Instituti Shqiptar i Studimeve Ndërkombëtare (IShSN), në bashkëpunim me Hanns Seidel Stiftung, mbajti më 21 mars 2019 konferencën “70 vite të NATO-së, 10 vite anëtarësim i Shqipërisë në NATO”, në përkujtim të 70 vjetorit të Aleancës, e cila përkonte me 10 vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë me bashkimin e Aleancës. E mbështetur nga Divizioni i Diplomacisë Publike të NATO-së, Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë dhe Ambasada e Polonisë në Shqipëri, konferenca, e cila përbëhej nga tri panele ekspertësh, adresoi arritjet dhe sfidat e dekadës së parë të Shqipërisë në NATO, dhe në Ballkanin Perëndimor, në kontekstin e mjedisit të sigurisë së re globale.

I ftuar për të mbajtur fjalët hyrëse ishin Drejtori Ekzekutiv i IShSN Albert Rakipi, Drejtori Rajonal i HSS për Europën Jug-Lindore Klaus Fiesinger, e Ngarkuara me Punë e Ambasadës së SHBA Leyla Moses-Ones, Ambasadorja e Republikës Federale të Gjermanisë në Shqipëri Susanne Schütz dhe Ambasadori i Republikës së Polonisë në Shqipëri Karol Bachura.

Në fjalën e tij hyrëse, Z. Rakipi përkujtoi shpalosjen e Samitit të Bukureshtit në vitin 2008 kur Shqipëria dhe Kroacia morën ftesën zyrtare për t’ju bashkuar Aleancës. Ai përsëriti rëndësinë e anëtarësimit për Shqipërinë, duke theksuar kontributet e mëtejshme. Konkretisht, anëtarësimi e ka ndihmuar vendin të rilidhet me Perëndimin dhe në rindërtimin e institucioneve të tij.

“Anëtarësimi i Shqipërisë 10 vjet më parë ka qenë një nga eventet më të shquara dhe të arritura që prej rënies së komunizmit, në mos më i rëndësishmi. Në 10 vitet e fundit, pjesëmarrja në NATO ka ndihmuar në procesin e shtet-ndërtimit dhe në ngritjen e një shoqërie demokratike si edhe për demokratizimin e saj të mëtejshëm.”

Në fjalët e tij përmbyllëse, z. Rakipi nënvizoi se mbi të gjitha NATO është një aleancë e demokracisë dhe virtyteve, dhe si e tillë Shqipëria dhe shtetet e tjera anëtare duhet të vazhdojnë t’i përmbahen këtyre.

“Mbi të gjitha, NATO është një komunitet i shteteve demokratike, jo i regjimeve autokratike apo demokracive të rreme,” përmbylli z. Rakipi.

Fiesinger, nga ana e tij, theksoi rëndësinë e vlerave demokratike në politikën e brendshme.

Në vazhdim, Moses-Ones përkujtoi deklaratën e Presidentit Truman në ceremoninë e nënshkrimit më 4 Prill 1949, ku vuri në dukje se pakti ishte “një mburojë kundër agresionit që do të mundësonte qeveritë të përqendroheshin për të arritur një jetesë më të plotë dhe të lumtur për qytetarët e tyre.”

Sipas saj, kjo aspiratë mbetet e pandryshueshme.

Ajo shtoi se “angazhimi i SHBA-ve ndaj NATO-s është absolut” duke shtuar se çdo anëtar i ri ka përforcuar aftësitë kolektive të aleancës për të mbrojtur paqen dhe prosperitetin tonë të përbashkët.”

Megjithatë, Moses-Ones gjithashtu i rikujtoi audiencës se përpos arritjeve të aleancës në ekzistencën e saj prej 70 viteve, arritjet ende nuk kanë përfunduar.

“Rusia është e vendosur për të dëmtuar institucionet tona demokratike dhe për të krijuar përçarje ndërmjet nesh dhe në kombet tona. Sulmet hibride të Rusisë me shënjestër demokracitë tona duke përfshirë këtu sulme të agjentëve nervorë dhe aktivitete kibernetike keqdashëse. Rusia është një prej kanosjeve, por nuk është kërcënimi i vetëm. Koreja e Veriut dhe Irani, të udhëhequr regjime të jashtëligjshme, rrezikojnë rendin botëror përmes politikave të tyre të rrezikshme. Terrorizmi gjithashtu mbetet një kërcënim i vazhdueshëm dhe i përhapur për Aleancën tonë. NATO është po aq e rëndësishme për sigurinë sot, po aq sa ka qenë në çdo periudhë të historisë sonë 70-vjeçare,” tha ajo.

Duke iu referuar anëtarësimit të Shqipërisë, ajo theksoi se vendi e ka bërë Aleancën më të “fortë”, duke sjellë ndër mend kontributin e saj me trupat në Afganistan, Kosovë, Bosnje apo Irak. Si e tillë, Shqipëria luan një rol të madh në Aleancë, e cila duhet të shërbejë si shembull për shtetet e tjera anëtare.

Megjithatë, ashtu siç rritet roli dhe kontributi i saj, rriten edhe përgjegjësitë. Në këtë aspekt, ajo përsëriti nevojën e Shqipërisë për të çrrënjosur korrupsionin, për të përmirësuar shtetin ligjor dhe për të luftuar krimin e organizuar. Ajo përmendi Reformën Gjyqësore si një tregues se vendi është orientuar në rrugën e duhur, pavarësisht punës së vështirë që mbetet për t’u bërë. Për ata që pretendojnë se reforma është kompromentuar apo ka dështuar, ajo shtoi, “mesazhi për ju është ky: Gaboheni.”

Në fjalën e saj, Schütz theksoi rolin e rëndësishëm të NATO-s për Gjermaninë. Përsa i përket rajonit, ajo theksoi impaktin e politikës së zgjerimit të BE-së dhe NATO-së, veçanërisht për të ndihmuar në ndërtimin dhe ruajtjen e paqes në Ballkan.

Që nga viti 1994, kur Shqipëria u bë anëtare e programit të Partneritetit për Paqe, nëpërmjet anëtarësimit të plotë, vendi ka ndërmarrë reforma domethënëse të brendshme, politike dhe ushtarake.

“Që nga ajo kohë Shqipëria ka kontribuuar ndjeshëm për sigurinë dhe stabilitetin në këtë rajon strategjik të rëndësishëm të Europës Jug-Lindore. Përveç kësaj, Shqipëria ka ndihmuar edhe në misione ndërkombëtare të drejtuara nga NATO, për shembull Shqipëria ka dërguar mbi 3000 trupa me Forcat e Asistencës Ndërkombëtare të Sigurisë. Gjithashtu ka qenë një mbështetëse aktive e fushatës kundër terrorizmit që prej vitit 2001 dhe vazhdon të marrë pjesë në përballjen e kërcënimeve të reja siç është dhe Shteti Islamik,” tha Schutz.

Ajo nënvizoi mbështetjen e Gjermanisë për zgjerim me Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut duke vërejtur përmirësimin e marrëdhënieve të NATO-s edhe me Serbinë.

Bachura, i cili mbajti fjalën përmbyllëse në panelin e parë, foli për historinë e NATO-s dhe rëndësinë e saj për Poloninë. Ai vuri në dukje se Polonia ka përkrahur një politikë të dyerve të hapura përsa i përket zgjerimit. Sipas tij, misioni i NATO-së sot është “të mbajë palët e treta jashtë, Amerikën brenda, dhe rreziqet poshtë” Për të nënvizuar rëndësinë e Aleancës, ai vërejti se rajone si Ballkani apo vendet Balltike mund “ta bëjnë gjumin të qetë natën” falë sigurisë së ofruar nga NATO.

Por, përtej kësaj, rëndësia e NATO-s për të nuk qëndron vetëm në faktin si garantues i sigurisë në Europë. Organizata si OSBE-ja luajnë, po kështu, një rol të rëndësishëm në këtë aspekt. Duke folur para audiencës për rrezikun rus, ai u shpreh se është e thjeshtë të konsiderohesh si rusofob, por mjafton të mbash parasysh atë çka ndodhi në Gjeorgji, Ukrainë dhe veçanërisht në Krime për të kuptuar përmasat e kërcënimit që paraqet një vend si Rusia. Për ta përmbyllur, ai theksoi se “aleanca jonë vazhdon, pasi parimet e saj janë të përjetshme.”

Kryetarja e Komisionit Parlamentar të Punëve të Jashtme, Mimi Kodheli dhe ish-Nënkryetarja e Kuvendit të Shqipërisë Valentina Leskaj e morën fjalën në panelin e parë, të moderuar nga Zëvëndësdrejoresha e AIIS, Alba Çela.

Kodheli rikujtoi mbështetjen e fortë të Shqiptarëve ndaj NATO-së, dhe besimin e palëkundshëm në funksionet e saj. Si anëtarë të aleancës, shtetet anëtare duhet të përqëndrohen tek të përbashkëtat e tyre.

Në respekt të Samitit të Uellsit, ajo vlerësoi se Qeveria e Shqipërisë ka ndryshuar prirjen e shpenzimeve të ulëta për mbrojtje dhe vazhdon të punojë drejt përmbushjes së obligimeve.

Megjithatë, ajo pohoi se siguria fillon nga shtëpia e gjithsecilit, ndaj dhe Shqipëria duhet të bëjë më shumë për të siguruar se parimet demokratike respektohen edhe në vend.

Në fjalimin e saj, znj. Leskaj theksoi rëndësinë e Aleancës për Shqipërinë. Në sajë të kontributeve të së fundit, ajo vuri në dukje se përpos të qenit një vend i vogël dhe të pasurit kapacitete modeste, Shqipëria ka shfaqur angazhim serioz për kontributin kundrejt Aleancës.

Paneli i dytë i konferencës, i moderuar nga Tonin Gjuraj, ndërmori një qasje më të gjerë në shqyrtimin dhe interpretimin e dinamikave rajonale.

Sanja Bujas-Juraga, Ambasadore e Republikës së Kroacisë që ndan të njëjtin përvjetor anëtarësimi në NATO si Shqipëria, në hyrje të fjalës së saj përmendi kërcënimet asimetrike që mund të përballohen falë ekzistencës së ombrellës së NATO-së, si një mburojë për të gjitha vendet anëtare. Duke u kthyer pas në fillesat e NATO-së, ajo nënvizoi se pesha dhe rëndësia e Aleancës është po aq e forte sa çka qenë dhe se zgjerimi ka qenë një nga përbërësit e suksesit.

Bujas-Juraga, e cila më parë ka mbajtur postin e drejtoreshës në drejtorinë e NATO-s pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Europiane në Zagreb, shprehu kënaqësinë e saj teksa sheh flamurin e NATO-së të ngritur pothuajse në çdo vend të rajonit dhe u shpreh se ky është një testament i suksesit të politikës së “dyerve të hapura” të NATO-s.

“Hyrja e Shqipërisë dhe Kroacisë ka qenë e rëndësishme për gjithë rajonin, ishte shpërblimi për punën e tyre të vështirë dhe përmbushjes së vizionit që kishin të dy vendet,” tha ambasadorja.

Buras- Juraga gjithashtu shprehu vlerësimin pozitiv për Planin e Veprimit të anëtarësimit të Bosnjës. Duke e deklaruar Kartën e Adriatikut si një instrument kyç për zgjerimin, ambasadorja kroate kërkoi që edhe Kosova të përfshihet në Kartë dhe tha se shpreson që së shpejti edhe Kosovës do t’i bëhet një ftesë konkrete.

Ambasadori i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dancho Markovski rikujtoi në fillim të fjalimit të tij majin e vitit 2003 kur në Tiranë, Shqipëria, Kroacia, Maqedonia (e quajtur asokohe) dhe SHBA firmosën Kartën e SHBA-Adriatikut të cilës iu bashkuan më tej dhe të tjerë. Duke shprehur ndjesinë e tij pozitive për perspektivën e Republikës së Maqedonisë së Veriut për t’iu bashkuar NATO-s si shteti anëtar i 30-të, ambasadori tha se nuk ka qenë e lehtë për vendin e tij për t’iu kthyer drejt rrugëtimit të progresit Euro-Atlantik por se qeveria e ka arritur këtë.

Sipas tij, kjo u arrit përmes ndërmarrjes së dialogut strategjik dhe ndërtimin e besimit me vendin fqinj të Greqisë, çka arriti të finalizohej me marrëveshjen historike të Prespës.

I Ngarkuari me Punë i Republikës së Kosovës në Shqipëri, Syle Ukshini në fjalimin e tij u fokusua mbi marrëdhënien intensive midis Kosovës dhe NATO-së, duke pasur parasysh 20 vjetorin e ndërhyrjes së NATO-s në Serbi dhe Kosovë.

“Pa NATO-n ne nuk do të kishim një atdhe,” ishte hapja emocionale e fjalës së tij, duke vijuar me përshkrimin e NATO-së si një instrument i pazëvëndësueshëm i sigurisë globale. Ukshini tha se qasja e Kosovës ka qenë shumë e qartë dhe se orientimi i saj Perëndimor është shumë i vendosur. Ai tha se Kosova e sheh anëtarësimin në NATO si finalizimin e strukturës arkitekturore në rajon. Ai falenderoi për kontributin e tyre gjithë burrat dhe gratë në uniformë, të cilët i kanë shërbyer dhe i shërbejnë Kosovës.

Ish-Zëvëndësministrja e Punëve të Jashtme dhe aktualisht Këshilltarja e Kryeministrit të Shqipërisë, Odeta Barbullushi në prezantimin e saj u fokusua në përvjetoret e shumta që shënon ky vit, duke e përshkruar zgjerimin e NATO-së për Europën Qendrore dhe Lindore si përmbushjen natyrore të profilit të tij. Barbullushi solli sërish në vëmendje dobësinë e rajonit të Ballkanit Perëndimor i cili është i ekspozuar ndaj kanosjeve dhe çështjeve të sigurisë me prejardhje nga Lindja dhe Jugu, dhe në këtë kontekst garancinë e NATO-s për sigurinë rajonale.

Barbullushi u fokusua mbi NATO-n si një “komunitet i sigurisë” ku fjala “komunitet” ishte po aq e rëndësishme sa edhe tjetra, meqë ajo çka i bashkon shtetet anëtare, përkushtimin dhe vlerat e tyre janë po aq kritike për Aleancën sa edhe interesi për të mbrojtur vendet e tyre.

Gjuraj, Rektor i Universitetit Europian të Tiranës, përmendi disa sfida aktuale dhe dinamika paralele si gjendja e bashkëpunimit rajonal, zhvillimi demokratik dhe qeverisja e mirë si për anëtarët e NATO-së dhe vendet aspirante gjithashtu edhe për çështje të jashtme siç është perceptimi mbi ndikimin rus dhe përpjekjet e aktorëve të tjerë të jashtëm për të ushtruar influencën e tyre në rajon.

Paneli i tretë, i kryesuar nga gazetari Lutfi Dervishi, synoi të eksplorojë mjedisin e ri të sigurisë dhe të ardhmen e NATO-s.

Marko Bello foli për sfidat me të cilat NATO po përballet nga brenda organizatës, dhe sidomos nga Presidenti i SHBA Donald Trump.

Sipas Bellos, ideologjia e Trump për të vendosur “Amerikën të parën” pa dyshim që i ka shqetësuar shumë europianët, por zyrtarë të tjerë amerikanë nuk ndajnë të njëjtat dyshime dhe veprimet e fundit të NATO-së në rajon e faktojnë këtë.

Nga ana e tij, Plator Kalakula nga Drejtoria e NATO-së në Ministrinë e Jashtme tha se, që nga viti 2014, situata e sigurisë ndërkombëtare ka qenë e paprecedentë që prej Luftës së Ftohtë.

“NATO është keqkuptuar prej shumë vendesh. Shtetet anëtare nuk e humbin sovranitetin e tyre duke iu bashkuar NATO-së. Edhe një vend i vogël si Shqipëria mund të bllokojë një vendim të NATO-së nëse nuk përkon me interesat e saj. Çështja e buxhetit është kyçe, sidomos me administratën aktuale të SHBA-ve,” tha Kalakula.

Ndërsa, hulumtuesi i IShSN Alfonc Rakaj përmbylli duke thënë se iniciativa e Shqipërisë për të marrë pjesë në misione të largëta, dështon në shtëpi, ku ne duhet të bëjmë më shumë kujdes për vlerat demokratike.

 

Përktheu: Nora Muçi

 

SHPËRNDAJE