Është e natyrshme dhe mëse e pritshme të përfshihesh në gjendjen e panikut të momentit, në përpjekje për të bërë më të mirën për të frenuar përhapjen e epidemisë Covid-19. Sigurisht, zbatimi i masave parandaluese dhe monitorimi i afërt i situatës është i domosdoshëm. Megjithë kufizimet ekzistuese logjistike që ka, qeveria duket se po bën një punë të mirë, së paku sipas miratimit të zyrtarëve të Oganizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), të cilët e mirëpritën vendimin e shpejtë të qeverisë për të kufizuar ndërveprimet shoqërore.

Megjithatë, kritikët me të drejtë theksojnë nevojën e ndalimit më të herët të udhëtimeve për Italinë e Veriut, si dhe përgatitjen e vendeve të karantinimit shumë kohë më përpara se sëmundja të shfaqej brenda kufijve të Shqipërisë.

Përpos krizës së tanishme, në horizontin e kësaj situate me zhvillim të shpejtë, një tjetër rrezik na kanoset: problemet ekonomike dhe shoqërore që pritet të rriten si pasojë e impaktit të virusit brenda vendit dhe në mbarë globin. Para së gjithash, ekonomia shqiptare është tashmë vulnerabël: një klimë biznesi që ka penguar investimet e huaja direkte, një shkallë konkurrueshmërie në nivel të ulët si pasojë e monopoleve të krijuara dhe koncesioneve, si dhe sektorëve dhe segmentëve të popullsisë që janë më të goditurit nga tërmeti.

Pezullimi dhe limitimi i aktivitetit ekonomik, i vendosur si masë për mbrojtjen e shëndetit publik, do të prodhojë së paku një shok afat-shkurtër në të ardhurat që vijnë nga bizneset. Impakti në fushën e turizmit do të jetë shkatërrimtar. Zyrtarë nga shoqata e turizmit kanë folur tashmë në media mbi anullimet në shkallë të lartë të kohëve të fundit, të cilat iu shtuan anullimeve të tjera që u kryen fill pas rënies së tërmetit. Industria e transporteve dhe shumica e kategorive të tjera të shërbimeve përballen me të njëjtin fat. Për momentin, ndonëse palët e interesuara janë në dijeni të kësaj situate, është e paqartë cilat janë kapacitetet reale të financave publike të Shqipërisë për të përballuar edhe pasojat e epidemisë. Sakaq, zgjidhjet afatshkurtra janë më të lehta për t’u gjetur. Për shembull, pezullimi i kredive për individët dhe bizneset për tre muaj, është njoftuar tashmë nga Banka e Shqipërisë. Kjo është mëse e nevojshme, pasi me shumë gjasa, të ardhurat e familjeve dhe bizneseve të vogla do të bien në pikiatë dhe nuk do të jenë në gjendje për të përballuar detyrimet ndaj sektorit bankar.

Megjithatë, panoramën e plotë të efekteve nuk jemi ende në gjendje ta dallojmë. Efekti i përgjithshëm në ekonomi mbetet për t’u kuptuar dhe për t’u pranuar, me kalimin e kohës. Ndërsa bursat dhe çmimi i arit të zi është në rënie në mbarë botën, diskutimet mbi recesionin e ardhshëm, të ngjashëm me atë të 2008, po dëgjohen anembanë nëpër mediat globale. Gjatë recesionit të fundit, Shqipëria pësoi pasoja të pjesshme si pasojë e ekspozimit të saj tejet të kufizuar ndaj tregjeve financiare. Por kësaj rradhe, gjërat do të jenë ndryshe. Asnjë strategji rrugëdaljeje nuk do të funksionojë kundër kësaj force shkatërruese mikroskopike që është duke bërë kërdinë.

Shqipëria nuk gëzon as gjysmën e vitalitetit dhe qëndrueshmërisë së ekonomisë italiane, dhe as nuk mund të mbështetet në opsionet e ndihmës që vijnë si pjesë e të qenurit një shtet anëtar i Bashkimit Europian. Disa vendime të vështira duhen ndërmarrë, në kufijtë e buxhetit shtetëror dhe në kuadër të mbajtjes së borxhit publik nën kontroll. Prandaj, lind nevoja e një debati serioz, me bazë ekspertësh, pa ngjyrime histerie apo polarizimi, për të krahasuar opsionet dhe strategjitë e mundshme, dhe për të diskutuar ide kreative në mitigimin e impaktit negativ në performancën ekonomike dhe impaktin shoqëror të tij në popullsi.

Ky debat duhet të jetë i hapur, konstruktiv dhe gjithëpërfshirës, përsa i përket palëve të interesuara. Kjo nënkupton që debati të përfshijë qeverinë, opozitën, këshillat e biznesit dhe punëdhënësve, akademikët dhe institucionet financiare që monitorojnë indikatorët tanë.

Ekspertët shëndetësorë besojnë që kriza e virusit do të arrijë pikën kulmore dhe më pas do të shuhet gradualisht. Përvoja e dëshmuar në Kinë duket se e mbështet këtë tezë. Qeveria është tashmë përgjegjëse për të ndjekur masat e duhura dhe për të garantuar zbatueshmërinë e tyre me përpikëri, si dhe për të fuqizuar sektorin shëndetësor me çdolloj mase të mundshme, me qëllim që të mundësohet ofrimi i shërbimit mjekësor ndaj qytetarëve dhe për rrjedhojë, të shpëtohen jetë.

Megjithatë, nuk duhet të harrojmë që një krizë më e madhe është tashmë në pragun tonë të derës: rënia ekonomike, si pasojë e ndërprerjes së aktivitetit. Nevojitet përgatitje rigoroze për t’i bërë ballë krizës së paskëtajme.

 

SHPËRNDAJE