Rënia e drejtësisë

0

Gjykata Kushtetuese është aktualisht jashtë funksionit. Shumica e gjyqtarëve të kushtetueses nuk mundën ta kalonin vettingun ndërsa disa prej tyre dhanë dorëheqjen përpara fillimit të procesit. Lajmi më i fundit është se edhe rasti i kryetarit të Gjykatës Kushtetuese që arriti të kalojë vettingun ka gjasa që të rishqyrtohet pas kerkesës së organizatës së Monitorimit Ndërkombëtar të procesit të vetingut. OMN megjithëse formalisht ka një rol mbikëqyrës dhe këshillues duket se praktikisht ka një rol vendimmarrës, dhe nuk e ka pranuar “notën kaluese” për kryetarin e gjykatës kushtetuese duke kërkuar që rasti i tij të rishqyrtohet. Por edhe nëse “nuk i ndodh gjë kryetarit,” gjykatës i ka ndodhur tashmë. Ajo është jashtë funksionit. Me shpejtësi, drejt dështimit dhe daljes nga funksioni po shkon edhe gjykata e lartë. Në kohën kur kjo gjykatë  punonte me kapacitet të plotë dhe të nëntëmbëdhjetë gjyqtarët ishin në postet e tyre, disa qindra dosje gjyqësore prisnin rradhën për t’u shqyrtuar. Dosjet më të vjetra gjyqësore mund të kishin edhe dhjetë vjet në sirtarët e gjykatës së lartë. Por tani që nuk ka mbetur as një e treta e gjyqtarëve shpresa e qytetarëve se çështjet e tyre do të shqyrtohen nga drejtësia janë shumë herë më të pakta. Pas gjykatës kushtetuese dhe gjykatës së lartë janë gjykatat e shkallës së parë dhe të dytë që duhet të kalojnë në filtrat e vetingut dhe është shumë e mundshme që edhe këto të “boshatisen nga gjyqtarët” siç ka ndodhur me dy gjykatat supreme. Një numër prokurorësh gjithashtu janë shkarkuar nga detyra pas sceeening të pasurive të tyre apo hetimeve të integritetit profesional.

Sistemi po shkon me shpejtësi drejt kolapsit. Por kolapsi i Gjykatës Kushtetuese do të thotë se një nga shtyllat në të cilat mbahet shteti praktikisht nuk ekziston. Ndërkaq në parlament janë dërguar ligje refuzimi ndaj disa prej të cilëve mund të shkojnë në gjykatën kushtetuese e cila aktualisht është jashtë funksionit dhe nuk dihet kur do të ngrihet.

Rënia e gjykatës kushtetuese dhe asaj të lartë dhe të të tjerave që janë në prag po shënon rënien e sistemit të drejtësisë. Arsyeja kryesore është se shumë gjyqtarë po dështojnë të justifikojnë pasurinë. Kjo është e turpshme për një vend të varfër!

Po bie sistemi i drejtësisë ose shkurt, me reformën në drejtësi, në fakt me procesin e vetingut, është duke rënë drejtësia.

Padyshim, në planin afatshkurtër, ndoshta edhe afatmesëm, reforma në drejtësi do të shkaktonte një tronditje të sistemit të drejtësisë por ndoshta edhe ideatorët edhe mbështetësit më të flaktë të reformës në drejtësi dështuan të parashikonin se sistemi mund të shkonte drejt një kolapsi të plotë. Ndonëse një paralajmërim i Komisionit të Venecias paralajmëroi se:

“zgjidhja e tillë radikale (si procesi i rivlerësimit) është e paarsyeshme në kushte normale, pasi krijon tensione të mëdha brenda gjyqësorit, destabilizon punën e gjyqtarëve, shton mosbesimin e publikut në gjyqësor, shmang vëmendjen e gjyqtarëve nga detyrat e tyre normale”.

Por ky paralajmërim siç duket ra në vesh të shurdhër.

Rezultatet pozitive dhe përfitimet nga reforma në drejtësi për popullin shqiptar priten në të ardhmen afatgjatë, por ajo çka po shohim deri tani janë implikimet negative, dhe nga ato, ka shumë.

Mbështetësit dhe organizuesit e reformës nuk e parashikuan boshllëkun e krijuar në sistem nga vetingu dhe, për këtë arsye, nuk krijuan një mekanizëm për t’u përballur me problemin në kohë.

Problemi tjetër që fshihet nën sipërfaqe dhe që mund të sjelli implikime serioze është se, sipas ekspertëve, po dëshmojmë edhe një politikë standardesh të dyfishta. Ekspertë vendas edhe ndërkombëtarë kanë vënë në dukje se standarde të ndryshme aplikohen në varësi të personit që vlerësohet. Për shembull, të njëjta kritere dhe arsye që përdoren për të hequr një zyrtar të drejtësisë nuk janë të vlefshme për zyrtarin e ardhshëm. George Orwell e ka rizbuluar këtë fenomen tek Ferma e Kafshëve kur shkroi se: “Të gjithë kafshët janë të barabarta, por disa janë më të barabarta se të tjerat”.

E fundit, por jo më pak e rëndësishme, opozita pretendon se përpos dështimit të sistemit të drejtësisë në një periudhë afatshkurtër dhe ndoshta afatmesme, problem themelor sipas saj është kapja e sistemit të drejtësisë nga shumica aktuale në pushtet. Një rrezik të tillë e kishte parashikuar qysh në krye të herës Komisisioni i Venecias kur paralajmëroi se ekziston “rreziku i kapjes së gjyqësorit nga ana e forcës politike që kontrollon procesin”.

Për një demokraci të dobët në fakt si për çdo demokraci, një sistem gjyqësor i fortë dhe i pavarur është themelor. Pra, një kapje politike e sistemit të drejtësisë e kthen Shqipërinë një shekull mbrapa.

SHPËRNDAJE