Nëse Ferri janë të tjerët, Bullgaria është Parajsë

Popullsia e Bullgarisë është duke u tkurrur me ritme të shpejta, dhe vendasit e tyre hezitojnë të mirëpresin emigrantë

0

Nëse Ferri janë të tjerët, atëherë Ekaterina Svetulkova duhet të jetë në Parajsë. Ajo është e ulur vetëm, duke ngrënë fara kungulli në një stol prej guri në Banitsa, një fshat në Veriperëndim të Bullgarisë që ajo e quan shtëpi prej 58 vitesh. Njëherë e një kohë, bukëpjekësit piqnin simite të shijshme me gjithfarëlloj aromash e aktorë të famshëm vizitonin fshatin për të dhënë performanca që argëtonin vendasit. Tani, psherëtin Znj. Svetulkova, “Nuk ka frymë njeriu këtu.” (Aty pranë është një kotele që po dremit në papuçet e saj të thurura.) Me fëmijët e saj që jetojnë gjetkë dhe me fare pak miq të mbetur aty, ajo nuk di ku të drejtohet në rast se i ndodh ndonjë aksident. Kjo krijon një lloj “vetmie disi të frikshme”, thotë ajo.

Kombet e Bashkuara parashikojnë që popullsia bullgare do të zbresë nga 7.2 në 5.2 milionë deri në vitin 2050, duke u bërë kështu shteti me popullsinë që po tkurret me ritmet më të shpejta në botë (nëntë të tjerët janë gjithashtu shtete të Europës Lindore). Kjo katastrofë demografike, e përqendruar në zonat rurale, paraqitet gjerësisht në Veriperëndimin e neglizhuar të Bullgarisë, rajonin më të varfër të të gjithë Bashkimit Europian. Çdo vit qyteti më i afërt, Vratsa, një ish-qendër industriale që pati kaluar kohë të vështira, pësoi një tkurrje të popullsisë deri në 2000 banorë. Punëdhënësit thonë që nuk mund të gjejnë punëtorë profesionistë, vendasit thonë që nuk ka punë. Njerëzit këtu janë më të varfër, më të palumtur, dhe me gjasa më të predispozuar për t’u larguar në krahasim me bashkëkombasit e tyre në Bullgari. Kalin Kamenov, kryetari i Bashkisë së Vratsas, thotë që pa investime dhe pa mbështetje nga shteti, qyteza e tij do të zhduket virtualisht brenda dhjetë vitesh. 

Bullgaria paraqet ndoshta rastin më ekstrem të shpopullimit që po rrënon shumë zona të Europës Lindore. Tranzicioni post-komunist ishte veçanërisht traumatik (dhe i vonuar) këtu; në vitet ’90 ritmet e lindshmërisë ranë ndjeshëm dhe mijëra të rinj shtegtuan drejt vendeve më të pasura, më të qëndrueshme të Europës Perëndimore, duke i lënë pas më të vjetrit dhe më pak profesionistët. Sot mbi 1 milionë bullgarë jetojnë jashtë shtetit, rreth 700 000 prej tyre në BE. Vendet e Europës Perëndimore si Gjermania kanë popullsi me moshë më të vjetër, por pasuria e tyre i bën ata më të mirë-pozicionuar për t’i bërë ballë implikimeve fiskale që krijon një forcë punëtore në tkurrje e sipër, dhe kështu ata importojnë emigrantë. Në Bullgarinë që po plaket me ritme të shpejta shteti i pestë më i thinjur i Europës, ku rreth 60% të popullsisë pensioniste janë nën kufirin e varfërisë me vetëm 321 lev ($196) në muaj. “Ne kemi problemin e një shteti të pasur, por pa qenë një shtet i pasur.” thotë Georgi Angelov, një ekonomist në Institutin e Shoqërisë së Hapur në Sofie.

Qeveritë kanë prodhuar strategji të pafundme për të ndalur rënien demografike. Asnjëra prej tyre nuk ka ndihmuar shumë. Duke folur në Sofian e gjallëruar, një prej të paktave vende në Bullgari me një popullsi në rritje, Valeri Simeonov, një zëvendës kryeministër i ngarkuar për politikat demografike, prezanton planet e tij për të përballuar mungesën e punës duke tërhequr punëtorë të huaj, dhe kryesisht nga shtetet fqinje me minoritete bullgare si Ukraina apo Moldavia. Disa mijëra punojnë nëpër plazhe dhe resorte skish gjatë sezoneve turistike. Po përgatiten politika për të tërhequr akoma më shumë njerëz, për periudha më të gjata kohore, tregon Simeonov, dhe se qeveria e tanishme ka bërë më shumë për të përmirësuar demografinë sesa qeveritë pararendëse.

Megjithatë ka një kleçkë, Z. Simeonov, që është udhëheqës i Frontit Kombëtar për Shpëtimin e Bullgarisë, parti e së djathtës ekstreme, thotë që gjuetia e tij për talente nuk shtrihet deri tek refugjatët, të cilët ai i shpërfill si “aventurierë” që kërkojnë të zbrazin arkat e ndihmave sociale të shteteve të Europës. Pjesërisht falë një gardhi kufitar, me roje famëkeqe për brutalitetin e tyre, refugjatët që dolën nga Turqia në 2015-2016 kaluan më së shumti nga Greqia, dhe jo nga Bullgaria. Megjithatë kjo nuk i ndali politikanët e Bullgarisë për të nxitur histeri anti-refugjate. Rumen Radev, presidenti socialist, zotohet ta ndalojë Bullgarinë të kthehet në “geton e emigrantëve të Europës”. Në 2016 këshilli i Vratsas e ndaloi me ligj krijimin e qendrave të refugjatëve, edhe pse asnjëherë nuk janë propozuar të tilla.

Disa e shikojnë si ironik faktin që shtete të Europës Lindore që po shpopullohen janë armiqësore ndaj refugjatëve. Disa të tjerë e shikojnë si qartësisht të logjikshme nga pikëpamja politike. Për bullgarët që janë në prag të shpopullimit, shkruan Ivan Krastev, një studiues i shkencave politik, “mbërritja e emigrantëve sinjalizon daljen e tyre nga historia”. Partitë e ekstremit të djathtë nuk gëzojnë shumë terren në Bullgari, por ato performojnë më së miri në zona ku popullsia është më e tkurrur. Dhe Bullgaria nuk është e interesuar t’i shtojë telashet që ka tashmë lidhur me integrimin, thotë Z. Simeonov, kur Bullgaria ka mjaftueshëm probleme me “refugjatët e saj ciganë” (thënë në gjuhë më të hijshme; në 2014, Z. Simeonov e cilësoi popullsinë rome të Bullgarisë si “antropoidë arrogantë e të egër”).

Uroj të vdes përpara se të plakem

Çështja e refugjatëve është deri diku njëfarë shpërqëndrimi nga çështjet më thelbësore. Pakkush do të donte të qëndronte në një vend armiqësor, me paga të ulëta në të cilin ata nuk kanë asnjë lidhje, kur ka shtete më të pasura aty pranë. Joshja e punëtorëve nga më afër shtëpisë tingëllon si një objektiv më i realizueshëm. Po kështu mund të jetë dhe nxitja e kthimit të emigrantëve. Në vitet e fundit emigrimi është ngadalësuar dhe më shumë bullgarë po kthehen, ndonëse për shkak të ritmeve të ulëta të lindjeve—pjesërisht pasojat e eksodit më të hershëm të të rinjve—shteti po vijon të humbasë ekuivalentin e popullsisë së Vratsas, prej 50000 njerëzish në vit.

Optimistët ia hedhin sytë Estonisë së mirë-qeverisur e cila, pasi ka humbur 17% të popullsisë që prej çlirimit të saj nga qeverisja sovietike, ka përfituar së fundmi nga një rritje e vogël e remitancave. Polonia, e cila ka mirëpritur qindra mijëra ukrainas për t’i shërbyer ekonomisë së saj në lulëzim, është një tjetër model alternativ, por githashtu dhe një rivale. Bullgaria po mbahet mirë: shkalla e punësimit është më e lartë se kurrë, dhe financat publike janë të shëndosha – por po kështu janë edhe vendet e saj fqinje më të pasura.  Korrupsioni (Bullgaria është cilësuar si shteti më i prekur në BE sipas Transparency International), burokracia e madhe, shkollat e këqija dhe një erë gangsterizmi që ia vesh sytë investitorëve të huaj. Dhe edhe nëse ata që kthehen ndihmojnë në rigjallërimin e ekonomisë së Bullgarisë, ashtu sikurse ka ndodhur në shumë vende me të shkuar emigrative si Irlanda, ata do të kishin pak gjasa të kthenin mbrapsht dëmin demografik të bërë. Perspektiva e së ardhmes së Bullgarisë ngjan pak më e shndritshme sesa e tashmja e tyre, dhe njerëzit e saj të vrazhdë e kanë kuptuar këtë gjë: një sondazh i muajve të fundit vuri në dukje se shumica e popullsisë shprehnin optimizëm për të parën herë në dy dekada. Por në të ardhmen do të ketë shumë më pak bullgarë që do e ndajnë këtë mendim.

SHPËRNDAJE