Tregohej një anekdotë e famshme në epokën sovjetike. Një dëgjues telefonon Radio Jerevanin për t’u drejtuar një pyetje: “A është e mundshme,” pyet ai, “të parashikohet e ardhmja?” I përgjigjen: “Po, sigurisht. Ne e dimë saktësisht si do të jetë e ardhmja. Problemin e kemi me të shkuarën: e shkuara na ndryshon vazhdimisht.”

Vitin e shkuar, përvjetori i revolucioneve të 1989-s të cilët i dhanë fund regjimit komunist në Europë, shërbeu si një kujtesë sesi e shkuara mund të transformohet. Episode të errëta të historisë që mendoheshin të ishin groposur, iu kthyen sërish opinionit publik si të ishin antagonistë të pavdekshëm.

Dhënia e çmimit Nobel për Letërsinë autorit Peter Handke shkaktoi valë zemërimi nëpër Ballkan dhe më gjerë. Austriaku mbahet si një prej shkrimtarëve më të mirë të ditëve të sotme të gjuhës gjermane. Mirëpo, ai ka zvogëluar vrasjet në masë të myslimanëve prej serbo-boshnakëve gjatë luftërave jugosllave të viteve 1990. Ai mbajti një fjalim në varrimin e Sllobodan Milloshevic, presidentit të Serbisë gjatë kohës së luftës, i cili vdiq ndërsa ishte në proces gjyqësor për krime lufte. Në një reagim të zemëruar, shkrimtari boshnjako-amerikano Aleksandar Hemon e quajti Z. Handke “Bob Dilani i apologjetëve të genocidit”.

Në Gjermani, një çift i pasur sipërmarrësish teknologjik blenë Berliner Zeitung, një gazetë ish-gjermano-lindore. Në një numër special që përkoi me 30-vjetorin e rënies së Murit të Berlinit, Holge dhe Silke Friedrich, të lindur në Gjermaninë lindore, shokuan shumë lexues me një editorial ku nxisnin një rivlerësim gjithëpërfshirës të së shkuarës dhe së tashmes së vendit të ribashkuar.

Më vonë rezultoi që Z. Friedrich kishte qenë një informator për Stasi-t, policinë e frikshme sekrete gjermano-lindore. Një ekzaminim i hollësishëm i dosjes së tij nga ish-kreu i arkivave të Stasi-t dhe një historian, e cilësonte bashkëpunimin me Z. Friedrich si të shkurtër, hezitues dhe më së shumti jo-produktiv. Megjithatë u theksua që dokumentat e disponueshme nuk e tregojnë kurrsesi në mënyrë të besueshme historinë e plotë.

Manifestoja e Friedrichs-ëve ishte ndoshta zbulimi më shpërthyes. Manifestoja fajësonte mungesën e vullnetit të Perëndimit për t’i “mbajtur dorën” presidentit rus, Vladimir Putin, për aneksimin e Krimesë dhe luftën në Ukrainën lindore. Ata argumentonin gjithashtu se gjermanët duhet t’i ishin mirënjohës Egon Krenz, liderit të fundit komunist të Republikës Demokratike Gjermane, për faktin që nuk dha urdhër të qëllohej mbi protestues paqësorë.

Disa prej burrave më të fuqishëm të botës e kanë kthyer në sport lojën me faktet, kohët e fundit. Në konferencën e tij vjetore, maratonë, me mediat në mes të dhjetorit, Z. Putin mbrojti paktin e neutralitetit Molotov-Ribbentrop të 1939 mes Rusisë dhe Gjermanisë, me pretendimin e pavërtetë që Bashkimi Sovjetik ka qenë shteti i fundit në Europë që nënshkroi një pakt jo-agresioni me Gjermaninë naziste.

Putin gjithashtu ndau qëndrimin e tij mbi nxjerrjen para gjyqit të Presidentit amerikan Donald Trump, për të cilin tha: “sipas mendimit tim, gjykimi i tij po bëhet për arsye plotësisht të fabrikuara” – një citim ky i përdorur dhe nga Z. Trump në një tweet triumfant ku e cilësone gjykimin e tij si “Një gjueti shtrigash!” Sakaq databaza e verifikimit të fakteve e Washington Post numëron aktualisht “15413 pretendime false apo çorientuese në harkun kohor të 1055 ditëve” prej Z. Trump.

Në 1989, kur historiani Francis Fukuyama spekuloi që eventet që shoqëronin rënien e Murit të Berlinit mund të ishin paralajmëruese të “fundit të historisë siç e njohim”, ai nënkuptonte fundin e ideologjisë dhe fitoren ndaj konsensusit liberal. Megjithatë, 30 vite më vonë, nuk është vetëm liberalizmi perëndimor nën rrezik nga jashtë dhe nga përbrenda, por kërcënohet dhe vetë nocioni i një moderniteti të bazuar në njohuri objektive, të bazuara në fakte.

Fjalimi i pranimit të Çmimit Nobel të Z. Handke në Stokholm mund t’i avitej aq shumë politikës sa që iu afrua fushës dhe me aforizmat përkatës (“tregoji ngjyrat e tua të vërteta derisa ta vërtetosh që ke të drejtë” tha ai). Por për kritikët e tij me përvojë, kjo deklaratë përsëriste tropin e pesimizmit kulturor që përshkon veprën e tij: i cili ka në thelb natyrën si burimin e vetëm të së vërtetës, jetën e fshatit si bërthamën e përkatësisë dhe korruptimin e jetës moderne.

Megjithatë pati dhe një Nobel të dytë në letërsi që u dha atë natë. Vitin e shkuar, akademia suedeze e shtyu dhënien e çmimit për shkak të një skandali ngacmimi seksual. Prandaj, vitin që shkoi, çmimi i vitit 2018 në Letërsi iu dha shkrimtares polake Olga Tokarczuk, e cila është kërleshur me nacionalistët e vendit të saj mbi çështje si ksenofobia dhe anti-semitizmi. Në fjalimin e saj Nobel, Znjsh. Tokarczuk trajtoi problemin e thënies së të vërtetës në mënyrë të drejtpërdrejtë. Fragmentimi kulturor, tha ajo, rrezikon të na kthejë në “ndjekës të forcave të thjeshta: qofshin këto fizike, shoqërore apo ekonomike – dhe që na diktojnë lëvizjen, si të ishim zombi”.

Megjithatë, argumentoi ajo, krizat klimaterike dhe politike të cilat ne po dëshmojmë ditët e sotme nuk janë rezultat i “kapriçove të fatit”, por janë pasojat e vendimeve të marra nga njeriu. Organizimi i fakteve, përcaktimi i shkakut dhe pasojës, shtoi ajo, është detyrë e shkrimtarit – por varet gjithashtu dhe sesi shoqëritë e rimarrin veten nga një e shkuar e përbashkët dhe sesi reagojnë përballë mundësisë së një të ardhmeje të përbashkët.

SHPËRNDAJE