- Polonia gjithmonë ka qenë mbështetëse e zgjerimit të Unionit, veçanërisht të integrimit të Ballkanit Perëndimor. Cilat janë motivet e kësaj mbështetjeje dhe cili është vizioni i Polonisë për rajonin?
Qëkur Polonia u bashkua me Bashkimin Europian, përkatësisht në gjashtëmbëdhjetë vitet e fundit, ka qenë mbështetëse e politikës së zgjerimit që ne e vlerësojmë si një prej politikave më efektive për të dhënë rezultate të mira. Me këtë nënkuptoj jo vetëm efektin pozitiv që kanë fondet e BE mbi rritjen ekonomike dhe përmirësimin e standardeve të jetesës në vendet që janë bashkuar me BE-në, por gjithashtu aspektin gjeopolitik, përkatësisht zhvillimin e një zone të stabilitetit dhe begatisë në gjithë Europën. Në opinionin tonë, politika e zgjerimit është me rëndësi themelore për të ardhmen e BE-së. Për të siguruar qëndrueshmërinë dhe sigurinë në Europë, BE duhet të vazhdojë me vendosmëri politikën e saj të zgjerimit dhe të mbështesë reformat në vendet e Ballkanit Perëndimor në mënyrë që ata të bëhen anëtarë të BE-së në të ardhmen. Politika e zgjerimit ka gjithashtu një ndikim të mir të në rritjen ekonomike të BE dhe vendeve kandidate duke i lejuar ato t’i përgjigjen më mirë sfidave, si përmirësimi i nivelit të jetesës së njerëzve ose lufta ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Në dallim nga disa vende të tjera anëtare të BE, ne nuk jemi në dilemë për të mbështetur zgjerimin ose forcimin e BE. Zgjerimi i BE-së çon tek forcimi i saj dhe një perspektivë e qartë integrimi është faktori më i mirë shtytës për vendet kandidate që të ndërmarrin reforma. Për këto arsye, një proces i besueshëm zgjerimi është në interesin si të vendeve të Ballkanit Perëndimor, ashtu dhe të gjithë Bashkimit Europian. Kështuqë është një situatë ku të dyja palët fitojnë. Rajoni i Ballkanit Perëndimor është më rëndësi themelore për të forcuar sigurinë në sfondin e lëvizjeve migratore, terrorizmit, kërcënimeve hibride dhe kibernetike, ashtu si dhe të ndikimit destabilizues nga vende të treta.
Ne shpresojmë që shtetet anëtare të BE do të vendosin në favor të hapjes së negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut gjatë takimit të marsit të Këshillit Europian.
- Ka nga ata që thonë se arsyeja pse Ballkani Perëndimor duhet të bashkohet me BE-në është thjesht gjeopolitike: për të ndaluar aktorë të tjerë që të hyjnë dhe të mbushin hapësirën me ndikimin e tyre. A e ka dhe Polonia këtë pikëpamje?
Nuk mund të them që jemi pro kësaj qasjeje ndaj integrimit të Ballkanit Perëndimor, megjithëse qartazi ne e kuptojmë se ky rajon për shkak të rëndësisë së tij potentiale dhe gjeopolitike shpesh ka qenë skena ku vende të treta si Rusia dhe Kina luftojnë për ndikim. Ne jemi të shqetësuar me rritjen e përfshirjes së aktorëve të jashtëm, veprimet e të cilëve shpesh kanë një ndikim shkatërrimtar. Në vend të krijimit të dialogut dhe konsensusit, ato çojnë në rritjen e dallimeve ekzistuese dhe përshkallëzimin e tensioneve.
Sidoqoftë, mbështetja jonë për perspektivën euro-atlantike të Ballkanit Perëndimor është e bazuar tek arsyet pozitive, të tilla si zhvillimi i zonës së demokracisë, sigurisë dhe begatisë në Europë për përfitimin e dyanshëm si të BE-së me vendet e saj anëtare ashtu dhe të Ballkanit Perëndimor. BE bëri një angazhim ndaj shoqërive të Ballkanit Perëndimor për të lejuar këto vende të bashkohen me BE. Tani BE duhet të përmbushë angazhimin. BE gjithashtu duhet të prekë më qartë problemet shoqërore-ekonomike në rajon, duke përfshirë dhe ngecjen në vend të dialogut Beograd-Prishtinë ose krizën e re politike në Bosnje dhe Hercegovinë të shkaktuar nga prirjet decentraliste. Për shkak të rritjes së propagandës dhe aktiviteteve dezinformuese prej disa vendeve, ne besojmë se BE duhet të forcojë komunikimin e saj strategjik dhe të informojë më mirë shoqëritë e Ballkanit Perëndimor rreth efekteve pozitive të projekteve të zbatuara dhe qëllimit të përfshirjes së BE-së.
- Perspektiva e zgjerimit dhe metodologjia janë duke u debatuar dhe mund të ndryshohen. Cili është pozicioni i Polonisë për këto çështje? A janë diskutuar këto çështje gjatë debateve që janë zhvilluar në vendin tuaj?
Polonia mori pjesë në diskutimin për metodologjinë e zgjerimit edhe para se Komisioni të botonte Komunikimin e tij të shkurtit 2020. Bashkë me Austrinë dhe Italinë, ne paraqitëm vizionin tonë të riorganizimit të procesit të zgjerimit gjatë takimit të Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme në Bruksel në dhjetor 2019. Republika Çeke, Lituania, Letonia, Estonia dhe Malta u bashkuan me ne. Shumë elementë të përvijuar në non-paper-in tonë u përfshinë më vonë në Komunikimin e Komisionit.
Ne e mirëpresim propozimin e Komisionit dhe besojmë se jep një bazë të mirë për marrëveshje. Ne pajtohemi që procesi i zgjerimit duhet të jetë më efektiv, më i besueshëm dhe më i parashikueshëm. Sidoqoftë, disa propozime të paraqitura në Komunikim duhet të sqarohen para se të zbatohen. Gjithashtu, ende nuk është e qartë cilat vende do të preken nga metodologjia e re. Ato që tashmë i kanë filluar bisedimet do të jenë të lira të zgjedhin nëse duan ta pranojnë apo jo.
Ne gjithashtu besojmë se pranimi i metodologjisë së rishikuar të zgjerimit nuk duhet të vonojë vendimin për të hapur bisedimet me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Ne e përfshimë këtë mendim në një letër që Polonia bashkë me katërmbëdhjetë ministra të tjerë të jashtëm të BE-së i dërgoi Presidentit të Komisionit Europian nëntorin e kaluar.
- Cili është vizioni i Polonisë për Unionin, të ardhmen dhe rolin e tij në botë?
Pas bashkimit me BE-në në vitin 2004, anëtarësia jonë në BE ka qenë një forcë shtytëse për reformat e brendshme dhe zhvillimin e Polonisë. Ne dëshirojmë që BE-ja të jetë e hapur, transparente, e sigurt dhe e afërt me qytetarët. Vizioni jonë për BE-në bazohet mbi supozimin se ajo bashkon vendet që ndajnë të njëjtat vlera dhe histori. Për këtë arsye, vendi i Ballkanit Perëndimor dhe Shqipërisë duhet të jetë në BE. Politika e zgjerimit sjell rezultate të prekshme – qëndrueshmëri, rritje ekonomike dhe mbrothtësi. Ne besojmë se një Union i përforcuar në këtë mënyrë, duke folur me një zë, ndërkohë që qartazi duke ruajtur ndjeshmërinë kombëtare dhe identitetin, duke trajtuar njëlloj dhe me ndershmëri të gjithë anëtarët e tij dhe duke gëzuar lidhje të forta ndëratlantike, mund të ketë rol në botë dhe të zgjerojë këtë zonë të jashtëzakonshme sigurie dhe mbrothtësie.
- Franca dhe në veçanti Presidenti Makron kanë qenë të zëshëm duke i bërë thirrje BE-së të nisë një proces reformash me fokus sfondin gjeopolitik dhe global. Si i është përgjigjur Polonia kësaj thirrjeje?
Franca, ashtu si Polonia, dëshiron të kontribuojë aktivisht për të formësuar BE-në. Franca është një partner i rëndësishëm i yni dhe ne e vlerësojmë zërin e saj të fortë. Kishim një mundësi të diskutonim vizionet tona për të ardhmen e Europës gjatë vizitës së fundit të Presidentit Makron në Varshavë. Ne e ngritëm gjithashtu këtë çështje në takimet e Treshes së Vajmarit që bashkon Poloninë, Gjermaninë dhe Francën. Sot, vizione të ndryshme rreth formës së BE-së po përplasen në Europë. Polonia mbështet një Bashkim Europian të fortë që ka një ndikim të mirë mbi zonat e tij të afërta. Në këndvështrimin tonë, nuk është e mundur të ndërtohet një Union i tillë pa zhvillimin e një politike zgjerimi të besueshme dhe lidhje të forta ndëratlantike. Koha do tregojë se cila ide do dëshmohet si më e sakta.
- Në vitet e fundit vëmendja dhe burimet e Varshavës që i dedikohen rajonit tonë, janë rritur ndjeshëm. Cilat janë interesat e përbashkëta që qëndrojnë pas kësaj rritjeje?
Në të vërtetë, Polonia kërkon të mbështesë vendet e rajonit jo vetëm në dimensione politike por gjithashtu përsa i përket teknologjisë dhe fondeve. Me Ballkanin Perëndimor ne ndajmë përvojat tona të procesit të tranzicionit të sistemeve dhe bisedimeve tona për anëtarësim në BE. Ky shkëmbim kryhet si pjesë e projekteve dypalëshe të tilla si Konferenca. Temat e konferencave zgjidhen nga partnerët tanë të Ballkanit Perëndimor dhe Ministria e Jashtme e Polonisë ka për detyrë të zgjedhë ekspertët e duhur nga institucionet polake.
Në 2015 nisëm të ashtuquajturën Akademi të Zgjerimit për zyrtarët nga të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor. Duke patur si fokus integrimin europian, programi i tij përfshin luftën ndaj korrupsionit, politikën e mirëqenies, digjitalizimin dhe bashkëpunimin rajonal.
Në 2017 nisëm një seminar rinor të përvitshëm të quajtur ‘’Kujtesa, Kuptimi, e Ardhmja’’. Sipas këtij projekti, të rinj nga Ballkani Perëndimor, Polonia dhe Gjermania mësojnë rreth përvojave të pajtimit polako-gjerman që mund të frymëzojnë afrimin mes shoqërive të Ballkanit Perëndimor. Nisma drejtohet nga Ministria e Jashtme Polake, fondacioni Kzhizhova për Ndërkuptimin në Europë, ambasada gjermane në Varshavë dhe përfaqësuesi rajonal i Komisionit Europian në Vrocau.
Për më tepër, administrata polake ka marrë pjesë në të ashtuquajturat projeketet e binjakëzimit në Ballkanin Perëndimor që në 2004, më së shumti në fushën e infrastrukturës dhe fondeve të auditit publik – deri më tani janë përmbyllur 13 projekte dhe dy të tjera janë në zbatim. Vlera e përgjithshme e projekte me pjesëmarrje polake arrin në 18 milionë euro.
Në konferencën e donatorëve për Shqipërinë, të organizuar pas tërmetit tragjik, Polonia pramtoi 2.7 milionë euro për të mbështetur rindërtimin e infrastrukturës në Shqipëri, gjë që na vendos në grupin e dhuruesve më të mëdhenj.
Të gjitha këto projekte dhe nisma na kanë lejuar të forcojmë lidhjet e miqësisë së Polonisë me Ballkanin Perëndimor, duke përfshirë dhe Shqipërinë.
- Mbledhja e Poznanit ishte një ngjarje e shkëlqyer që vërtetë tregoi përkushtimin e Polonisë ndaj procesit të Berlinit. Si do e vazhdojë Polonia këtë proces dhe rezultat e pritshme?
Pa dyshim, presidenca polake e procesit të Berlinit na lejoi të forcojmë më tej marrëdhëniet tona me vendet e Ballkanit Perëndimor. Megjithëse ne e udhëhoqëm presidencën në një kohë sfidash politike, si nga këndvështrimi i agjendës së Komisionit Europian (zgjedhjet në Parlamentin Europian, caktimi i Komisionit të ri Europian) ashtu si dhe të rajonit të Ballkanit Perëndimor, falë programit të pasur të gjerë të presidencës dhe mbledhjes së Poznanit, ne arritëm të ruajmë interesin e BE-së për të përgatitur Ballkanin Perëndimor që të bashkohet me BE-në. Mbledhja bashkoi dhjetëra krerë qeveritarë, udhëheqës të institucioneve europiane dhe institucioneve financiare ndërkombëtare dhe disa dhjetëra ministra të jashtëm, të ekonomisë dhe të brendshëm nga vendet pjesëmarrëse në procesin e Berlinit. Agjenda e procesit të Berlinit nuk synonte të shmangte diskutimet rreth çështjeve të vështira dypalëshe ose rolin e shoqërisë civile dhe një qasje e tillë u prit mirë. Unë jam i bindur se presidenca polake vuri në dukje edhe më tej synimet e partnerëve të Ballkanit për t’u bashkuar me BE-në mbi një agjendë europiane.
Gjatë Mbledhjes së Ballkanit Perëndimor në Poznan, u lajmërua paketa tjetër e ndërlidhshmërisë në Ballkanin Perëndimor. U caktuan mbi 180 milionë euro për të mbështetur projekte kyçe ndërlidhëse në rajon. Komisioni Europian nënshkroi një Letër Bashkëpunimi me institucionet financiare për të dhënë 20 milionë euro për të mbështetur sipërmarrjet e vogla dhe të mesme. Për më tepër, vendet e Europës jug-lindore nënshkruan një Memorandum duke krijuar një Institut rajonal për Teknologjitë e Qëndrueshme me qendër në Mal të Zi. Për më tepër, u lajmërua një plan për të përgatitur një strategji rajonale hekurudhore dhe drejtuesit e Ballkanit Perëndimor mbështetën deklaratën e integrimit të romëve.
Polonia gjithashtu dhuroi 1.5 milionë euro si mbështetje financiare për rajonin për projekte infrastrukturore në kuadër të Fondit të Investimit të Ballkanit Perëndimor. Gjithashtu dhamë fonde për Zyrën Rajonale të Bashkëpunimit Rinor (RYCO), që punon për të mbështetur brezin e ri dhe institucionet luftuese të korrupsionit dhe tregtisë së paligjshme të armëve. Gjithashtu i ofruam bursa studentëve nga rajoni për në Kolegjin e Europës në Natolin dhe e përfshimë rajonin në programet e bursave të dhëna nga Ministria Polake e Shkencave dhe Arsimit të Lartë. Programi Stefan Banah po pranon aplikime për bursa. Sipas këtij programi, studentët nga Ballkani Perëndimor mund të ndjekin studime me kohë të plotë në fushat e inxhinierisë, teknologjisë, bujqësisë, shkencave ekzakte dhe të jetës.
Ne përgatitëm dhe e drejtuam presidencën tonë drejt vëmendjes ndaj nevojave dhe pritshmërive të partnerëve tanë ballkanikë. Përparësitë dhe programi i presidencës polake të procesit të Berlinit erdhi prej këshillimeve me vendet e Ballkanit Perëndimor. Presidenca u drejtua në frymën e partneritetit dhe përgjigjesisë së përbashkët të të gjithë anëtarëve të nismës rreth së ardhmes së rajonit. Ishte gjatë presidencës polake që u mor vendimi që kryesimi i rradhës do të ndahej mes një vendi të BE-së dhe një vendi të Ballkanit Perëndimor. Jemi të lumtur që presidenca e përbashkët e Bullgarisë dhe e Maqedonisë së Veriut çon përpara përparësitë dhe formatin polak.
- Marrëdhëniet dypalëshe mes Shqipërisë dhe Polonisë po ecin përpara, megjithatë hapi i tyre mund të jetë më i shpejtë. Çfarë ide të reja dhe propozime mund të paraqiten në mënyrë që marrëdhënia të forcohet dhe zhvillohet më tej?
Polonia është aleate e Shqipërisë në NATO dhe një provomuese e vendosur e anëtarësimit në BE. Kur Shqipëria u godit nga një tërmet tragjik në nëntor 2019, ishte e qartë për ne që duhet të tregonim solidaritetin tonë dhe të ndihmonim shqiptarët. Mbështetja që premtuam gjatë konferencës së donatorëve për Shqipërinë të mbajtur javën e kaluar ishte një shprehje e miqësisë polako-shqiptare dhe një vazhdim i mbështetjes për Ballkanin Perëndimor dhe përfshirjes aktive të Polonisë në rajon.
Polonia dhe Shqipëria kanë bashkëpunim në shumë fusha. Në nivelin politik Polonia ndan përvojën e saj të periudhës së shndërrimeve dhe bisedimeve hyrëse përmes forumit të këshillimeve dypalëshe të cilësuar si konferenca e Tiranës. E fundit është mbajtur në shtator 2019 dhe u fokusua në politikën e kohezionit dhe bashkëpunimit territorial europian. Polonia është gjithashtu aktive në lidhje me bashkëpunimin binjakëzues. Në 2019, entitete publike polake fituan një tender me vlerë 1.3 milionë euro të quajtur Forcimi i aftësisë së Autoritetit Rrugor Shqiptar për të zbatuar praktikat e mirëqeverisjes për planifikimin, kontrollin, prokurimin, zbatimin dhe mirëmbajtjen e investimeve rrugore. Më herët (në 2016-2018), bashkë me Kroacinë, Polonia zbatoi një projekt binjakëzimi për forcimin e auditit të jashtëm në Shqipëri bashkë me Zyrën Kombëtare Shqiptare të Auditit.
Bashkëpunimi në fushën e arsimit të lartë gjithashtu po shkon mirë. Në gjysmën e dytë të këtij viti, Qendra e Studimeve Europiane në Universitetin e Varshavës do të hapë një degë kërkimi në Universitetin e Tiranës. Veprimtaria e kësaj njësie do të përfshijë gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe do të përfshijë dhe një kurs të gjuhës polake, do të nxisë bashkëpunimin mes Universitetit të Varshavës dhe institucioneve të tjera të larta arsimore polake me ato ballkanike.
Bashkëpunimi ekonomik luan një rol të rëndësishëm në marrëdhëniet dypalëshe. Sidoqoftë, vëllimi tregtar rreth 90 milionë euro në vit, sigurisht që nuk është mbresëlënës dhe nuk i përmbush pritshmëritë tona. Gjithashtu, në fushën e investimeve, ka shumë mundësi për rritje. Unë jam i bindur se bashkë me përparimin e Shqipërisë në rrugën e anëtarësimit europian, sipërmarrësit polakë do të jenë më të etur për të bërë biznes me partnerët e tyre shqiptarë.
- Një fushë konkrete ku shohim shumë gjallëri është turizmi dhe numri në rritje i qytetarëve polakë që vizitojnë Shqipërinë. Çfarë duhet bërë në këtë fushë për të patur rezultate të qëndrueshme në marrëdhënien tonë?
Shqipëria është një destinacion turistik popullor për polakët. Ata e vlerësojnë bukurinë e natyrës së saj dhe mikpritjen e miqve. Shumica e turistëve zgjedhin qytetet bregdetare, por sidoqoftë, gjithmonë e më shumë po vendosin të zbulojnë pjesët malore të Shqipërisë. Në 2018, mbi 150 mijë turistë polakë vizituan Shqipërinë dhe pavarësisht një rënie prej 14% në 2019, polakët ende përbëjnë grupin më të madh të turistëve të huaj që vizitojnë Shqipërinë, duke përjashtuar diasporën shqiptare. Ne besojmë se edhe më shumë turistë polakë do të udhëtojnë për në Shqipëri në të ardhmen, gjë që do të lehtësohet duke vendosur fluturime të rregullta në linjën Varshavë-Tiranë nga kompania ajrore polake LOT. Fillimisht, në qershor të këtij viti, kompania do të nisë lidhjet e rregulta stinore që do të kryhen në verë. Sigurisht që do të jetë një alternativë e rëndësishme për të shkuar në Shqipëri, përveç udhëtimeve me çarter dhe udhëtimit nga toka të zgjedhur nga shumë polakë.
- Nëse do të hidhnin një vështrim prej sëlarti mbi Poloninë, tre dekada pas rënies së komunizmit dhe Perdes së Hekurt, si do ta përshkruanit pamjen e përgjithshme?
Tre dekada pas rënies së komunizmit, Polonia është një vend i ri, i lidhur fort pas strukturave europiane dhe ndëratlantike. Ne jemi i vetmi vend në Europë që kemi patur një rritje ekonomike të vazhdueshme për thuajse 30 vjet. Ne përfitojmë nga anëtarësia në Bashkimin Europian dhe bashkimi me NATO-n mbi 20 vjet më parë na lejoi të modernizonim forcat tona të armatosura dhe të rrisnim sigurinë tonë. Polakët tani janë më të pasur, më mendjehapur dhe një komb më i mirëedukuar. Për më tepër, mbështetja e popullit polak për BE-në është një prej më të mëdhave ndër vendet anëtare. Polakët e vlerësojnë rëndësinë e saj për përparimin dhe mbrothtësinë e vendit tonë.