LEDION KRISAFI
Hyrje
Gjeografikisht Shqipëria dhe Polonia janë shumë larg për të ndikuar drejtpërdrejtë njëra-tjetrën. Por në periudha të caktuara, interesa të përbashkëta ose një ideologji e përbashkët i ka lidhur. Kontaktet më të hershme ndërmjet shqiptarëve dhe polakëve janë në kohën e Skënderbeut, kur Vladisllavi i Tretë, Mbret i Polonisë, i dërgoi një letër miqësie Skënderbeut.[1] Në shekujt e mëvonshëm, në Poloni u shkruan shumë libra rreth Skënderbeut dhe luftës shqiptare kundër Perandorisë Osmane. Ndër librat e parë të shkruar nga të huaj rreth Skënderbeut ishte libri O Skanderbegu macedonie albańskim książęciu, nga Marçin Bielski, botuar në Krakovë në 1564. Bielski në kronikën e tij ka shkruar gjerësisht për Skënderbeun dhe shqiptarët duke u bazuar tek veprat e Marin Barletit nga Shkodra. Vepra e Barletit, Historia et vita et gestis Scanderbegi Epirotarum, botuar në Itali ndërmjet viteve 1508 dhe 1510, u përkthye në polonisht dhe u bë burim i punimit të Bielskit, por gjithashtu dhe për dhjetra libra të tjera rreth Skënderbeut botuar në polonisht në shekujt në vijim.
Në shekujt e mëvonshëm, ndërkohë që tokat shqiptare ishin pjesë e Perandorisë Osmane, interesimi i intelektualëve dhe udhëtarëve polakë ka qenë i vazhdueshëm, veçanërisht në shekujt XVIII dhe XIX. Ky interes ishte i përqëndruar më së shumti në popullatën katolike shqiptare në veri të vendit. Disa udhëtarë polakë vizituan dhe shkruan për këto zona. Marçin Çerminski ishte një prift katolik që vizitoi Shqipërinë e veriut në fund të shekullit të XIX, ndërkohë që ai territor ishte ende pjesë e Perandorisë Osmane dhe pak i njohur në qarqet intelektuale polake.[2] Çerminski shkruan rreth ndarjes mes gegëve dhe toskëve, rreth zakoneve tradicionale, fenomenit të gjakmarrjes në veri të Shqipërisë, traditës së Besës ndër shqiptarët dhe një informacion të gjithanshëm rreth dioqezave katolike në atë pjesë të vendit. Çerminski gjithashtu kishte zhvilluar dhe një udhëtim tjetër të mëparshëm në tokat shqiptare në Vilajetin e Janinës në 1887.
Këto kontakte ndërmjet dy popujve ishin ende jo zyrtare, më shumë në pjesën e kureshtjes dhe marrjes së informacionit, për shkak se Polonia dhe Shqipëria ishin ende në Perandorinë Ruse dhe atë Osmane përkatësisht. Vetëm pas pavarësisë së Shqipërisë në 1912 dhe Polonisë në 1918, marrëdhëniet ndërmjet dy popujve morën një përmasë shtetërore. Qeveria shqiptare i dërgoi një notë qeverisë polake për njohjen e saj pas fundit të Konferencës së Paqes në Paris. Viti 1937 cilësohet si fillimi i marrëdhënieve zyrtare diplomatike ndërmjet Shqipërisë dhe Polonisë, por Shqipëria në atë kohë mbulohej nga ambasadori polak në Athinë, Greqi, ndërkohë që shteti shqiptar nuk kishte mjetet financiare për të hapur një ambasadë në Varshavë.[3]
Periudha komuniste
Pas fundit të Luftës së Dytë Botërore, Shqipëria dhe Polonia u gjendën në të njëjtin kamp ideologjik, të bashkuara nga ideologjia marksiste-leniniste, e frymëzuar dhe drejtuar nga Moska. Dallimi në këtë situate ishte se Partia Komuniste Shqiptare erdhi në pushtet pa ndikimin ose ndihmën e drejtpërdrejtë të Moskës ose Ushtrisë së Kuqe, ndërkohë që në Poloni, udhëheqësi i ri komunist i detyrohej Moskës dhe Ushtrisë së Kuqe për pushtetin e tij. Kjo situatë e re ndërkombëtare e ndryshoi marrëdhënien ndërmjet Shqipërisë dhe Polonisë. Por në atë kohë, marrëdhëniet politike mes dy vendeve ishin ende të pakta. Për arsye financiare, Shqipëria përsëri nuk hapi një ambasadë në Varshavë, por ambasadori shqiptar në Moskë, Koço Tashko, ishin përgjegjës edhe për Poloninë.[4] Gjithashtu në shtator 1947, në Szklarska Poreba, në jug-perëndim të Polonisë, nëntë parti komuniste evropiane themeluan Informbyronë, por Partia Komuniste Shqiptare nuk ishte ftuar, duke qenë e përfaqësuar nga Partia Komuniste Jugosllave.
Përveç dy marrëveshjeve ekonomike në 1949, në shkurt të po atij viti, Republika Popullore e Shqipërisë u bashkua me Këshillin e Ndihmën Ekonomike Reciproke (Comecon) të sapokrijuar, duke hyrë kështu në skemën shumëpalëshe të marrëdhënieve ekonomike të vendeve të Bllokut Komunist, të drejtuar nga Moska.
Në të njëjtën kohë, në 1948, gjatë debatit Tito-Stalin, në të cilin Shqipëria ishte një prej çështjeve kryesore, Partia e Punës së Polonisë mori anën e Moskës dhe rrjedhimisht atë të Shqipërisë kundër udhëheqjes jugosllave, duke qenë pjesë e nënshkruesve të rezolutës së Bukureshtit ‘’Në lidhje me situatën në Partinë Komuniste Jugosllave’’, në qershor 1948 duke dënuar Partinë Komuniste Jugosllave për ndjekjen e ‘’një vijë të pasaktë mbi çështjet kryesore të politikës së brendshme dhe të jashtme, një vijë që paraqet shkëputje nga Marksizëm-Leninizmi’’.[5]
Me dëbimin e Jugosllavisë dhe Partisë Komuniste Jugosllave nga Blloku Komunist, marrëdhëniet politike ndërmjet Shqipërisë dhe Polonisë, mund të zhvilloheshin në një nivel më të lartë. Në 1957, Musin Kroi u caktua ambasadori i parë shqiptar në Poloni. Në vitet e para pas kësaj ngjarjeje, pati një rritje të marrëdhënieve, veçanërisht në pjesën ekonomike. Në janar 1951, u nënshkrua një tjetër marrëveshje ekonomike, bashkë me një marrëveshje kredie për Shqipërinë në vlerën e 46 milionë rublave, prej të cilave 21.5 milionë u dhanë për pajisjen dhe shërbimin e transportit hekurudhor, 10.5 milionë për minierat dhe 14 milionë rubla për importin e të mirave dhe shërbimeve jo për investim. Polonia duhej të financonte një pjesë të planit pesëvjeçar të Shqipërisë, veçanërisht në lidhje me zhvillimin e industrisë. Falë kredisë polake, Shqipëria hapi miniera, ndërtoi një central elektrik, një fabrikë tekstili në Tiranë, një fabrikë sheqeri në Korçë dhe një rafineri nafte në rajonin e Elbasanit. Gjithashtu, në janar 1951 të dy vendet nënshkruan një marrëveshje pesëvjeçare për bashkëpunimin shkencor dhe teknik që përfshinte dërgimin e ekspertëve polakë, veçanërisht inxhinierëve, gjeodezistëve, në Shqipëri si këshilltarë. Bashkëpunimi i mëtejshëm ekonomik u rregullua përmes disa shkëmbimeve tregtare dhe marrëveshjeve pagese, krediti dhe huaje. Shqipëria ishte gjithashtu një pjesëmarrëse e rregullt e Panairit Ndërkombëtar të Tregtisë në Poznan.
Por marrëdhëniet ekonomike vareshin në një masë të madhe nga marrëdhëniet politike.
Shqipëria kundërshtoi kritikën ndaj kultit të Josif Stalinit në Kongresin e 20-të të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik në 1956 dhe në 1961 zyrtarisht doli kundër deklaratës së këtij Kongresi rreth bashkëekzistencës paqësore të regjimeve të ndryshme, që u pasua me një shkëputje të marrëdhënieve politike dhe ekonomike me Moskën, duke mbyllur bazën ushtarake sovjetike në portin e Vlorës dhe përvetësuar nëndetëset sovjetike. Në konfliktin sovjeto-kinez, Shqipëria mori anën e Pekinit që çoi në rritje të ndihmës ekonomike kineze deri në vitin 1978, kur Kina filloi reformat për hapjen e tregut të saj.
Shkëputja sovjetiko-shqiptare u pasqyrua dhe në marrëdhëniet e Tiranës me Poloninë. Që nga viti 1961, shqiptarët në Poloni filluan të shfaqen gjithmonë e më rrallë, për shembull në 1965 me rastin e Kongresit Botëror të Unioneve të Punës, ku përsëritën kritikën e tyre kundrejt doktrinës së ‘’bashkëekzistencës paqësore’’ dhe Bashkimit Sovjetik në përgjithësi dhe marrëdhëniet dypalëshe u kufizuan në shkëmbime tregtare dhe ngjarje sportive.
Pas krizës dypalëshe dhe shumëpalëshe, operatori kombëtar turistik i Polonisë anulloi të gjithë turet turistike në Shqipëri në verë të vitit 1961, pavarësisht se kishte vendosur një përfaqësues të përhershëm në Shqipëri si lehtësues turizmi. Në atë kohë, Shqipëria filloi t’i refuzonte qytetarëve polakë vizat e hyrjes.
Marrëdhëniet diplomatike në nivelin e ambasadorëve u vazhduan deri në 1966 dhe më pas, u ulën në nivelin e të ngarkuarve me punë. Përkundër vendeve të tjera komuniste si Hungaria, Bashkimi Sovjetik, Çekosllovakia, Polonia nuk i prishi menjëherë marrëdhëniet diplomatike. Në 1962, Polonia u bë vendi i parë nga Blloku Komunist që nënshkroi një marrëveshje të re ekonomike me Shqipërinë pas shkëputjes së vitit 1961.
Incidenti më i lartë në marrëdhëniet diplomatike mes dy vendeve ishte largimi nga Polonia në 1965 i ish anëtarit të Komitetit Qëndror të Partisë Komuniste Polake dhe ish Ministër i Ekonomisë Komunale, Kazimierz Mijal. Ai qëndroi në Shqipëri deri në vitin 1977, nga ku drejtoi gjithë veprimtarinë e tij politike kundër regjimit polak. Pas këtij incidenti, Polonia dëboi ambasadorin shqiptar Mihal Priti dhe qeveria shqiptare bëri të njëjtën gjë me ambasadorin polak në Tiranë, Stanislav Rogulski.
Pas vdekjes së Enver Hoxhës në prill 1985, regjimi tashmë i drejtuar nga Ramiz Alia u përpoq të ndryshonte diçka në politikën e jashtme shqiptare, duke rritur nivelin e marrëdhënieve me botën e jashtme, por në fund pak u ndryshua. Në 30 maj 1985, kombëtarja polake e futbollit luajti kundër Shqipërisë në Tiranë. Ata u shoqëruan nga një grup gazetarësh, që çoi në një numë të madh shkrimesh për Shqipërinë në shtypin polak.
Me rastin e përvjetorit të 40-të të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike në nëntor 1985, kryeministri polak Vojçeh Jaruzelski i dërgoi një telegram Ramiz Alisë. Marrëdhëniet diplomatike u rivendosën në dhjetor 1990 dhe shkëmbimi i ambasadorëve u bë në 1992.
Polonia dhe Shqipëria në periudhën post-komuniste
Në vitet e fundit, Polonia është shaqur si një prej ekonomive me rritjen më të shpejtë në Bashkimin Evropian. Me rritjen ekonomike dhe popullsinë e pestë më të madhe në BE, roli dhe pesha e Polonisë në çështjet e BE-së është rritur. Kjo gjë është pasqyruar në marrëdhëniet polako-shqiptare të viteve të fundit. Pas rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike në 1992, marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Polonisë janë shumëfishuar. Në vitet 90-të, të dyja vendet ishin në process të konsolidimit të institucioneve të reja dhe zbatimit të reformave ekonomike. Polonia ishte veçanërisht vepruese gjatë luftës në Kosovë në 1999. Dërgoi në Shqipëri 140 ushtarë në kuadër të Forcës shqiptare të NATO-s (AFOR). Një mission mjekësor polak erdhi në prill 1999 dhe përfshinte 14 zjarrfikës nga Skuadra e Shpëtimit dhe Kërkimit në Nowy Sacz, 5 mjekë, një infermiere dhe një përkthyes si dhe 3 makina shpëtimi me pajisjet e duhura, ashtu si dhe ilaçe, fasho, pako të ndihmës së shpejtë, etj.
Misioni krijoi kampe refugjatësh në Laç dhe më vonë në Ndroq si dhe një spital fushor. Grupe lëvizëse gjithashtu po punonin në kampet e tjera, si në Mamurras, Shënkoll, Lezhë dhe Kater. Gjatë The Mission established refugee camps in Laç and later in Ndroq, and a field hospital. Mobile teams were also working in other refugee camps, in Mamurras, Shënkoll, Lezhë. Gjatë luftës në Kosovë, qeveria polake ofroi strehim për 1049 refugjatë Kosovarë, shumica shqiptarë, të cilët qëndruan në Cieplice dhe Przysieka. Pas fundit të konfliktit, grupi i fundit i tyre la Poloninë në 13 gusht 1999. Prania ushtarake polake në Shqipëri mori fund në shtator 1999.
Për momentin, marrëdhëniet ushtarake polako-shqiptare zhvillohen në kuadër të marrëveshjes së bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes nënshkruar në Varshavë në 18 korrik, 2003, që hyri në fuqi në 30 maj 2004. Gjithashtu këto marrëdhënie zhvillohen edhe në kuadër të anëtarësisë së Shqipërisë dhe Polonisë në NATO. Polonia ishte gjithashtu një prej vendeve të para që ratifikoi Protokollin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO në vjeshtën e vitit 2009, duke pasuar nënshkrimin e Protokollit në 8 korrik të atij viti. Që nga viti 2009 Shqipëria dhe Polonia janë anëtare të NATO-s. Të dyja vendet kanë marrë pjesë në misione ushtarake në Afganistan, Irak dhe vende të tjera. Të dyja kanë mbajtur të njëjtat qëndrime kundrejt çështjeve të rëndësishme të sigurisë duke përfshirë dhe kërcënimin nga veprimtaritë ruse në Evropën Lindore dhe më gjerë.
Veçanërisht në vitet e fundit, Polonia është bërë një nga mbështetëset më të zëshme të Shqipërisë dhe veçanërisht të anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian. Kjo ka ecur krahë për krahë me rritjen e staturës ekonomike të Polonisë brenda BE-së. Polonia jo vetëm ka mbështetur vazhdimisht hapjen e negociatave me Shqipërinë pa asnjë kusht, por gjithashtu ka kritikuar Bashkimin Evropian për shtyrjen e negociatave, veçanërsisht vendimet e verës dhe vjeshtës së 2019.[6]
Shqipëria dhe Polonia erdhën nga e njëjta përvojë komnuiste dhe e njëjta periudhë tranzicioni në vitet 90-të drejt ekonomisë së tregut dhe institucioneve të reja. Polonia dhe vendet e tjera të Vishegradit, të gjitha vende ish komuniste me të njëjtat përvoja si Shqipëria, janë të vetëdijshme për rëndësinë që një proces i qartë integrimit evropian ka mbi reformat dhe zhvillimin ekonomik të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Për këtë arsye, në vitet e fundit këto vende janë bërë gjithmonë e më shumë mbështetëse të Shqipërisë dhe vendeve të tjera të rajonit. Gjithashtu, Polonia ka theksuar integrimin e Ballkanit Perëndimor dhe nga një këndvështrim strategjik, si çështje sigure dhe qëndrueshmërie e të gjithë kontinentit.[7] Për shkak të histories së saj, Polonia është e vetëdijshme për ndikimin shkatërrimtar që Rusia mund të ketë në Ballkan dhe një mungesë e perspektivës evropiane të Ballkanit Perëndimor mund të jetë e rrezikshme për të gjithë kontinentin.
Në dy vitet e fundit marrëdhëniet politike mes Shqipërisë dhe Polonisë janë ngritur në një nivel më të lartë pas visitës së kryeministres polake Beata Szydlo në Tiranë në dhjetor 2016., pasuar nga vizita e Ministrit të Jashtëm të Polonisë në 2018. Në vitin 2014, Ministri i Jashtëm Shqiptar, Ditmir Bushati vizitoi Varshavën dhe nënshkroi një memorandum bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Polonisë për çështjet e integrimit në BE.[8] Polonia jo vetëm që po mbështet procesin integrues të Shqipërisë duke qenë një prej mbështetësve më të zëshëm për hapjen e negociatave me Shqipërisë, por gjithashtu po ofron përvojën e saj si një prej vendeve më të suksesshme.
Marrëdhëniet ekonomike
Shqipëria dhe Polonia vijnë nga e njëjta e kaluar komuniste me ekonomi të centralizuara, të cilat kaluan një proces privatizimi dhe hapjeje të tregut në tre dekadat e fundit, që nga rënia e regjimit komunist në të dy vendet. Në këtë periudhë, Polonia, për arsye të ndryshme, është zhvilluar më shumë ekonomikisht se Shqipëria, ku të ardhurat e saj për frymë janë rritur me 6% çdo vit në tre dekadat e fundit, duke u rritur shtatëfish në krahasim me momentin e rënies së komunizmit. Ky process nuk ka ndodhur në Shqipëri. Gjithashtu, ekonomikisht Shqipëria është më shumë e prirur drejt Italisë dhe Greqisë, ndërkohë që Polonia drejt Gjermanisë dhe vendeve të tjera të Vishegradit. Këto dy aspekte e kanë kushtëzuar marrëdhënien ekonomike shqiptaro-polake.
Në katër vitet e fundit, tregtia mes dy vendeve është rritur në mënyrë të konsiderueshme, nga 48.4 milionë euro në 2014 në 73.4 milionë euro në 2018. Në këtë ndryshim, më mbresëlënese kanë qenë eksportet shqiptare drejt Polonisë, të cilat janë rritur nga 7.7 milionë euro në 2014 në 17.1 milionë euro në 2018.[9] Krahasuar me vitin 2017, ka patur një rritje prej 3 të eksporteve dhe 10% të importeve. Por në katër vitet e fundit, krahasuar me vitin 2014, ka patur një rritje prej 122% të eksporteve shqiptare drejt Polonisë dhe një rritje prej 38.2% të importeve nga Polonia.[10]
Struktura e shkëmbimeve tregtare mes Shqipërisë dhe Polonisë është e ndryshme për secilin vend. Tre mallrat kryesore më të eksportuara nga Polonia në Shqipëri janë duhani, që përbën 27% të të gjitha eksporteve Polake drejt Shqipëri në 2017; sheqeri me 6.1% dhe pelenat me 4.1. ndërkohë që eksportet e Shqipërisë për në Poloni janë këpucë, që përbëjnë pothuajse 30% të të gjitha eksporteve shqiptare drejt Polonisë në 2017; peshku dhe produktet e tij me 10.7% të eksporteve dhe malli i tretë më i eksportuar janë veshjet.
Siç tregojnë dhe shifrat e mësipërme, tregtia e Shqipërisë me Poloninë është shumë më e vogël se ajo me Italinë, Greqinë, Gjermaninë, Turqinë, Kosovën apo Serbinë. Në të njëjtën kohë, niveli i investimeve polake në Shqipëri është shumë i ulët, vetëm 600 mijë euro në 2017.[11]
Rritja e viteve të fundit në tregtinë mes dy vendeve është ndihmua nga politikat e të dy qeverive për të nxitur tregtinë. Një prej këtyre nismave është Forumi Ekonomik Shqipëri-Poloni, organizuar në Tiranë në dhjetor 2016, ku fokusi ishte tek investimet polake në Shqipëri, bashkëpunimi mes kompanive nga të dyja vendet dhe nënshkrimi i dy marrëveshjeve ekonomike në lidhje me bashkëpunimin e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë me homologen e saj polake dhe një marrëveshje tjetër ndërmjet agjencive të investimeve.[12] Rritja e tregtisë dhe interesi i zhvillimit të mëtejshëm u konfimua nga kryeministra polake Beata Szydlo në visitën e saj zyrtare në Tiranë në dhjetor 2016.[13]
Më herët, në vitin 2007, Polonia dhe Shqipëria krijuan një Komision të Përbashkët Polako-Shqiptar për Bashkëpunimin Ekonomik, që u mblodh për herë të pare në dhjetor 2008 në Tiranë.
Gjatë atij takimi të pare, palët ranë dakord që bashkëpunimi ekonomik do të koordinohet nga Agjencia Polake për Zhvillimin e Sipërmarrjes dhe dhe marrja e përvojës së Polonisë në prodhimin e energjisë elektrike dhe shfrytëzimit të minierave ashtu si dhe bashkëpunimi shkencor dhe teknologjik në miniera dhe tubacionet e gazit.
Misioni i pare ekonomik polak me përfaqësues të 18 sipërmarrjeve vizitoi Tiranën dhe Durrësin në 7-8 qershor 2010 dhe mori pjesë në një seminar për të mësuar më shumë rreth aktivitetit ekonomik në Shqipëri. Sipërmarrjet polake gjithashtu u përfaqësuan në Panairin Ndërkombëtar KLIK EXPO në Tiranë në 25-30 nëntor 2010 me 21 biznese dhe në Ekspozitën Ushtarake Shqiptare organizuar në tetor 2010 me 11 biznese.
Për Poloninë këto zhvillimi hapin një panoramë të re në marrëdhëniet me Shqipërinë dhe Ballkanin Perëndimor në përgjithësi. Për shkak të ekonomisë së saj në rritje dhe peshës në Bashkimin Evropian, Polonia po përpiqet të diversifikojë marrëdhëniet dhe interest e saj ekonomike.
Por ende ka problem. Pavarësisht marrëveshjeve dhe memorandumeve të bashkëpunimit, shkëmbimet tregtare mes dy vendeve janë ende të ulëta krahasuar me potencialin që ekziston nga të dyja vendet. Veçanërisht eksportet shqiptare në Poloni janë shumë të ulëta, megjithëse në rritje në dy vitet e fundit. Mallrat bujqësorë, për të cilat Shqipëria për shkak të pozicionit gjeografik dhe klimës, ka avantazh krahasues, mund të jenë një prej fushave me potencialin më të madh për të rritur tregtinë mes dy vendeve, që deri më tani nuk është shfrytëzuar shumë.
Në të njëjtën kohë, investimet polake në Shqipëri janë ende shumë të vogla, pavarësisht interesit të treguar nga kompani polake dhe potencialit që ekziston, veçanërisht në fushën e energjisë. Për shembull, në vitin 2016 nuk kishte asnjë investim polak në Shqipëri. Disa prej arsyeve për këtë situate janë mungesa e njohurisë për situatën ekonomike në Shqipëri, sistemi i taksave, largësia gjeografike dhe mënyrat e ndryshme të të bërit biznes në Shqipëri dhe Poloni.
Kjo situatë mund të krahasohet me tregtinë e Polonisë me Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut, dy vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor si Shqipëria. Tregtia e Polonisë me Serbinë në 2018 ishte 1.2 miliardë euro[14], krahasuar me 73.4 milionë euro me Shqipërinë, ndërkohë që me Maqedoninë e Veriut ishte pak më shumë se ajo me Shqipërinë.
Marrëdhëniet kulturore dhe turizmi
Marrëdhëniet kulturore kanë qenë të rëndësishme që nga lidhjet e para ndërmjet shqiptarëve dhe polakëve në Mesjetë. Ky interes ka qenë më shumë i njëanshëm, më shumë nga Polonia drejt Shqipërisë se sa e kundërta. Dhe në shekujt XIX dhe XX, gjatë udhëtimeve në Shqipëri, udhëtarët polakë kanë shkruar rreth etnografisë dhe çështjeve gjuhësore në lidhje me shqiptarët dhe gjuhën shqiptare. Në shekullin e XX-të, një prej albanologëve kryesorë në botë ishte polaku Waclaw Cimochowski (1912-1982), i përkushtuar në kërkime për gjuhën shqipe. Ndër të tjera, ai shkroi një vepër të rendësishme mbi pozicionin gjuhësor të ilirishtes ballkanike brenda gjuhëve indo-evropiane. Një tjetër albanolog polak ishte Waldemar Jan Dziak, professor në Universitein e Gdanskut dhe Institutin e Studimeve Politike në Akademinë e Shkencave të Polonisë, i cili ndër të tjera shkroi një liber mbi politikën e jashtme të Shqipërisë së pas-luftës, me titull ‘’Shqipëria ndërmjet Beogradit, Moskës dhe Pekinit, 1948-1978’’ dhe botuar në 1989.
Në të njëjtën kohë, shkrimtarët polakë kanë qenë vazhdimisht të pranishëm në tregun shqiptar të librit. Disa libra nga Ryszard Kapuscinski janë përkthyer në shqip, si ‘’Imperium’’, ‘’Udhëtime me Herodotin’’ dhe ‘’Perandori’’. Poezia e fitueses së çmimit Novel Wislawa Szymborska është përkthyer dhe vlerësuar gjerësisht ashtu siç ka qenë rastin me nobelistin tjetër Czeslaw Milosz, libri i të cilit ‘’Mendja e mbërthyer’’ ka kaluar në disa botime në shqip. Nobelistja e re Olga Tokarczuk gjithashtu ka qenë e pranishme në gjuhën shqipe edhe para fitimit të çmimit Nobel ashtu si dhe poeti më i madh polak Adam Mickiewicz me përkthimet e Lasgush Poradecit dhe Ismail Kadaresë[15].
Në vitet e fundit disa prej romaneve të Ismail Kadaresë janë përkthyer në polonisht ashtu siç janë përkthyer dhe vepra nga Fatos Kongoli, Fatos Arapi, Ylljet Aliçka dhe autorë shqiptarë nga Kosova[16].
Një prej ndryshimeve më të mëdha në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Polonisë në vitet e fundit, ka qenë turizmi polak në Shqipëri. Në 2018 numri i turistëve polakë ishte 153 mijë, duke u rritur me 34% nga 2017[17]. Por megjithëse ka përjetuar një rënie prej 14% në vitin 2019, mbetet ende i lartë.[18] Kjo rritje e interesit të turistëve polakë për Shqipëri është bërë e mundur dhe nga fluturimet e drejtpërdrejta nga Krakova, Varshava dhe Katovice drejt Tiranës.
Përfundime
Shqipëria dhe Polonia vazhdimisht kanë patur marrëdhënie të mira në tre dekadat e fundit që nga rënia e regjimeve komuniste në vendet përkatëse. Fakti që të dyja vendet vijnë nga e njëjta e shkuar komuniste dhe kanë kaluar nëpër të njëjtën periudhë tranzicioni drejt ekonomisë së tregut në vitet 90-të, shërben veçanërisht për Shqipërinë si një shembull për t’u ndjekur. Për më tepër, Shqipëria dhe Polonia si vende anëtare të NATO-s ndajnë të njëjtat =konsiderata strategjike dhe të njëjtat kërcënime brenda Aleancës. Gjithashtu Polonia është një prej mbështetesve kryesorë të integrimit evropian të Shqipëri si një mënyrë për të siguruar dhe stabilizuar rajonin, por gjithashtu dhe për shkak të përvojës së saj, procesi i integrimit në BE është shtytës e konsiderueshme për reforma, zhvillim ekonomik dhe institucione të qëndrueshme. Edhe në këtë këndvështrim, Polonia mund të shërbejë si model për Shqipërinë.
Megjithëse në nivelin politik marrëdhëniet janë më të mirat e mundshme, në pjesën ekonomike tregtia mes dy vendeve është ende shumë e ulët, megjitëse në rritje. Polonia duhet të nxisë kërkesën për mallra shqiptare, veçanërisht ato bujqësore, por dhe për naftë dhe minerale, ndërkohë që Shqipëria duhet të jetë më shumë mikëpritëse për investimet polake. Dy vendet duhet të punojnë më shumë për të zbatuar shumë marrëveshjet ekonomike të nënshkruar mes tyre, në mënyrë që të nxisin rritjen e tregtisë dhe investimeve. Mjetet e duhura për ta bërë këtë tashmë janë.
[1] Tirana Times, Poland and Albania: Connected by the same spirit of freedom, May 5, 2017 http://www.tiranatimes.com/?p=132285
[2] Marcin Czerminski, Shqipëria, përshkrime historike, etnografike, kulturore dhe fetare, Onufri 2014
[3] Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, Marrëdhëniet Shqipëri-Poloni https://punetejashtme.gov.al/marredheniet-dypaleshe/marredheniet-shqip%D1%91ri-poloni/
[4] Prof.as.dr. Genci Luarasi, Në përvjetorin e 80-të të lidhjes së marrëdhënieve Shqipëri-Poloni, 14 maj 2017, Gazeta Dita
[5] Ivo Banac, With Stalin against Tito, 1988
[6] Poland Criticizes EU For Postponing Accession Talks With Albania, North Macedonia, Radio Free Europe, July 05, 2019 https://www.rferl.org/a/poland-criticizes-eu-for-postponing-accession-talks-with-albania-north-macedonia/30038958.html
[7] Ministry of Foreign Affairs Republic of Poland, Western Balkans, https://www.gov.pl/web/diplomacy/western-balkans
[8] Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, Marrëdhëniet Shqipëri-Poloni https://punetejashtme.gov.al/marredheniet-dypaleshe/marredheniet-shqip%D1%91ri-poloni/
[9] Ministerstwa Przedsiębiorczości i Technologii, WSPÓŁPRACA GOSPODARCZA Z ALBANIĄ,
[10] Ibid
[11] Ibid.
[12] Zhvillohet në Tiranë, forumi ekonomik Poloni-Shqipëri, https://uccial.al/index.php/2016/12/09/zhvillohet-ne-tirane-forumi-ekonomik-poloni-shqiperi/
[13] Premierzy Polski i Albanii: będziemy rozwijać i umacniać relacje pomiędzy Polską i Albanią https://www.tvp.info/35104884/premierzy-polski-i-albanii-bedziemy-rozwijac-i-umacniac-relacje-pomiedzy-polska-i-albania
[14] Ministerstwa Przedsiębiorczości i Technologii, Serbia, Informacja na temat współpracy gospodarczej z Polską
[15] Ben Andoni, Shqipëria dhe letërsia polake, Revista Europa, Nr. 4, 2014
[16] Po aty.
[17] INSTAT, Lëvizjet e shtetasve në Shqipëri, Dhjetor 2018
[18] INSTAT, Lëvizjet e shtetasve në Shqipëri, Tetor 2019