Nga Republikë në lagje, një shoqëri në ikje

0

Ditët e sotme ikja masive e shqiptarëve jashtë shtetit nuk është e nevojshme të paraqitet me shifra. Njerëzit e ndiejnë atë në përditshmërinë e tyre, me pjesëtarët e familjes, fqinjët, kolegët dhe miqtë e tyre që gjithnjë e më shumë, marrin valixhet dhe shpërngulen jashtë vendit. Megjithatë, edhe për ata pak skeptikët e mbetur, kryesisht ndër rradhët e klasës politike që po e bën ‘një sy qorr e një vesh të shurdhër’ kundrejt këtij fenomeni, shifrat pësuan sërish një rritje në dy muajt e parë të këtij viti. Vetëm në 2018, INSTAT numëronte përafërsisht 46 000 shtetas shqiptarë që kishin braktisur vendin e tyre. Gjithsej, më shumë se 350 000 kanë emigruar vetëm gjatë tetë viteve të fundit. Për më tepër, në një studim të kryer nga Qendra Kërkimore Pju (Pew Research Center) dhe disa nga skenarët e Kombeve të Bashkuara mbi ndryshimet demografike, parashikimet për Shqipërinë duken të zymta: një skenar realist parashikon se popullsia e Shqipërisë do të tkurret në afro 1 milionë banorë deri në fund të këtij shekulli; ndërsa skenari më negativ, parashikon gjysmën e këtij numri, duke bërë që harta e popullsisë së vendit t’i përngjajë asaj të një lagjeje modeste të një qyteti të madh.

Shqipërisë, megjithatë nuk do t’i duhet të presë deri në fund të këtij shekulli për të ndjerë barrën e tkurrjes dramatike të popullsisë së saj. Çdo gjë që e mban gjallë strukturën e shoqërisë së saj: skema e pensioneve, burimet njerëzore të sektorit shëndetësor, ajo çka ka mbetur nga cilësia e arsimit të lartë dhe vetë shpresa për ndryshim politik – është në rrezik për t’u shpërbërë para syve tanë, shumë shpejt.

Në mes të kësaj humbjeje të popullsisë, ikja e trurit është më e dhimbshmja për t’u observuar: një numër i madh mjekësh, inxhinierësh apo dhe studentësh të shkëlqyer po e braktisin vendin me ritme të shpejta, duke e privuar kështu Shqipërinë nga më të mirët dhe më të mirë-arsimuarit, duke i thelluar kështu më tej sfidat strukturore të tranzicionit të pafundëm të vështirësive.

Rishfaqja e migrimit dhe në veçanti e ikjes së trurit është një fenomen i dallueshëm në mbarë rajonin. Nisur nga prezenca dhe efekti dërrmues i këtij fenomeni, është e habitshme pse klasa politike në të gjithë rajonin ka vendosur ta trajtojë këtë temë si një oportunizëm të hidhur shifrash. Në rastin e Shqipërisë, sjellja cinike kundrejt fenomenit dhe përpjekjet për ta normalizuar atë janë edhe më të rënda.

Në kontrast me qeverinë, qytetarët shqiptarë duken shumë më të vëmendshëm ndaj kësaj çështjeje, ndonëse me një frymë dorëzimi ndaj fatit. Ndërsa të rinjtë bëjnë gati valixhet për të ikur, brezi i vjetër vajton fatin që e pret vendin e privuar prej të rinjve dhe perspektivës, ndërsa prindërit në moshë të mesme i janë futur punës për të njohur mekanizmat ligjorë për t’u bashkuar ligjërisht me familjarët e tyre jashtë kufijve.

Pikërisht këtu qëndron miti i parë që duhet të demaskohet, nëse duam t’i drejtohemi shoqërisë në ikje. Kjo nuk është e paevitueshme, nuk është “e shkruajtur”. Largimi është rezultati i disa dekadave autoritarizëm, kaosit, luftës së përbrendshme, korrupsionit, nepotizmit dhe militantizmit politik.

Për cilindo individ, ky është një vendim personal dhe familjar. Megjithatë, ne nuk duhet të harrojmë që në fund të ditës, fitorja u përket atyre që qëndrojnë për të përfituar më shumë kur mbeten vetëm dhe të lirë për të bërë ç’të duan. Dhe më e rëndësishmja, është humbja e shoqërisë sonë, e vendit tonë.

SHPËRNDAJE