Kur flitet për zhvillimet politike dhe situatën e ndërlikuar dhe problematike të ditëve të sotme, na bie ndërmend shprehja frazeologjike popullore “nga shiu në breshër” që përshkruan më së miri këtë situatë. Këmbëngulja e shumicës prej aktorëve, si vendas edhe ndërkombëtarë, për ta trajtuar situatën si diçka lehtësisht të menaxhueshme me mjete teknike dhe ruajtjen e stabilitetit në dukje, me çdo kosto, në fakt, vetëm sa e ka përshkallëzuar më tej situatën dhe i ka bërë palët kundërshtare edhe më agresive.
Duket sikur të gjitha palët po presin të ndodhë diçka edhe më e rëndë me qëllim që të bjerë pesha e situatës mbi palën kundërshtare. Kurrfarë dialogu konstruktiv nuk është zhvilluar. Ndërsa anëtarët e rinj të Parlamentit të cilët qartazi nuk përfaqësojnë opozitën zunë vend në Kuvend, ndonëse u pritën me duartrokitje nga mjaft përfaqësues të komunitetit ndërkombëtar, Presidenti i Republikës i konsideron mandatet e tyre jokushtetuese. Për më tepër, kanë nisur të përhapen zëra mbi mundësinë e zbatimit të reformave të thella nëpërmjet mbështetjes që pritet nga këta anëtarë të rinj. Kjo do të ishte tejet e rrezikshme. Nëse një reformë e rëndësishme, siç mund të jetë reforma zgjedhore kalon me votat e individëve që shmangen prej partive opozitare, rezultati jo vetëm që nuk do të jetë i qëndrueshëm, por do të jetë kryekëput shkatërrimtar. Marrja në konsideratë e këtij opsioni nga ana e institucioneve ndërkombëtare është një lëvizje e papërgjegjshme, dhe akoma më i rëndë, promovimi i saj.
Ne kemi qenë dëshmitarë sesi reforma konsensuale të votuara me mazhorancë të madhe kanë rezultuar të jenë mjaft të ndjeshme ndaj krizës politike. Çdo hap që ndërmerret me vendosmëri ballë krizës do të hasë në kundërshtime sapo të zhvendoset pushteti në duart e palës tjetër, gjë që do të rezultojë mjaft problematike.
Për më tepër, asnjëra nga palët nuk duhet të gabojë duke presupozuar që kalimi i kohës dhe qetësimi i qëndrimit të arbitrave të zakonshëm, ndërkombëtarëve, është duke e bërë ngërçin të menaxhueshëm. Mazhoranca është duke i bërë ballë stuhisë me festime pompoze, duke mbushur sheshet kryesore, si në rastin e festimeve të kongresit më të fundit të partisë. Gjithashtu, kongresi promovoi haptazi kandidatët e rinj për zgjedhjet vendore, të cilat kërcënohen seriozisht se do të bojkotohen nga opozita, duke patur kështu fare pak mundësi që zgjedhjet të zhvillohen normalisht.
Kriza është e pranishme dhe po thellohet dita-ditës. Po ndihet prej bizneseve dhe uljes së interesit në turizëm dhe në investime, po ndihet prej qytetarëve në shumë aspekte të jetës së tyre dhe planifikimeve të mëtejshmë. Është një çështje me rëndësi në prag të verdiktit të Këshillit të Bashkimit Europian që pritet të merret në korrik mbi hapjen e negociatave të Shqipërisë.
Demokracia dhe stabiliteti shqiptar janë në një udhëkryq të rëndësishëm që kërkon një trajtim strategjik dhe vizionar, ashtu si dhe promovim të kujdesshëm të modeleve të reja të dialogut. E ardhmja e vendit varet në të.