Nën diellin pervëlues dhe maskimin mashtrues të jetës që po ndodh, situata kaotike politike, ekonomike dhe sociale në Shqipëri po përkeqësohet.
Ka një rrëmujë të plotë, të thellë dhe absurde në ndërveprimin institucional të politikës, institucioneve elektorale dhe sistemit gjyqësor. Gjatë 48 orëve të fundit, janë marrë të paktën tre vendime divergjente nga Gjykata e Shkallës së Parë në lidhje me njohjen e mandateve nga kryebashkiakët të cilët pretendojnë se kanë fituar zgjedhjet e 30 qershorit. Vendimi i një gjyqtareje në jurisdiksionin e Durrësit deklaron se materialet elektorale janë të pavlefshme dhe si rrjedhojë rezultati i vendimit nuk mund të certifikohet nga gjykata. Ky vendim i marrë në masë do të te thoshte se i gjithë procesi ishte i paligjshem. Megjithatë, kolegu i saj në të njëjtën ndërtesë të Gjykatës së Durrësit nuk e sheh këtë keqfunksionim dhe e ka marrë vendimin në favor të kandidatëve të tjerë duke i njohur mandatet e tyre. Në një gjykatë tjetër, gjyqtari deklaroi se Gjykata ishte “e paaftë” për të vendosur mbi çështje të tilla dhe ia referoi materialin Gjykatës Administrative. E njëjta çështje, tre opinione, e ardhmja që nuk dihet.
Në një nivel tjetër, një luftë intensive por e pakuptimtë po ndodh midis Kryeministrit i cili tallet me datën e 13 tetorit të dekretuar nga Presidenti dhe këtij të fundit i cili vazhdon t’i kthejë mbrapsht projektligje Kuvendit.
Në prapaskenë, mazhoranca vazhdon të konsolidojë dhe të përqendrojë të gjithë pushtetin në duart e veta. Drejtimi i ekonomisë nga PPP-të eshtë në aktivitet të plotë, duke ngjasuar me aventurat e “Perëndimit të Egër”. Më e fundit po propozohet për të menaxhuar rezervat e karburantit dhe me potencialin per të rritur edhe një herë çmimin e lartë rekord të karburantit në krahasim me rajonin dhe pjesën më të madhe të shteteve Europiane.
Çdo zë mospajtues, madje edhe ai më i vogli dhe më simboliku pushohet me forcë të plotë. Ilustrues i kësaj është shembulli i ish-Ministrit socialist të Financave dhe aktualisht pjesëtar i Bordit të Bankës Qendrore, Arben Malajt. Mazhoranca ka nisur hapa zyrtare për ta hequr atë nga pozicioni i tij vetëm si pasojë e postimeve në faqen e tij të Facebook, ku shprehej kundër kryebashkiakut të Tiranës.
Duket se jetojmë në një Republikë ku çdo njeri i fuqishëm vazhdon të rishkruajë rregullat dhe t’i sjellë në favorin e tij, ku brishtësia e çdo institucioni pengon funksionimin e tij minimal dhe ku teatri i absurdit vazhdon të thellohet. Pavarësisht se shteti është zhytur thellë ne errësirë, të gjithë vazhdojnë të gërmojnë më tepër.
Ndërkohë treguesit të cilët shfaqin realisht situatën e shtetit janë në rënie. Investimet e huaja kanë arritur një nivel historik të ulët. Turizmi i cili supozohej të ishte në sezonin e pikut, po ndjen përsëri ndikimin e paqëndrueshmërisë politike dhe më e rëndësishmja, atë të investimeve sistematike dhe të qendrueshme në infrastrukturë. Gjatë kësaj kohe, fqinjët tanë vazhdojnë të mbajnë konkurrencën e egër. Në përpjekje të dëshpëruara për të bërë çfarë munden, operatorët e turizmit përgjigjen me rritje çmimesh, duke i bërë pushimet pothuajse të papërballueshme për pjesën më të madhe të shqiptarëve.
Të privuar nga çdo shpresë për të ardhmen, të rinjtë shqiptarë jane më shumë se kurrë të etur për tu larguar. Vetëm pak orë pas mbarimit të provimeve të Maturës, numri i nxënësve në gjimnaz të cilët kishin aplikuar për studime jashtë kishte arritur menjëherë në mijëra. Profesionistët e rinj ndjekin gjithashtu shembullin, me një numër aplikimesh për t’u larguar drejt shteteve të cilët kanë politika migratore miqësore, si Kanadaja dhe Gjermania.
Kjo na lë me një kërkim për të gjetur shkëndijën e një zgjidhjeje. Para zgjedhjeve të qershorit, komuniteti ndërkombëtar vazhdonte të përsëriste mantrën “në fillim zgjedhjet, më pas dialogu”. Pjesa e dytë duket se është harruar. Palët nuk kanë lëvizur asnjë centimetër nga hendekët e tyre. Premisat per dialog janë akoma më të pakta tashmë që pozita e konsideron veten si fituesen përfundimtare.
Megjithatë, kjo nuk e ndryshon faktin se janë qytetarët shqiptarë të cilët janë humbësit në këtë lojë. Paqëndrueshmëria, kaosi, imazhi i një shteti që po rend i verbër në errësirë, duke u bërë më autoritar dhe më pak i institucionalizuar është në fund të fundit kundër interesit të qytetarëve. Zgjidhja, siç argumentojnë disa, nuk nevojitet për t’i dhënë mundësinë hapjes së negociatave për anëtarësim në Tetor. Ajo duhet për të sjellë qeverisjen e këtij shteti brenda shinave të rregullit kushtetues, brenda kornizave të normalitetit.