ALBERT RAKIPI
Vizita e parë e Kryeministrit të ri të Kosovës, Albin Kurti, në Tiranë më 11 shkurt 2020, bëri edhe njëherë publike se në marrëdhëniet Shqipëri-Kosovë ka tensione dhe ekzistojnë mosmarrëveshje për çështje themelore të bashkëpunimit midis dy shteteve, përfshirë edhe pikëpamje të ndryshme për bashkëpunimin rajonal. Vetëm pak ditë pasi udhëheqësi i Lëvizjes Vetëvendosje arriti të krijonte një qeveri pas një koalicioni të vështirë me LDK, vendosi të vizitojë Shqipërinë si shteti i parë që viziton si Kryeministër.
Por pavarësisht nga karakteri simbolik, kjo vizitë rikonfirmoi varfërinë e marrëdhënieve midis dy shteteve, bashkëpunimin e dobët ekonomik, shkëmbimet e varfëra tregtare midis dy vendeve dhe rrjedhimisht, mungesën e investimeve respektive. Ndërkaq, përballë këtij realiteti, të dy kryeministrat zbuluan një “realitet” tjetër: Më shumë se shtatëdhjetë marrëveshje të nënshkruara midis të dy vendeve të cilat ose nuk janë zbatuar fare, ose zbatimi i tyre është i pjesshëm dhe për çështje jo substanciale. Kryeminstrat u angazhuan të ndërtojnë një komision ndërshtetëror për të kuptuar përse këto marrëveshje nuk funksionojnë.
Dymbëdhjetë vjet pas shpalljes së Kosovës si shtet i pavarur, marrëdhëniet me Shqipërinë ecin ngadalë, pa ndonjë domethënie të madhe për të dy vendet dhe për më tepër, me tensione në rritje.
Por së pari, përse kjo state of affairs midis të dy shteteve? Dhe pyetja e dytë e lidhur me të parën: Si mund të ndërtohet një axhendë normale dhe strategjike midis të dy vendeve në bazë të së cilës edhe Shqipëria, edhe Kosova, do ta ndihmonin realisht njëra-tjetrën? Nga pikëpamja stategjike, të dy vendet e shikojnë të ardhmen si dy shtete të pavarura, funksionale, me ekonomi të zhvilluar, dhe anëtare të Bashkimit Evropian.
Arsyet e largimit nga ky objektiv, njëherazi arsyet e tensioneve politike midis të dy vendeve janë të paktën dy. Së pari, Shqipëria aktualisht vijon të aplikojë një qasje paternaliste dhe here-herë arrogante ndaj Kosovës, çka u vu re edhe në shfaqjen e parë publike të të dy kryeministrave gjatë vizitës së parë të Z. Kurti në Tiranë, në kapacitetet e shefit të Qeverisë së re në Kosovë. Së dyti, është vënë re se Shqipëria, në marrëdhëniet e saj me Serbinë, ka marrë përsipër të flasë në emër të Kosovës, të përfaqësojë Kosovën dhe institucionet e saj, të negociojë në emër të Kosovës, madje dhe të ndërmjetësojë në emër të saj.
Askush nuk e ka ngarkuar me këtë mandat. Përkundrazi, udhëheqës të nivelit të lartë në Kosovë, fillimisht në një gjuhë të përmbajtur dhe më pas hapur, dhe me zë të lartë kanë kërkuar që Tirana ta ndalojë këtë rol paternalist. Sipas ish-Ministrit të jashtëm, Enver Hoxhaj “Ndërmjetësuesin midis Serbisë dhe Kosovës nuk mund ta luajë Shqipëria, pasi Shqipëria nuk e ka as fuqinë, as kapacitetet për ta bërë këtë rol.” Është BE dhe SHBA, sipas Hoxhaj, që duhet t’i ndërmjetësojnë marrëdhëniet midis shtetit të Kosovës dhe Serbisë. Por kjo nuk e ka ndaluar Kryeministrin e Shqipërisë të vijojë një mision imagjinar. Nga viti 2014 në çdo takim të Kryeministrit të Shqipërisë me ish Kryeministrin dhe Presidentin aktual Vucic, të Serbisë Kosova është qendrore, sikur Kosova të ishte një çështje midis Shqipërisë dhe Serbisë.
Për shkaqe të njohura historike, Shqipëria kurrë nuk e ka luajtur rolin e saj si shteti amë. Dhe aq më pak mund ta bëjë këtë pas vitit 2008, kur Kosova u bë një shtet i pavarur. Tingëllon paradoksale, por duket se Shqipëria e konsideron Kosovën si një krahinë autonome të vetën.
Kjo qasje paternaliste që harron se Kosova është një shtet i pavarur, ka bërë që nga agjenda normale bilaterale e të dy shteteve të bjerren çështjet normale të bashkëpunimit politik, bashkëpunimit ekonomik, shkëmbimet tregtare, bashkëpunimit kulturor, shkencor, akademik etj.
Agjenda normale dypalëshe midis Shqipërisë dhe Kosovës është ngushtuar dhe zbrazur, sepse Shqipëria do të luajë rolin kryesor në pajtimin në Ballkan midis shqiptarëve dhe serbëve. Shqipëria dhe Serbia, sipas kryeministrit të Shqipërisë, duhet të bëjnë atë që Gjermania dhe Franca kanë bërë me njëra-tjetrën.
Në fakt, pajtimi i shqiptarëve dhe serbëve në Ballkan, nuk varet nga Shqipëria dhe Serbia, por nga Kosova dhe Serbia. Ky është ekuacioni i paqes i ngjashëm me ekuacionin Gjermani-Francë. Këmbëngulja e Shqipërisë për të bërë paqe me Serbinë edhe në emër të Kosovës, e detyroi Presidentin Hashim Thaçi të deklarojë publikisht se “Paqja midis shqiptarëve dhe serbëve kalon nga Prishtina, dhe jo nga Tirana.”
Agjenda normale më tej është zëvendësuar me një agjendë false strategjike për ndërtimin e paqes në Ballkan sipas modelit Shengen.
Shengeni ashtu siç është implementuar në Europë është një botë idealiste dhe hëpërhë utopike në Ballkan. Tirana luan me idenë e mbështetjes perëndimore për mini-Shengenin ballkanik. Është shumë e gabuar të kushtëzosh bashkëpunimin dhe marrëdhëniet me Kosovën me Shengenin ballkanik (nëse i përmbahemi deklaratës së Ramës se pa mini- Shengen nuk ka makro-Shengen shqiptar.) Perëndimi, Bashkimi Evropian apo Shtetet e Bashkuara nuk janë kundër bashkëpunimit të Shqipërisë dhe Kosovës.
Thirrjet për heqjen e kufirit midis Shqipërisë dhe Kosovës janë ushtrime populiste që më e pakta mund të fshehin arsyet e verteta të marrëdhënieve të varfëra midis Shqipërisë dhe Kosovës. “Luftërat” për pataten, qumështin, miellin apo të tjerat në kufirin midis dy vendeve nuk janë për shkak të ekzistencës së kufirit, por për shkak të politikave, interesave oligarke, korruptive, nëse jo për shkak të interesave kriminale.
Është koha që Shqipëria dhe Kosova të ndërtojnë një agjendë normale dhe madje strategjike. Por për këtë, fillimisht do të duhet që Qeveria dhe Kryeministri i Shqipërisë të heqin dorë nga qasja dhe aksionet paternaliste ndaj Kosovës. Kryeministri Rama duhet të heqë dorë nga përdorimi proxy që i bën Kosovës për interesat e tij në dy rrafshe. Së pari, për të blerë mbështetje në Perëndim duke përdorur Kosovën. Duke u shfaqur si një lojtar i rëndësishëm, në mos më i rëndësishmi në të ardhmen e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.
Së dyti, loja proxy e Shqipërisë, në fakt e Kryeministrit, ka për qëllim të promovojë lidershipin e tij në Ballkan, krejtësisht i panevojshëm, i pabesueshëm, dhe i padobishëm.
Po kështu, protoganizmi i Kryeministrit të Shqipërisë për të ashtuquajturin mini-Shengen është në funksion të blerjes së mbështetjes perëndimore nën idenë e promovimit të një udhëheqësi reformator që po kontribuon për paqen në Ballkan përmes Shengenit – një institucion që askush nuk mund ta kritikojë në parim. Por ky udhëheqës që është angazhuar për një botë ideale përmes Shengenit në Ballkan, në gjashtë vjet qeverisje nga zero probleme me fqnjët, që premtoi më 2013 përfundoi në probleme me të gjithë fqinjët, përfshirë për fat të keq edhe Kosovën, ndërsa në politikat e brendshme, Shqipëria mbërriti në zgjedhje me një parti politike dhe me një parlament njëngjyrësh.
Edhe me Serbinë për të cilën mund të mendohet se marrëdhëniet janë të mira dhe po ecin, e vërteta është se marrëdhëniet karakterizohen nga status quo-ja. Nëse sigurisht, nuk konsiderojmë si arritje të marrëdhënieve Shqipëri-Serbi iniciativat e përbashkëta të Beogradit dhe Tiranës për paqen dhe ndërtimin e zonës Shengen në Ballkan. Nëse Serbia është e interesuar për ndërtimin e paqes edhe përmes zonës apo formulës Shengen, hapi i parë do të ishte ndalimi i fushatës së njohjeve ndaj Republikës së Kosovës, njohja e dokumenteve të udhëtimit dhe pasaportave siç kanë bërë disa vende që ende nuk e njohin Kosovën si shtet.
Një axhendë normale midis Shqipërisë dhe Kosovës do të kërkonte përpara zhvilimit të Shengenit ballkanik, zhvillimin, funksionimin dhe forcimin e marrëdhënieve shtetërore midis Shqipërisë dhe Kosovës, të cilat janë pothuaj në krizë.
Në Kosovë ka një qeveri të re dhe një kryeministër të ri, në fakt, një populist i cili deri sa erdhi në pushtet i përmbahej tezës që bashkimi kombëtar është sine qua non për zhvillimin dhe përparimin e Shqipërisë dhe Kosovës. Bashkimi kombëtar ka qenë the currency e ideologjisë politike të Z. Kurti por mbetet të presim si do të akomodohet. Por gjithsesi, Kurti ka të drejtë kur thotë se përpara se të merremi me Shengenin ballkanik duhet të merremi me makro-Shengenin shqiptar, i kuptuar ky sigurisht si bashkëpunim dhe intensifikim i marrëdhënieve politike ekonomike e gjithfarëllojëshe midis Shqipërisë dhe Kosoves – gjithmonë, si dy shtete të pavarura.