Nga Sidonja Manushi
Vladislav Bajac duket sikur mund të bëhej cilido që të kishte dëshirë në jetë: piktor, yll rock and roll-i, mjeshtër zen… kushdo, por ai zgjodhi të ishte një njeri i fjalës së shkruar dhe e gjeti veten në Tiranë, në një kohë kur vizitat nga serbët vijojnë të jenë të pazakonta dhe shikohen me habi nga njëra anë, dhe me njëfarë mosbesimi nga ana tjetër.
Mes një grupi bibliofilësh të mbledhur në Librarinë Tirana Times për ta dëgjuar atë të ndante me publikun shqiptar copëza të jetës së tij, Bajac u prezantua si autor, përkthyes dhe publicist. Më vonë më tha që ka punuar edhe si gazetar.
Si autor, shtatë romane të Bajac kanë parë dritën e pulikimit, si dhe dy libra me poezi dhe tre të tjera me tregime të shkurtra. I pari syresh “Cila rrugë të shpie drejt njerëzve” u botua kur ai ishte vetëm 18 vjeç; ai ende shtrëmbëron pakëz fytyrën kur e kujton. Ai qëndroi larg të shkruarit për gjashtëmbëdhjetë vite të tëra pas këtij publikimi.
“Është e vështirë të them ndonjë gjë më shumë për jetën time të gjatë; vetëm kur shkruaj arrij ta kuptoj sa shumë kohë ka kaluar,” thotë ai, kur e pyesim nëse dëshiron t’i shtojë diçka prezantimit të tij biografik.
Teksa ishim ulur përballë njëri-tjetrit atë mbrëmje, në hollin e një hoteli duke gjerbur nga një makiato të hidhur, ai filloi të ndante episode nga jeta e tij, e unë kuptoj që duhet të jetë vertet mjaft e vështirë të shprehesh në fjali koncize për një jetë të pasur artistike. Fundja, jeta nuk mund të përshkruhet në një haiku të shkurtër japoneze, dhe Bajac, fitues i disa çmimeve ndërkombëtare për poezitë e tij të këtij zhanri, e di këtë më mirë se kushdo.
Megjithatë, disa tema fillojnë të shfaqen ndërsa ai thellohet në çështje më specifike, si karriera e tij njëzetëepesë vjeçare si botues në shtëpinë botuese Geopoetika, lidhja e tij me besimet fetare lindore dhe mënyra sesi ato kanë influencuar jetën e tij personale dhe profesionale, disa prej historive më të mira të tijat me autorë të tjerë të mirënjohur ndërkombëtare të cilët ai ka fatin t’i quajë miqtë e tij dhe sesi të qëndrosh optimist në një realitet të nderë botëror.
Biseda mbi shtëpinë botuese Geopoetika erdhi natyrshëm, pasi vetëm pak ditë më parë kisha vizituar Beogradin. I thashë Bajac që numri i librarive në kryeqytetin serb është mbresëlënës.
Bajac thotë që rrugëtimi i tij si botues ka nisur thjesht si një mënyrë për të qëndruar i lidhur me botën, në atë që asokohe ishte fundi i Jugosllavisë. Në një qytet ku sundimi dypolar i dy shtëpive botuese të mëdha “nuk lë më mjaftueshëm hapësirë për botues të shkëlqyer” ai dhe skuadra e tij vendosën megjithatë, t’i japin jetë librave të rinj, kryesisht nga autorë të rinj serbë dhe ndërkombëtarë që të mund t’i përafroheshin edhe populizmit, edhe elitizmit.
“Në fillim kisha vetëm dy ideale: të mos rrënohesha, të vazhdoja të ekzistoja si botues,” thotë ai pa ndonjë entuziazëm nga fakti që shkrimtarët dhe botuesit tani duhet të mendohen dy herë para se t’i japin formë artit të tyre, “dhe tjetra ishte të zgjidhja libra që nuk ishin aq të famshëm, por që mund të arrinin një audiencë të gjerë, ndërsa gëzonin të njëjtat standarde të larta botuese.”
Ai ia doli ta bënte këtë duke identifikuar autorë të rinj të panjohur nëpërmjet shqisës së tij të gjashtë. Ai më thotë se gjetja e tij më e fundit është një vajzë 26 vjeçare me një roman të shkëlqyer -që ai ia doli ta gjente duke përdorur rrjetin e tij me shkrimtarë të ardhshëm dhe shkrimtarë ekzistues, shumë prej të cilëve janë bërë ekskluzivitet i Geopoetikës në përkthim.
“Jemi në pozitë për t’u ndjerë krenarë për diçka. Mund të mos jetë një best-seller por të paktën është letërsi cilësore.”
Pasi e tha këtë, Bajac më tregoi një histori për Orhan Pamuk, fituesin turk të Çmimit Nobel në vitin 2006, të cilin ai e kishte njohur dhe e kishte përkthyer përpara se ai të bëhej i famshëm botërisht, i bindur që me qasjen e duhur ndonjëherë letërsia e mirë mund të bëhet një libër best seller.
Një tjetër element që e ndihmoi të shkëlqejë si botues duke e ndarë këtë zanat nga shkrimi, të vrasi ego-n e tij si shkrimtar por edhe si zbulues i talentit të të tjerëve dhe të vazhdojë rrugëtimin e jetës me mendje tek ideali, dhe jo tek biznesi i të shkruarit, ka qenë interesi i tij i hershëm ndaj filozofive të largëta Lindore.
“Budizmi është një rrugë e shkurtër për t’u bërë i mençur dhe unë u bëra i mençur, mendoj, shumë para normales. Nuk po ia bëj qejfin vetes, por është një gjë shumë praktike që më ndodhi. Më ndihmoi të vendosja shkrimtarin brenda meje nën kontroll. Prandaj, përgjithësisht, shkrimtarët nuk janë botues të aftë. Nuk e kontrollojnë dot ego-n e tyre – por unë e bëj. Çka është më e rëndësishme, përballem dhe me egot e shkrimtarëve të tjerë. Është e vështirë të merresh me të famshmit, apo të rëndësishmit, sepse shpesh shoh veten time të mundshme tek ta dhe sepse, shumicën e rasteve, nuk e kontrollojnë dot egon e tyre!”
Vdekja e egos, siç e përshkruan, ka shkaktuar përçarje mes tij dhe miqve me kalimin e viteve, por gjithashtu duket se i ka ofruar këndvështrimin më të mirë për jetën.
Allen Ginsberg, përfaqësues i gjeneratës Beat dhe mik i ngushtë i Bajac që po ashtu iu drejtua meditimit dhe filozofive Lindore më vonë në jetë, e vizitoi atë njëherë në Beograd. Studiuesi i letërsisë botërore i kthyer në poet haiku-sh dhe më vonë në një figurë letrare të rëndësishme në Serbi, i tha se Ginsberg po e komercializonte rrugën drejt zen-it.
“Nuk i pëlqeu kjo gjë. Ishte mjaft i inatosur dhe nuk folëm për pak kohë,” Bajac kujton. “Megjithatë, pas disa vitesh, kur u kthye në Beograd për një promocion libri, u takuam dhe më tha: ‘Vlado, kishe të drejtë.’ Ishte bukur ta dëgjoja këtë, edhe pse, nuk ishte kurrë ai qëllimi,” thotë dhe buzëqesh.
Për Bajac, kuptimi i të qenit i lumtur, pjesërisht mësuar nga përfshirja e tij me Budizmin dhe pjesërisht, ma merr mendja, nga jeta në një rajon si Ballkani, është të jesh naiv dhe të jesh ‘budalla’.
Përgjigja e tij ndaj pyetjes së vështirë sesi njeriu mund të mbetet i lumtur në një botë cinike, më bind me thjeshtësinë e saj, sepse gjërat e vërteta janë pashmangshmërisht klishe, dhe të thjeshta.
“Njerëzit më pyesin si jam e kur iu them ‘jam mirë,’ duken shumë të çuditur. Kështuqë u them ‘Mos kini merak! Është vetëm ngaqë jam budalla,’” dhe menjëherë tund kokën, duke dashur të bindi se ajo që thotë për veten është në fakt vlerësimi më i lartë.
“Është thjesht një energji; nëse je i etur për dije, nëse nuk mendon se i ke marrë gjithë njohuritë dhe se ka shumë gjëra të panjohura dhe njerëz të mrekullueshëm gjithandej – jo shumë, por mjaftueshëm – të bën pozitiv, sikur çdo gjë e ka një vlerë.”
Bajac po planifikon të përkthejë librin e tij më të vlerësuar dhe njohur botërisht, ‘Hamam Balkanija’, në shqip gjithashtu. Historia, e cila përfshinë dy linja kohore, përcillet në dy forma të ndryshme narrative dhe stilistike: Perandoria Osmane e shekullit të XVI dhe e tashmja, ndërkohë që është edhe e shkruar me dy alfabete të ndryshme në gjuhën serbe. Një tjetri prej librave të tij, ‘Hronika sumnje’, ia ka vënë syrin shëpia botuese Tirana Times për përkthim dhe publikim në vend. Teksa diskutojmë për vizitën e tij këtu, puna letrare mes dy vendeve duket se është gjëja që e lumturon më shumë Bajac, një njeri i cili, siç u sigurova, mund të kishte qënë çdo gjë, por fatmirësisht vendosi të bëhet njeri i fjalës së shkruar!