Albert Rakipi
PhD në Marrëdhëniet Ndërkombëtare
Marrëdhëniet shqiptaro-greke gjatë më shumë se njëqind vjetëve të fundit, që përkojnë edhe me historinë moderne të shtetit shqiptar, janë dominuar nga dy çështje themelore: çështjet e mosmarrëveshjeve territoriale/kufitare dhe çështja e minoriteteve, fenomene tipike për dy kombe dhe shtete fqinj.
Mosmarrëveshjet për territorin, kufirin dhe minoritetet kanë qenë dhe vijojnë të jenë historikisht burimet kryesore të tensionit në marrëdhëniet dypalëshe.
Ato kanë ushqyer një marrëdhënie ciklike krizash me ulje ngritje të shpeshta, të ndërprera nga periudha bashkëpunimi për t’u rikthyer përsëri në gjendje tensioni por pa shkuar kurrë drejt një konflikti,në kuptimin klasik të kësaj fjale.
Në pamje të parë, mosmarrëveshjet për territorin/kufijtë dhe minoritetet duken të jenë një histori mediokre e dy kombeve fqinje, shtetet e të cilëve u themeluan në kushtet e një vakuumi të krijuar nga tërheqja apo rënia e perandorive, siç ishte rasti i tërheqjes së Perandorisë Otomane në Ballkan.
Ne këtë esse analizohet si dhe pse mosmarrëveshjet historike për territorin/kufijtë, si dhe çështjet e minoriteteve të cilat shkojnë pas në fillim të shekullit të njëzetë dhe për të cilat as Shqipëria, as Greqia nuk e kontestojnë zgjidhjen dhe akomodimin e tyre, vijojnë të jenë aktualisht burimet kryesore të tensionit dhe të krizave ciklike përgjatë njëzetepesë vjetëve të fundit.
Një vizitë e shkurtër në histori
Natyrën dhe problematikën e marrëdhënieve shqiptaro-greke, gjatë njëqind vjetëve të fundit, e kanë përcaktuar tri periudha historike. Së pari, periudha e lëvizjeve kombëtare në Ballkan dhe tërheqja e Perandorisë Osmane në kapërcyell të shekullit të nëntëmbëdhjetë deri në fillimet e shekullit të njëzetë. Këto lëvizje kombëtare çuan në themelimin e shteteve ballkanike, territoret dhe kufijtë e të cilëve nuk përkonin në mënyrë të domosdoshme me vijat etnike. Në mënyrë të veçantë, rasti i Shqipërisë ishte më domethënës, më kritik. Krijimi dhe njohja nga fuqitë europiane të një shteti shqiptar çoi në copëtimin e territoreve shqiptare midis fqinjëve, përfshirë Greqinë. Kësisoj harta politike e Ballkanit më në fund ishte e plotë, por territoret që, sipas kësaj harte, i njihte si shtete dhe kufijtë, që i ndanin këto shtete, do të ishin burimi kryesor i konflikteve dhe tensioneve të ardhshme. Dy luftërat ballkanike dhe Lufta e Parë Botërore vunë në pikëpyetje, në rastin më të keq të ardhmen e një shteti shqiptar dhe në rastin më të mirë vunë në pikëpyetje territoret shqiptare jo vetëm në veri të Shqipërisë, por edhe në jug të saj me pretendimet greke.
Së dyti, Lufta e Dytë Botërore, në fillim të së cilës Greqia dhe Shqipëria, në fakt, në mënyrë aksidentale, u gjendën në fronte të ndryshme për shkak të angazhimeve të vendeve të treta. Italia sulmoi Greqinë në tetor të vitit 1940, duke përdoruar territorin shqiptar, të cilin e kishte pushtuar qysh nga prilli i vitit 1939. Me këtë periudhë lidhen dy nga çështjet më të rëndësishme në marrëdhëniet shqiptaro-greke, çështje që janë vënë në tryezën e bisedimeve edhe pas shtatëdhjetë vjetësh dhe të lidhura me njëra tjetrën: ligji i luftës, që në mënyrë paradoksale mbahet në fuqi ende si dhe çështja çame. Me një dekret mbretëror të10 nëntorit të vitit 1940, Shqipëria u shpall vend armik bashkë me Italinë. Sado paradoksal të duket ky ligj, ai vijon të jetë në fuqi edhe sot. Gjithashtu, ndonëse trajektorja e çështjes çame fillon në vitin 1913 me përfundimin e luftërave ballkanike dhe me vendosjen e çamëve nën juridiksionin e shtetit grek, për shkak të zhvillimeve dramatike gjatë Luftës së Dytë Botërore çështja çame është sot relevante dhe pjesë e problemeve historike në tryezën e bisedimeve. Po kështu, ndërhyrja e Shqipërisë në luftën civile në Greqi gjatë dhe menjëherë pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, jo vetëm krijoi një tension në marrëdhëniet dypalëshe, por rrezikoi edhe tërësinë territoriale të Shqipërisë dhe influencoi mbi marrëdhëniet për një kohë të gjatë.
Së treti, Lufta e Ftohtë, me ndarjen Lindje-Perëndim, i vendosi dy fqinjët e vjetër ballkanikë në blloqe kundërshtare. Marrëdhëniet shqiptaro-greke gjatë kësaj periudhe shumë të gjatë janë influencuar shumë nga klima e Luftës së Ftohtë dhe të paktën deri në vitin 1970, marrëdhënia e vetme midis të dy shteteve ishte një gjendje konfliktuale permanente.
Megjithëse Greqia ishte një nga vendet e pakta perëndimore me të cilat regjimi komunist në Shqipëri arriti të vendoste përveç marrëdhënieve diplomatike, në mënyrë shumë modeste edhe një bashkëpunim ekonomik, të dy vendet mbetën përgjithësisht të izoluara nga njëri tjetri për dekada të tëra. Komunikimi midis popujve, që janë dhe dy fqinjët më të vjetër në Ballkan, u ndërpre menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore. Marrëdhëniet shtetërore mbetën të tensionuara në mënyrë të veçantë deri në fillim të viteve shtatëdhjetë. Përveç ndarjes ideologjike me përkatësinë në dy blloqe të kundërta, tensionet e përhershme politike midis dy vendeve u ushqyen kryesisht nga trashëgimia konfliktuale historike dhe mosmarrëveshjet themelore historike, që e kanë zanafillën në procesin e themelimit dhe pavarësisë së të dy shteteve, por në mënyrë të veçantë, menjëherë me krijimin e një shteti shqiptar të pavarur në fillim të shekullit të njëzetë.
Me fundin e Luftës së Ftohtë dhe rënien e regjimit komunist në Shqipëri, në natyrën e marrëdhënieve shqiptaro-greke ka influencuar dhe vijon të influencojë një faktor tjetër – emigrantët shqiptarë, emigrimi i shqiptarëve në Greqi. Emigrimi masiv i shqiptarëve në Greqi ka shërbyer për një komunikim të gjallë, intensiv midis dy shoqërive. Kjo prani masive e shqiptarëve në Greqi ka revolucionarizuar marrëdhëniet politike, ekonomike dhe sociale midis dy popujve të ndarë për një kohë shumë të gjatë për shkak të Luftës së Ftohtë dhe vetizolimit ekstrem të Shqipërisë në kohën e komunizmit.
Emigrimi i më shumë se i një të gjashtës së popullsisë shqiptare në Greqi ka krijuar njëherazi problematika të tjera, që lidhen me integrimin e emigrantëve shqiptarë, statusin e tyre ekonomik dhe social si dhe të drejtat e njeriut.
Natyra e sistemit ndërkombëtar dhe natyra e regjimeve, që kanë qeverisur të dy shtetet gjatë tërë kësaj periudhe njëqindvjeçare kanë qenë dy faktorë të rëndësishëm që kanë influencuar mbi dinamikat e veçanta në marrëdhëniet shqiptaro-greke, por në asnjë rast nuk ka qenë e mundur që të dy shtetet të kenë shkuar në mënyë përfundimtare drejt marrëveshjeve përfundimtare rreth çështjeve të kontestuara.
Së fundi, por jo e fundit për nga rëndësia,qasjet populiste të adoptuara nga të dyja administratat e kanë minuar mundësinë e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve të krijuara kryesisht në gjysmën e parë të shekullit të njëzetë.
Paradoksi i madh: dy shtete në gjendje lufte, që jetojnë në paqe
Paradokset dhe mitet në marrëdhëniet shqiptaro-greke, ashtu sikundër në historinë e popujve të tjerë, janë të lidhura me luftën dhe përgjithësisht me të shkuarën, por në rastin e Shqipërisë dhe Greqisë, shkalla e influencës të së shkuarës është e pazakonshme. Më 1996 Shqipëria dhe Greqia nënshkruan një traktat miqësie dhe bashkëpunimi, instrumenti më i plotë, i mundshëm diplomatik, i formalizimit të një gjendjeje paqeje dhe bashkëpunimi të plotë midis dy shtetesh. Por në mënyrën më paradoksale të mundshme, midis dy shteteve vijon të mbetet në fuqi “Ligji i Luftës”, i miratuar më 1940 nga parlamenti grek.
Prej vitit 2009 Shqipërinë dhe Greqinë i bashkon anëtarësia në NATO. Por pavarësisht anëtarësisë së përbashkët në një aleancë ku shtetet anëtare kanë rënë dakord të angazhohen në një mbrojtje të përbashkët në rast të një sulmi nga një palë e tretë, Greqia mban në fuqi dekretin mbretëror të vitit 1940, sipas të cilit Shqipëria për Greqinë është një vend armik.
Më tej paradoksi i paradokseve: në vitin 1949 Greqia e shfuqizoi ligjin përkatës, sipas të cilit Italia konsiderohej një vend armik, por e la në fuqi këtë ligj për Shqipërinë, duke vijuar zyrtarisht ta shpallte Shqipërinë një vend armik, ndonëse ishte Italia ajo që kishte sulmuar Greqinë duke përdorur territorin shqiptar, gjithashtu të pushtuar nga italianët.
Pas pothuajse dy shekujsh narrativi rreth ”Vorio Epirit”, që në terma gjeografikë do të thotë gjysma e Shqipërisë së sotme, ai ka përfunduar aktualisht në një mit, ashtu sikundër vetë Megali Idea. Nga ana tjetër, çështja çame, për të cilën 70 për qind e shqiptarëve mendojnë se përbën problemin kryesor në marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Greqisë, vijon të ushqejë narrativin politik të institucioneve partiake, të medias dhe të segmenteve të caktuara në Shqipëri pa guxuar, siç ndodh gjithmonë në rastin e miteve, për të zbërthyer vetë mitin dhe për të parë brenda tij.
Por paradokset dhe mitet nuk janë të lidhura vetëm me historinë: Greqia është partneri i parë ekonomik i Shqipërisë dhe në mënyrë të vazhdueshme, qysh nga rënia e komunizmit, gjatë 25 vjetëve të fundit të paktën rreth 700 mijë shqiptarë kanë emigruar dhe aktualisht jetojnë e punojnë në Greqi. Ndërkaq, shumica e atyre shqiptarëve që besojnë se vendi ndodhet i kërcënuar dhe siguria kombëtare e vendit është e rrezikuar, mendojnë se ky rrezik vjen nga Greqia
Shqipëria dhe Greqia, ndonëse anëtare të NATO-s, kanë dallime edhe në disa orientime apo aksione në politikën e jashtme në Ballkan. Aleancat tradicionale të Greqisë në Ballkan janë parë historikisht me mosbesim dhe me dyshim nga Shqipëria. Në mënyrë të veçantë, pas ndryshimit të hartës politike të Ballkanit, me krijimin dhe njohjen e një shteti të ri, atij të Kosovës. Greqia është një nga dy shtetet ballkanike dhe njëri nga pesë shtetet anëtare të BE-së që nuk e ka njohur Kosovën si shtet të pavarur. Se në çfarë mase ka ndikuar fakti i mosnjohjes së shtetit të Kosovës në marrëdhëniet dypalëshe Shqipëri Greqi, kjo është shumë e diskutueshme, por në fund të fundit, ai është një faktor, që nëse nuk influencon mbi sferën reale të marrëdhënieve dypalëshe, s’ka dyshim që influencon mbi sferën virtuale të marrëdhënieve, e cila ende vijon të mbetet e burgosura e paradokseve dhe e miteve.
Mosmarrëveshjet për territorin dhe kufijtë
Kur studenti Eleftherios Venizelos mblodhi miqtë e tij rreth një harte të madhe dhe caktoi kufijtë e Greqisë, ai dëshironte: gjysmën e Shqipërisë së sotme dhe një pjesë të mirë të Turqisë së sotme, Shqipëria nuk ekzistonte si shtet i pavarur. Por vetëm disa dekada më vonë, më 1919,ish-studenti i shkëlqyer i të drejtës, Venizelos, i mandatuar si kryeministër i Greqisë, paraqiti në emër të delegacionit grek në Konferencën e Paqes të gjitha argumentet se përse Greqia duhet të ketë pjesën jugore të Shqipërisë apo “Epirin e Veriut”, siç i pëlqente ta quante ai.
Më 1946, megjithëse Konferenca e Paqes në Paris nuk i pranoi pretendimet e Greqisë për të ashtuquajturin “Vorio Epir”, gjithsesi, Këshilli i Ministrave të Jashtëm të katër fuqive të mëdha, SHBA, Bashkimi Sovjetik, Britania e Madhe dhe Franca, u njoh me kërkesën dhe argumentet e Greqisë për pretendimet e saj mbi Shqipërinë e Jugut.
Gjatë gjithë Luftës së Ftohtë, pretendimet territoriale kanë qenë një faktor tensioni midis dy vendeve dhe një pengesë e pa thënë publike për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike për të paktën disa dekada qysh nga mbarimi i Luftës së Dytë Botërore. Arsyet përse të dy vendet nuk shkuan drejt një konflikti duhen shpjeguar me Luftën e Ftohtë, rivalitetin e fuqive të mëdha, si dhe rivalitetet ballkanike, të cilat kanë qenë historikisht të përhershme kur ka qenë fjala për pranimin e një shteti të pavarur shqiptar dhe të territoreve të tij.
Me vendosjen e marrëdhënieve diplomatike, më 1971, shënohet një hap pozitiv drejt eliminimit të njërit prej burimeve të tensionit midis të dy vendeve, pretendimeve territoriale të Greqisë sipas platformës së Vorio Epirit. Që atëherë vërehet një tërheqje graduale nga ana e Greqisë, por edhe një përpjekje e Tiranës zyrtare për të mos identifikuar politikën zyrtare të Greqisë, me të ashtuquajturën tezë të Vorio Epirit, mbështetur nga qarqe reaksionare greke, përfshirë edhe kishën greke, që me pikëpamjet shoviniste kërkojnë të pengojnë afrimin e Greqisë me Shqipërinë.
Mund të thuhet pa frikë se, me fundin e Luftës së Ftohtë dhe rënien e regjimit komunist, arkivohen përfundimisht pretendimet territoriale sipas platformës dhe ideologjisë së Vorio Epirit. Zhvillimet e mëtejshme me nënshkrimin e traktatit të miqësisë midis dy vendeve dhe anëtarësimit të Shqipërisë në NATOe mbyllën përfundimisht çdo pretendim territorial të krijuar dhe të mbartur nga historia.
Megjithë këtë realitet të ri, segmente periferike brenda Greqisë dhe sidomos në diasporën greke vijojnë të ushqejnë tezën e lindur të vdekur të Vorio Epirit dhe të mbajnë gjallë sferën virtuale të diskursit të ushqyer nga populistët.
Paralel me mosmarrëveshjet territoriale, çështje të përcaktimit të kufijve midis dy shteteve, të atyre kufijve ndërkombëtarë që janë njohur nga Fuqitë e Mëdha, kanë qenë burim tensioni midis dy vendeve.
Më 2010 Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë rrëzoi marrëveshjen për shelfin kontinental. Pas disa vjetësh negociatash dhe pranimit të një marrëveshjeje për kufirin detar, i vetmi kufi i papërcaktuar. Më 2009 u duk se Shqipëria dhe Greqia po e mbyllnin më në fund kapitullin e mosmarrëveshjeve për kufijtë midis tyre. Mirëpo, Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë e rrëzoi këtë marrëveshje për shkak se e gjeti “në shkeljen e principeve kushtetuese dhe mosrespektimin e principeve të së drejtës ndërkombëtare për caktimin e kufirit detar”.
Dështimi për të miratuar një marrëveshje për kufirin detar, negociatat për të cilën kishin nisur menjëherë pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, provon një karakteristikë tjetër konstante të marrëdhënieve shqiptaro-greke: çështja e kufirit dhe mosmarrëveshjet për të vijojnë të jenë një burim tensionesh politike, pavarësisht nga ndryshimet demokratike, anëtarësia në Aleancën e Atlantikut dhe mbështetja që Greqia ka dhënë dhe vijon të japë për anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Çështjet e përcaktimit të kufirit midis Shqipërisë dhe Greqisë u shfaqën menjëherë sapo fuqitë europiane shkuan drejt njohjes së shtetit shqiptar. Këto mosmarrëveshje kanë lindur përpara se të lindte dhe të njihej shteti shqiptar. Fillimisht më shumë se një çështje e ndarjes së kufijve midis dy shteteve, ajo ishte e lidhur me pretendimet territoriale për Shqipërinë e Jugut ose Vorio Epirin. Megjithëse konferenca e ambasadorëve të fuqive europiane më 1913 nuk i konsideroi pretendimet greke rreth territorit që do të përfshihej në një shtet shqiptar, këto pretendime vijuan edhe me Konferencën e Paqes në Paris më 1919. Më 1921, Konferenca e Ambasadorëve, që pasoi menjëherë Konferencën e Paqes, njohu kufijtë e vitit 1913. Prej kësaj periudhe mosmarrëveshjet për kufijtë mund të observohen si të ndara nga mosmarrëveshjet territoriale. Për disa dekada gjatë Luftës së Ftohtë, çështja e përcaktimit të kufijve ishte një nga pengesat për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike. Madje edhe pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike, tensionet e herëpashershme lidheshin me kufijtë e papërcaktuar dhe hezitimin e palës greke për të përcaktuar kufirin tokësor.
Në mënyrë të ngjashme, edhe çështjet që lidhen me minoritetin grek në Shqipëri kanë qenë historikisht një burim tensionesh. Megjithëkëtë është e rëndësishme të thuhet se më shumë se minoriteti në vetvete, mënyra se si të dy qeveritë e të dy vendet janë akomoduar dhe janë sjellë ndaj minoritetit grek ka qenë një faktor tensioni. Fillimisht, prania e minoritetit grek dhe kontestimet rreth numrit të tij kanë shërbyer për të ushqyer pretendimet territoriale dhe më vonë ato të kufijve, por gradualisht, politikat e ndjekura nga Tirana dhe Athina kundrejt minoritetit grek kanë qenë në mënyrë gati të pavarur si faktorë tensioni. Gjatë gjithë Luftës së Ftohtë, përfshi edhe periudhën kur midis dy vendeve u vendosën marrëdhëniet diplomatike, çështjet e minoritetit grek në Shqipëri ishin një burim konstant tensioni, madje edhe pas rënies së regjimit komunist.
Çështja çame: qasja populiste – Don’t open the box
Një nga çështjet më të kontestueshme në marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Greqisë dhe e lidhur në fakt me kontestet e tjera historike është çështja çame. Pas luftërave ballkanike, popullsia çame u vendos nën juridiksionin e Greqisë dhe me Protokollin e Firences 1913 territoret në veriperëndim të Greqisë, të banuara nga popullsia çame, mbetën jashtë kufijve të Shqipërisë. Megjithëkëtë zanafilla e çështjes çame shënohet në fillim të vitit 1923, kur Greqia dhe Turqia filluan negociatat për shkëmbimin e popullsisë. Greqia deklaroi se nuk ishte ndonjë synim për të përfshirë edhe popullsinë çame në konventën e shkëmbimit të popullsisë me Turqinë. Megjithëse në programet e shkëmbimit do të përfshihej popullsia myslimane e rajonit, vetëm popullsia çame do të përjashtohej, por të paktën 500 mijë çamë u përfshinë në këto programe. Qeveria shqiptare nuk e konsideronte një privilegj mospërfshirjen e popullsisë çame në programet e shkëmbimit.
Gjithsesi pjesa më e madhe e popullsisë çame mbeti jashtë konventës greko-turke të Lozanës, të vitit 1923, për shkëmbimin e popullsisë dhe kësisoj, ajo supozohej të gëzonte status të njëjtë me shtetasit grekë .
Por pavarësisht politikave zyrtare, të shpallura nga qeveria greke, popullsia çame në periudhën midis dyluftërave nuk gëzonte të drejta të barabarta si qytetarët grekë. Statusi ekonomik dhe social i trashëguar nga periudha otomane filloi të rrënohej përmes politikave qendrore dhe lokale, të ndjekura nga qeveria dhe në një mjedis politik dhe social gjithmonë e më armiqësor filluan përplasjet midis popullsisë çame dhe komuniteteve greke. Gjendja e popullsisë çame filloi të vështirësohej me vendosjen e diktaturës së Metaksait më 1936. Përveç masave ekstreme dhe përdorimit arbitrar të dhunës, qeveria e Metaksait ndaloi përdorimin e shqipes në sferën publike dhe private, si dhe ndalimin e botimit të librave dhe gazetave shqip.
Por vendimtare në të ardhmen e popullsisë çame ishin zhvillimet në Luftën e Dytë Botërore. Italia, në fillim dhe pas kapitullimit të saj, Gjermania, shpallën bashkimin kombëtar të shqiptarëve, duke përdorur përveç të tjerash edhe popullsinë çame në Greqi. Duket se çamët e kërkuan rikthimin e statusit social dhe ekonomik dhe përgjithësisht të ardhmen e tyre te bashkëpunimi, fillimisht me italianët dhe më pas me gjermanët. Gjatë pushtimit fashist komunitetet u përfshinë në një cikël dhune që mori përmasa më të mëdha pas tërheqjes së Gjermanisë nga Greqia më 1944. Në mënyrë të veçantë, forcat greke të rezistencës, nën komandën e Gjeneral Zervës, ndërmorën operacione të përgjakshme ndaj popullsisë çame duke shkaktuar shumë viktima.
Dhuna kolektive dhe masakrat vijuan me zhvendosjen masive të popullsisë çame në Shqipëri. Me 1940, në rajonin e Çamërisë, pikërisht në jug të kufirit greko shqiptar ishin të përqendruar rreth 25 000 çamë. Një dekadë më vonë, regjistrimit grek të popullsisë së vitit 1951, në të gjithë vendin regjistroheshin vetëm 127 shqipfolës myslimanë.
Çështja çame, për të cilën të dy vendet kanë interpretime të ndryshme, ishte përplasja e parë dhe mosmarrëveshja e parë midis të dy shteteve. Pyetja më thelbësore është se si “trajektorja historike e çamëve, e cila sipas Stathis N.Kalyvas nuk mund të ishte më emblematike e kontinentit të zi-Europës së shekullit të njëzetë, ka influencuar ka influencuar dhe vijon të influencojë mbi marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Greqisë.
Çështja çame ka qenë një burim tensioni midis të dy vendeve menjëherë pas përfundimit të shkëmbimit të popullsisë midis Greqisë dhe Turqisë më 1926.
Përveç demarsheve të ndërmarra në mënyrë të drejtpërdrejtë ndaj Athinës zyrtare, shqetësimet e saj lidhur me gjendjen e popullsisë, qeveria shqiptare i paraqiti edhe në Lidhjen e Kombeve. Gjatë kësaj kohe, Athina ndiqte edhe thellimin e marrëdhënieve italo-shqiptare, përveç të tjerash edhe në kontekstin e pakicës çame brenda territorit të saj, me shqetësimin se shqiptarët mund të kishin mbështetjen e një fuqie si Italia në kërkesat dhe aksionet potenciale për vëllezërit e tyre në Greqi.
Deri në fillim të Luftës së Dytë Botërore, Shqipëria në një mënyrë ose në një tjetër ishte e angazhuar në çështjen e popullsisë çame. Gjatë luftës zhvillimet ishin dramatike për popullsinë çame në Greqi. Në fillim Italia dhe më pas Gjermania shpallën krijimin e Shqipërisë së Madhe që përfshinte përveç Shqipërinë e kufijve të vitit 1913 edhe territoret në veri me Kosovën si dhe territore në jug, përfshirë rajonin e Çamërisë.
Pas çlirimit të Shqipërisë dhe vendosjes së regjimit komunist në Shqipëri, qeveria komuniste e Hoxhës fillimisht u tregua e vëmendshme ndaj problemit çam. Hoxha e paraqiti çështjen çame në Konferencën e Paqes në Paris më 1946. Qeveria komuniste kërkoi riatdhesimin e çamëve në Greqi dhe rikthimin e pasurive të tyre. Ishte pikërisht koha kur marrëdhëniet midis të dy vendeve u përkeqësuan për shkak të kërkesave zyrtare greke për rivendikime territoriale në të ashtuquajturin Epiri i Veriut. Klima në marrëdhëniet midis dy vendeve ndërkaq influencohej shumë nga rreshtimi ideologjik dhe ndarja midis fuqive të mëdha, Bashkimit Sovjetik nga njëra anë dhe SHBA dhe aleatëve të saj, si Britania e Madhe, nga ana tjetër. Në një shkallë të konsiderueshme, krahas kontesteve në marrëdhëniet ndërshtetërore në Ballkan, aty kishin ndikimin e tyre edhe përplasjet në një rrafsh global mes dy superfuqive.
Po kështu, regjimi komunist, ndonëse jo në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të hapur, i mbështeti edhe përpjekjet e popullsisë çame të vendosur në Shqipëri për ta ndërkombëtarizuar çështjen e tyre. Më 1945 dhe më 1947 u organizuan dy kongrese të çamëve në Shqipëri dhe u bënë një sërë përpjekjesh dhe ndërhyrjesh në fuqitë europiane dhe Kombet e Bashkuara. Në mënyrë sporadike dhe më shumë si një reagim ndaj pretendimeve territoriale të Greqisë, çështja çame u ngrit edhe në Asamblenë e Kombeve të Bashkuara.
Gjatë Luftës Civile në Greqi, çështja çame shfaqet përsëri: komunistët grekë i panë çamët e vendosur në Shqipëri si një mundësi të mirë për të forcuar Ushtrinë Demokratike. Udhëheqësit komunistë grekë i kërkuan Tiranës, pra, udhëheqjes komuniste të Shqipërisë, ndihmë për rekrutimin e tyre në radhët e ushtrisë.
Kjo ishte hera e fundit që qeveria shqiptare angazhohet për çështjen çame, por krejtësisht në një kontekst ideologjik për të ndihmuar komunistët grekë në luftën civile që kishte shpërthyer atje.
Duket se, përfundimisht, regjimi komunist do t’i vinte kapak çështjes çame në vitin 1953, kur me një dekret të posaçëm i akordoi popullsisë çame nënshtetësinë shqiptare.
Gjatë gjithë Luftës së Ftohtë dhe deri në rënien e regjimit komunist çështja çame në asnjë rast të vetëm nuk ishte pjesë e marrëdhënieve përgjithësisht të trazuara dhe gjithë tensione. Shpjegimi, sipas të cilit arsyeja që çështja çame nuk ishte në vëmendjen e qeverisë për shkak të Luftës së Ftohtë dhe ndarjes në dy blloqe të kundërta nuk është mjaftueshëm. Pavarësisht nga izolimi i Shqipërisë, mbyllja e kufirit me Greqinë, mungesës së marrëdhënieve diplomatike për tre dekada dhe pavarësisht se të dy vendet u përkisnin blloqeve të kundërta ideologjike dhe ushtarake, midis Shqipërisë dhe Greqisë kishte një marrëdhënie të tensionuar, por në asnjë rast burimi i tensionit nuk ishte çështja çame. Qeveria e Hoxhës kishte hequr dorë edhe nga kërkesat e parashtruara në Konferencën e Paqes më 1946 e deri në fund të Luftës së Ftohtë dhe rënies së regjimit komunist, mbajti heshtje të plotë rreth asaj që njihet si çështja çame. Madje edhe kur filluan negociatat për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike në fillim të viteve shtatëdhjetë, çështja çame nuk ishte pjesë e këtyre negociatave. Heshtja e plotë rreth çështjes çame për gati pesëdhjetë vjet nga regjimi komunist bëhet edhe më e pakuptueshme nëse krahasojmë vëmendjen e qeverisë komuniste ndaj minoritetit grek në Shqipëri. Regjimi përpiqet të vërë në dukje në mënyrë konsekuente se minoriteti grek në Shqipëri, një popull i zgjuar punëtor dhe patriot” “gëzon të gjitha të drejtat si çdo qytetar i republikës”. Qeveria kujdeset dhe propagandon se minoriteti ka gazetën e vet, një tribunë e gjallë luftarake për masat punonjëse të minoritetit. Kushtetuta e Republikës Popullore u siguron të gjitha të drejtat si të gjithë shtetasve të tjerë të republikës”.
I vetmi krahasim midis çështjes çame dhe minoritetit grek në Shqipëri është ai i vitit 1945, kur vetë Enver Hoxha përpiqet të theksojë një diferencë të madhe midis reaksionit grek, shovinistëve grekë dhe regjimit të tij “Ne nuk veprojmë me minoritetin, shkruan Hoxha, ashtu siç bëjnë bandat e Zervës dhe të Plastirës me popullsinë çame, të cilën e kanë masakruar dhe e kanë vrarë në mënyrë shtazarake. Qëndrimi ynë kundrejt minoritetit është një qëndrim i një populli nga më të përparuarit. Minoriteti grek në Shqipëri gëzon të gjitha të drejtat, ai ka shkollat e tij mësuesit e tij, shtypin e tij, njerëzit e tij në pushtet e në ushtri,”
Fundi i Luftës së Ftohtë dhe rënia e komunizmit në Shqipëri shënon rikthimin e çështjes çame .Qysh më 1991 komuniteti çam krijoi organizatën e vet politike dhe më pas edhe një parti politike, e cila arriti të përfaqësohet në parlament. Fillimisht organizata bëri publike kërkesat e saj, që në fakt, nuk ishin shumë të ndryshme nga kërkesat që gjysmë shekulli më parë i ishin drejtuar OKB-së, misioneve të huaja në Tiranë apo qeverisë greke. Pothuajse të ngjashme me memorandumet e pas Luftës së Dytë Botërore, organizata kërkonte kthimin e çamëve në tokat e tyre, kthimin e tokave dhe të pasurive, kompensimin e të ardhurave dhe respektimin e të drejtave themelore të njeriut. Organizata Çamëria, organizata e dytë politike e themeluar më 1991, pas krijimit të partisë së parë opozitare ne Shqipëri, shpresonte gjithashtu që në zgjidhjen e çështjes çame të kishte mbështetjen e qeverisë jo komuniste dhe paralajmëronte se çështja çame duhej të vendosej në axhendën e marrëdhënieve Shqipëri-Greqi. Popullsia çame në Shqipëri dhe organizata e tyre politike vari shumë shpresa te Partia Demokratike dhe qeveria e parë jokomuniste në Shqipëri. Gjatë regjimit komunist popullsia çame ishte parë me mosbesim, nuk i ishte lejuar asnjë formë organizimi dhe për më tepër, ishte mjaft e përhapur ideja se komunistët e kishin tradhtuar çështjen çame. Kjo shpjegonte jo vetëm shpresat e mëdha të çamëve pas rënies së komunizmit, por edhe një lloj mosbesimi ndaj Partisë Socialiste (apo partive të tjera aleate të saj), e cila të paktën në dekadën e parë shikohej si trashëgimtare e Partisë së Punës, që ishte përgjegjëse për heshtjen e gjatë ndaj çështjes çame. Prej vitit 1991 e në vazhdim çështja çame do të ishte një komponent i përhershëm i marrëdhënieve shqiptaro-greke. Qysh prej vitit 1992 kërkesat e palës shqiptare kishin të bënin me kompensimin financiar të pronave të konfiskuara si dhe rikthimin e çamëve të shpërngulur në trojet e tyre. Duket se qeveria greke e pranoi rikthimin e çështjes çame në axhendën e marrëdhënieve dypalëshe midis të dy vendeve. Pavarësisht prej këtij pranimi, qëndrimet e mëtejshme të qeverive greke kane shkuar nga refuzimi total për të njohur ekzistencën e problemit çam e deri te refuzimi për të diskutuar qoftë edhe kërkesën për kompensim të pronave të konfiskuara, me argumentin e bashkëpunimit me pushtuesit dhe shpalljes me vendime të gjykatave si kriminelë lufte”, kërkesë për të cilën janë shprehur dakord në parim qysh në vitin 1992. Po kështu qëndrimi i qeverive shqiptare, qysh nga rishfaqja e çështjes çame më 1991, ka shënuar një dinamikë me ulje-ngritje. Kriza e viteve 1994-1995 në marrëdhëniet shqiptaro-greke e radikalizon qëndrimin e qeverisë shqiptare ndaj çështjes çame. Ndërsa kriza e vitit 1997, kur vendi u fut në anarki, pothuajse e la në heshtje çështjen çame në marrëdhëniet dypalëshe shqiptaro-greke. Arsyeja e këtij qëndrimi radikal lidhet me gjendjen e dobët dhe thuajse të dështuar të shtetit për shkak të kësaj krize, por edhe me faktin se në pushtet erdhën socialistët, për të cilët ka ekzistuar një perceptim se e “mbështesin pak ose aspak çështjen kombëtare shqiptare” dhe sidomos në marrëdhëniet me Greqinë kanë reflektuar një politikë të dobët dhe kanë treguar një shkallë varësie nga Athina. Ndërkaq “çështja çame” brenda Shqipërisë fillon të bëhet gjithmonë e më shumë pjesë e luftës së brendshme politike midis partive.Rrëshqitja drejt një narrativi totalitar fillon të shfaqet në fund të viteve nëntëdhjetë dhe kështu fillon të krijohet një mit rreth çështjes çame. Nuk flitet më për kërkesa konkrete, që përbëjnë çështjen çame, kërkesa që u artikuluan qartësisht edhe pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore edhe pas mbarimit të Luftës së Ftohtë dhe rënies së komunizmit. Për çështjen çame flitet gjithmonë e më shumë, por jo për elementët që e përbëjnë këtë dhe se si do të zgjidhet ajo, por në narrativin e partive dhe të grupeve të tjera politike ose jo politike flitet në përgjithësi, si për një mit. Narrativi për “çështjen çame”, të paktën që prej krizës së vitit 1997, është i ngjashëm me narrativet për mitet. Një ndikim jo të pakët drejt ligjërimit totalitar për çështjen çame dhe krijimit të mitit të saj ka dhënë edhe krijimi në fillim i Partisë për Drejtësi dhe Unitet (PDIU) dhe sidomos pas shkrirjes së saj dhe krijimit të PDIU-së çka shënon, në fakt, edhe një lloj privatizimi, por më shumë se sa të çështjes çame, të mitit të saj.
PDIU e shpall veten “Parti të kauzave kombëtare, të çështjes çame, të përfshirjes së atdhetarisë në drejtimin e vendit” duke pretenduar për ekskluzivitetin në çështjen kombëtare. Çështja çame “është thjesht një pjesë e çështjes së pazgjidhur kombëtare.”
Të çlirohesh nga paradokset dhe mitet
Marrëdhëniet shqiptaro-greke, pas mbarimit të Luftës së Ftohtë, rënies së komunizmit dhe hapjes së Shqipërisë me Perëndimin, zhvillohen në dy sfera të ndryshme: njëra është sfera e paqes brenda të cilës zhvillohen marrëdhënie reale në fushën ekonomike, të tregtisë, investimeve, paralel me shkëmbimet në rrafshin social, komunikimet midis dy shoqërive në fushën e kulturës të artit dhe sfera tjetër, “sfera e luftës”, që është në fakt virtuale: ajo e diskursit politik, e elitave politike, mediave dhe grupeve të ndryshme: Brenda kësaj sfere të zhurmshme, ligjërimi është gati totalitar dhe ai ngërthen kryesisht çështje të kontestuara, që burojnë nga historia, si çështja çame, e ashtuquajtura çështje e “vorio Epirit, çështjet e minoritetit. E para është sfera reale, e dyta është virtuale.
Ndonëse të dy këto sfera duken se zhvillohen dhe funksionojnë paralelisht në të njëjtën kohë, aty ka një shkallë ndërvarësie dhe ndikimi. Krizat pothuajse ciklike në marrëdhëniet shqiptaro-greke, pas mbarimit të Luftës së Ftohtë, janë përcaktuar nga ndërvarësia e këtyre dy sferave. E para është një botë reale, që ka të bëjë me interesat ekonomike, komunikimin, bashkëveprimin e shoqërive, kurse e dyta është e ndërtuar dhe funksionon mbi paradokset dhe mitet duke krijuar në fakt një paradoks të vetëm, të madh, që në rastin më të mirë ruan status kuo-në në këto marrëdhënie, pa lejuar zhvillimin dhe forcimin e tyre dhe në rastin më të keq prodhon kriza ciklike, të cilat kanë dëmtuar, ose kanë potencialin të dëmtojnë të ardhmen e këtyre marrëdhënieve.
Kuptimi, shpjegimi i marrëdhënieve shqiptaro-greke në mjedisin e pas Luftës së Ftohtë nuk është i mundur pa kuptimin, shpjegimin e paradokseve dhe miteve të krijuara nga historia. Dhe padyshim, e ardhmja e këtyre marrëdhënieve nuk është e mundur pa çlirimin nga mitet dhe paradokset.