Nga Jerina Zaloshnja
Ambasadorja e Shqipërisë në Washington D.C. njoftoi me një postim të gjatë dhe gjithë entuziazëm në rrjetet sociale se kishte qenë e ftuara e Presidentit Trump, në një darkë speciale për Iftar, (darka e posaçme gjatë muajit të Ramazanit). “Pata nderin dhe privilegjin e madh të isha pjesë e tavolinës së Tij, (Presidentit Trump,) në dhomën e darkave shtetërore të Shtëpisë së Bardhë”, – shkruan ambasadorja. Telegrami diplomatik i ambasadores për publikun shqiptar vijon më pas me atë klishenë e vjetër, të cilën, ne që kemi lindur dhe jemi rritur në komunizëm e njohim mirë: “I thashë Presidentit se populli shqiptar i është tepër mirënjohës…” a të tjera si këto.
S’ka dyshim se fakti që ambasadorja jonë ka patur mundësinë të takohet me Presidentin e Shteteve të Bashkuara është i jashtëzakonshëm, po të kemi parasysh se ne jemi një vend shumë i vogël; aq i vogël, sa nuk është pa gjasë që Presidenti amerikan të mos e ketë patur të qartë gjeografikisht ku ndodhet Shqipëria, sidomos Presidenti Trump.
Dhe çdo rast që shfaqet për diplomatët tanë për të takuar shefin e Shtëpisë së Bardhë është i artë dhe duhet shfrytëzuar. Ambasadorja jonë thjesht duhet përgëzuar për gjërat besoj të mençura, të ditura, dhe të duhura që i ka thënë Presidentit Trump dhe Zëvendës Presidentit. Por dëshiroj të përqendrohem në një fakt tjetër.
Ambasadorja e Shqipërisë ishte e ftuara e Presidentit të SHBA në darkën zyrtare të shtruar prej tij për Ramazan, Iftar, si ambasadore e një vendi mysliman. Shqipëria ishte e ftuar në darkën zyrtare shtetërore të Shtëpisë së Bardhë si një vend mysliman. “Pata nderin dhe privilegjin e madh,- shkruan në telegramin e saj publik ambasadorja jonë në SHBA,- të isha pjesë e tryezës së Presidentit Trump, bashkë me kolegët nga Arabia Saudite, Indonezia dhe Bangladeshi”. Por nuk është ky argumenti me të cilin arrijmë në përfundimin se në protokollin e Shtëpisë së Bardhë Shqipëria është e përfshirë në vendet myslimane; as edhe llogaria e Twitter e vetë Presidentit amerikan për darkën, Iftarin me ambasadorët e vendeve myslimane aleate, që na tregon se për SHBA Shqipëria është një vend mysliman. Nga ana tjetër, ky perceptim apo realitet, nuk lidhet vetëm me administratën Trump. Edhe për Presidentin George Bush, që mbështeti fort anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, Shqipëria ishte një vend mysliman, aleat i SHBA.
Duhet ta themi qartë dhe me zë të lartë: Nuk ka asgjë të keqe të jesh një vend mysliman. Por Shqipëria nuk është një vend mysliman. Islami si një doktrinë fetare, nuk ka asnjë rol në organizimin e shoqërisë në Shqipëri, dhe aq më pak në organizimin e shtetit, siç është rasti i shteteve islame. Unë jam një myslimane, por vendi im nuk është një vend mysliman. Në rastin e Shqipërisë ky ekuacion nuk është i barasvlershëm.
Ka një perceptim në elitat politike por edhe intelektuale në vendet anëtare të BE se Shqipëria është një vend mysliman, madje shkohet deri aty sa të mendohet dhe të deklarohet se Shqipëria qeveriset nga ligjet e sheriatit. Ne ende nuk po mundemi në këtë vend të qeverisemi përmes rregullit të ligjit, por çdo deputet europian, çdo gazetar, duhet ta dijë një të vërtetë të thjeshtë. Shqipëria as nuk është qeverisur, dhe as nuk qeveriset nga Sheriati, por nga Kushtetuta, nga ligjet. Dhe nuk janë vetëm vendet europiane. Marrëdhëniet e Shqipërisë me Turqinë, marrëdhënie shumë të rëndësishme, gjithmonë e më shumë po perceptohen strategjikisht të rëndësishme, edhe për shkak të përbashkësisë fetare, sidomos për shkak të kësaj. Kjo është e pavërtetë dhe besoj e gabuar dhe e dëmshme.
Perceptimi i të qenurit një vend mysliman kur në fakt nuk je, është historik dhe i trashëguar por gjithashtu mund të vijë edhe për shkak të raporteve të shifrave midis të tre besimeve, ku myslimanët janë shumicë. Ky gjithashtu është një interpretim tepër mekanik në Shqipërinë e pas komunizmit. Por duket se perceptimin e një vendi mysliman e ushqejmë edhe vetë. Për shembull, ndonëse në çdo lagje të Tiranës janë ndërtuar xhamitë, të cilat mendohet t’u shërbejnë qytetarëve të besimit islam për të kryer ritet fetare, këta preferojnë ta organizojnë faljen në sheshin Skënderbej në mënyrë publike. Por sheshi është një hapësirë publike e destinuar për të gjithë qytetarët, ndërsa praktikimi i çfarëdo lloj ritesh supozohet të bëhet brenda institucioneve fetare, në xhami apo kishë, dhe jo nëpër sheshe.
Disa ditë më parë, sheshi “Nënë Tereza” u shndërrua në një restorant në natyrë të hapët për të shërbyer Iftarin. Disa gazetarë austriakë që rastësisht u gjendën aty, filluan ta fiksonin këtë demonstrim publik, i cili, në fakt, ngjan shumë me ato në vendet e Lindjes së Mesme.
Unë ia tregova këtë episod B. B.-së. në mbrëmje. B. B. më tregoi se Johan Sattler, ambasadori austriak në Tiranë po u shpjegonte pikërisht këtyre gazetarëve se “ky (Shqipëria) është një vend magjik, dhe i pabesueshëm kur është fjala për besimin fetar. Ortodoksë, myslimanë dhe katolikë janë bashkë në një bashkëjetesë të shkëlqyer. Dhe u recitonte edhe Gjergj Fishtën: “Kemi Bajram edhe Pashkë, por Shqipërinë e kemi bashkë”
Kjo është në fakt Shqipëria që duhet ta promovojmë, siç bën ambasadori i Austrisë në Tiranë.