht ngaqë anija nuk u mbyt gjatë stuhive zgjedhore në Austri, Holandë apo Francë.

Krahasuar me vitin 2016, viti 2017 ngjan si një kthesë 360 gradë. Por sipas këndvështrimit të Berlinit, viti 2018 do të jetë akoma edhe më i rëndësishëm, kryesisht edhe prej vonesave në krijimin e qeverisë gjermane, që po i kushton Europës së paku gjashtë muaj vrulli politik.

Për Berlinin, shpresa më e mirë për Europën në vitin 2018 është të ecë përpara mes turbullirave. Në mënyrë më specifike, shpresa qëndron te besimi se nuk do të ketë ndonjë shtim të ri, të beftë, të fluksit të refugjatëve dhe se Europa do të shpëtojë nga ndonjë sulm tjetër, i madh, terrorist ose nga rritja e krimit ndër radhët e komunitetit të emigrantëve. Një pushim i tillë do t’i jepte kohën e duhur zhvillimit, diskutimit dhe vendimit për t’i dhënë një përgjigje më të përshtatshme sfidës së emigrantëve.

Planet largpamëse, si agjenda që parashtroi Makroni (Macron) në fjalimin e tij në Sorbonë, do të kenë pak vend. As “Shtetet e Bashkuara të Europës” të Martin Shulcit (Schulz) nuk do të jenë më të arritshme gjatë dymbëdhjetë muajve të ardhshëm. Gjatë vitit të ardhshëm, tendenca centrifugale do të vijojë të mbetet e fortë. Pavarësisht nga perspektiva e favorshme ekonomike, klasa politike gjermane duket se preferon të hedhë hapa të vegjël në vend të projekteve të mëdha, me sa duket, nga frika e dështimit. Berlinit i nevojitet një vit me intensitet të ulët në mënyrë që të shmangë pozicionin e tij në mbrojtje, ndërsa përpiqet që të mbajë ritmin e reformave.

Për sa i përket shqetësimit më të madh, këndvështrimi gjerman duhet të përqendrohet në rreziqet përtej Europës. Situata në kontinent nuk është e mirë, por duket të jetë e parashikueshme në skenarët më të këqij. Një konflikt i madh, ku përfshihen fuqitë e mëdha, do të ishte një krizë e një dimensioni tjetër. Shqetësimi më i madh do të ishte një përshkallëzim i krizës koreane, e cila, në një moment të caktuar do të shkaktonte një kundërpërgjigje ushtarake nga Shtetet e Bashkuara për të shkatërruar kapacitetin bërthamor të Koresë së Veriut, me dëme të konsiderueshme materiale dhe duke i dhënë fund shumë jetëve në gadishullin korean. Nëse regjimi koreano-verior do t’i mbijetonte një sulmi të tillë, atëherë do të vinte një “dimër politik bërthamor,” ndërsa marrëdhëniet ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kinës do të ngrinin, duke u shtrirë në një sistem aleancash rajonale dhe tregtie ndërkombëtare.

Europa, megjithëse gjeografikisht është shumë larg nga epiqendra e konfliktit, do të goditej rëndë nga pasojat e tij: marrëdhëniet transatlantike do të merrnin një shuplakë tjetër, ekonomia e Europës mund të binte viktimë e një lufte të re në Azinë Lindore dhe sistemi i mospërhapjes së armëve bërthamore do të dështonte, duke ngjallur një garë bërthamore në rajonet në afërsi të Europës.

Sa më i madh të jetë numri i viktimave, aq më e madhe do të jetë rënia e temperaturave politike në marrëdhëniet botërore, me një rend ndërkombëtar të bazuar në ligje, që vijon të shpërbëhet dhe ku paradigmë mbizotëruese do të bëhet përballja mes fuqive të mëdha.

Për Europën, tronditja e tërthortë mund të jetë më e dëmshme sesa një goditje e drejtpërdrejtë, sikurse ishte edhe kriza e refugjatëve e viteve 2015-2016: Ndonëse Europa mund të jetë më pak e ndikuar nga shtetet në Azinë Lindore, tronditja mund të thellojë të çarat aktuale në ndërtimin e BE-së, në vend që të kontribuojë në një marrëdhënie më të ngushtë bashkëpunimi.

Shtëpia e Parlamentit, Westminster, Londër

LONDRA

Për vitin 2018, në krye të listës së dëshirave të Tereza Meit (Theresa May) është sjellja në jetë e idesë së “Britanisë globale.” Ky është një rol vezullues ndërkombëtar që, sikurse i është premtuar votuesve, do të zëvendësojë “Britaninë europiane” të kufizuar dhe të nënvleftësuar.  

Por përpos fuqisë ushtarake të Britanisë, diplomacisë së saj të nivelit botëror dhe udhëheqjes së saj në ndihmat ndërkombëtare, është e paqartë se çfarë nënkupton ky nocion. Pra, ajo që shpreson qeveria e Meit vitin e ardhshëm është një apo dy kriza, të cilat do t’i lejojnë asaj ta përcaktojë këtë ambicie nëpërmjet veprimit. Kjo gjë tregon se Britania është një aktore serioze, me aftësinë për të grumbulluar rreth tryezës njerëzit e duhur për të gjetur zgjidhjet që mbrojnë interesat e Mbretërisë së Bashkuar dhe të rendit liberal. Kjo merr fuqi nga marrëdhëniet e saj të veçanta, por që kur e kërkon nevoja, ajo mund t’iu dalë zot pikëpamjeve të veta – sfida e saj kundër vendimit të Trampit për të njohur Jerusalemin si kryeqytetin e Izraelit mund të jetë një shembull i tillë.

Nëse kjo tingëllon si egoizëm, kjo ndodh sepse është e tillë. Koha nuk është në anën e Tereza Meit, e cila kërkon t’iu ofrojë votuesve britanikë Britaninë globale. Në vitin 2018 ajo duhet të hedhë themelet, të cilat e bëjnë të qartë se Mbretëria e Bashkuar nuk do të zhduket nga skena globale pas marsit të vitit 2019, kur ajo të largohet nga BE.

Kjo nuk bëhet vetëm për t’iu provuar zgjedhësve që ata nuk u gënjyen mbi “mundësinë e madhe” që përfaqësonte Brexit-i. Shfaqja vlen edhe për t’i bindur anëtarët e BE-së se Mbretëria e Bashkuar ka ende mjaft rëndësi diplomatike dhe se ata duhet të bashkëpunojnë ngushtë me të në çështjet e sigurisë dhe tregtisë, si edhe t’i krijojnë hapësira të veçanta në grupet e punës së Këshillit, të cilat i japin formë politikës së jashtme europiane.

Frika e vetme e madhe e Tereza Meit për vitin 2018 është se mos vallë historia mbi rëndësinë e vazhdueshme të Britanisë dhe nevojën e Europës për ta mbajtur afër Mbretërinë e Bashkuar pas Brexit-it, të cilën ajo dhe qeveria e saj ia ka paraqitur popullit britanik për ta besuar, zbulohet si një histori false. Asaj i nevojitet Britania globale në mënyrë që të shfaqet pozitivisht në vitin 2018, për të mbajtur situatën politike nën kontroll, por edhe për t’iu kujtuar shteteve të tjera europiane se ç’partnere e vlefshme mund të jetë Britania – gjë për të cilën provat e kohëve të fundit kanë qenë të pakta.

Për Tereza Mein, Britania globale duhet të bëhet realitet në mënyrë që të sigurohet një marrëveshje e mirë për Britaninë dhe marrëdhëniet e saj të ardhshme me BE-në. Sado sipërfaqësor që të jetë ky plan, plan B nuk ka. Izolimi i madh nuk ishte më aq tërheqës për Mbretërinë e Bashkuar që një shekull më parë. Në një botë të ndërlidhur, perspektiva duket pozitivisht e frikshme.

 

Pallati presidencial në Paris, Palais de l’Élysée

PARIS

Në vitin 2017, në Francë u zgjodh një president i ri, me një platformë të qartë pro-europiane dhe me synimin për t’i ridhënë Francës një rol të fortë ndërkombëtar në arenën ndërkombëtare. Me fitoren e Emanuel Makronit (Emmanuel Macron), Franca synon të rikthehet në vijën e parë jo vetëm të Europës, por edhe në atë të çështjeve globale.  

Konsolidimi i vrullit të ri në Europë është sigurisht prioriteti kryesor i Francës. Me paqartësitë rreth qeverisë së ardhshme gjermane dhe disa pengesa të tjera, që duhen kapërcyer, ky prioritet duket larg të qenit i garantuar.

Për Francën, kjo nuk është vetëm një përballje me sfidat e brendshme të Bashkimit Europian. Një ripërtëritje europiane do ta ndihmonte edhe Europën të mbronte idetë dhe interesat e saj në arenën globale. Sipas vizionit të Makronit, kjo shtysë e re europiane duhet të jetë edhe e jashtme: sikurse tha ai në fjalimin e tij në Sorbonë, vetëm Europa mund të “sigurojë një sovranitet real, pra, kapacitetin tonë për të ekzistuar në botën aktuale.”

Nga kjo buron edhe ambicia e ripërtërirë e Francës për të mbajtur pishtarin e multilateralizmit – përkundër sfondit global të Shteteve të Bashkuara, që po tërhiqen dhe Kinës që sa vjen e po bëhet më me besim në vetvete. Europa do të lulëzonte akoma më shumë sikur sfidat e mëdha globale, si terrorizmi, migrimi, ndryshimet klimaterike dhe digjitalizimi, të trajtohen nëpërmjet një qasjeje multilaterale. Shpresat e Francës për një multilateralizëm më të suksesshëm shkojnë përtej krizave imediate të sigurisë, si ajo në Siri apo në Sahel, sikurse theksoi Makroni në fjalimin e mbajtur në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në shtator 2017.

Shpresa e Francës është që arkitektura multilaterale të jetë mjaft e fortë për t’i bërë ballë sulmeve të tanishme, duke i dhënë kohë Europës që ta mbledhë veten. Nismat e Makronit tregojnë se ai planifikon reformimin me sukses të institucioneve ndërkombëtare, në një drejtim që do t’i bënte ato më efikase, më të përgjegjshme dhe më pranë një “multilateralizmi që mbron,” siç shprehet ai në një prej sloganeve të tij të njohura.

Shqetësimi i liderit francez është se ka faktorë që mund të nxitin rënien e rendit multilateral – e në veçanti, përhapja e armëve të shkatërrimit në masë. Nga perspektiva franceze, siguria ndërkombëtare është ndër misionet më parësore të rendit multilateral.

Vlerësimi zyrtar i mjedisit të tanishëm ndërkombëtar nga Franca tregon një “përqendrim kërcënimesh dhe krizash” të pashembullta, por ajo shton se “përhapja e armëve të shkatërrimit në masë dhe e sistemeve të shpërndarjes së tyre mbeten një problem mjaft shqetësues”, i cili mund të përbëjë “një sfidë direkte ndaj institucioneve dhe normave ndërkombëtare.”

Franca është veçanërisht e shqetësuar mbi potencialin e përhapjes në kontekstin e tre krizave ndërkombëtare të sigurisë. Përdorimi i përsëritur i armëve kimike në Siri është akoma më i tmerrshëm, sipas Francës, duke marrë në konsideratë mungesën e reagimit të posaçëm ndërkombëtar. Elizeja është kundërshtare e furishme edhe e lëvizjeve të SHBA-së, të cilat rrezikojnë prishjen e marrëveshjes bërthamore me Iranin. Parisi është duke ndjekur nga afër situatën që po përshkallëzohet në gadishullin korean, e cila duket se ka një rrezik serioz shpërthimi.  

Rasti i fundit është një shembull sesi Makroni dëshiron ta mbajë rrezen globale të veprimit të Francës dhe sesi shpreson ai ta bindë edhe pjesën tjetër të Europës që të mbrojë agjendën e ripërtërirë multilaterale.

 

Dhoma e Deputetëve të Parlamentit italian në Romë, Palazzo Montecitorio

ROMA

Zgjedhjet në Itali janë parashikuar në tremujorin e parë të vitit 2018 dhe me shumë gjasa më 4 mars. Zgjedhjet e fundit krijuan një legjislaturë të paqëndrueshme, nga e cila u përftuan katër qeveri të qendrës së majtë. Së fundi, parlamenti miratoi një ligj të ri elektoral (të mbështetur nga Partia Demokratike e Renzit dhe Forza Italia e Berluskonit). Por në vend që të sillte më shumë stabilitet, ligji i ri është i hartuar për të shpërblyer koalicionet, ndërkohë që ndëshkon kalorësit e vetmuar – dhe duket qartësisht i menduar për të kufizuar ngritjen e Lëvizjes së Pesë Yjeve.

Kjo flet shumë për shpresat e qeverisë italiane për vitin 2018:  fito mbi populistët euroskeptikë dhe qëndro i ankoruar në Europë dhe në motorin franko-gjerman.

Padyshim që muajt e ardhshëm do të karakterizohen nga përballje intensive politike, ku argumentet populiste do të dominojnë. Ndërsa në zgjedhjet e kaluara tema e Europës nuk ishte pjesë e fushatave elektorale, sot ajo është, por jo me mënyrën se si e shpresonin eurofilët. Barometri i fundit europian tregon vërtet sesi italianët janë bërë kritikë të Europës, kur vetëm pak vite më parë ata ishin jashtëzakonisht pro-Europës. Kriza e euros, shqetësimet mbi emigracionin dhe sigurinë janë nxitësit më të mëdhenj të kësaj kthese në formë U-je.

Partia Demokratike duhet të përpiqet për të krijuar aleanca me forcat e reja politike, si “Më shumë Europë”, në mënyrë që të kapërcehet negativizmi i tanishëm dhe të krijohet bindja pro-europiane, që i bën jehonë sloganit të Makronit “Europe qui protège”. Disa i tremben përhapjes së lajmeve të rreme dhe potencialit të përfshirjes së Rusisë nëpërmjet mbështetjes së drejtpërdrejtë ose të tërthortë të Ligës së Veriut dhe Lëvizjes së Pesë Yjeve, të cilat me sa duket kanë lidhje të forta me fqinjin e tyre gjigant dhe janë thellësisht euroskeptike.

Sipas një sondazhi të kohëve të fundit nga IPSOS, emigracioni është një shqetësim i madh në gjirin e italianëve dhe vjen i dyti pas punësimit. Duket qartë se kjo është një çështje subjektive: shifrat e sakta të emigrantëve që mbërrijnë në Itali nuk i justifikojnë shqetësime të tilla. Sikurse dhe në shtete të tjera, ka shumë gjasa që shumë italianë të votojnë nga ky shqetësim, në vend që të mendojnë në mënyrë të arsyeshme dhe sigurisht që nuk nxiten nga shpresa. Më e keqja është se argumentet populiste kanë depërtuar në programet e partive tradicionale, ndërsa krahu i djathtë, dikur i moderuar dhe i fokusuar në programin liberal, sot është bërë shumë më agresiv se ekstremi i djathtë.

Shpresat dhe shqetësimet janë dy anë të së njëjtës monedhë, me emigracionin dhe Europën, të ndërlidhura me njëra-tjetrën. Bashkimit Europian iu desh shumë kohë t’iu përgjigjej thirrjeve të Italisë për solidaritet dhe planet për zhvendosjen nuk janë zbatuar tërësisht. Në vend që të hartohen politika të përbashkëta për të menaxhuar emigrimin, BE i ka transferuar ato me pasoja tragjike: drejt Turqisë për refugjatët sirianë dhe drejt Libisë – një shteti thuajse të dështuar – për afrikanët nën-saharianë.  

E ardhmja nuk duket shumë e ndritshme: qëndrimi i vazhdueshëm i Grupit të Vishegradit, përplasjet mes Tuskut dhe Komisionit, largimi i Shteteve të Bashkuara nga ndikimi global mbi emigracionin, e pakësojnë të gjitha mundësinë e zgjidhjes së këtij problemi. Sfida për fitoren e zgjedhjeve të ardhshme do të jetë rindërtimi i themeleve të besimit mes qytetarëve dhe për ta bërë këtë palëve iu duhet të kenë një vizion të fuqishëm dhe plane konkrete, si ndaj Europës, ashtu edhe për çështjet që krijojnë shqetësime, të tilla si emigrimi. Në qoftë se ato nuk e bëjnë dot këtë gjë, atëherë kjo do të thotë humbje e tyre.

SHPËRNDAJE