Laboratorët e ushqimit, si u shpërdoruan 6 milionë euro për ndërtimin e tyre

Me aparatura të vjetërsuara, mungesë reagentësh dhe me staf që ndërrohet sa herë ndryshohet drejtuesi, garantimi i sigurisë ushqimore duket një mision i pamundur për laboratorët e AKU-së. Bashkimi Evropian ka dhënë deri më tani më shumë se 6 milionë euro për ndërtimin dhe pajisjen me teknologji për 9 laboratorë të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, por aktualisht janë në funksion vetëm 7. Ndërkohë që dy laboratorëve, atij të Beratit dhe të Elbasanit, u është vënë kyçi. Por edhe laboratorët që janë në funksion, asnjëri prej tyre nuk është i akredituar dhe për më tepër nuk arrijnë të kryejnë as analiza të thjeshta siç janë shtesat, ngjyruesit, konservantët apo nivelin e hormoneve e të pesticideve. Të vetmet analiza që laboratorët e AKU-së mund të kryejnë janë ato mikrobiologjike dhe fiziko kimike që janë të limituara në verikimin e përbërësve të produktit që kanë të shënuar në etiketë (për aciditetin, kripën, lëndën e thatë, yndyrnat).

1

ESMERALDA KETA
Mësuesja e arteve të bukura, Rudina Hyka, në 2015-ën braktisi Gjenevën ku jetonte prej 15 vitesh. Ajo bleu disa dynymë tokë në fshatin Shetaj, afër Kepit të Rodonit, për të kultivuar shafran. Pasi u garantua se toka nuk ishte e ndotur me pesticide dhe kimikate, Rudina nisi të kultivojë shafran, aso kohe pak i dëgjuar këtyre anëve.

Përveç mundit të rritjes së bimës delikate, shumë shpejt ajo u përball me sfidën për të garantuar pastërtinë e produktit të saj.

” Kam bërë shumë analiza. Një fletë lule shafrani është analizuar për prezencë të mbi 346 lloje të ndryshme kimikatesh, pesticidesh, apo ndotësish të tjerë gjitha analizat i kam bërë në laboratorë të certifikuar jashtë, pasi në Shqipëri nuk di të ketë” – tregon Rudina, të cilës certifikata e garancisë I hap dyer e tregun evropian, dhe pse analizat janë të kushtueshme.

Rudina tregon se në këtë pikë ka mësuar nga koha kur ishte jashtë Shqipërisë.

“Kur jetoja në Zvicër kisha miq të mi që merreshin me kultivim të produkteve të ndryshme. I sillnin jashtë, shumë i pëlqenin, por nuk arrinin ti tregtonin pasi askush nuk ua merrte në konsideratë fletët e analizave që kishin lëshuar institucionet në Shqipëri”, – tregon Rudina.

Si ish mësuesja e arteve të bukura janë të shumtë prodhuesit vendas I drejtohen laboratorëve të huaj, kryesisht në Itali dhe Zvicër, për të certifikuar cilësinë e prodhimeve të tyre.

Bashkimi Evropian ka dhënë deri më tani më shumë se 6 milionë euro për ndërtimin dhe pajisjen me teknologji për 9 laboratorë të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, por aktualisht janë në funksion vetëm 7, pasi atyre në Berat dhe në Elbasan, u është vënë kyçi.

Por edhe laboratorët që janë në funksionim nuk janë të akredituar, për më tepër nuk arrijnë të kryejnë as analiza të thjeshta siç janë shtesat, ngjyruesit, konservantët apo nivelin e hormoneve e të pesticideve. Të vetmet analiza që laboratorët e AKU-së mund të kryejnë janë ato mikrobiologjike dhe fiziko kimike që janë të limituara në verifikimin e përbërësve të produktit që kanë të shënuar në etiketë (për aciditetin, kripën, lëndën e thatë, yndyrat).

I vetmi laborator i certifikuar për të kryer disa analiza, por edhe këtu lista për mbetjen e pesticideve mbetet shumë e limituar, është ai i Institutit të Sigurisë Ushqimore dhe Veterinare (ISUV).

Laboratorët jashtë standardeve

“Thembra e Akilit”, mbetet lista e cunguar e analizave që kryhet në vendin tonë. Matrica e komponentëve që mund të matet në laboratorët e AKU në fakt vetëm sa mund të verifikojë elementët përbërës të shënuar në etiketë, por nuk mund të flitet për siguri.

Në pjesën më të madhe të laboratorëve të AKU-së nuk mund të bëhen analiza të shtesave, ngjyruesve të përdorur, konservantëve, apo nivelit të pesticideve e mbetjeve të rrezikshme. Dhe kjo pasi laboratorët herë janë shumë të varfër në aparatura, herë mungojnë reagentet apo kitet, e në shumë raste të tjera jo vetëm mungon stafi, por ai ndyrshohet sa herë ndryshohet drejtori.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, në përgjigjen që tha insiston se ka në funksion 7 laboratorë ku kryhen një gamë e gjerë analizash të cilat garantojnë sigurinë e produkteve ushqimore.

Të dhënat e siguruara tregojnë se laboratorët ose nuk ekzistojnë, ose funksionojnë me aparatura të amortizuara.

Laboratori i Elbasanit është mbyllur që në vitinn 2014, me një urdhër të ish Ministrit të Bujqësisë.

Firdus Kurti, drejtor i AKU në Elbasan thotë se kanë bërë kërkesa të shpeshta për hapjen e laboratorit por nuk kanë marrë një përgjigje.

“Edhe sikur të hapet në këtë moment ai nuk mund të jetë funksional për mungesë stafi, pasi një pjesë e stafit kanë kaluar si inspektorë”– tha Firdus Kurti. Drejtori i AKU-së në Elbasan shton se mosfunksionimi I nuk e ka penalizuar punën e tyre, pasi 18 inspektorët që kanë në terren mbledhin mostra dhe i nisin drejt Durrësit ose Fierit.

Por laboratori i Durrësit , i cili është një nga laboratorët më të mëdha në vend, nuk funksionon. Ai është mbyllur vitin e kaluar për mungesë reagentësh dhe terrenesh.

Martin Jorgaqi, drejtori i AKU, Durrës, i cili u kontaktua, pranon se herë pas here përballen me mungesa të ndryshme por shton se ” laboratori është pajisur me kitet e nevojshme dhe funksionon normalisht”.

E njëjta situatë problematike ndodhet edhe në atë që konsiderohet “hambari” i Bujqësisë në Lushnjë. Në ndërtesën e amortizuar, ku dikur ka qenë qendra më e madhe e analizimit të produkteve bujqësore, laborantet vazhdojnë të punojnë me aparatura të vjetruara dhe që nuk i përgjigjen kurrsesi as kërkesave në rritje, por as cilësisë së kërkuar. Në këtë laborator, mund të bëhen disa lloje analizash për prezencë pesticidesh, por nuk mund të zbulohet sasia e tyre.

Një raport inventarizimi të pajisjeve laboratorike, i kryer rreth 5 vite më parë nga Ministria e Bujqësisë, tregonte se rreth 40% e aparaturave që përdorin laboratorët e AKU-së, janë ose të vjetruara ose nuk di askush t’i përdorë.

AKU sqaron se pajisjeve të amortizuara në laboratorëve u janë kryer shërbim.

“Janë kryer shërbime të veçanta nga subjekte të autorizua me qëllim mirëmbajtën, ndërkohë që në Gjirokastër e Korçë kanë ardhur aparatura të reja, të cilat kryejnë analiza laboratorike, me metoda dhe pajisje bashkëkohore” – sqaroi AKU.

“Ka pasur vlerësime në lidhje me gjendjen e pajisjeve ekzistuese dhe janë paraqitur kërkesat për ndërhyrje, si në aspektin e zëvendësimeve, por edhe riparimeve. Edhe specializimi i stafit në lidhje me aparaturat e reja të marra së fundi është një problem, i cili është në ndjekje. Ne vlerësojmë, se problemi i pajisjeve të trashëguara ka të bëjë më tepër, me faktin se metodat që përdoren për analizat me këto aparatura, nuk janë bashkëkohore, duke krijuar kosto kohore, por edhe financiare”.- thuhet në reagimin që AKU-së.

Agjencia Kombëtare e Ushqimit refuzoi tu përgjigjej pyetjeve që ne patëm për akreditimin e laboratorëve. Ata sugjeruan ti drejtohemi faqes së Drejtorisë së Përgjithshme të akreditimit, (dpa.gov.al) por në fakt aty gjendet certifikata e akreditimit vetëm për ISUV dhe jo për ndonjë laborator të AKU-së.

Investimet e BE-së

Siguria ushqimore është një ndër kriteret e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Që nga viti 2009, nëpërmjet programeve të ndryshme janë akorduar rreth 6 milion euro, të cilat synojnë garantimin e cilësisë së produkteve. Pjesa më e madhe e fondeve ka shkuar në ndërtimin e laboratorëve dhe pajisjen e tyre me aparatura për matjen e pesticideve në produktet bimore.

“BE ka mbështetur ndërtimin dhe laboratorët e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU) në kuadër të Instrumentit të Ndihmës së Para-Anëtarësimit (IPA), më konkretisht programet e vitit 2009 dhe 2010, me një buxhet prej 0.69 milionë Euro për dizajn dhe mbikëqyrje dhe 4.23 milionë Euro për ndërtim. Në fund të projektit u ndërtuan / rindërtuan nëntë zyra rajonale dhe laboratorë të AKU-së. Ekziston gjithashtu një mbështetje e vazhdueshme nga programi IPA – 2013 – në shumën prej 1.38 milionë Euro për sigurimin e pajisjeve laboratorike që lidhen me cilësinë e ushqimit për ushqimet e papërpunuara dhe ato të përpunuara, si dhe mbetjet e pesticideve në ushqimet me origjinë bimore”, mbështetje kjo që përfundon në 2019 dhe synon “të rrisë kapacitetet monitoruese dhe analitiketë laboratorëve në përputhje me standardet e përmirësuara kombëtare”-sqarohet në përgjigjen zyrtare të delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë

Zyra e BE-së do të ngre një grup auditimi për fondet e akorduara përgjatë këtyre viteve.

“Delegacioni i BE-së do të ndërmarrë një auditim për të verifikuar përdorimin dhe mirëmbajtjen e këtyre infrastrukturave. Ne do të jemi në gjendje të identifikojmë çdo boshllëk të mbetur dhe të sigurojmë rekomandimet e nevojshme për qeverinë shqiptare për të garantuar pajtueshmëri të plotë me kërkesat e BE-së, si dhe qëndrueshmërinë e sistemit”– sqarohet me tej në përgjigjen zyrtare.

Fakti që laboratorët e AKU-së nuk garantojnë dot cilësinë e produkteve penalizojnë edhe ata prodhues që synojnë tregjet evropiane.

Sokol Stafa, e cili që prej 15 vitesh merret me certifikimin e produkteve “bio” në vendin tonë, shprehet se situata kaotike ku ndodhet siguria ushqimore bën që shpeshherë produktet shqiptare të shihen me dyshim. ” Nëse duam që produktet tona të jenë në tryezën e BE-së, ku edhe duam të anëtarësohemi, atëherë duhet të garantojmë se çfarë ai ka brenda. Këtu tek ne ka ende sëmundje zoonotike që as nuk mendohet, ka brucelozë. E si mund të flitet për siguri ushqimore në këtë kushte”, – thotë Stafa.

Ekspertët tregojnë se laboratorët e pa-akredituar dhe lëvizja e stafit sa herë që ndërrohet një drejtor, mbeten pika e dobët e sigurisë ushqimore në vendin tonë. ” Janë dhënë miliona euro për laboratorët, por stafi ndryshohet sa herë ndryshohet drejtori. Dhe ne jemi në pikën, kur kemi aparatura, por nuk kemi kapacitete. E për çfarë na duhen”,-thotë Stafa.

Pavarësisht qasjes në letra për të orientuar fermerët drejt produkteve organike, për vitin 2019 Ministria e Bujqësisë ka dhënë asnjë fond për mbështetjen e atyre që merren me kultivimin e produkteve nën markën “bio”.

“Për të analizuar një produkt organik, nuk bëhet fjalë sepse ne nuk kemi laboratorë për këtë grup prodhimesh, – shpjegon eksperti Stafa.

Por edhe për produktet konvencionale, as laboratorët e AKU e as ISUV nuk mund të kryejnë analiza për mbetje të rrezikshme kimike (përveç 3-4 llojeve që mund të kryejë ISUV). “Ne nuk kemi laboratorë të akredituar, që do të thotë që analizat që bëhen në Shqipëri nuk njihen në vendet ku ne eksportojmë. Jemi të detyruar t’i bëjmë vetë, jashtë Shqipërisë të gjitha analizat.” – pohon Stafa.

Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinare është i vetmi laborator reference në Shqipëri. Aktualisht realizon 340 lloje analizash dhe 53 teste të akredituara, ndërsa në fillim të 2018 kishte vetëm 8 të tillë.

Pëllumb Aleksi, ish drejtori i Institutit të Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë, I tha se vitin e fundit shërbimi është përmirësuar ndjeshëm.

Sa i përket zbulimit të mbetjeve të rrezikshme apo pesticide, Aleksi mendon se nuk ka laborator në botë që zhvillon çdo lloj analize. “Sigurisht që ne nuk bëjmë çdo lloj analize. Ka disa lloje analizash që nuk na kërkohen shpesh ndërkohë që ngritja e laboratorëve apo mirëmbajtja e aparaturave për to kanë kosto shumë të mëdha. Në këto raste ne i dërgojmë jashtë, në laboratorë me të cilët kemi bashkëpunim”, – shpjegon Aleksi duke insistuar se analizat e ISUV njihen kudo.

Mirëpo Sokol Stafa, i cili i duhet të çojë analiza për sigurinë dhe cilësinë e produkteve në laboratorët e Evropës, thotë të kundërtën.

Institutit të Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë, sipas tij i është dhënë certifikata e kreditimit vetëm për analizimin për salmonelë sipas metodave/matricave të përcaktuara. Ekspertët thonë se ky laborator është i pa akredituar për mbetjet në produkte.

“Këto kryejnë analiza vetëm për vezën dhe qumështin, Por edhe në vezë e kanë mjaft të limituar në produkte të DDD dhe lindanit si dhe chlorpyrifos etil e cila përdoret për trajtime në ambiente të brendshme” shpjegon Sokol Stafa, sipas të cilit mungon e gjithë gama e analizave që ka lidhje me lëndët aktive të preparateve që përdoren gjerësisht në bujqësi sidomos në kultivime.

Ekspertët thonë se kryen vetëm 13 analiza nga së paku 520 të tilla që duhet të kryhen. Por erdhe rastet e analizuara sërish ngrenë pikëpyetje.

“Më konkretisht ISUV e dedekton praninë e pesticideve nëse ata kanë një sasi prej 0.06 – 0.2 mg/ kg. Do të thotë se nëse mbetja është 0.05 mg/kg laboratori nuk mund ta gjejë, ndërkohë që shumica e laboratorëve e kapin që në 0.01mg/kg. ndërkohë që ka disa produkte nuk e gjen dot mbetjen edhe nëse ajo është 0.19 mg/kg.”, – thotë Stafa.

Ndërsa Genc Juka, i cili ka qenë i pari drejtor i AKU, e vë gishtin tek gjurmueshmëria. “Problemi më i madh i ynë është se ne nuk kemi gjurmueshmëri, prodhimi në treg është anonimin dhe si pasojë askush nuk është përgjegjës. Nuk dihet kush e ka prodhuar, si e ka prodhuar .Çdo produkt që del në treg duhet të ketë kod, ambalazh dhe pastaj është e lehtë të gjesh se kush abuzon. E keni vënë re kur blini portokall që vijnë nga Greqia. Çdo kokërr është me etiketë. Nëse nuk rregullojnë gjurmueshmërinë nuk kemi bërë asgjë” – thotë Juka.

Për ish Ministrin e Bujqësisë, Edmond Panariti, siguria ushqimore nuk është çështje penalitetesh. “Problemi qëndron në pamundësinë për të parandaluar abuzimet”, – shpjegon Panariti, sipas të cilit fermerët nuk janë të ndërgjegjshëm se çfarë po përdorin dhe si ta përdorin. Trupa e inspektorëve është shumë e pakët.

Një tjetër problem për ish Ministrin e Bujqësisë është rekrutimi i stafit të pa specializuar. “Laboratorët vuajnë për mungesë stafi, staf të pakualifikuar, mungesë materialesh jetike, si age apo terrene të ndryshme. Megjithëse është investuar në disa aparatura të fjalës së fundit, shpeshherë ka mungesa elementare dhe shumë padituri”– arsyeton ish Ministri.

Pavarësisht situatës gri në të cilën lëviz siguria ushqimore në vendin tonë, Rudina Hyka, ende mbetet e vendosur të merret me bujqësi. “Synymi im është të mbetem një kultivuese e vogël shafrani. Kam nxjerrë në treg prodhimet e para, kam krijuar rrethin tim të klientëve, jam certifikuar si produkt “bio”, pa asnjë lloj ndërhyrjeje dhe kam mundësi ta dërgoj edhe jashtë. Sigurisht që çdo lloj analize do të vazhdoj t’i bëj jashtë”, përfundon ish mësuesja e Arteve të Bukura Rudina Hyka.
*Ky artikull eshte prodhuar nga Qendra e Tiranes per Gazetari Ekselente (TCJE.org), nen projektin “Siguria Ushqimore: A mund te besojme ne ato qe hame,” me mbeshtetjen e Ambasades Amerikane ne Tirane, permes programit te Komisionit Demokratik te Granteve te Vogla (Democracy Commission Small Grants Programme). Pikëpamjet dhe mendimet e shprehura në këtë artikull u takojnë autorëve dhe nuk reflektojnë domosdoshmërisht politikat zyrtare apo qëndrimet e asnjë agjencie te Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

*Titulli origjinal: U shpenzuan 6 milion euro për ndërtimin e laboratorëve por nuk kryejnë as analizat më të thjeshta të produkteve ushqimore

SHPËRNDAJE