Komisioneri Juncker gjatë turit të tij nëpër Ballkan, Shkurt 2018. [Foto kortezi e Wire AP]

   GERON KAMBERI

   Procesi i zgjerimit të BE drejt vendeve të tjera jo-anëtare të kontinentit europian është shndërruar në një ndër instrumentat e politikës së jashtme të Bashkimit Europian ku terma të tillë akademikë të teoricienëve të marrëdhënieve ndërkombëtare si “fuqi e butë” (soft power) apo “fuqi transformuese” (transformative power) përpiqen të argumentojnë suksesin e këtij instrumenti. Mënyra sesi BE e shpreh interesin politik e teknik për t’u zgjeruar me vende të reja është e përcaktuar në Nenin 49 të Traktatit për Funksionimin e BE (Traktati i Lisbonës, 2009, në fuqi) që pohon se “anëtarësimi në BE është i hapur për çdo shtet europian që respekton vlerat e përkufizuara në Nenin 2: Neni 2respekti për dinjitetin njerëzor, lirinë, demokracinë, barazinë, sundimin e ligjit, dhe respektin për të drejtat e njeriut përfshirë të drejtat e minoriteve”. Në përfytyrimin e shumë njerëzve, zgjerimi i Bashkimit Europian me vende të reja anëtare është konsideruar si proces i përmbushjes së kritereve teknike që kanë hyrë në fjalorin e gjerë të termave të BE si epitoma të lidhura me emrat e qytete apo kryeqyteteve të Europës ku janë zhvilluar samitetet e krerëvë të shteteve të BE. Emërtime të tilla si kriteret e Shengenit (1985),  Mastrihtit (1991), Kopenhagenit(1993), Madridit (1995), ndonëse mund të ngjallin indiferencë mes njerëzve të zakonshëm që procesin e zgjerimit e përjetojnë përmes rezultateve të “4 lirive” (liria e lëvizjes së njerëzve, mallrave, kapitaleve dhe shërbimeve) shpesh janë “dhimbja e vërtetë e kokës” për politikanët dhe administratat publike të vendeve anëtare apo atyre kandidate. Kriteret e BE janë të njohura si kritere para-anëtarësimi ku veçohen ato të Kopenhagenit (1993), Madridit (1995) që lidhen me plotësimin e elementëve politikë e administrativë apo kriteret e post–anëtarësimit, si ato të Shengenit (1985), Mastrihitt (1991) që i ndjekin shtetet e porsanëtarësuara për t’u bërë pjesë e Zonës Euro apo Zonës Shengen. Në njëfarë mënyre anëtarësimi në BE ngjan me një “maratonë kriteresh” përmes të cilave vetëpërsoset çdo hap i tregut të brendshëm që është shtylla kurrizore e këtij gjigandi ekonomik me një treg prej 560 milion banorësh e GDP vjetore prej 17 trilionë dollarësh. Në fakt historia e zgjerimit të BE është e lidhur me kufij kronologjikë të klasifikuar si “para dhe pas viteve 1990” ku periudha kohore 1957-1990 përjetoi “3 valë zgjerimi” brenda Europës Perëndimore e Jugperëndimore ku 6 vende të tilla si Anglia, Irlanda, Danimarka (1973), Greqia (1981), Spanja, Portugalia (1986) iu bashkëngjitën “klubit themelues të BE” ku kriteri i vetëm i zgjerimit ishte “dëshira e BE për t’u zgjeruar” drejt një bashkimi sa më të fuqishëm ekonomik e vlerash të demokracisë liberale. Periudha pas viteve ‘90 do ta kthente zgjerimin jo në dëshirë por në politikë dhe instrument të fuqizimit dhe ndikimit në rendin e ri global, por siç dihet politika ka ligjet e saj. Megjthëse periudha pas viteve 90 përjetoi zgjerimin e BE me ish-vendet e EFTA–s, Austria, Finlanda, Suedia (1995) ato ishin vazhdim i inercisë e “dëshirës” së BE për të mirëpritur vendet e pasura e të mirëzhvilluara të kontinentit. Teksa në radhë për të trokitur në dyert e BE ishin vendosur ish-vendet e EQL të porsadala nga regjimet komuniste, u kuptua se tashmë kishte nevojë për “kritere zgjerimi”. Kriteret e Kopenhangenit (1993) për këto vende u shprehën në konkluzionet e Presidencës Daneze së BE të vitit 1993 përcaktonin se  “Anëtarësimi kërkon që shteti kandidat të ketë arritur stabilitetin e institucioneve duke garantuar demokracinë, sundimin e ligjit, të drejtat e njeriut, respektin dhe mbrojtjen e  minoriteteve, ekzistencën dhe funksionimin e ekonomisë së tregut ashtu si edhe kapacitetin për të përballuar presionin konkurrues dhe forcat e tregut brenda BE, aftësinë e shtetit kandidat për të marrë përsipër detyrimet e anëtarësimit duke përfshirë angazhimet ndaj qëllimeve politike, ekonomike e monetare të unionit”. Më pas Kriteret e Madridit (1995) përfshinë kriteret për shtetin kandidat që anëtarësimi i tij “të shoqërohej me përshtatjen e duhur të strukturave administrative në nivel kombëtar në mënyrë që legjislacioni i BE të zbatohej në mënyrë të efektshme përmes strukturave të duhura administrative dhe gjyqësore”. Pavarësisht se ato mund të dukeshin në pamje të para si këshilla të thjeshta higjenike “të larjes së duarve para të ngrënit”, në këtë rast për shëndetin e sistemit demokratik e ekonomisë së tregut për vendet e EQL, pas tyre qëndronte një proces i gjatë i përmbushjes së kritereve e normave juridike, politike e ekonomike. Nga pikëpamja formale procesi i anëtarësimit në BE është një lëvizje me ndalesa në 11 “stacione” që mbajnë “mbishkrimet”:  

  1. Nënshkrimi i Marrëveshjes së Asociimit
  2. Aplikimi për anëtarësim
  3. Marrja e statusit kandidat
  4. Rekomandimi për Hapjen e Negociatave nga Komisioni Europian përmes Avis (opinioni pozitiv)  
  5. Miratimi i hapjes së negocitave nga krerët e shteteve të BE
  6. Procesi i skanimit të legjislacionit të vendit kandidat (screening) nga Komisioni Europian
  7. Caktimi i datës së hapjes së negociatave
  8. Fillimi i procesit të negociatave mes vendit kandidat e Komisionit Europian për 35 kapitujt e acquis communautaire
  9. Mbyllja e negociatave e nënshkrimi i Traktatit të Anëtarësimit
  10. Ratifikimi i Traktatit të Anëtarësimit nga vendet anëtare të BE e institucionet e BE (Komisioni, Këshilli Europian, Parlamenti)
  11. Anëtarësimi i vendit me të drejta të plota 

Kohëqëndrimi i vendit kandidat në secilën prej këtyre stacioneve varet nga vullneti, kapacitetet administrative, kushtëzimet politike, por edhe marrëdhëniet me shtete të veçanta të BE. Nëse bejmë një krahasim përgjatë gjithë valëve të zgjerimit të BE në vendet Europës Veriperëndimore (Angli, Irlandë, Danimarkë, Austri, Finlandë, Suedi), Europës Jugperëndimore (Greqi, Spanjë, Portugali), Mesdheut Perëndimor (Maltë, Qipro), Europës Qendrore e Lindore (Çeki, Hungari, Poloni, Sllovaki, Estoni, Litiuani, Letoni, Slloveni, Rumani, Bullgari) vërejmë se ato kanë ndodhur brenda një rrjedhe kronologjike në formë të përsëritur 10 vjeçarësh apo “dekadash zgjerimi”. Kjo u vërejt edhe tek vala e zgjerimit në Europën Qendrore e Lindore (Çeki, Hungari, Poloni, Sllovaki, Estoni, Lituani, Letoni, Slloveni (1993- 2004), Rumani, Bullgari (1998-2007), Kroacia (2003 -2013). Por në faza të ndryshme të historisë së zgjerimit të BE kanë dalë terma të tillë si gjeometri e ndryshueshme, ecje me dy shpejtësi, thellim të integrimit dhe jo zgjerim për të mbërritur në terma të tillë si lodhje nga zgjerimi apo kapacitet tretës apo përthithës i BE. Duke u shtyrë në krahasimin e fundit duket sikur BE ngjet me një organizëm të gjallë natyror ku baza e “ushqimit” të tij mbetet zgjerimi me shtete të rinj anëtarë. Nëse do të vazhdonim rrjedhën logjike të këtij krahasimi gastronomik mund të vërejmë se ushqimi i anëtarësisë së BE me vendet e rajonit të Europës Juglindore apo Ballkanit Perëndimor (Kroaci,Serbi, Mal i Zi, Shqipëri, Maqedoni, Bosnje & Hercegovinë, Kosovë) është karakterizuar nga një “mungesë oreksi” apo zgjerim me natyrë “dietike” në raport me këto vende. Përgjatë afro 20 vjetëve nga Samiti i Sarajevës në 1999 që hodhi bazat e Procesit e Marrëveshjeve të Stabilizim Asociimit vetëm Kroacia është anëtarësuar nga grupimi prej 7 vendesh të Ballkanit Perëndimor. Për hir të së vërtetës problematika e këtyre vendeve si bazë ushqimi për trupin e anëtarësisë së BE ka qenë dhe vazhdon të jetë e mbushur me shije të ndryshme ku spikasin që nga erëzat pikante orientale të korrupsionit, nepotizmit në ndonjë rast të ekstremizimit fetar e politik apo autoritarizmit çka e ka shtyrë BE drejt një lloj “diete” për të mos u ngutur me menynë e anëtarëve të rinj që vijnë  nga Ballkani Perëndimor. Në këtë rast askush nuk beson se tërësia e këtyre vendeve me 10 milion banorë, që është 2 herë më e vogël se Rumania, mund të përbënte problem për “kapacitetin tretës” apo përthithës të BE. Gjithsesi përmirësimi i këtij ushqimi të ri anëtarësie ballkanike ka synuar të jetë në përputhje me dietën strukturore të BE përmes një sërë trajtimesh të tilla si Procesi i Sarajevës (Procesi i Stablizim Asociimit, 1999), Procesi i Zagrebit (2000), Procesi i Selanikut (2003), Procesi i Berlinit (2014) e tash së fundi REA (Zona Ekonomike Rajonale) një lloj varianti i komunitetit të Beneluxit, të shoqëruar me një sërë instrumentash financiarë si PHARE, CARDS, IPA.  

Tabela 1. Financimet e BE per Ballkanin 1993-2020

Ndonëse Serbia e Mali i Zi kanë filluar bisedimet e anëtatrësmit që prej vitit 2012 e 2014, vendet e tjera tiparin e zgjerimit “dietik” e kanë konsideruar një “blerje kohe” për të parë nëse shija ballkanike e anëtarësimeve të reja do të përshatet me një BE post-Brexit.

Tabela 2. Kronologjia e procesit të integrimit të vendeve të Ballkanit në BE

Samiti i Sofies gjatë presidencës Bullgare të BE në Maj 2018 pritet të marrë vendime të rëndësishme veçanërisht për dy vendet kandidate si Shqipëria e Maqedonia, por shpresojmë të mos prodhojë “Procesin e Sofies” pas Strategjisë së Zgjerimit të Komisionit Europian ku afati më i përafërt i anëtarësimit për dy vendet e Ballkanit si Serbia e Mali i Zi është viti 2025. Nëse do t’i përmbahemi logjikës së këtyre afateve të mundshme të anëtarësimit kjo nënkupton se jo vetëm mandati i komisionerit Juncker (2014-2019) por edhe mandati Komisionit post-Juncker (2019-2023) nuk do të prodhojë anëtarësime të reja nga Ballkani. Megjithëse përfliten “fobitë e BE” ndaj aktorëve të tjerë me fuqi rajonale në Ballkan siç duket “dietologjia” e zgjerimit për një trup 60 vjeçar siç është BE është arsye më e fortë se fobitë. Për të justifikuar këtë “dietë të rreptë zgjerimi” drejt Ballkanit nuk mungojnë arsyetimet që mbështeten tek kritere apo janë mishëruar në përkufizimin e sëmundjeve ballkanike që duhen shëruar para anëtarësimit si “sindroma e zgjedhjeve”, pajtimit etnik, pajtim fqinjësh, mosmarrëveshje territoriale, gjyqësor dhe politikë e pakorruptuar (vetting). Gjithmonë kur flitet për Ballkanin Perëndimor shpesh analistë, gazetarët apo akademikë i referohen shprehjes së ish-kryeministrit anglez Churchill se “Ballkani prodhon më shumë histori sesa është në gjendje të konsumojë”. Një pjesë e vendeve të Ballkanit që kanë mbetur pas këtij procesi duket sikur e perifrazojnë këtë thënie duke pyetur vetveten se “A po prodhon BE më shumë kritere për Ballkanin sesa është në gjendje të konsumojë?” Duket si një pyetje në formë ankese por ndoshta dilema zgjidhet duke iu përgjigjur pozitivisht pyetjes: A nuk duhet t’i plotësojmë këto kritere edhe sikur të mos anëtarësoheshim në BE? Turi ballkanik i Kryekomisionerit Juncker dhe Komisonerit të Zgjerimit Hahn dhe deklaratat e tyre dëshmojnë një vetëdije se Ballkani është rikthyer në qendër të vëmendjes për të përmbyllur atë që një analizë e Institutit të Studimeve të Sigurisë në Bruksel i drejtuar nga ish–Sekretari i NATO, Havier Solana e quante në 2014 “puna e pambyllur me Ballkanin”. Siç thotë një shprehje e hershme veprimet dëgjohen më fort se fjalët dhe Samiti i BE në Sofie shpresojmë ta dëshmojë këtë.

Ribotuar me lejen e autorit, ky shkrim është botuar më parë në Gazetën Shqiptare, 28 shkurt 2018.

SHPËRNDAJE