Ka qenë një javë samitesh ndërkombëtare të rëndësishme edhe për Shqipërinë, të paktën në letër. Në fillim, udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor u takuan me udhëheqësit kryesorë të BE në Londër për të diskutuar të ardhmen europiane të rajonit, në kuadër të Procesit të Berlinit. Më pas, NATO zhvilloi Samitin e saj të përvitshëm, një nga më të rëndësishmit, nëse jo më i rëndësishmi qysh nga themelimi i Aleancës.
Kryeministri Edi Rama dhe një grup zyrtarësh shoqërues morën pjesë në të dy samitet. Rezultatet e të dyve ishin shumë fotografi dhe deklarata të përsëritura vit pas viti mbi rëndësinë e të ardhmes europiane të rajonit, rolin transformues nën çadrën e NATO, etj.
Pavarësisht rëndësisë së këtyre fakteve, të pakta ishin lajmet substanciale për Shqipërinë gjatë të dy samiteve.
Në një kohë sensacionesh dhe mungesës së plotë të vëmendjes dikush mund ta vlerësojë shfaqjen në mediat sociale të BBC për shkak të veshjes me atlete tenisi në një foto grupi formale si lajm – një taktikë e vjetër dhe e lodhur e një kryeministri të një shteti të vogël që kërkon vëmendje. Por në terma të përfitimeve që Shqipëria pati nga samiti i Procesit të Berlinit në Londër, nuk ka asgjë substanciale.
Në fakt, samiti ishte komplet pa vlerë. Transmetuesi publik i Gjermanisë, DW, shkoi aq larg sa ta quante “grotesk”. Vetë organizatori dhe mikpritësi, ministri i jashtëm i Britanisë, Boris Johnson, nuk ishte i pranishëm në ceremoni, pasi sapo kishte dhënë dorëheqjen për shkak se Britanisë nuk po i lihet mjaftueshëm hapësirë për të dalë nga Bashkimi Europian.
Samiti i NATO-s është i rëndësishëm për Shqipërinë, sepse si pjesëtar i aleancës prej një dekade, shteti ka si të drejta edhe detyrime, si rritja e shpenzimeve ushtarake për të plotësuar pritshmëritë e NATO, për shembull. Në vend të saj, lajmet e lidhura me Shqipërinë ishin përpjekjet për shtrëngime duarsh me Presidentin e Shteteve të Bashkuara Donald Trump dhe Kancelaren Gjermane Angela Merkel dhe udhëheqës të tjerë botërorë. U shfaq edhe deri edhe një video virale që tregonte Kryeministrin duke ndjekur fort me sy Kancelaren Merkel dhe Kryeministren Britanike Theresa May, të cilat po ndiqnin Kroacinë duke mundur Britaninë në gjysmë-finalen e Botërorit. Ashtu si udhëheqësit shqiptarë para tij (dhe me shumë mundësi ata që do e pasojnë), kreu i qeverisë shqiptare ka zakonin e keq që në Samite apo takime të tjera ndërkombëtare të sjellin foto ku pozojnë me udhëheqës botërorë, me synimin naiv për t’u mbushur mendjen qytetarëve shqiptarë se ata gëzojnë mbështetjen e Fuqive të Mëdha, SHBA apo fuqive të tjera europiane. Shpura e zhurmshme e gazetarëve dhe analistëve të qeverisë që përpiqen t’u mbushin mendjen qytetarëve brenda në Shqipëri për miqësitë e mëdha që udhëheqësit shqiptarë kanë me Presidentin Trump, Kancelaren Merkel. Është një histori e vjetër që fillon të paktën tridhjetë vite më parë. Sa më shumë dështojnë me politikat e tyre në Shqipëri, aq më shumë përpiqen udhëheqësit dhe politikanët shqiptarë të tregojnë se kanë mbështetjen nga jashtë. Legjitimitetin që kanë humbur apo nuk mund ta fitojnë brenda me politikat dhe qeverisjen e mirë, përpiqen ta zëvendësojnë me legjitimitet nga jashtë. Kjo është e pamundur përveçse është qesharake dhe e shëmtuar. Askush nga udhëheqësit e vendeve të vogla në Samitin e NATOs në Bruksel nuk dërgoi “në shtëpi” foto me “të mëdhenjtë” Presidentin Trump apo Kancelaren Merkel. Thjesht nuk vlen për asgjë. Sidomos nuk vlen për të mbuluar dështimet në qeverisje. Është e jashtëzakonshme që një vend si Shqipëria për shkak të anëtarësisë në NATO ka mundësinë të ulet krahas kombeve dhe shteteve më demokratike e më të zhvilluara në botë. Ka qenë një privilegj dhe një mundësi e jashtëzakonshme që Shqipëria mori ftesën për në NATO dhjetë vite më parë, por si ka ndihmuar qeverisjen dhe përparimin e Shqipërisë ky anëtarësim është një çështje që duhet diskutuar dhe reflektuar.
I kemi parë gjithashtu që udhëheqësit shqiptarë, të cilët janë të gatshëm të paguajnë lobistët mijëra dollarë gjatë fushatave për të siguruar një foto me Presidentin e SHBA, qoftë ai Barack Obama dikur apo Donald Trump tani, këto samite duken si mundësi të arta për të tilla foto. (Mendoni për të gjithë financimet që mund të shkonin drejt spitaleve dhe shkollave në vend të fotove gjatë fushatave, më shumë të lidhura me udhëheqësit e botës së tretë, sesa ata të Europës).
Samiti i NATOs nuk ekziston për të bërë foto apo për të krijuar propaganda politike për konsum vendas. Ekziston një mënyrë që Shqipëria të luajë një rol, sadopak të vogël, për të ndihmuar aleancën në të cilën është pjesëtare me të drejta të plota.
Dhe, nëse samitet në Perëndim nuk mjaftonin, u zhvillua një në Lindje gjithashtu, në Bullgari, ku pjesëtarë të iniciativës 16+1 u mblodhën për të diskutuar mundësitë e bashkëpunimit me Kinën dhe iniciativën e saj tregtare, Rrugën e Mëndafshit. Përsëri shumë foto, por asnjë lajm aktual për projekte të prekshme lidhur me Shqipërinë.
Aksioma se mungesa e lajmeve është lajm i mirë, nuk qëndron në këtë rast. Për publikun shqiptar, samitet pa lajme janë samite pa vlerë.