Në zgjedhjet e para mbas Luftës së Dytë Botërore, më saktë në 2 dhjetor 1945, qytetarët e thjeshtë shqiptarë mund të votonin duke hedhur gogla në një kuti. Atyre u ishte thënë ta mbanin goglën të mbërthyer në grusht, ta fusnin dorën në të dyja kutitë e votimit e ta lëshonin goglën në kutinë që preferonin. Ata thonë që kutitë që përfaqësonin opozitën, krahun që konkuronte me Partinë Komuniste, kishin në fund një veshje metalike e cila do të kërciste duke zbuluar kësisoj “tradhëtarin” që po lëshonte goglën aty. Në atë kohë, Demokratët kishin hyrë në votime me kandidatë të pavarur, e megjithëse arritën të marrin 6.2% të votave, nuk fituan asnjë vend në parlament. Fronti Demokratik, mbas të cilit fshihej Partia Komuniste, mori të gjitha vendet nga 82 që ishin atëherë.
Plot treçerek shekulli më vonë, qytetarët shqiptarë janë edhe më të ekspozuar se gjyshërit e tyre e të tradhëtuar nga kërcitja e goglës. Në 30 qershor, në qoftë se do të zgjedhin të shkojnë në qendrat e votimit, do të kenë vetëm një alternativë, të votojnë për kandidatin e mazhorancës, të Partisë Socialiste, e të jenë korrektë me ndryshimet “Rilindase” të saj, gjë e cila është ravijëzuar si një profil i veçantë këta vitet e fundit.
Polarizimi midis dy kampeve politike ka shkuar në ekstrem. Pavarësisht mesazheve të kohëve të fundit dhe veprimeve që tregojnë se me gjasë dhuna do të përmbahet, nuk ka asnjë garanci që Dita e Zgjedhjeve nuk do të shenjohet nga incidente. Gjithsesi, edhe sikur atë ditë të mos ndodhë asgjë e këtij lloji, tashmë dëmi është bërë. Sistemi politik i kontrollit dhe i balancës ka dështuar dhe, në qoftë se shumica materjalizon heqjen e Presidentit, sikurse është zotuar, atëherë do të mbyllet edhe rrethi vicioz e kaotik i një partie që ka në dorë të gjitha pushtetet.
Komuniteti ndërkombëtar në Shqipëri i është larguar rolit të zakonshëm të tij të mediatorit. I vetmi reagim i balancuar erdhi me vendimin e Komisionit të Autoriteteve Lokale të Këshillit të Europës i cili anulloi misionin e vet vëzhgues me argumentin që nuk ka kuptim vëzhgimi në zgjedhje me një palë të vetme. Të njëjtën gjë duhet të kishte bërë më herët edhe Misioni i OSBE/ODHIR-it për të ruajtur legjitimitetin e vet e gjithashtu për të nxitur zgjidhjen e krizës. Duke mbështetur njërin krah, ky institucion ka luajtur gjithashtu rol në përkeqësimin e polarizimit në terren.
Zgjedhjet në 30 qershor nuk i shërbejnë asnjë qëllimi, asnjë interesi e në thelb askujt. Zgjedhjet e vetme që do të kishin ndihmuar në rivendosjen e legjitimitetit dhe autoritetit të një qeverie normale e demokratike do të kishin qenë zgjedhjet e menjëherëshme të përgjithshme, sidomos mbas skandaleve të publikuara në mediat e huaja që ofronin prova për lidhje solide midis krimit të organizuar dhe shumicës aktuale politike në të paktën dy rajone (Durrës, Dibër), e me shumë gjasë në të gjitha rajonet. Këto zgjedhje, po të ishin bërë në përputhje me rregullat dhe me pjesëmarrjen e të gjitha palëve, do të kishin qenë zgjidhja e krizës. Tashmë është shumë vonë.
Është dëmtuar qeverisja e vendit, e ardhmja, integrimi, ekonomia dhe imazhi. Mungesa e përgjegjësisë dhe e përgjegjshmërisë për sa i përket krimeve elektorale rrit gjasat që ky dëm të kalcifikohet e të shkojë e të shndërrohet në një të defekt afatgjatë e fatal në sistem. Mungesa e vullnetit për të dialoguar siguron që rruga e zgjidhjes të mbetet e bllokuar.
Vetëm pak orë kanë mbetur deri në 30 qershor. Në 1 korrik vendi do të zgjohet në një realitet më të zymtë, në krizë edhe më të thellë, me një numër në rritje biznesesh dhe donatorësh të huaj që bëjnë gati valixhet, me një arsye më shumë për vendet europiane që të debatojnë mbi kthimin e regjimit të vizave për Shqipërinë.
Duke qenë se kanë mbetur vetëm pak orë, ndoshta është krejt e padobishme një thirrje e fundit për zgjidhje, për përgjegjshmëri, për vizion. Ndoshta e vetmja thirrje që mbetet për të bërë është për të gjitha palët që t’i qëndrojnë larg dhunës e të shmangin zhytjen e vendit në një situatë edhe më katastrofike që nuk do të çonte askund.