Prof.assoc. Dr. Genci LUARASI
Mesi i shek.XIX, Shqipëria kishte një prapambetje kulturore si pasojë të mungesës së alfabetit të shkrimit të gjuhës amtare. Në fakt në shek. XVIII Theodhori Haxhifilipi në shkollën greke në Elbasan, nisi punën për hartimin e një alfabeti, i cili mbeti në trajtë eksperimentale. Ishte Petro Nini Luarasi, mësues dhe publicist, i cili hapi shkollat e para shqipe, megjithë pengesat e Kishës greke. E para shkollë shqipe u hap në Qestorat të Gjirokastrës në vitet 80 të shek. XIX, ndërsa në shkollat turke pas vitit 1878 mësuesit shqiptarë fshehurazi ua mësonin nxënësve. E para shkollë zyrtare u hap në 1886 në Korçë, mandej u shtuan kudo në Shqipëri. Ishte Lidhja e Prizrenit, e cila në vitin 1879, thirri një komision për hartimin e alfabetit të gjuhës shqipe. Fillimisht shkrimi shqip mori hov në Bukuresht me botimin e gazetave dhe vepreve të Naim Frasherit.
Në vitin 1891 në Sofje të Bullgarisë vepronte shoqata patriotike kulturore “Dëshira”, e cila në vitin 1896, dispononte një shtypshkronjë të drejtuar nga atdhetari Kristo Luarasi. Ai në Bukuresht krahas thellimit të shkollimit të tij, mësoi edhe zanatin e shkronjë- radhitësit dhe në Sofje punonte në një shtypshkronjë bullgare, ku natën shtypte librat në gjuhn shqipe, si dhe ishte një nga drejtuesit e shoqatës “Dëshira”. Më vonë arriti të blejë një makinë shtypi e gradualisht me rritjen e mundësive filloi ta kompletojë duke u bërë i pavarur nga shtypja në shtypshkronjat bullgare. 1)
Aktiviteti i arsimit, botimeve shkollore, letrare, gazetave kërkonte edhe bazën e vet financiare. Këto investime fillimisht siguroheshin nga të huajt në zonat e tyre të influencës. Në harkun kohor 1903-1908, nga burime arkiviale rezulton se Austro-Hungaria ka subvencionuar në këtë fushe konkretisht edhe botimin e gazetës “Drita” të publicistit Shahin Kolonja në shtypshkronjën “Mbrothësia” të Kristo Luarasit. Ato japin të dhëna me rëndësi të mënyrës së subvencionimit, produktit të tij, kontrollit dhe aspekte të “kushteve” organizative në ruajtjen e marrëdhënieve austro-hungareze dhe turke. Nga ato, rendesi kishte:
1.Organizimi nga Ministria e jashtme të Austro-hungarisë të informimit të ndërsjelltë “qendër – terren”.

Gjatë viteve 1903 – 1908, Ministria e Jashtme në Vjenë drejtohej nga ministrat: Konti von Golluhovski dhe Baroni von Ehrenthal, ndërsa në terren veprimtaria informative burimore kryhej nga Konsullatat në qytete përkatëse, sipas objektit të interesuar. Kështu në Sofje, sipas periudhave ishin konsulli Konti Forgah, Konti Otto von Czerni, Konti Turn, Shezho, në Shkodër dhe Manastir ishte Konti Kral. Ajo, që bie në sy është se për problemin në fjalë qendrat e Sofjes dhe Shkodres ishin kryesoret, duke kryqëzuar informacionet dhe veprimet e tyre.
2.Objekti i korrespondencës ndërmjet “qendrës dhe terrenit”.
Dokumentacioni i disponueshëm, jep të dhena mbi marrëdhëniet e Konsulatave austro-hungareze në Sofje, Manastir, Shkodër në lidhje me dhënien e subvencioneve financiare për botimin e gazetës “Drita” në shtypshkronjën “Mbrothësia”. Raportet shprehnin besueshmërinë e tyre ndaj figurave të Shahin Kolonjës dhe Kristo Luarasit, mbështetur në personalitetin e tyre. Vihet re administrimi financiar i subvencionuesit në lidhje me drejtimin e fondeve, besnikëria e përdorimit të tyre, dokumentimi dhe marrëdhënieve reciproke të zbatimit të kushteve për të cilat jepeshin. Nga ana tjeter informacionet kryqëzohen në mënyrë që besueshmëria të ishte sa më e lartë!

Mbajtësi gjallë i frymës së gazetës ”Drita” ishte Shahin Kolonja, i cili udhëtonte kudo ku kishte grumbullime shqiptarësh në Greqi, Egjipt, Rumani 2) dhe siguronte lëndën për botim, saktësimin e informacioneve, me personalitete të çështjes shqiptare dhe sigurimin e të ardhurave për botimin, sepse financimet e bamirësve ishin te pakta, pasi mendonin se botimi i gazetës bëhej me ndihmat e Gjin Aladro Kastriotit, një figurë jo e besueshme, duke sjellë tërheqjen e tyre. Gjithashtu politika italo-malazeze nuk ishte në dobi të shqiptarëve, këta prisnin “të mira” kryesisht nga Austro-hungaria. Ndërkohë Kristo, gjendej në shtypshkronjë. Ishte ai që kryente jo vetëm shtypin, por edhe redaktorin përgjegjës të gazetës “Drita”, prandaj terreni autorizohej që veprimet financiare t’i bënte drejtpërdrejtë me Kriston, me dokumenta të rregullta dhe dërgimin e tyre në qendër, citojnë dokumentat që disponohen.
Në fakt, binomi Shahini-Luarasi funksiononte më së miri, qendra kurdoherë kishte parasysh besueshmërinë e prejardhjes shumë të mirë të Shahinit, karakterin e tij të lartë, si nëpunës i administratës turke, që sakrifikonte çdo gjë për qëllime patriotike. Kështu Konsulli Kral, e vlerësonte rolin e Shahin beut, ndërsa Luarasin e cilësonte si një editor me influencë, kompetent për të gjitha çështjet letrare të punës së tyre fisnike e të pastër. Ai sugjeronte të vazhdohej subvencionimi për vazhdimin e punës së shtypshkronjës “Mbrothësia”, sidomos për problemin madhor të unifikimit të alfabetit të gjuhës shqipe, nëpërmjet kompensimit të punës dhe karaktereve të dy bashkëpunëtorëve të saj. Ai shprehte, që ndihma financiare e Ministrit do të prodhonte mirënjohjen e tyre për botimin e gazetes.3).
Sipas raporteve të Konsullit Kral, gjatë vitit 1908 informon qendrën për punën e botuesve për realizimin e botimit brenda kushteve të marrëveshjes si bazë për subvencionim 4), 5), 6),7).

Viti 1908, në krye të Ministrisë së Jashtme është Baroni von Ehrenthal dhe Konsulli Kral i nis një raport të gjatë me çështjet e bashkëpunimit me redaktorët e botimit të gazetës “Drita” dhe shtypshkronjës “Mbrothësia”. Të dy editorët gjatë vitit 1907, kanë informuar Konsullatën për vështirësitë financiare të botimeve, pra nevojën e vazhdimit të subvencioneve, por tashmë duke paraqitur një faturë më të rritur, duke argumentuar se Shahini është i sëmurë dhe nga ana tjetër nuk kanë mundur të sigurojnë nga bashkëatdhetarët e tyre, sidomos Bajo Topullit dhe shokëve të tij, ndihmat e premtuara. Nga ana tjetër Kristoja paraqet vështirësitë e botimit pasi Shahini nuk ka mundur të paguajë detyrimet e shtypit të gazetës, shtypshkronjës “Mbrothësia” si dhe të domosdoshmërisë që kishte Kristo për të blerë shtëpinë ku të sistemonte familjen dhe shtypshkronjën, duke përballuar për shumë vite privacione fizike dhe materiale, duke mos arritur të realizojë fitimet e llogaritura, pasi në këtë periudhë ai ka botuar një sërë librash. Shtypshkronja është nga më prodhimtaret për titujt e realizuar, por nuk ka arritur të mbushë anën financiare të saj. Megjithatë Konsulli Kral, punën e Shahinit e lavdëron pavarësisht që e kritikon se e ka lëshuar disi veten. Nga ana tjetër gazeta e tij është shumë e mirë falë punës së tij, por e ka tepruar me disa atakime të panevojshme ndaj figurës së Sulltanit, të cilat Shahini nuk duhej t’i linte të përsëriteshin. Pavarësisht këtyre, Konti Kral i rekomandon Ministrisë së Jashtme, të vazhdojë subvencionimin e gazetës “Drita”, megjithëse gjatë 1907 ka patur vonesa në daljen e numrave të saj, por për këtë të vendosen masa nëse do neglizhohen detyrimet e Shahin Kolonjës si botues, të ulej vlera per botimin që gazeta të dilte në rregull, si dhe të mos atakohej figura e Sulltanit, gjithashtu të botoheshin edhe artikuj në gjuhën turqishte, pasi do të hynte më mirë në rrethet e myslimanëve shqiptarë, për arsye të njohurive të tyre të gjuhës turqishte, duke rritur kështu vlerën e ndihmës dhe respektin ndaj Austro-hungarisë. Kjo të zbatohej gradualisht edhe në të ardhmen gjatë 1909. Për të gjithë këto masa të informohej edhe Zyra e Stambollit 8). Krahas kësaj, Konti Kral nga Shkodra njofton dërgimin e dëftesave qendrës si një refren pedant administrativ të rregullit të saj 9). Në prill të atij viti Konsullit Forgah në Sofje i dërgohet informacioni ku lavdërohej në veçanti puna e Kristo Luarasit si drejtor i Shtypshkronjës “Mbrothësia”, i cili krahas punës së tij drejtuese, kryen edhe redaktimin e gazetës “Drita”, në mënyrë tepër të mirë duke ruajtur progamin e saj. Kësisoj të mos pritet në dhënien e subvencioneve deri në kthimin e Shahin beut, por të likujdohen ato me Kristo Luarasin, duke marrë prej tij dëftesën e pagesave, ndërsa përsa i përket problemeve të lidhura me Shahinin të mos bëhet fjalë 10)

Vlerësimin e detyrave të redaktorëve në marrëdhënie me shtetin austro-hungarez, Ministria i dërgon raportin, Kontit Kral në Shkodër dhe Kontit Turn në Sofje. Nga ana substanciale ky raport ndahet në dy pjesë:
- Për botimin e gazetës “Drita”, miraton mendimin dhe kërkesën e Konsullit Kral për gjendjen në Sofje, për vazhdimin e mbështetjes financiare, duke shprehur hapur kërkimin e informacioneve plotësuese nga Agjensia Diplomatike veprimtarisë së Shtypshkronjës në Sofje, zyrtarizimin e dëftesave të pagesave dhe dërgimin e tyre qendrës.
- Nga ana tjetër qendra, pranon kontrollin të kryqëzuar të Konsullates, e thënë ndryshe të njëfarë kritike ndaj punës së saj dhe tërheqje vëmendje ndaj Shkodrës dhe Sofjes:
- Duke qenë se Shahini ka shfaqur shenja të përdorimit të alkoolit, ka neglizhuar në respektimin e afateve të botimit të gazetes redaktimi i saj bëhet nga Bajo Feim Topulli.
- Kristo Luarasi e ka vënë në vijë punën e tij, duke blerë një shtëpi (sipas kujtimeve të Polikseni Luarasit, me kredi). Qendra, kërkon informacione të plota, por diskrete 11). Pas verifikimeve, nga Sofija Konti Otto Cerni konfirmon ato që ka theksuar qendra 12). Kështu, në përgjigjen e dërguar Ministrit të jashtëm austro-hungarez pohohet gjendja e Shahin Kolonjës duke sugjeruar dhënien e subvencioneve, dhe që Kristo Luarasi kishte blerë një shtëpi me vlerë relative prej 10.000 franga në rrugën Car Simeon Nr. 63, por njëkohësisht është marrë edhe premtimi i botimit në afate të gazetës “Drita” 13). Ndërkohë Vjena zyrtare vazhdon të subvencionojë punën e publicistëve të gazetës “Drita” Shahin beu dhe Kristo Luarasi, e vërtetuar me anë të dëftesave të pagesave 14).
Mirëpo, pavarësisht ndihmave të vazhdueshme më 21 Tetor 1908 Konsulli Kral njofton Ministrin von Ehrenthal që në datën 6. Tetor të vitit vijues, redaktori Shahin Kolonja kishte pezulluar botimin e gazetës “Drita”, kësisoj nuk është e nevojshme të vazhdohej subvencionimi i mëtejshem i saj si dhe sugjerohej që fondet të depozitoheshin, pasi sigurisht do të kërkoheshin në të ardhmen për botimin e gazetave pasardhëse! 15)
Konkluzioni ishte se Austro-Hungaria mbështeti shtypin shqiptar në shërbim të Kombit. Megjithë të metat personale e vlerësoi Shahin Kolonjën si një figurë të lartë të Rilindjes Kombëtare, si dhe të drejtorit të Shtypshkronjës “Mbrothësia “ Kristo Luarasi, puna e të cilit kurdoherë siguronte besim dhe vlerësohej ana e tij profesionale dhe menazheriale.
Në fakt autorja bullgare Bojka Sokollova thekson në veprën e saj “Shtypi i Rilindjes shqiptare në Bullgari”se Austro-hungaria, në marrëdheniet e saj nuk aspironte kurdoherë qëllime thjesht pa interes, por ajo kërkonte të ruante disa interesa të vetat në Ballkan, në kurriz të popujve brenda Perandorisë osmane dhe në konkurrencë me Italinë 16).