Prof. Dr. Ferit Duka
Prof. Dr. Inalcık është një nga personalitetet më të fuqishme në fushën e studimeve historike për periudhën osmane. Më se shtatë dekada nga jeta e tij e gjatë mbi 100 vjeçare, ai ia ka kushtuar ndriçimit të problematikës së ndërlikuar e mjaft të gjërë të historisë së Perandorisë Osmane, duke u përqëndruar kryesisht në shqyrtimin dhe shpjegimin e sistemit politik dhe ekonomiko-shoqëror mbi të cilin ajo ekzistoi dhe funksionoi për shekuj të tërë. Halil Inalcik ishte një historian i një kalibri të veçantë. Formimi i shëndoshë intelektual, aftësia e rrallë për analiza të thella e të gjëra të lëndës historike, qartësia dhe thjeshtësia e rrëfimit dhe shpjegimit të historisë, fuqia depërtuese e jashtëzakonshme në të fshehtat dhe labirinthet e një periudhe tepër komplekse sikurse ka qenë ajo osmane, kanë përcaktuar nivelin e lartë shkencor të studimeve të Prof. Inalcikut në fushën e osmanologjisë, duke e bërë veprën e tij referencë themelore për të gjithë historishkruesit e kësaj sfere.
Ai ishte ndër të parët historianë turq që e kuptuan se për të ndriçuar e interpretuar shkencërisht proceset, dukuritë dhe ngjarjet që lidheshin me historinë osmane, nevojitej jo vetëm shqyrtimi dhe shfrytëzimi me një sens kritik i fondit bibliografik ekzistues për këtë fushë, por mbi të gjitha, zbulimi, përpunimi dhe përdorimi i fondeve dokumentare, sidomos atyre me prejardhje osmane. Prandaj që në fillesë të punës së vet si historian, Inalciku iu drejtua arkivave të vendit të vet, në të cilat gjeti një arsenal dokumentesh me rëndësi kapitale për studimet osmane. Këtu është fjala sidomos për defterët e pronave dhe të popullsisë (tapu tahrir) të përpiluara nga administrata osmane për territoret e vëna nën sundim.
Prof. Inalciku ishte i pari që sinjalizoi opinionin shkencor për praninë në arkivin e lartpërmendur të një sasie të konsiderueshme defterësh osmanë të shek. XV-XVI për Shqipërinë, dhe mbi të gjitha, për identifikimin e saktë të defterit më të hershëm të shtetit osman, i cili gjeografikisht e admistrativisht, i takonte arealit shqiptar (arvanid-arbëror-shqiptar), ndërsa kohësisht ishte i viteve 1431-1432. Defteri në fjalë ishte një regjistrim i përmbledhur (icmâl, mücmel) i timareve (pronave), vendbanimeve, popullsisë dhe taksave të Sanxhakut Shqiptar, një nga të parat njësi administrative të krijuara nga shteti osman në hapësirat ballkanike. Defteri i Sanxhakut Shqiptar u transkriptua, u pais me shënime dhe nën titullin “Kopje e Defterit të Sanxhakut Shqiptar të vitit Hixhri 835 (Hicri 835 tarihli Sûret-i Defter-i Sancak-i Arvânid”), u botua i plotë nga Halil Inalcik në vitin 1954.
Vlerat e paçmuara të këtij botimi nuk lidhen vetëm me atë që studiuesit e fushës apo historidashësit, gjejnë aty si versionin e transkriptuar edhe atë origjinal të dokumentit të sipërpërmendur, por edhe me atë që botuesi i tij, Prof. Inalciku, ka brendësuar në botim edhe një studim hyrës brilant, në të cilin janë analizuar e shpjeguar shkencërisht dukuritë social-ekonomike dhe politike të Shqipërisë në fillimet e sundimit osman. Me zbulimin dhe hulumtimet e ngulëta në defterin e Sanxhakut Shqiptar, por sidomos me botimin e tij, jo vetëm që u shënua pikënisja e historiografisë shkencore për periudhën osmane të Shqipërisë, por në të njëjtën kohë, u përurua edhe fillimi i veprimtarisë studimore të Halil Inalcikut në shërbim të albanologjisë, një investim madhor i këtij personaliteti të spikatur në një terren shumë të vështirë siç ishte historia shqiptare e shek. XV, shekulli i madh i Skënderbeut.
Defteri i Sanxhakut Shqiptar, Defteri i Korçës, Përmetit dhe Konicës (i njëkohëshëm me të parin), si dhe Defteri i Dibrës, Gollobordës dhe Çermenikës i vitit 1467, shërbyen si burim themelor për një sërë studimesh të rëndësishme të Inalcikut kushtuar aspekteve kryesore të realitetit osman në Shqipërinë e shek. XV.
Prof. Halil Inalciku me studimet e veta jo vetëm ka ndriçuar mjeshtërisht problematikën kryesore që lidhet me proceset dhe dukuritë e reja social-ekonomike e politike të Shqipërisë në fillimet e një epoke të re, duke i parë ato në lidhje të ngushtë me zhvillimet në kontekstin e përgjithshëm ballkanik e osman, por e ka përdorur rastin shqiptar për të shpjeguar ecurinë dhe karakteristikat e proceseve dhe dukurive në rrafshin më të gjërë ballkanik dhe osman.
Në fokus të studimeve të këtij dijetari për Shqipërinë, kanë qenë tema të tilla të rëndësishme si sistemi osman i timarit dhe veçoritë e zbatimit të tij në mjedisin shqiptar të kohës, pozita politike dhe shoqërore e fisnikërisë shqiptare në kushtet e vendosjes së sundimit osman dhe raportet e saj me sistemin e timarit, shkaqet e luftës së Skënderbeut, etj. Një studim të veçantë, madje të parin prej tyre (v. 1952), Prof. Inalciku ua ka kushtuar timariotëve të krishterë, një kategori shoqërore specifike në gjirin e klasës feudale shqiptare, e cila u pais me timare përkundrejt shërbimeve të caktuara ndaj shtetit osman, duke ruajtur përkohësisht besimin e saj të krishterë.
Si osmanolog e albanolog me profil të lartë, Prof. Halil Inalciku ka qenë i ftuar dhe ka marrë pjesë në Konferencën e Dytë të Studimeve Albanologjike të organizuar në Tiranë më 1968 me rastin e 500 vjetorit të vdekjes së Skënderbeut. Edhe këtu ai u paraqit me një kumtesë shumë interesante në të cilën, duke u mbështetur kryesisht në të dhënat e defterit osman të regjistrimit të vitit 1467, i bën një analizë të thukët gjendjes ekonomike dhe shoqërore në krahinat e Krujës dhe të Dibrës (territoret ku shtrihej ish-principata e Kastriotëve), duke vënë në dukje edhe rrjedhojat shkatërrimtare që kishte patur lufta e gjatë shqiptaro-osmane për vendbanimet e këtij rajoni
Vepra e Prof. Inalcikut është e përmasave të mëdha. Bibliografia e saj përfshin një gamë të gjërë monografish, artikujsh shkencorë, botimesh dokumentare, etj. Nuk ka çështje të historisë osmane që të mos jetë trajtuar në një mënyrë apo në një tjetër nga ky studiues i talentuar dhe i palodhur. Sikundër theksuam më parë, tema shqiptare është në epiqendër të këtij korpusi të gjërë studimesh. Edhe zërin për Shqipërinë (Arnaëutluk-Albania) në Enciklopedinë Islame të edicionit të vitit 1958, e ka shkruar Prof. Inalciku.
Studimet e Halil Inalcikut për historinë e Shqipërisë rrokin një spektër të gjërë të çështjeve që lidhen me fillimet e periudhës osmane në këto hapësira (kryesisht shekulli XV). Interes të veçantë paraqesin analizat dhe përfundimet në lidhje me sistemin e timarit, tiparet dhe veçoritë që ai manifestonte në arealin shqiptar. Mbështetur në të dhënat e dy defterëve më të vjetër osmanë të zbuluar në arkivin e Stambollit (të përtmendur më sipër), Prof. Inalcik ndërsa thekson se sundimi osman në një pjesë të madhe të Shqipërisë u vendos që në kohën e sulltan Bajazitit I, sistemi i timarit, mori trajtën e tij të qartë dhe të plotë në kohën e Çelebi Sulltan Mehmedit. Ajo që spikat në këtë fazë fillestare është fakti se elementi i krishterë vendas zinte një vend të konsiderueshëm në mesin e zotëruesve të timareve duke formuar kështu një kategori të veçantë sociale të quajtur “timariotët e krishterë”. Sipas regjistrimit të viteve 1431-1432, vetëm në tokat e Sanxhakut Shqiptar ekzistonin 335 timare, nga të cilat 56 syresh (16%) u takonin individëve të krishterë (midis tyre edhe klerikë të lartë: një mitropolit dhe tre peshkopë).
Në këto suaza, Prof. Inalcik ka paraqitur dhe shpjeguar elementë të tjerë të metamorfozës së fisnikërisë shqiptare në kushtet e kthesës që shënoi vendosja e sistemit të ri osman në tokat shqiptare. Pinjollë të caktuar të familjeve të mëdha vendase përqafuan fenë islame dhe morën detyra të rëndësishme në administratën osmane duke u shpërblyer me timare që u siguronin sasira të mëdha të ardhurash. Përveç Skënderbeut, të birit të Gjon Kastriotit, është me rëndësi të përmendet këtu edhe Isa beu, i biri i Pavllo Kurtiqit (Kurtikut), një princ i rëndsishëm në Shqipërinë e Mesme, zotërimet e të cilit ndodheshin në zonën midis Tiranës dhe Elbasanit. Isa beu regjistrohet në defterin e lartpërmendur si qeveritar (subash) i vilajetit me emrin e të atit dhe zotëronte një timar të madh që përfshinte 1225 shtëpi në 107 fshatra dhe që kapte një sasi të ardhurash prej 81 306 akçesh.
Prof. Inalcik na rrëfen gjithashtu se pozita të rëndësishme kishin fituar edhe dy djemtë e Isa beut, Ibrahimi dhe Jusufi, të cilët zotëronin bashkërisht një timar prej 42 399 akçesh jo më në Shqipëri, por në Tërhallë. Duke analizuar dukurinë interesante të islamizimit dhe të integrimit në sistemin osman të timarit të pinjollëve të fisnikërisë shqiptare të Mesjetës, Halil Inalcik na bën të ditur se një dukuri e tillë preku pothuajse të gjitha familjet e mëdha të vendit. Ai përmend midis të tjerash Hasan beun të birin e Gjin Zenebishit, Mahmud beun të birin e Gjergj Arianitit, Jakub beun, Mehmed beun dhe Kasëm Pashën, djem të Teodor Muzakës. Shembulli më interesant në këtë drejtim ishte Skënderbeu, në fillim subash i Krujës dhe më vonë udhëheqës i luftës së madhe kundërosmane.
Prof. Halil Inalcik përmes një analize mjeshtërore të fakteve e të dhënave të përftuara nga defterët osmanë të shek. XV, na e ka dhënë të plotë e të qartë strukturën shoqërore të popullsisë shqiptare të kohës, dinamikën interesante brenda saj nën efektet e zhvillimeve dramatike me karakter politik dhe ekonomik.
Përtej kësaj, studimet e Inalcikut hedhin dritë edhe mbi praninë e ngulimeve shqiptare në territore të tjera të gadishullit ballkanik, sidomos në Greqi. Duke shqyrtuar defterin osman të sanxhakut të Tërhallës (vitet 1466-1467), ai na njofton se në këtë sanxhak ndodheshin 58 katunde shqiptare. Duke referuar edhe autorë të tjerë studimesh për periudhën, profesori mbështet mendimin se kolonitë shqiptare ishin vendosur në Thesali që nga koha e pushtimit të Shqipërisë nga car Stefan Dushani në shek. XIV. Inalciku thekson se sipas defterit në fjalë, popullsia shqiptare në Thesalinë e shek. XV ishte e konsiderueshme në numër. Madje në qytetet e këtij rajoni në këtë kohë kishte ende mëhallë të veçanta të banuara nga shqiptarë. Tregues i qartë i pranisë shqiptare në këto anë është edhe antroponimia karakteristike e kësaj etnie. Inalcik duke iu referuar burimeve të lartpërmendura, përmend emra individësh si Gjoni dhe Gërguri, djem të Pelegrinit, Stoja dhe Mirashi, djem të Mihos, Ahmedi, i biri i Gjinit. Po ashtu nga shënimet e të njëjtit defter na bëhet e ditur se Hasan beu, i biri i Zenebishit, në vitin 1468 ishte subash i Fanarit; Jakub beu dhe Mustafa beu, djem të Shtinit, ishin pronarë zeametesh po në rajonin e Tërhallës.
E gjërë përsa i përket tematikës, e thellë përsa i përket fuqisë së analizës dhe arsyetimit, vepra e Prof. Inalcikut mbetet një nga instrumentet themelore për të njohur historinë shqiptare të shek. XV. Trajtimi shkencor i raporteve të shtresave të ndryshme të shoqërisë shqiptare me sistemin e ri politik dhe ekonomik osman, shpjegimi me një kompetencë mahnitëse të nocioneve dhe koncepteve themelore të periudhës së re, kanë bërë që studimet e Prof. Inalcikut të shëbejnë si një udhërrëfyes i qartë teorik dhe metodologjik për studiuesit shqiptarë dhe të huaj që merren me kërkime në periudhën osmane të historisë shqiptare.
Në këtë mënyrë, vepra e këtij dijetari të madh meriton të nderohet nga shqiptarët jo vetëm për vlerat shkencore të jashtëzakonshme që ajo bart, por edhe për atë që e ka shpënë në të katër anët e globit emrin e tyre si popull dhe emrin e vendit të tyre, Shqipërisë.