Duke ofruar ekspertizën e saj në kapitutjt e parë të negociimit nëpërmjet Konferencës së Tiranës, Polonia ka rikonfirmuar mbështetjen e saj për anëtarësimin e Shqipërisë në BE ndërsa vendi është në pritje të datës së hapjes së bisedimeve. Ky konfirmim erdhi të Hënën nga Ministri i Jashtëm polak, Jacek Çaputoviç (Jacek Czaputowicz), i cili, në përfundim të vizitës së tij zyrtare në Shqipëri ku u takua me krerët e shtetit, foli në një forum të politikës së jashtme në Tiranë, të organizuar nga Instituti Shqiptar i Marrëdhënieve Ndërkombëtare.
Kryediplomati polak i përshkroi marrëdhëniet diplomatike 80 vjecare polako-shqiptare si të çrregullta, për shkak të ndërprerjeve të bëra gjatë periudhës komuniste – por megjithatë, ai i cilësoi këto marrëdhënie si afatgjata dhe gjithnjë e më të ngushta që prej vitit 2009 kur Shqipëria iu bashkua NATOs. Shqipëria dhe Polonia i vendosën marrëdhëniet e tyre diplomatike në 1937, pak kohë përpara Luftës së Dytë Botërore, por lidhjet mes të dy vendeve datojnë shumë kohë më parë, që prej shekullit të XV, nën regjimin e Skënderbeut kur të dy shtetet u bashkuan kundër Perandorisë osmane. Një gjeolog polak i cili u vra pas Luftës së Dytë Botërore nga regjimi diktatorial i Enver Hoxhës kontribuoi në zbulimin e naftës dhe mineraleve në Shqipëri gjatë gjysmës së parë të shekullit të XX. Autor i hartës së parë gjeologjike që është në përdorim dhe sot, Stanisuav Zuber është përjetësuar me një monunment në Kuçovë.
E konsideruar si një histori suksesi, Polonia është ofruar të ndajë përvojën e saj të para-anëtarësimit me Shqipërinë, nëpërmjet Konferencës së Tiranës, një platforme për shkëmbim informacioni dhe përvojash mbi kapitujt e parë të negociimit që lidhen me gjyqësorin dhe të drejtat thelbësore si drejësia, liria de siguria që i përksin kapitujve 23 dhe 24. Polonia mbështet plotësisht anëtarësimin e Shqipërisë në BE dhe të të gjithë vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ne mendojmë që shoqërisë shqiptare duhet t’i jepet një mesazh i qartë se Bashkimi Europian e mirëpret Shqipërinë. Ne ndajmë të njëjtën histori me Shqipërinë. Vijmë nga i njëjti regjim i së shkuarës dhe ndajmë interesa të përbashkët,” tha Çaputoviç në një konferencë për shtyp me homologun e tij shqiptar, Ditmir Bushati.
Ministri i Shqipërisë për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati e cilësoi Konferencën e Tiranës si “një ndihmesë të paçmueshme që Polonia po i ofron Shqipërisë gjatë procesit të saj të integrimit, me një përqendrim të veçantë në angazhimet që vijnë si rrjedhojë e Kapitujve 23 dhe 24 të cilët do të jenë dy kapitujt e parë të negociimit në rrugën tonë drejt anëtarësimit.”
Ministri i Jashtëm polak foli gjithashtu për forumin e biznesit Shqipëri-Poloni që u mbajt në maj 2018, i treti në vitet e fundit në të cilin të dy vendet shqyrtojnë mundësitë për të nxitur tregtinë, aktualisht në nivele modeste, dhe lidhjet e investimeve në një kohë kur një numër i lartë qytetarësh polakë po vizitojnë Shqipërinë. Polonia ka qenë ndër dhjetë vendet me numrin më të lartë të vizitorëve në Shqipëri vitin e shkuar, me një rekord prej 115 000 turistësh.
Vizita e Ministrit të jashtëm polak Çaputoviç në maj në Tiranë konfirmon dëshirën e Polonisë për të nxitur marrëdhënie shumë të mira polako-shqiptare në ekonomi, mbrojtje, kulturë dhe arsim.
Revista Europa boton në faqet në vijim qëndrimin e Ministrit të Jashtëm polak, Jacek Czaputowicz lidhur me politikën e jashtme të Polonisë për Ballkanin Perëndimor në kontekstin e së ardhmes së tij në Bashkimin Europian.
Marrëdhëniet historike ndërmjet Polonisë dhe Shqipërisë mund të përshkruhen si afatgjata – ato datojnë që në shekullin e XV. Marrëdhëniet diplomatike ndërmjet Polonisë dhe Shqipërisë u vendosën në 1937 por u ndërprenë dy vite më vonë nga fillimi i Luftës së Dytë Botërore.
Më vonë të dy vendet iu nënshtruan regjimit komunist. Në këtë kontekst, do të doja të kujtoja figurën e gjeologut të shkëlqyer polak, Stanislav Zuber, i cili i përkushtoi shumë vite hulumtimit shkencor në Shqipëri. Profesor Zuberi u torturua për vdekje nga komunistët në Tiranë në vitin 1947, por punët e tij të shumta në depozitat e naftës, gazit natyror dhe burimeve të tjera në Shqipëri, sidomos në hartat e specializuara, mbeten një burim i çmuar njohurish edhe në ditët e sotme.
Pas rënies së komunizmit, marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve janë zhvilluar lirisht. Në 1993 një polak i shquar, Papa Gjon Pali i II vizitoi Shqipërinë, dhe jo vetëm prej konsideratës së lartë që kishte për arritjet e një shqiptareje të shquar, Nënë Terezës.
Duke folur për vitet e fundit, jam i kënaqur të dalloj se marrëdhëniet tona politike janë të ngushta. Jemi aleatë në NATO që prej vitit 2009 – viti kur Shqipëria iu bashkua Aleancës. Polonia e vlerëson angazhimin e Shqipërisë në përforcimin e krahut lindor dhe luftës ndaj terrorizmit.
Sot, (më 7 maj 2018) pata kënaqësinë të hapja bashkë me Ministrin Bushati takimin e parë të Konferencës së Tiranës. Ky forum dypalësh konsultativ i delegatëve nga shërbimi civil ofron një mundësi unike për të ndarë përvojën polake që nga periudha e paranëtarësimit në BE, kur ne po zbatonim reformat e duhura – detyra që Shqipëria i ka përpara vetes sot. Besoj se formati i bashkëpunimit në një nivel ekspertësh do ta ndihmojë vendin tuaj të bëjë përpara në procesin e negociatave.
Jam gjithashtu i kënaqur të vë re se bashkëpunimi ynë dypalësh ekonomik po rritet. Forumi i Tretë i Biznesit Polako-Shqiptar do të mbahet në Tiranë më vonë këtë muaj. Ky forum do t’i japë sipërmarrësve nga të dyja vendet një mundësi unike për t’u takuar ballë për ballë dhe për të diskutuar mbi mundësi potenciale bashkëpunimi.
Ndërsa marrëdhëniet politike dhe ekonomike janë të rëndësishtme, ne nuk mund të harrojmë kulturën dhe arsimin. Dy universitete polake – në Torun dhe Poznan – ofrojnë kurse të gjuhës dhe kulturës shqipe. Po kështu, studentët shqiptarë kanë mundësi të mësojnë gjuhën polake në Universitetin e Tiranës që prej marsit.
Takimi ynë i sotmë vjen vetëm dy ditë pas festimeve për Ditën e Evropës që na sjell në kujtesë etërit themelues të integrimit europian. Një burrë shteti italian Alcide de Gasperi thotë që Lufta e Dytë Botërore i mësoi europianëve që “e ardhmja nuk do të ndërtohet nëpërmjet forcës, as dëshirës për të pushtuar, por nga zbatimi i vazhdueshëm i metodës demokratike, shpirtit konstruktiv të marrëveshjes dhe nga respekti për lirinë”. Këto fjalë vlejnë dhe në ditët e sotme.
Anëtarësia e Polonisë në Bashkimin Europian na sjell përfitime ekonomike, politike dhe shoqërore. 87% e qytetarëve polakë deklaruan mbështetjen e tyre për anëtarësinë e vendit në BE, që është më e larta në Europë. Objektivi ynë është një Bashkim Evropian i fortë dhe efektiv. Për këtë gjë, BE ka nevojë për një mandate të vërtetë demokratik. Një Union i fortë është një Union që gëzon mbështetjen e shteteve të tij anëtare dhe popujve të tij. Një mandat i tillë mund të arrihet në nivel parlamentesh kombëtare. Çdo thellim i mëtejshëm i integrimit evropian duhet të pranohet nga shtetet dhe qytetarët e BE që janë pjesë e këtij procesi.
E ardhmja e Europës varet nga zhvillimet në një sërë fushash:
- e para, siguria –përfshirë këtu politikën tonë të fqinjësisë;
- e dyta, ekonomia –përfshi këtu sfidat që lidhen me globalizimin;
- së treti, arkitektura politike dhe institucionale – përfshi këtu nevojën e BE për reforma të brendshme.
Integriteti dhe bashkimi janë të domosdoshëm për suksesin evropian. Një Evropë e përçarë është një Evropë më e dobët, e paaftë për të adresuar qoftë dhe një sfidë të vetme.
Polonia është kundër idesë së Bashkimit Evropian me dy-shpejtësi. Krijimi i një Evrope bërthamë, ose një Evrope me një shpejtësi, do të zhvendoste qartazi çdo proces vendimmarrës të vërtetë nga institucionet e BE të bazuara në traktate, të përfaqësuara nga të gjithë shtetet anëtare, drejt institucioneve të sapokrijuara rishtazi të Eurozonës dhe trupat informale. Kjo do t’i hapte udhën margjinalizimit të Evropës Qëndrore dhe rajoneve të tjera: shtetet nordike ose shtetet jugore të Eurozonës që hasin vështirësi me ndikimin e krizës financiare. Vendosja e një direktorati superfuqish të zgjedhura do të sfidonin kështu parimet themelore të BE.
Nëse Evropa do t’ia dalë mbanë në të ardhmen, duhet të jetë e sigurtë. Siguria është prioriteti kryesor për politikën e jashtme të Polonisë.
Do të doja të theksoja që zgjedhja mes të qenurit një pro-Evropian apo një mbështetës i NATO është një dilemë false. Shumica dërrmuese e vendeve të BE janë anëtare të NATO.
Gjithashtu, mësimet e nxëna në Afganistan dhe në Irak si dhe përvoja në përballimin e agresionit rus kundër Ukrainës, e përforcojnë nevojën për një bashkëveprim mes BE dhe NATO dhe për një lidhje të fortë ndëratlantike.
Bashkimi Europian është gati të hapë një kapitull të ri në bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes nëpërmjet Bashkëpunimit të Strukturuar Permanent (PESCO). Qëllimi është të modernizohen investimet e sigurta, marrja e pajisjeve dhe zhvillimi teknologjik nëpërmjet Fondit Evropian të Mbrojtjes (EDF).
PESCO prek tre çështje të rëndësishme:
- zhvillimin e një industrie kombëtare të mbrojtjes,
- strukturën e një buxheti kombëtar të mbrojtjes dhe,
- efikasitetin dhe shpejtësinë e mobilitetit të ushtrisë ndërkufitare për forcat aleate
Bashkimit Evropian do t’i duhet Mbretëria e Bashkuar pasi të lërë bllokun. Ndërsa flitet për aftësitë e rritura të mbrojtjes evropiane, ne nuk mund të harrojmë aleatët tanë britanikë.
Për më tepër, na nevojitet mbështetja e ndërsjelltë e të gjithë anëtarëve vis-à-vis kërcënimeve nga Lindja dhe Jugu.
Në Lindje, ne po përballemi me një politikë agresive ruse. Duke nisur që me luftën në Gjeorgji në 2008, Rusia ka ndjekur një politikë fqinjësie sa vjen e më armiqësore. Gjithashtu, ajo e ka shtrirë aktivitetin e saj ushtarak në një shkallë globale, me Sirinë si shembull konkret. BE duhet të përballet me këtë pozicion agresiv.
Në jug, konfliktet e dhunshme, mosmarrëveshjet fetare, rënia e shtetit dhe mungesa e perspektivave për të rinjtë çojnë në flukse refugjatësh dhe rritje të kërcënimit terrorist.
BE duhet të vijojë të promovojë stabilitetin dhe rregullin ndërkombëtar bazuar në respektin për ligjin ndërkombëtar dhe multilateralizmin. Pavarësisht përqëndrimit tonë të natyrshëm në Lindje, Polonia është duke e rritur nivelin e saj të angazhimit në Jug të kontinentit. Ne kemi rritur kontributin tonë në operacionin e BE në Mesdhe, nëpërmjet pjesëmarrjes në EUNAVFOR MED Sophia dhe në EUBAM Libya. Ne gjithashtu po ofrojmë ndihmë: p.sh. në Liban dhe Palestinë nëpërmjet projekteve dypalëshe.
Duke folur për sigurinë, ne nuk mund të harrojmë rëndësinë e furnizimit të qendrueshëm me energji. Në Evropën Qendrore dhe Lindore e kemi ndjerë prej kohësh trysninë e një furnizuesi mbizotërues energjie. Projekti Nord Stream 2 shkon përkundër të gjithë interesave të rajonit. Ne për këtë mbështesim rregullat e tregut të energjisë dhe sigurisë së kuadrit furnizues të gazit. Për të rritur shumëllojshmërinë e rezervave, ne kemi ndërtuar një terminal gazi të lëngshëm i cili na lejon të marrim gaz nga burime të ndryshme. Gjithashtu, gazsjellësi balltik do të na lidhë deri dhe me Norvegjinë.
Përsa i përket ekonomisë së BE: në pikëpamjen tonë, BE duhet të jetë konkurruese. Ne duhet të përmirësojmë funksionimin e tregut të përbashkët duke e thelluar atë më tej: duke hequr barrierat, duke krijuar më shumë konkurrencë, duke nxitur inovacionin dhe rritjen. Ekonomia jonë po bëhet digjitale. Ne duhet të shtojmë përpjekjet për të qenë në avant-gardë të garës digjitale dhe t’i japim formë trendeve të reja në mënyrë më gjithëpërfshirëse.
Buxheti i BE është një element i rëndësishëm i Bashkimit Europian. Ne e kuptojmë nevojën për të përballur sfida dhe qëllime të reja, por shkurtimet e thjeshta buxhetore nuk janë zgjidhja. BE duhet të jetë ambicioze për përmasat e buxhetit të ardhshëm. Prioritete të reja si siguria, mbrojtja, migrimi duhet të financohen me para shtesë. Pasuria relative e rajoneve duhet të mbetet parametri kyç për shpërndarjen e fondeve të politikave kohezive. Përfundimisht, një instrument i veçantë financiar për fqinjësinë në BE duhet të mbahet për të pasqyruar rëndësinë dhe nevojat specifike të Politikës Europiane të Fqinjësisë.
Përsa i përket reformës në BE, ruajtja e bashkësisë së EU27 është e një të drejte themelore.
Ne duhet të:
- rrisim konkurrencën ekonomike,
- ruajmë integritetin e institucioneve të BE dhe të tregut të përbashkët,
- përforcojmë rolin e parlamenteve kombëtarë,
- veprojmë në bazë të aprimit të subsidiaritetit,
- rritjen e aktivitetit të BE në rajon.
Ne gjithashtu mbështesim lidhje të ngushta politike dhe ekonomike të EU27 me Britaninë post-Brexit.
Një Bashkim Evropian i reformuar ka një potencial të madh t’i shërbejë interesave të shteteve të veta anëtare dhe qytetarëve të tij, dhe për të qenë një forcë pozitive në rendin e ri botëror.
Polonia mbështet zgjerimin në BE. Është një prej politikave më të fuqishme dhe më të suksesshme të Unionit. Zgjerimi nxit stabilitetin politik afatgjatë, zhvillimin ekonomik, sigurinë dhe marrëdhëniet e mira të fqinjësisë në vendet aspirante për t’iu bashkuar BE.
Vetë ne kemi patur një përvojë pozitive. Polonia kaloi një rrugë të gjatë nga komunizmi në demokraci dhe nga ekonomia e centralizuar në ekonominë e tregut të lirë. Anëtarësimi në BE nuk ishte një proces i lehtë. Shteti, shoqëria, sipërmarrësit, fermerët, organizatat joqeveritare ishin të përfshira në proceset e paraanëtarësimit dhe ato të gjithë bënë një përpjekje të madhe, që çoi drejt anëtarësimit të suksesshëm drejt BE.
Politika e zgjerimit është njëherazi proces politik por edhe teknik. Para së gjithash, është për të ndryshuar jetët e njerëzve për më mirë, falë reformës, modernizimit, qeverisjes së mirë, bashkimit të njerëzve dhe të ekonomive.
Ndryshimet priten të zbatohen në fusha të ndryshme: shteti ligjor, drejtësia, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, përforcimi i institucioneve demokratike, liria e medias, reforma e administratës publike, si dhe zhvillimi ekonomik dhe konkurrueshmëria.
Zgjerimi është një rrugë e dyanshme. Përparimi në proces shkon njëherazi me reformat e nevojshme. Ne jemi të ndërgjegjshëm që Shqipëria ka bërë progres të qëndrueshëm në zbatimin e reformave kyçe. Ne jemi të gatshëm t’ju ndihmojmë përgjatë këtij procesi duke ndarë përvojën tonë me ju.
Tani ekziston një momentum në politikën e zgjerimit i ardhur prej strategjisë së Ballkanit Perëndimor dhe paketës së zgjerimit të botuar nga Komisioni në 17 prill. Mezi po e presim mbledhjen BE-Ballkani Perëndimor në Sofie në 17 maj. Viti 2025 është shenjuar në strategji për pararendësit dhe vendet e tjera potenciale. Vendosja e një date konkrete luan një rol pozitiv, vendos një perspektivë të caktuar dhe vë në lëvizje reforma të mëtejshme.
Ne mirëpresim hapjen e bisedimeve për anëtarësimin e Shqipërisë dhe të Maqedonisë këtë vit. Në 2018 duhet t’i japim një shtysë procesit të integrimit. Nëse e humbasim këtë rast dritarja e mundësisë mund të mbyllet.
Duhet të përqëndrohemi në ngritjen e urave mes vendeve tona, si dyfishimi i fondeve në programin Erasmus+ ose nxjerra e një projekti pilot në fushën e mobilitetit në arsimin dhe trajnimin profesional.
Strategjia e Komisionit e publikuar në shkurt i kushton shumë rëndësi të rinjve. Në të vërtetë, të rinjtë do të luajnë një rol kyç në procesin e zgjerimit. Energjia dhe kreativiteti i tyre është pikërisht ajo çka i nevojitet Evropës.
Projekte të ndërlidhjes në transport dhe në energji janë të domosdoshme për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe për të gjithë Evropën Qendrore dhe Lindore. Ne na nevojiten më shumë autostrada dhe linja hekurudhore, gazsjellës dhe lidhje interneti për të sjellë më afër shoqëritë e mbarë rajonit. Ndërlidhja ka një përmasë njerëzore gjithashtu; bashkëpunimi rajonal, marrëdhëniet e mira të fqinjësisë dhe pajtimi kanë mjaft rëndësi.
Nismat ekonomike, përfshirë këtu Plan-veprimin për Zonën Ekonomike Rajonale për të cilën u ra dakord në samitin e Triestes të procesit të Berlinit, janë të rëndësishme si për integrimin, ashtu edhe për zhvillimin e infrastrukturës, në kuadër të agjendës së ndërlidhjes.
Ndërlidhja është gjithashtu një ndër qëllimet kryesore të Nismës së Tre Deteve – një projekt që synon të përmirësojë në mënyrë të konsiderueshme lidhjet ekonomike energjetike, dhe në transport ndërmjet vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore që ndodhen midis Detit Balltik, Adriatik dhe Detit të Zi. Me arritjen e kësaj, këto lidhje do të nxisin ekonomitë e shteteve pjesëmarrëse dhe BE në tërësi. Deri tani, janë 12 vende të rajonit që i përkasin kësaj iniciative. Nëse Shqipëria i bashkohet BE, mund t’i bashkohet gjithashtu Nismës së Tre Deteve dhe të përfitojë nga projektet e implementuara në kuadër të kësaj nisme.
Kërcënime si krimi i organizuar apo terrorizmi nuk njohin kufij të sigurisë së brendshme apo të jashtme. Është e nevojshme të ketë më shumë bashkëpunim ndërmjet BE dhe Ballkanit Perëndimor në cështjet e sigurisë dhe të migrimit. Strategjia e Komisionit ofron një bazë të shkëlqyer për një bashkëpunim të tillë.
Shqipëria është tashmë aleati ynë në NATO – formati më i rëndësishëm i sigurisë për Poloninë. Në këtë kontekst, ne mbështesim synimet Euro-Atlantike të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Është e rëndësishme të përfshihet në programet e partneritetit të NATOs. Rruga e Polonisë drejt strukturave euro-atlantike gjithashtu filloi me programme partneriteti me NATO, nëpërmjet anëtarësimit të plotë në NATO në 1999 dhe kulminoi me bashkimin e Polonisë në BE në 2004.
Ne e vlerësojmë që Shqipëria mbështet plotësisht Politikën e Përgjithshme të Jashtme dhe të Sigurisë së BE. Anëtarësim do të thotë mbështetje e politikave të BE.
Projekti më kryesor i Ministrisë së Jashtme të Polonisë është Akademia e Zgjerimit për zyrtarët nga të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor. Edicioni i saj i ardhshëm është planifikuar për në shtator 2018 në Varshavë. Qëllimi i këtij programi ndërdisiplinor është të ndajmë praktikat tona më të mira dhe të ofrojmë një hapësirë ndërlidhjeje për punonjësit e shërbimit civil të të gjithë vendeve të rajonit.
Ne gjithashtu organizojmë konferenca dypalëshe vjetore – Konferenca e Shkupit – edicioni i fundit i së cilës u mbajt në mars të këtij viti – dhe Konferenca e Beogradit – edicioni i ardhshëm i së cilës është parashikuar për këtë muaj (maj 2018). Këto janë evente të ngjashme me Konferencës e Tiranës që u mbajt sot (më 7 maj 2018).
Polonia është ftuar në Samitin e Londrës të Procesit të Berlinit. Në 2019 ne do të organizojmë një samit në Poloni. Në pikëpamjen tonë Procesi i Berlinit luan një rol kyë në përafrimin e ekonomive dhe shoqërive, si dhe shërben si nxitës i reformave. Polonia e vlerëson fokusin e tij në ndërlidhje si dhe formatin e tij të shumëanshëm dhe të adaptueshëm.
Megjithatë, Procesi i Berlinit nuk mund të interpretohet si një alternativë e politikës së zgjerimit, por si një shtojcë e aktiviteteve të Komisionit.
Ne jemi plotësisht të bindur që të gjithë vendet evropiane meritojnë të përfshihen në projektin e integrimit. Ato do të pasuronin shumëllojshmërinë kulturore të BE, që është e paçmueshme.
Zgjerimi është një rrugë e dyanshme: ka kushte dhe reforma që shtetet aspirante duhet të plotësojnë dhe është dhe gatishmëria që duhet të shfaqë BE për të mirëpritur anëtarë të rinj.
Nëse këto kushte plotësohen, zgjerimi do ta bëjë Evropën më të fortë. Për këtë, mezi po e pres ditën kur do të mirëpresim në BE Shqipërinë dhe partnerët e tjerë nga Ballkani Perëndimor.