Si të ndërtojmë kulturën europiane në Ballkan

0

Të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor e shikojnë të ardhmen e tyre në familjen europiane. Por për fat të keq, të paktën tani për tani, projekti i integrimit europian në  vendet ballkanike perceptohet ende dhe debatohet thjesht si një sipërmarrje administrative e elitave politike dhe burokracive përkatëse, që janë të përqendruara kryesisht në përafrimin e legjislacionit, në bisedime dhe ratifikime të dokumenteve apo ligjeve të BE-së. Praktikisht,  është krijuar dhe po krijohet një hendek në dy drejtime:

Së pari, një hendek midis administratave dhe shoqërive, ku të parat e konsiderojnë  projektin e integrimit europian një sipërmarrje ekskluzive të tyre, ndërsa shoqëria e percepton dhe e kupton përgjithësisht këtë projekt si një çështje të politikës së jashtme, me të cilën merret dhe duhet të merret qeveria.

Së dyti, është duke u krijuar një hendek midis avancimit, për sa i takon përfarimit të legjislacionit  apo  krijimit të strukturave dhe procedurave të ngjashme me ato të vendeve anëtare të BE-së, si edhe zbatimit dhe funksionimit në praktikë të ligjeve e institucioneve, për të krijuar dhe rikrijuar vlerat europiane.

Me pak fjalë, janë duke u krijuar dy realitete: një në letër për sa u takon dokumenteve, legjislacionit etj. dhe një realitet i jetës së përditshme, që nuk ngjan me realitetin e  prodhuar në letra apo dokumente dhe afërmendsh, që nuk ngjan me ndonjë vend europian.

Përgatitja e vendeve ballkanike për anëtarësim në familjen europiane nuk mund të jetë një sukses pa u shndërruar në një sipërmarrje të vetë shoqërive ballkanike, pa u përfshirë këto shoqëri në një proces transformimi  dhe modernizimi, çka do të çonte drejt krijimit të një shoqërie funksionuese, që ka vlera të përbashkëta europiane.

Nëse nuk është i gabuar, kuptimi  dhe përpjekjet për të realizuar projektin europian në  vendet ballkanike, si një proces reformash politike dhe ekonomike, përmes ndryshimeve, adaptimeve të ligjeve dhe krijimit të institucioneve e procedurave, është krejtësisht e vërtetë të thuhet se kjo gjë është e pamjaftueshme pa një proces transformimi dhe modernizimi të shoqërive ballkanike, bazuar në vlerat  dhe identitetin europian.

Çështja është se si projekti europian në shtetet ballkanike të shndërrohet në një  sipërmarrje  të shoqërive ballkanike? Se si të zbulojmë, të rikrijojmë dhe të forcojmë një shoqëri europiane, “një vetëdije europiane”, një “karakter etnik europian”? Se si të krijojmë një identitet të përbashkët në shoqëritë ballkanike, të cilat funksionojnë ende deri diku të mbyllura, që bazohet ende,në një masë të konsiderueshme, në një kulturë frike, urrejtjeje, poshtërimi dhe izolimi.

Për këtë ndoshta nuk mund të ketë një përgjigje më thelbësore, më të plotë dhe më frymëzuese se sa deklarata e shquar e  Zhan Monesë (Babai i Komunitetit Ekonomik Europian) Nëse do të fillonim përsëri krijimin e Europës – unë do ta filloja nga kultura”

Dhe natyrisht nuk është fjala për kulturën per se.
Do të ishte cinike dhe e pavërtetë të pohoje se në shoqëritë ballkanike nuk  ka ekzistuar apo nuk ekziston një vetëdije europiane, një kulturë europiane, një identitet europian. Pavarësisht  se urrejtja, poshtërimi, frika, izolimi dhe  ndarja, kanë dominuar paralelisht kohë pas kohe, aty ka ekzistuar dhe ka gjalluar edhe në kohërat më të errëta ballkanike, kultura e lirisë dhe e drejtësisë, kultura e humanizmit, e shpresës, e tolerancës dhe bashkëpunimit, shkurt, vetëdija europiane, kultura europiane. Në Ballkan, pas më shumë se 25 vjet nga rënia e regjimeve totalitare/ autoritariste, përfshi edhe një dekadë të luftës e përplasjeve etnike, shoqëritë ballkanike janë në hapat e para të krijimit të një vetëdije europiane, të një kulture europiane përmes projektit europian

A.R

SHPËRNDAJE