Studentë të Universiteteve publike dhe private u njohën me mjedisin e ri të sigurisë në Shqipëri dhe në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, si dhe me sfidat dhe implikimet në një kohë kur ekstremizmi i dhunshëm renditet si një ndër kërcënimet kryesore kundrejt së cilit, asnjë shtet nuk mund të jetë imun.
Mini-shkolla e çështjeve të sigurisë që u mbajt në Tiranë nga Instituti Shqiptar i Studimeve Ndërkombëtare, si pjesë e projektit të mbështetur nga Divizioni i Diplomacisë Publike të NATO, i ofroi studentëve perspektiva të reja në luftën kundra ekstremizmit të dhunshëm, rolin e Aleancës në Ballkanin Perëndimor ku Shqipëria dhe Mali i Zi janë tashmë anëtare dhe Maqedonia shpreson t’u bashkohet së shpejti, pas zgjidhjes së çështjes së emrit me Greqinë.
Çështje të tjera që u diskutuan në seminarët me ekspertët përfshinin rolin e fesë dhe të aktorëve të tretë në çështjet e sigurisë publike dhe nivelin e përgatitjes së shteteve të Ballkanit Perëndimor për të luftuar radikalizmin.
Forumi erdhi në një kohë kur krerët e shtetit të 29 vendeve aleate në NATO takoheshin në një samit dy-ditor në Bruksel për të marrë vendime mbi përforcimin e mbrojtjes së Aleancës, duke rritur përfshirjen e tyre në luftën kundër tërrorizmit dhe duke arritur të balancojnë barrën e ndarë.
Në fjalën e saj hapëse të këtij aktiviteti, Mimi Kodheli, ish-ministrja shqiptare e mbrojtjes e cila kryeson komisionin parlamentar të punëve të jashtme, u tha studentëve që Shqipëria dhe vende të tjera të rajonit mund të përballen me ekstremizmin e dhunshëm vetëm duke qëndruar të bashkuar dhe duke ndarë informata, dhe që arsimi – duke i dhënë fund ksenofobisë – mund të ndihmojë për të luftuar radikalizmin.
Agron Sojati, koordinatori kombëtar shqiptar për ekstremizmin e dhunshëm, gjithashtu i informoi studentët mbi mënyrën sesi terrori mund të paralizojë jetën sociale dhe ekonomike.
Folës të tjerë gjatë aktivitetit përfshijnë, Chargé d’Affaires të Ambasadës amerikane në Tiranë David Muniz, ekspertët e sigurisë Arjan Dyrmishi dhe Ilir Kalemaj, ekspertë të medias si Remzi Lani dhe Lutfi Dervishi, etj.
E pyetur për revistën Europa, Sara Malosmani, një studente e vitit të dytë Master në shkencat politike i cilëson leksionet e ekspertëve mjaft ndihmuese. “Ishte mjaft e rëndësishme për mua të mund të mësoja në mënyrë më të detajuar mbi sigurinë në Ballkanin Perëndimor dhe sfidat e sigurisë, të sjella nga ekspertë të ndryshëm. Këtë javë jam ndier vërtetë e privilegjuar që munda të diskutoj idetë e mia me ekspertë të sigurisë.”
Shkolla verore pesë ditore u përmbyll të Premten me dy seminarë që do të trajtojnë çështjen e krizës së refugjatëve dhe rrugën e Ballkanit Perëndimor, si dhe influencën e mundshme të zhvillimeve politike në Turqi në sigurinë rajonale.
Ndonëse deri tani nuk janë shënuar incidente, Shqipëria nuk konsiderohet të jetë imune ndaj fenomenit.
Në 2016, një operacion i koordinuar rajonal kundra terrorizmit çoi në arrestimin e katër shqiptarëve, duke ndalur një sulm të mundshëm që targetonte një ndeshje kualifikuese për kampionatin botëror midis Shqipërisë dhe Izraelit, që më vonë u mbajt nën forca të rrepta sigurie dhe vijoi në mënyrë paqësore.
Një shtet me një popullsi me shumicë muslimane, por ku bashkëjetesa fetare ka triumfuar dhe mbahet si shembull për t’u ndjekur, Shqipëria nuk ka pasur raportime të reja të rasteve të qytetarëve që udhëtojnë drejt Sirisë apo Irakut që nga 2015, pasi më shumë se njëqind shqiptarë i ishin bashkuar rradhëve të ISIS nga mesi i 2014.
Një studim i ISHSN i fundvitit 2015 tregonte se shumë prej luftëtarëve shqiptarë në Siri vinin nga zona të varfra pak të zhvilluara ku ata jetonin në izolim dhe ishin joshur drejt ISIS për shkak të kushteve socio-ekonomike.