Më 28 mars 2019 Ambasada e Republikës së Polonisë dhe Instituti Shqiptar i Studimeve Ndërkombtare (IShSN) organizuan seminarin “Polonia dhe Europa Qendrore – 30 vite pas Transformimit të Madh.”

Dr. Pawel Kowal, ish-Sekretar i Shtetit në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe anëtar i Akademisë Polake të Shkencave, ishte folësi kryesor i seminarit, i shoqëruar dhe nga Ambasadori Polak në Tiranë, Z. Karol Bachura.

Në fjalën e tij hyrëse, Z. Bachura tha se po festojmë një vit përvjetorësh – ndërsa Shqipëria dhe Polonia festojnë 80 vjetorin e marrëdhënieve dypalëshe, ky vit shënon 20 vjetorin e anëtarësimit të Polonisë në NATO, 15 vjetorin anëtarësimit të Polonisë në Bashkimin Europian dhe 10 vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Ambasadori Bachura u shpreh se ai shpreson se ky do të jetë gjithashtu viti që Shqipëria do të nisë hapjen e negociatave me Bashkimin Europian.

Në vijim, Dr. Kowal tha se për të kuptuar situatën aktuale në Europë, është shumë e rëndësishme kujtimi dhe njohuria e mirë e së shkuarës, sidomos ç’ka ndodhur pas Luftës së Parë Botërore.

Asokohe, perandoritë shumëkombëshe si Rusia, Austro-Hungaria, u zëvendësuan nga disa komb-shtete të vogla. Çelësi i kësaj çështjeje tashmë është sesi të sigurohet bashkëpunimi dhe një dinamikë e balancuar midis këtyre shteteve të vogla.

Një tjetër faktor për të kuptuar situatën aktuale sipas Dr. Kowal është të kuptohet se çfarë ndodhi në vitet 1989-1991 në një territor shumë të madh nga Europa Lindore e deri në Mongoli. Ishte një transformim shumë i papritur dhe i jashtëzakonshëm në një kohë shumë të shkurtër. Nga Bashkimi Sovjetik dhe Jugosllavia u krijuan pothuajse 30 shtete nga Europa Lindore deri në Mongoli.

“Kjo pjesë e Euroazisë është shumë e rëndësishme për zhvillimet në botë,” tha Dr. Kowal, duke shtuar se çelësi i këtij transformimi ishte ç’ka mund të quhet “Pax Americana”.

Dr. Kowal e përshkroi këtë “Pax Americana” si një hegjemoni të butë bazuar në konceptin e “soft power” nga profesori Amerikan Joseph Nye. Bazat e këtij sistemi janë ndarja e pushteteve, qeveria liberale dhe ndihma nga Perëndimi.

Pyetja kryesore, sipas Dr. Kowal, është nëse Pax Americana ia ka dalë mbanë ose jo. Ai tha se dy organizatat që kanë patur ndikimin dhe suksesin më të madh kanë qenë NATO dhe Bashkimi Europian. Në fillim dy aspekte qenë të rëndësishme: e para, amerikanët do të merrnin pjesë në ndërtimin e Bashkimit Europian; dhe e dyta, memoria historike. Gjenerata e udhëheqjes amerikane në atë kohë, veçanërisht George Bush, ishin pjesëmarrës në Luftën e Dytë Botërore. Krijimi dhe zgjerimi i Bashkimit Europian ka ecur hap pas hapi me zgjerimin e NATO-s. Gjer në fund të komunizmit, NATO ishte nje organizatë ushtarake, por pas fundit të komunizmit u bë gjithashtu një organizatë politike e cila mund të ndikonte në zhvillimet politike të shteteve anëtare.

Pavarësisht fuqisë së konsiderueshme të NATO-s dhe Bashkimit Europian, Dr. Kowel tha se soft power është dobësuar, duke krijuar hapësirë për aktorë të tjerë si Rusia, Turqia dhe Irani për të shfrytëzuar situatën dhe për të ëndërruar për lavditë e së shkuarës.

Në këtë kontekst, seminari përmbylli se është e drejtë të mbahet mend se “soft power” nuk mund të zgjidhë çdo gjë, pa ekzistencën e NATO-s, as shqiptarët e as qytetarët polakë, nuk do të ishin kaq të qetë.

SHPËRNDAJE