Forumi Ekonomik i Tiranës, një event me një emër disi pompoz, ia ka arritur gjithsesi të sjellë fokusin e diskutimeve në situatën aktuale ekonomike në Shqipëri dhe sfidat e saj të shumta. Në fjalimin e tij, Kryeministri Edi Rama parashtroi disa vëzhgime mbi gjendjen aktuale dhe disa prej masave që mund t’i adresojnë problemet.
Kur diagnoza është e pasaktë, kurat që ndiqen zor se do të funksionojnë.
Kryeministri ritheksoi që papunësia sipas statistikave të Bankës Botërore është në rekordet më të ulëta historike dhe deklaroi paraprakisht që kjo nuk vjen si pasojë e eksodit masiv të njerëzve. Ç’ironi e hidhur! Pikërisht në javën kur po zhvillohej Forumi, sondazhet vërtetuan sërishmi mungesën e mundësive të punësimit por njëherazi dhe pagat e ulëta, kushtet e këqija dhe një mungesë mundësish rritjeje në punë, ndër arsyet më të përmendura nga shqiptarët për të emigruar. Papunësia, thjesht si shifër, në fjalët e vetë Kryeministrit ‘nuk hahet’.
Vëzhgimi tjetër që u përmend ishte rritja në investimet e huaja direkte në Shqipëri. Kjo është akoma më e habitshme! Raportet ekonomike dëftojnë që me mbylljen e dy projekteve madhore, Gazsjellësit Trans Adriatik (TAP) dhe projektit hidroenergjetik të Devollit, Shqipëria po përballet me një rënie të ndjeshme të investimeve të huaja direkte. Lajmet mbi projekte të reja që do të zbatohen, me hapje pusesh të reja nafte në fusha potenciale të sapo-zbuluara, kanë mbetur vetëm në nivelin e studimeve të fizibilitetit, në rastin më të mirë. Planet e tjera për të ndërtuar aeroporte, gjithashtu, nuk duket se po ecin, me kompani të ndryshme ndërkombëtare që fillimisht i marrin përsipër, dhe më pas tërhiqen – me gjasa, për shkak të termave korruptivë të referencës që u vihen përpara.
Në kuadër të investimeve të huaja direkte, Shqipëria i ngjet një shkretëtire – edhe kur krahasohet me vendet fqinje. Në Serbi, Maqedoninë e Veriut dhe Mal të Zi, pavarësisht momenteve të destabilitetit, investimet nga Shtetet e Bashkuara, vendet e Bashkimit Europian, Turqisë dhe madje dhe vendet e Gjirit nuk kanë munguar dhe kanë ardhur duke u shtuar. Kjo vjen si rrjedhojë e klimës krahasimisht më të favorshme të investimeve që këto vende kanë ndërtuar dhe kanë arritur të mbajnë.
Pikërisht këtu qëndron vëzhgimi kryesor të cilit Kryeministri i vjen rrotull: shteti ligjor që është në qendër të ekonomive të suksesshme të tregut, parakushti parësor që investitori kërkon të shohë dhe garancia e zhvillimit të qëndrueshëm.
Kjo është veçanërisht e dallueshme edhe kur ai liston “kurën”: digjitalizimi i 95 për qind të shërbimeve, përmirësimi i transparencës së transaksioneve nga biznesi në biznes, lufta ndaj krimit të organizuar dhe shtrirja e tregjeve nëpërmjet bashkëpunimit rajonal. Kjo është para së gjithash një sërë masash që janë kundër logjikës. Shteti ligjor, që duhet të ishte fjala kyçe që duhej përmendur, mund të arrihet vetëm tërthorazi nga lufta kundër krimit.
Shërbimet digjitale tingëllojnë si një truk i bukur propagandistik, por që shpesh i zbehet shkëlqimi nga keqfunksionimi, me uebsajtet që kolapsohen shpesh të cilat brezat e vjetër në Shqipëri ende nuk mund t’i përdorin. Bashkëpunimi rajonal dhe tregtar, në një rajon të goditur rëndë nga problemet politike dhe hendeqet e thella të ndërlidhjes, janë sërish thjesht dëshira.
Por ka dhe një listë modeste kurash që mungojnë: shpërbërja e monopoleve dhe oligopoleve që po mbysin ekonominë dhe po rëndojnë ditë pas dite konsumatorin shqiptar, të zhveshur nga inovacioni dhe konkurrueshmëria; rishikimin e gjithë skemës obsesive të PPP që po i vendos financat publike para një rreziku ekstrem dhe së fundmi, përmirësimi i tregut të punës në të gjitha dimensionet e tij, duke përfshirë këtu sigurinë, që për rrjedhojë mund të ndihmojë në shpopullimin e vendit.
Pa këto, i vetmi progres ekonomik që ne do të shohim është rritja e gjigandëve të ndërtimeve, që lajnë para kat pas kati, në përpjekjet e tyre për të kapur qiellin.
Ndreqja e ekonomisë është punë e vështirë. Gënjeshtrat nuk do të ndihmojnë.