Viti 2019 ishte një ndër më negativët dhe më të pafatë për Shqipërinë që nga viti 1997. Një krizë politike e nxehtë ka lënë qytetarët pa një përfaqësim të denjë në parlament, pa rend kushtetues që siguron ndarjen e pushteteve ashtu si edhe me një ekonomi që po shkon e sigurtë drejt recesionit.
Zgjedhjet lokale që u mbajten në verën e vitit të kaluar, përfunduan me fitoren njëqind për qind të kandidatëve të qeverisë – të vetmit në garë duke i kthyer akrepat e orës së demokracisë tre dekada prapa, në atë Shqipëri ku zgjedhjet ishin një nga absurditetet më të pabesueshme: Pa parti dhe kandidatë alternativë. Një fiilm i vjetër në të cilin ende shqiptarët nuk e besojnë se kanë qenë protagonistë. Sidomos gjenerata e re e pas viteve nëntëdhjetë.
Situata në sektorin e drejtësisë nuk është më e mirë. Reforma e drejtesisë e tejzgjatur dhe mbushur me probleme, ka lënë shtetin pa një Gjykatë Kushtetuese dhe me një Gjykatë të Lartë jofunksionale. Përpos disa lëvizjeve që kanë hapur rrugën për rregullimin e këtyre boshllëqeve në fillim të vitit 2020, procesi është akoma i politizuar dhe kontroversial, pikërisht çfarë nuk duhet të ishte bazuar në objektivat e reformës.
Në krye të të gjithave, tërmeti i 26 nëntorit që mori mbi 50 jetë, plagosi qindra dhe shkatërroi jetët e shumë te tjerëve, nxorri në pah gjithashtu probleme strukturore të thella në qeverisje.
Në fund, si një dhuratë fundviti, Qeveria miratoi ligje drakoniane për të ‘rregulluar’ veprimtaritë e medias, të cilat padyshim do të imponojnë një mjedis kontrollues, ku propaganda dhe vetëcensura do të demtojnë më tej fuqinë e katërt.
Për sa i përket zhvillimeve politike që priten në 2020, një konkluzion është i qartë: 2019 bashkë me bagazhet e saj negative do i japë formë pjesës më të madhe të 2020, duke shkuar më tej në 2021. Situata brenda parlamentit i përket një absurditeti të veçantë. Opozita farse e cila zë vetëm një pjesë të karrigeve bosh, po përdoret për të legjitimizuar reformat kyçe, siç është reforma Elektorale.
Kjo thjesht garanton dështimin e parlamentarizmit në Shqipëri dhe mungesën e legjitimitetit. Në këtë aspekt, roli i komunitetit ndërkombëtar ka qenë kritik gjithashtu. Duke i njohur këta individë si pjesë të opozitës, komuniteti ndërkombëtar ka nxitur më tej krizën politike, në vend që të luante rolin e ndërmjetësit.
Politikat e brendshme
Disa ekspertë thonë se nëse reforma elektorale miratohet, një raund i ri zgjedhjesh mund ta pasojë atë për të testuar sistemin e ri mbi të cilin është rënë dakord. Megjithatë, nëse palët e interesuara të politikës shqiptare, pra opozita e vertetë që qëndron jashtë parlamentit nuk merr pjesë në këtë reformë, nuk mund të pritet më shumë se situata aktuale: bojkotime, kriza dhe përplasje. Në fakt, një ndër zhvillimet e paralajmëruara është rikthimi i protestave politike, siç u shpall nga Partia Demokratike.
Aktori tjeter kyç në arenë është Presidenti i Republikës i cili është akoma nën hetim parlamentar dhe akuzë të mundshme, megjithëse nuk ka shumë gjasa që kjo e fundit të ndodhë në mungesën e një Gjykate Kushtetuese. Autoriteti dhe ndikimi i Presidentit është ulur dhe dëmtuar ndjeshëm nga zhvillimet në 2019, ku Presidenti zgjodhi të mos japë dorëheqjen edhe pasi dekreti i tij për zgjedhje të reja në tetor nuk u mor parasysh dhe as nuk u publikua nga qeveria. Të drejtat kushtetuese të presidentit nuk po respektohen nga institucionet perkatëse.
Politikat e jashtme
Në mes të këtij konteksti të zymtë, kryesia e Shqipërisë në OSBE duket qesharake. Pavarësisht propagandës së shumicës që e sheh këtë si një mundësi për të promovuar Shqipërinë në arenën ndërkombëtare apo thjesht si një arritje, kryesia qëndron në kontrast të drejtpërdrejtë me atë çfarë përfaqëson OSBE, të paktën në parim: zgjedhje demokratike, institucione demokratike dhe legjitime që dalin nga zgjedhje të lira dhe të drejta, media e lirë…..
Duket shumë paradoksale. Shqipëria si kryetare e radhës e OSBE duhet të angazhohet për zgjidhjen e konflikteve ndërshtetërore por edhe konflikteve politike brenda shteteve anëtare të OSBE ndërsa është vetë e përfshirë në një konflikt të brendshëm politik. Në shtator të vitit të kaluar Presidenti i Shqipërisë i dërgoi letër Kryetarit të radhës të OSBE Z. Lajcak për t’i kërkuar ndihmë në zgjidhjen e krizës së brendshme politike në Shqipëri. Nëse ende Presidenti mendon se OSBE mund të ndihmojë në zgjidhjen e krizës plitike në Shqipëri, tani duhet t’i shkruajë Kryetarit të rradhës së OSBE, pra z. Edi Rama që është edhe kryeministri dhe njëra nga palët në konflikt. E nëse ky do të jetë i zënë më zgjidhjen e krizës mes Rusisë dhe Ukrainës nuk është pa gjasa që këtë detyrë t’ia delegojë ministrit në detyrë Genc Cakaj, i cili përndryshe është Kryetari i radhës në detyrë i OSBE.
Perspektiva e integrimit të Shqipërisë u godit përsëri në tetor të vitit të kaluar kur Këshilli i Bashkimit Europian nuk arriti në një vendim për hapjen e negociatave. E ardhmja e zgjerimit është gjithnjë e paqartë me kërkesa nga shtetet anëtare si Franca, për të ndryshuar metodologjinë dhe me këmbënguljen e shteteve anëtare të tjera për t’i dhënë dritën jeshile Ballkanit Perëndimor. Pritshmëri janë vendosur gjithashtu në Samitin BP-BE i cili do të mbahet në Zagreb në Maj, gjatë presidencës kroate të BE. Megjithatë, ka akoma tepër paqartësi në lidhje me mënyrën se si Bashkimi Europian do të veprojë në vazhdimësi me rajonin.
Ekonomia
Qytetarët shqiptarë nuk mund të falen për mosreagimin ndaj krizës politike, duke qenë se duhet të mbijetojnë në një mjedis ekonomik tejet të veshtirë ne jetët e tyre të përditshme. Rritja ekonomike është zbehur dhe per t’i bërë gjërat më të vështira, fatura e dëmeve që shkaktoi tërmeti do të ndikojë edhe në financat publike. Shumica ka shpallur një paketë rindërtimi ambicioze për strehimin e familjeve të ndikuara nga tërmeti dhe ka emëruar një ministër shteti si mbikqyrës, megjithatë shqetësime për menaxhimin dhe transparencën e procesit janë që tanimë të dukshme.
Ndërkohë, kostot e mëdha të PPP vazhdojnë të rriten dhe mungesa e transparencës dhe rregullimi i duhur i bën ato një rrezik të lartë për mirëqenien e ekonomisë në përgjithësi.
Megjithëse e kritikuar nga ekspertët dhe institucionet kombëtare e ndërkombëtare të ekonomisë, pala e shumicës është treguar kokëfortë në mbrojtjen e tyre si edhe në krijimin e PPP-ve të reja të cilat do të merren paraysh vitin e ardhshëm për projekte të ndryshme infrastrukturore dhe fusha të shërbimit publik.
Censusi kombëtar i ardhshëm
Instituti i statistikave (INSTAT) planifikon të kryejë censusin kombëtar të popullsisë dhe banesave në Shqipëri, i treti që do të kryhet në kohën postkomuniste pas atyre në 2001 dhe 2011. Ndërmarrjet e regjistrimit të popullsisë shpesh janë te diskutueshme në Shqipëri në lidhje me shifrat që prodhohem rreth përbërjes shoqërore të vendit.
Sporti: Shqipëria jashtë, Kosova ndoshta brenda
Skuadra kombëtare e Shqipërisë tashmë ka humbur mundësinë për të marrë pjesë në Kampionatin Europian të ardhshëm, megjithatë tifozët shqiptarë të futbollit do të vazhdojnë të brohorasin për ekipin e Kosovës i cili do të përballet me Maqedoninë e Veriut gjatë fillimit të vitit të ardhshëm në mënyrë që të kualifikohet. Ekipi i Kosovës ka akoma mundësinë për të marrë pjesë në garën prestigjioze që do të zhvillohet në 12 qytete të ndryshme europiane këtë verë dhe do të përdorë për herë të parë sistemin e diskutueshëm të VAR.