Shqipëria dhe Greqia vijojnë të negociojnë marrëveshjen për kufirin detar. Sipas njoftimeve zyrtare nga Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë më 25 qershor 2018 u mbajt raundi i tretë i këtyre bisedimeve. Në fakt negociata për një marrëveshje të re pas rrëzimit të marrëveshjes së parë nga gjykata Kushtetuese e Shqipërisë në vitin 2010 u zhvilluan në mënyrë intensive gjatë vitit 2017. Mirëpo për shkak se Qeveria nuk ishte pajisur me autorizimin e Presidentit të Republikës,[1] negociatat e zhvilluara gjatë vitit 2017 u quajtën “konsultime”. Ndërsa bisedimet formale, të autorizuara nga Presidenti,-filluan në pranverë këtë vit 2018.[2] Më 19 mars 2018 Presidenti i Republikës autorizoi nisjen e negociatave [3]dhe të dy palët njoftuan se më 30 prill 2008 u mbajt raundi i parë i bisedimeve.
Shqetësimet mbi transparencën e negociatave mes Shqipërisë dhe Greqisë për një marrëveshje të re të detit po rriten aq shumë sa kur të arrihet një marrëveshje e re, mund të jetë debatuar dhe anatemuar aq shumë në Shqipëri sa të mos i shërbejë askujt.
Opozita thotë se ajo dhe institucionet përkatëse në Parlament as nuk janë konsultuar, as nuk janë informuar mbi negociatat. Disa politikanë¸ si ish Kryeministri Sali Berisha, kanë paralajmëruar se rezultati i një marrëveshjeje me termat e reja të negociuara midis dy qeverive mund të jetë burimi i një konflikti të ri mes Shqipërisë dhe Greqisë.
Institucionet shqiptare, me përjashtim të qeverisë, dhe publiku i gjerë po informohen më shumë nga mediat greke sesa nga vetë zyrtarët që janë pjesë e negociatave.
Marrëveshja e e parë e rrëzuar në vitin 2010 nga gjykata kushtetuese kishte të bënte vetëm me “delimitimin e zonave respektive kontinentale dhe të zonave të tjera detare të cilat u përkasin sipas të drejtës ndërkombëtare”. Është e paqartë se çfarë është aktualisht objekti i negociatave. Një nga argumentat përse Presidenti Ilir Meta refuzoi të autorizonte plotfuqishmërinë e negociatave ishte edhe mungesa e subjektit të negocimit. A përfshihet në bisedimet e reja ndarja potenciale për shfrytëzimin e Zonës Ekskluzive ekonomike?
Burime diplomatike kanë pohuar për Revistën Europa se në fakt marrëveshja është negociuar që vitin e kaluar, deri muajt e parë të këtij viti. Megjithatë, sipas burimeve zyrtare, këto negociata filluan vetëm para një muaji e gjysëm, kur qeveria mori autorizimin zyrtar nga Presidenti i Republikës. Për më tepër, burimet diplomatike lënë të kuptohet se palës shqiptare iu vendos në tryezë një marrëveshje e gatshme me korrigjime të pjesshme dhe teknike nga ana greke, të panegociueshme, ndërkohë që pjesa e cila shitet si negociatë është thjesht një shfaqje.
Zyrtarisht, tre raunde negociatash u mbyllën muajin e kaluar mes Shqipërisë dhe Greqisë për të arritur një marrëveshje të re për detin.
Publikut shqiptar iu dha përsëri një njoftim për shtyp që nuk thotë asgjë (krejt ngjashëm me kohën nën komunizëm) sipas të cilit thuhej se takimi ishte “konstruktiv dhe u zhvillua në klimë pozitive, miqësore dhe bashkëpunuese.”
Publiku shqiptar ka përdorur mediat Greke si burimin kryesor të informacionit për detajet e marrëveshjes së re që po negociohet.
Po në të njëjtën mënyrë, qeveria Socialiste e ka përjashtuar tërësisht mundësinë për t’u konsultuar me opozitën, ashtu si pararendësja e saj, qeveria e Partisë Demokratike, Partia Socialiste në pushtet as nuk ia ka nevojën numrave të deputetëve të opozitës për të miratuar marrëveshjen. Për më tepër nuk duket të ketë asnjë ndarje të informacionit apo konsultimi me institucionet relevante në Parlament siç janë Komisioni i Politikës së Jashtme, ai i Eko nomisë, i Sigurisë apo të tjera.
Në vend të një procesi konsensual dhe konsultues me institucionet parlamentare, qeveria shqiptare është treguar shumë më e gatshme për të deklaruar si “fitore” përfshirjen në negociatat për marëveshjen e detit edhe çështje të tjera të kontestuara apo të pazgjidhura midis të dy vendeve.
Zgjerimi i bisedimeve edhe me njohjen e lejeve të drejtimit dhe vulës apostile
Eshte bërë e qartë edhe nga pala shqiptare se përveç “marrëveshjes së Detit” paketa e negociatave është zgjeruar edhe me çështje të tjera. Qeveria shqiptare ka lënë të kuptohet se ka vendosur në axhendë edhe çështje të tjera të mbartura nga historia por edhe problematika të tjera. Kështu pjesë e bisedimeve është çështja e “ligjit të luftës”, për të cilin pala shqiptare i ka lënë të nënkuptohet se po bëhet progres. Po kështu palët kanë biseduar edhe për çështje mjaft konkrete për interesat e qytetarëve shqiptarë siç janë njohja nga qeveria greke e lejeve të drejtimit apo njohja e vulave apostile. Madje qeveria shqiptare që në fakt mban diskrete bisedimet, i njoftoi publikisht këto dy çështje të negociuara për të cilat qeveria greke ka rënë dakord. Gjithashtu nga deklarimet e qeverisë shqiptare është lënë të kuptohet se pala greke po tregohet fleksibël dhe mund të pranoje dhe heqjen e ligjit të luftës. Ekspertë të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe të marrëdhënieve me Greqinë mendojnë se përfshirja në bisedimet mbi marrëveshjen për detin edhe e çështjeve teknike siç janë njohja e lejeve te drejtimit, apo çështja e vulave apostile është e gabuar. Megjithë rëndësinë që mund të kenë marrëveshjet për këto dy çështje, këto janë shumë periferike në krahasim me çështjet e kontestueshme midis Shqipërisë dhe Greqisë. Madje edhe rëndësia e tyre është krejtësisht e papërfillshme po të mbajmë parasysh se marrëveshja të tilla janë kryer dhe funksionojnë me Italinë. Këto nuk janë të kontestueshme midis dy vendeve dhe përfitimet do të jenë periferike në krahasim për shembull me çështjen e njohjes së pensioneve nga e cila realisht do të përfitonin të paktën 600 mijë qytetarë shqiptarë, dhe për të cilën Greqia nuk është e gatshme të negociojë. Po kështu edhe çështja e ligjit të luftës mbajtja në fuqi e të cilit është një paradoks i madh.[4]
Në pak njoftime publike pala shqiptare ka deklaruar se në fakt nuk është duke negociuar një marrëveshje të re për detin dhe çështjet që lidhen me të, por një pakt në të cilin përfshihen të gjitha kontestet siç është për shembull ligji i luftës. Heqja e ligjit të luftës që në fakt është një absurditet dhe një paradoks, sipas ekspertëve të politikës së jashtme nuk mund të paraqitet si një arritje në paketën e bisedimeve. Përfshirja e ligjit të luftës gjithashtu është e gabuar sipas ekspertëve. Qeveria shqiptare në pak informacionet dhe komentet e pakta që kanë shoqëruar negociatat zyrtare. I ka paraqitur si arritje dhe “fitore” gatishmërinë e qeverisë greke për të hequr ligjin e luftës si dhe marrëveshjen për njohjen e patentave dhe vulës apostile. I pari është zgjidhja e një paradoksi që turpëron Greqinë. Nga marrëveshja e njohjes së patentave, marrëveshje që ekziston me Italinë dhe vende të tjera të BE mund të përfitojnë një dyzinë shqiptarësh, sepse të paktën gjysmë-milioni shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Greqi kanë patenta greke. Dhe po kështu përfitimet nga marrëveshja për vulën apostile janë gjithashtu periferike.
Shqipëria nuk ka një histori të mirë me të tilla marrëveshje. Marrëveshja e Partisë Demokratike në 2010-ën u deklarua e pavlerë nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë, pasi dhunonte interesat dhe kushtetutën e vendit. Por, këtë radhë, Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë është e ngrirë për shkak të mungesës së gjyqtarëve – ndërsa po zhvillohet reforma në drejtësi – gjë që ngre pikëpyetje se kush do kontrollojë ligjshmërinë e marrëveshjes më të fundit.
Nëse marrëveshja “nxiton” për në Parlament pa u konsultuar më gjerësisht, dhe pa u filtruar nga Gjykata Kushtetuese, do rrezikonte hyrjen në një zonë të rrezikshme lidhur me opinionin e publikut shqiptar dhe ligjshmërisë nën ligjin kombëtar dhe ndërkombëtar.
[1] Mungesa e autorizimit nga kryetari i shtetit ishte njëri prej argumenteve mbi të cilat Gjykata Kushtetuese e gjeti marrëveshjen e negociuar në kundërshtim me kushtetutën dhe kuadrin ligjor.
[2] Burime konfidenciale diplomatike vendase konfirmuan se të dyja qeveritë ishin dakorduar për një marrëveshje të re, në fund të vitit.
[3] Njoftim i zyrës së shtypit të Presidentit: Autorizimi i negociatave Shqipëri-Greqi për kufizimin e zonave të tyre detare në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, akteve ndërkombëtare, kuadrit të brendshëm ligjor në interes të ruajtjes dhe ushtrimit të sovranitetit territorial, juridiksionit kombëtar, garantimit të sigurisë, dobisë ekonomike e sociale të vendit.
[4] Më 1996 Shqipëria dhe Greqia nënshkruan një traktat miqësie dhe bashkëpunimi, instrumenti më i plotë i mundshëm diplomatik i formalizimit të një gjendjeje paqeje, dhe bashkëpunimi të plotë midis dy shtetesh. Por në mënyrën më paradoksale të mundshme midis dy shteteve vijon të mbetet në fuqi “Ligji i Luftës” i miratuar më 1940 nga Parlamenti Grek .
Prej vitit 2009 Shqipërinë dhe Greqinë i bashkon anëtarësia në NATO. Por pavarësisht anëtarësisë së përbashkët në një aleancë ku shtete anëtare kanë rënë dakord të angazhohen në një mbrojtje të përbashkët në rast të një sulmi nga një pale të tretë,[4] Greqia mban në fuqi dekretin mbretëror të vitit 1940 sipas të cilit Shqipëria për Greqinë eshte një vend armik.
Më tej paradoksi i paradokseve: Në vitin 1949 Greqia e shfuqizoi ligjin përkatës sipas të cilit Italia konsiderohej një vend armik, por e la në fuqi këtë ligj për Shqipërinë duke vijuar zyrtarisht ta shpallte Shqipërinë një vend armik, ndonëse ishte Italia ajo që kishte sulmuar Greqinë duke përdorur territorin shqiptar gjithashtu të pushtuar nga italianët.