Këtë javë, shumica e deputetëve në parlamentin hollandez votuan për t’i kërkuar qeverisë së tyre rikthimin e regjimit të vizave me Shqipërinë. Ky zhvillim dramatik përfshiu disa parti politike në Hollandë të cilët janë të përfaqësuara mirë në postet qeverisëse. Vendimi nuk do të materializohet së shpejti dhe ministrat përkatës tanimë kanë prezantuar argumentat e tyre kundër. Gjithashtu, për çdo rast, BE-ja është e detyruar ta rrëzojë në sajë të rregullores ekzistuese. Megjithatë, më shumë se një dekadë pas heqjes së regjimit të vizave, një zhvillim i tillë e vendos në rrezik, madje edhe në retorikë të thjeshtë, një nga arritjet më të rëndësishme në fazën post-tranzicionale. Dëmi është bërë tashmë duke i dhënë Shqipërisë një goditje të fortë për imazhin e saj të brishtë, duke shkurajuar investimet dhe duke vendosur një tjetër hije të errët kërcënuese në perspektivën e saj.

Për të qenë të drejtë, vendimi i deputetëve të parlamentit të Hollandës është një padi e njëanshme për njerëzit dhe shoqërinë shqiptare e ngritur mbi perceptime të cilat nuk duhet të ishin të përgjithësuara.  Situata e kriminalitetit shqiptar në vend apo në çdo vend të BE-së, shpesh e tepruar nga media, nuk do ta garantonte e vetme këtë vendim, nëse nuk do të ishte e shoqëruar nga një vlerësim i kryer shkoqur për vendin nga politikanët hollandez. Ky vendim përkthehet në një pozitë të Hollandës, një shtet anëtar kyç i BE-së, se Shqipëria është një shtet i kapur nga krimi i organizuar.

Është një nga goditjet më të forta për imazhin e vendit dhe një parashikues i zymtë i një rezultati negativ në takimin e Këshillit të BE-së që do të vendosë mbi fatin e hapjes së negociatave. Si mundet një shtet që favorizon kthimin e regjimit të vizave, në të njëjtën kohë të bjerë dakord për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë?

Në mes të kësaj krize, politikanët shqiptar në vend që të vlerësojnë dëmtimin dramatik që është duke u bërë, vazhdojnë me krizën e tyre të brendshme ose me indiferencën e tyre të rremë. Qeveria nëpërmjet Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme është duke minimizuar gjasat reale të këtij vendimi për t’u kthyer në linjë veprimi, duke injoruar vullnetarisht në këtë proces rëndësinë dhe sinjalet që i dërgohen shteteve të tjera skeptike të BE-së. Çuditërisht, ministri i Punëve të Brendshme e justifikon rritjen aktuale të krimeve serioze duke u ankuar se protestat e opozitës po konsumojnë vëmendjen dhe burimet. Po aq qesharake dhe të sforcuara janë deklaratat e Zëvëndëskryeministrit dhe kreut të grupit parlamentar se ky zhvillim është arritur për shkak të miqësive dhe lobimit në Hollandë nga kryetari i opozitës shqiptare. Duke u përpjekur për ta portretizuar Lulzim Bashën si ndikues i shumicës parlamentare në Hollandë është ironia finale mbi vetë pretenduesit.

Pra, rezultati përfundimtar është se këmbanat e alarmit shkojnë në vesh të shurdhër për të gjithë ata që duhet të mbajnë përgjegjësi dhe të veprojnë.

Në kohë të tilla do të bënte kuptim për politikanë vizionarë me interesin e kombit në zemër për t’iu bashkuar forcave dhe për t’u mbledhur bashkë, t’i kërkonin llogari parlamentit hollandez me vendosmëri dhe qartësi mbi këtë vendim agresiv për të gjithë qytetarët shqiptar. Do t’iu duhej të punonin shumë dhe të lobonin së bashku për të mbrojtur lirinë e lëvizjes, e cila është aq e ndjeshme për të gjithë zgjedhësit e tyre dhe që ishte mëse e merituar nga Shqipëria nëpërmjet përmbushjes së të gjitha kushteve në udhën përkatëse.

Shqiptarët nuk e meritojnë izolimin që iu ishte nënshtruar nga regjimi absurd i vizave për vite me rradhë. E as nuk meritojnë politikanë të cilët nuk ngrenë as gishtin për t’i mbrojtur nga ky zhgënjim i rrezikshëm dhe poshtërues.

 

Përktheu: Nora Muçi

SHPËRNDAJE