Kosova dhe Serbia – Në kërkim të një paradigme të re

1

Instituti Shqiptar i Studimeve Ndërkombëtare, në bashkëpunim me Fondacionin për një Shoqëri të Hapur në Kosovë, organizuan më 18 prill 2019 forumin për politikën e jashtme të titulluar “Kosova dhe Serbia – Në kërkim të një paradigme të re”, ku folësi kryesor Veton Surroi tha se të dy vendet duhet që më në fund të krijojnë “narrativën e tyre të paqes”.

Surroi e filloi fjalën e tij duke thënë se kërkimi i një paradigme të re i ngjason misterit brenda kutisë së mistereve. Së pari, shpjegoi ai, sot Kosova duhet kuptuar nëpërmjet Urës së Mitrovicës; në Veri të saj ka një shumicë serbe, ndërsa në Jug shumica është shqiptare. Kjo është gjithashtu edhe një ndarje gjeopolitike, midis Rusisë dhe botës Perëndimore, e cila krijon një lloj presioni. Sipas Surroit, në njëzet vitet e fundit, Rusia ka drejtuar me sukses një projekt që synon pengimin e institucionalizimit perëndimor në rajon, dhe veçanërisht në Kosovë.

“Janë përdorur disa parime: së pari, ai tranzitor. Për Serbinë, gjithçka që ka të bëjë me Kosovën është e përkohshme, sepse vetëm Serbia mund të vendosë se kur ajo gjë bëhet permanente. I dyti vjen parimi i dualitetit – përfshirja në institucionet e dyfishta, sidomos në ato që vazhdojnë të drejtohen nga autoritetet serbe”, tha Surroi.

Në mënyrë paradoksale, vazhdoi ai më tej, politikat ruse janë finacuar nga NATO dhe BE-ja. I gjithë kapitali njerëzor dhe ushtarak i NATO-s është përdorur për të implementuar strategjinë ruse e cila mund të përmblidhet si strategji e llojit që “i jep gishtin dhe të merr krahun” – strategji e cila nuk lejon arritjen e pavarësisë.

Dualiteti i BE-së u shfaq mbas një zhvillimi që erdhi si reagim i Serbisë ndaj pavarësisë së Kosovës. BE-ja e lejoi Serbinë që të justifikohej në Kombet e Bashkuara dhe integroi dualitetin në negociatat për paqe, duke i lejuar secilës palë të vinte e të negocionte në tryezë duke ruajtur besimet dhe vlerat e veta. “Kjo solli me vete problemin e mëvonshëm që tregoi se parimi i parë i këtyre negociatave është që nuk ka asnjë parim”, tha Surroi gjatë forumit. Parimi i dytë, sipas tij, është që nuk ka asnjë agjendë – secila nga palët vendos vetë se çfarë është e rëndësishme. Parimi i tretë është që, në fund fare, është mediatori ai që vendos dhe i jep formë marrëveshjes, dhe jo palët e përfshira në negociata.

“Është fakt që sot nuk kemi mbërritur ende në një marrëveshje, dhe kjo sepse procesi i negociatave nuk është trajtuar me seriozitetin që meriton, sepse negociatorët diskutojnë mbi probleme “banale”, në vend që të merren me çështje historike të rëndësishme e ende të hapura midis tyre. Ndërkohë,” u tha gjithashtu “as edhe ato pak çështje për të cilat është rënë dakord nuk kanë gjetur zbatim deri më sot”.

Më tej, Surroi diskutoi për pikën më të nxehtë mes Serbisë dhe Kosovës deri tani: atë të shkëmbimit të territoreve, ose “korigjimin e kufijve”, sikurse është quajtur nga liderët kosovarë dhe serbë.

BE-ja, me parimin e vet të mungesës së parimeve, e lejoi deri diku zhvillimin e këtij diskutimi midis Kosovës dhe Serbisë – diskutim të cilin Surroi e quajti “Shkëmbim i popullsisë humanitare”. “BE-ja e lejoi veten të bëhet pjesë e një negociate e cila do t’i zgjonte njerëzit një mëngjes duke u thënë ‘më falni, po jetoni në anën e gabuar të kufirit’ dhe do t’ju ndihmojmë ta largoheni. Shpresoj që në takimin e ardhshëm të Berlinit, Makron dhe Merkel ta refuzojnë një herë e përgjithmonë këtë ide, por duke qenë se narrativa ka mbizotëruar për kohë të gjatë, tashmë deri diku dëmi është bërë,” tha Surroi.

Sipas Surroit, kjo ide mbart disa probleme, si për shembull problemi i minoritetit serb i cili humbet identitetin e vet, faktin që minoritetet në të dyja anët ishin kundër idesë së “korrigjimit të kufirit dhe faktin që një vijë e re separative mund të krijojë një çarje midis shqiptarëve dhe serbëve tashmë, dhe jo më midis Kosovës dhe Serbisë.

Surroi beson që gjetja e një zgjidhjeje jashtë BE-së, përmes një procesi ku BE – ja luan rol vetëm si ndërmjetës, është problem të cilit i duhet kushtuar vëmendje e që do ishte mirë të ndryshohej.

“Kjo na çon te pyetja se si të ndryshohet kursi i gjërave, sepse aplikimi i po atyre parimeve nuk do të sjellë rezultate të reja. Duhet t’i hedhim sytë te paradigma e BE-së që u aplikua mbas Luftës së Dytë Botërore”, i tha Surroi audiencës, e cila konsistonte në studjues, ambasadorë dhe gjithashtu ekspertë të politikës.

Surroi beson se ajo çka duhet marrë në konsideratë është që Kosova vazhdon të mbetet një konflikt i pazgjidhur dhe vetëm një Traktat Permanent i Paqes midis Kosovës dhe Serbisë mund të konsiderohet si zgjidhje e mirë.

Gjithashtu, marrëveshja mund të arrihet vetëm brenda habitatit europian dhe e bazuar në parime europiane. Veç kësaj, marrëveshja duhet të krijojë mundësinë e një zone të lirë jo vetëm midis Kosovës dhe Serbisë por gjithashtu edhe brenda BE-së.

“Harresa është kërcënim për shoqëritë që kërkojnë të zgjidhin konflikte të hapura, të cilët vazhdojnë te jenë pjesë e kujtesës së përbashkët. Ajo çka është diskutuar kohët e fundit shërben për të tërhequr vëmendjen e njerëzve nga konfliktet reale dhe tragjeditë e vërteta që kanë vuajtur gjatë luftës”, tha Surroi.

“Shoqëria serbe në veçanti nuk ka qenë në gjendje të kujtojë, e kësisoj të shërohet e të vazhdojë përpara. Serbia kërkon të ndërtohet mbi harresën, gjë e cila përbën problem, sepse shoqëritë që kërkojnë të harrojnë nuk janë në gjendje të shërohen. Për Kosovën, gjithashtu, do të ishte më e lehtë të bëhej europiane po qe se e ndërtojmë lumturinë tonë jo duke u bazuar në fatkeqësitë e së kaluarës, por në lumturinë e përbashkët, përfshirë këtu edhe lumturinë e fqinjëve tanë serbë”

 – VETON Surroi

Surroi pranon që, ndonëse kjo sot mund të duket si iluzion dhe si diçka e paarritshme, asgjë tjetër nuk ka funksionuar deri më tani. Tregtia e përbashkët nuk ka qenë në gjendje të zgjidhë të gjithë problemet, pasi nuk është shoqëruar aspak me normalizim.

Tregtia e lirë është kopje e zbehtë e Planit Marshall, që u ngrit mbi institucione të ligjshme të cilat mungojnë si në Serbi ashtu edhe në Kosovë.

Dhe në fund, Surroi tha se paradigma e re duhet të jetë paradigmë e komunitetit – të mos krijojë ndarje, por të krijojë komunitete.

Këto komunitete duhet të përfshijnë komunitete të sigurisë që shkojnë përtej aspiratave të Kosovës për anëtarësim në NATO dhe të Serbisë kundër NATO-s, e në të njëjtën kohë komunitete që do të kërkojnë të kuptojnë historinë e përbashkët të vendeve duke u projektuar drejt së ardhmes.

Paradigma e re duhet të jetë paradigmë e komunitetit – jo si të krijojë ndarje, por si të krijojë komunitete.

“Serbia dhe Kosova jetojnë brenda narrativës së luftës, por ne mund të krijojmë narrativën e paqes. Njerëzit nuk kanë në kokë ndonjë software të ‘luftës’. Kant ka thënë që paqja e qëndrueshme mund të arrihet kur nuk ka më asgjë që t’i shtyjë shtetet drejt luftës. Ky është lloji i paradigmës që duhet të kërkojmë”, përfundoi fjalën Surroi.

Surroi është gazetar, botues, aktivist i shoqërisë civile dhe politikan. Në vitin 1990, ai themeloi revistën “Koha”, e cila në vitin 1997 u shndërrua në gazetën e parë të përditshme të pavarur në Kosovë – “Koha Ditore”. Më vonë ai themeloi gjithashtu kanalin kombëtar Kohavision (KTV).

Si anëtar i delegacionit të Kosovës në 1999, ai ishte firmëtar i Marrëveshjes së Rambujesë, e cila solli çlirimin e Kosovës.

Në periudhën 2005 – 2008, ai ishte anëtar i grupit drejtues të delegacionit të Kosovës në negociatat e Vjenës për pavarësinë e Kosovës.

Ai është autor i nëntë librave, nga të cilët “Fluturimi i vetëm i Azem Berishës për në kështjellë” (2005), “Libri i fluturave” (2011), “Këmbët e gjarprit” (2014), “Emri i autonomisë” (2015), “Gorillat që s’i pamë” (2017), “Ambasadori i Melkizedekut” (2017) dhe “Lopa e Macchiatos” (2018) janë përkthyer në anglisht.

 

SHPËRNDAJE