MICHEL DUCLOS

Gjuha e përdorur në intervistë është, në mënyrë të pabesueshme, e drejtpërdrejtë. Ashtu siç këshillohet nga korrespondentja e shkëlqyer e The Economist në Paris, Sophie Pedder, e gjithë intervista duhet lexuar dhe rilexuar. Megjithëse ai merr disa masa paraprake retorike (“Unë nuk po i jap leksione askujt“), mbi të gjitha, Presidenti Makron shprehet pothuajse sipas mendjes së vet, me sinqeritet të madh dhe me një vizion të mprehtë, duke përcjellë imazhin e një njeriu me ndjenja të fuqishme, pavarësisht nga dëshira e tij për t’u dukur sikur po e përshkruan klinikisht situatën që vëzhgon. Po ashtu duhet kujtuar se intervista u zhvillua më 21 tetor, një ditë pasi Trampi i dha dritën jeshile ofensivës turke kundër kurdëve në Sirinë Verilindore. Po cilat janë mesazhet kryesore që përcillen?

 

Përbuzja ndaj NATO-s

Fjalët e ashpra, që përdoren ndaj NATO-s, habitën shumicën e komentatorëve anglo-saksonë dhe europianë. Presidenti francez duket qartë se është akoma i tronditur nga farsa amerikane në Sirinë Verilindore, në të cilën ai sheh një lloj përgjigjeje ndaj (megjithëse nuk e thotë tamam kështu) “shembjes së Bllokut Perëndimor” (cituar), të sinjalizuar nga mungesa e ndëshkimit prej Obamës të goditjeve kimike siriane në gusht 2013. Për Emanuel Makronin, “ajo që po përjetojmë është vdekja e trurit të NATO-s”. Ai e nxjerr këtë përfundim nga braktisja e kurdëve sirianë prej Trampit – pa asnjë konsultim me aleatët – kundër aleatëve tanë në Forcat Demokratike Siriane (FDS).

Megjithatë, Presidenti nu e mohon që NATO mbetet e suksesshme nga pikëpamja operacionale. Ai thotë se “ne duhet të rivlerësojmë realitetin se përse është NATO-ja nën dritën e angazhimit të Shteteve të Bashkuara.” Me një furi të madhe, kur pyetet nëse Neni Pesë (solidariteti ushtarak i përcaktuar në Kartën e Adriatikut) funksionon akoma, ai përgjigjet me një piruetë: “Nuk e di.” Ai i referohet një skenari (jo shumë i lidhur me realitetin, sepse ky skenar nuk korrespondon me përmbajtjen e Nenit Pesë) në të cilin forcat turke në Siri do të sulmoheshin nga ushtria siriane: a duhet të mbështetemi te Neni Pesë? Për ta fuqizuar argumentin e tij Emanuel Makroni i drejtohet një teze disi të përhapur në Francë – por jo më pak në Gjermani – se mosinteresimi amerikan për Europën i parapriu Trampit dhe do të vazhdojë përtej administratës së tanishme amerikane.

Partneri kryesor europian i Francës nuk e mbajti sekret faktin që ata do të kishin preferuar një qëndrim më të “përgjegjshëm” nga Presidenti francez.

Mos, vallë, fjalët e Presidentit kishin si qëllim të provokonin zgjimin? Mos, vallë, ai kishte në mendje Samitin e ardhshëm të NATO-s më 3 dhe 4 dhjetor, që do të shënonte 70 vjetorin e Aleancës? Gjithsesi, deklaratat e tij u konceptuan të tilla jashtë shtetit, duke pasur parasysh kuadrin dhe natyrën politike dhe jo thjesht përshkruese, intelektuale, të komenteve të tij si Kreu i Shtetit.

Nga pikëpamja franceze, Emanuel Makroni vuri në dukje vetëm faktin që perandori ishte lakuriq (dhe sugjeroi që të vishte rrobat!). Por gjithsesi, për Berlinin, Uashingtonin, Londrën, Varshavën, Romën dhe shumë kryeqytete të tjera, “paralajmërimi makronian” është ekzistencial, operacional dhe kuptimor:

Në Europë dhe në sektorët, që janë akoma të rëndësishëm për klasën politike amerikane, kultura atlantike përfaqëson një dogmë ekzistenciale, kundër së cilës francezët, që nga koha e Gjeneralit De Gol janë konsideruar të paktën si heretikë potencialë. Donald Trampi e sheh gabim këtë qëndrim – sikur Papa Françesku të shprehej: “Harroni se çfarë thotë Ungjilli.” Aleatët tanë nuk i perceptojnë fjalët e Presidentit Makron si mendime “përçarëse”, por përkundrazi, i shohin si një kthim te golisti “i shtypur”, i etur për të dëmtuar Aleancën dhe që shfrytëzon në mënyrë cinike gabimet e Presidentit të tanishëm të Shteteve të Bashkuara.

Në këtë drejtim, kur Presidenti këmbëngul te përpjekjet që po bën për të mbajtur marrëdhënie të mira me Trampin, ai në një farë mënyre e përkeqëson rastin e tij.

Në shkallën e menjëhershme operacionale, perceptimet në marrëdhëniet e fuqive janë shumë të rëndësishme. Aleatët tanë argumentojnë në mënyrë të arsyeshme se duke hedhur poshtë në mënyrë të dukshme garancinë amerikane, problemi përkeqësohet e sidomos kur nuk ke në dorë një mjet zëvendësues afatshkurtër. Presidenti mund t’i përgjigjet kësaj duke thënë se ai po hap një debat për të ardhmen; ai, po ashtu, thekson se ka filluar disa projekte që nga fillimi i presidencës së tij për të forcuar mbrojtjen europiane. Fakt është se samiti i 3 dhe 4 dhjetorit duket si një fushë e minuar për shkak të sjelljes së paparashikueshme të Trampit, vështirësive që do të krijojnë turqit, prirjes së disa prej aleatëve të zgjidhin problemet e tyre drejtpërsëdrejti me Uashingtonin e të tjera. Le të mos harrojmë se edhe ministri i jashtëm turk vuri në dukje se Ankaraja i kërkoi NATO-s ta regjistronte YPG-në (organizatë siriane kurde) si organizatë terroriste.

Në këtë kontekst, Kancelarja Merkel i kritikoi me qetësi, por shumë shpejt, komentet e Makronit. Partneri kryesor europian i Francës nuk e mbajti sekret faktin që ata do të kishin preferuar një qëndrim më të “përgjegjshëm” nga Presidenti francez.

Së fundi, nga pikëpamja kuptimore, ideja që mbizotëron në Gjermani në veçanti (me përjashtime, përfshi edhe AKK) është se një administratë e re amerikane do të lejonte “rivendosjen e situatës së mëparshme”, kthimin e ujërave të qeta të garancisë amerikane. Siç ëhtë vënë në dukje, diagnoza është e ndryshme në Francë, siç e tregon, për shembull, libri i shkëlqyer i autorit Benjamin Haddad (Paradis Perdu) apo analiza e Gérard Araud (Passeport diplomatique).

Perceptimi gjerman është ndoshta një mohim i thjeshtë, kurse analiza franceze është ndoshta tepër skematike. Kjo çështje do të diskutohet akoma më tej mes europianëve.

 

Larje hesapesh me europianët?

Një analist i ri nga Këshilli i Atlantikut, Olivier-Rémy Bel, vë në dukje se në thelb të vërejtjeve të Makronit nuk është fati i NATO-s. Shqetësimi kryesor i Presidentit është Europa. Për të, çështja e mbrojtjes nga Amerika është vetëm një aspekt i krizës europiane. Europianët e kanë harruar se Europa është një projekt që shkon përtej ekonomisë. Ata sillen sikur tregu të ishte përgjigja për gjithçka – tregu i mbrojtur nga ombrella amerikane. “Ne kemi jetuar, thoshte ai, në një botë merkantiliste  me aleanca të sigurta.” Ne nuk e kuptuam në kohën e duhur se tragjedia e historisë, copëzimi i botës, programet politike dhe të sigurisë, që dominonin programet ekonomike, tani janë kthyer përsëri të gjitha. Ne na duket e vështirë të pranojmë se, për shembull, “në kohën e globalizimit, garantuesi përfundimtar i tregtisë botërore mund të bëhet proteksionist.” Qeveritë europiane, të ndara dhe të dobësuara nga vala populiste (nga e cila,  me Jelekverdhët, Franca nuk u kursye, siç thotë ai) nuk kanë qenë në gjendje t’iu përgjigjen në kohë qoftë sfidës së eurozonës, qoftë asaj të emigracionit. Për më tepër, në një kohë, kur autoritaristët – Rusia dhe Turqia – janë në prag të ringjalljes dhe kur po duket perspektiva e një G2 SHBA-Kinë, që lë mënjanë Europën.

Duke shqyrtuar idetë që ai kishte formuluar në fillim të mandatit të tij në pushtet, Emanuel Makroni i kthehet me një theks të veçantë nevojës që Europa të mendojë në lidhje me sovranitetin, gjeopolitikën dhe fuqinë, sidomos në dy fusha: mbrojtjen dhe teknologjinë. Ai nënvizon edhe rolin që duhet të luajë BE në ndryshimet klimatike. Presidenti francez, në analizën e tij, e vë më shumë theksin te çështjet teknologjike. Ai fokusohet në dy aspekte: 5G dhe të dhënat, pra, nga njëra anë te gjigantët numerikë kinezë dhe nga na tjetër te GAFA-t amerikane. Kjo, shpjegon ai, gjendet atje ku sovraniteti europian do të rrezikohet në vitet e ardhshme. Megjithatë, deri më tani, Europa është marrë me këto çështje vetëm në lidhje me lëvizjen e lirë, konkurrencën dhe monitorimin e rregullave të një tregu që është aq fluid sa mundet: përfundimisht ajo duhet të përqafojë një politikë fuqie të aftë për të fuqizuar sovranitetin e saj.

Duke parashtruar plotësisht mendimin e vet ose thjesht duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetares në terma të qarta, Emanuel Makroni shtjellon edhe tema të tjera, duke zbuluar atë që duhet të quhet zhgënjim me Europën. Ai pranonte se gjermanët kanë lëvizur në buxhetin e eurozonës (megjithëse ne kemi një “problem shkalle“). Nga ana tjetër, ai vë fort në diskutim politikën e masave të ashpra buxhetore (“debati rreth 3% të buxheteve kombëtare dhe 1% për buxhetin europian, i përket shekullit të kaluar”).

Emanuel Makroni i kthehet me një theks të veçantë nevojës që Europa të mendojë në lidhje me sovranitetin, gjeopolitikën dhe fuqinë.

Ne duhet ta “rishikojmë marrëveshjen tonë makroekonomike” në të cilën financat e europianëve, nëpërmjet kursimeve të tyre, investimet për të ardhmen nga amerikanët dhe këtë, në një kohë kur Kina po “investon masivisht.”

Së fundi, Presidenti mbron vendimin e tij për të refuzuar, ndryshe nga shumica e europianëve të tjerë, hapjen e bisedimeve të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Pavarësisht nga kritikat, që e akuzojnë se ai shpërdoroi mundësinë për të “luajtur në gjeopolitikë“, ai argumenton se politika e fuqisë për Europën nuk mund të kufizohet te politika e zgjerimit. Ai përmend me shpejtësi faktin se integrimi i Shqipërisë atij i duket sikur paska një përparësi më të madhe dhe se bomba e vërtetë me sahat në Ballkan është Bosnja myslimane.

Po si duhet t’i marrin partnerët francezë këto goditje? Me një vështrim të shpejtë:

Presidenti tregon kujdes të përsëritë në disa raste se projektet që ka nisur ai në fushën e mbrojtjes europiane (Nisma e Ndërhyrjes Europiane, CEEC, Fondi Europian i Mbrojtjes, tanket dhe aeroplanët franko-gjermanë të së ardhmes) po ecin përpara. Ai vë në dukje se kjo nuk është tema më e papajtueshme mes partnerëve. Lexuesi fillon të pyesë veten se mos Emanuel Makroni zëvendëson autosugjestionin për terapinë e shokut në këtë fushë. Gjithsesi, mos vallë duhet trembur që duke i shtyrë ato mbi NATO-n (po te kjo gjë do të kthehemi përsëri në marrëdhëniet me Rusinë), Presidenti francez po rrezikon t’i bëjë partnerët e tij më shumë dyshues mbi projektet europiane të mbrojtjes? Për më tepër, a nuk do të vijë shpejt koha për t’i diskutuar këto projekte me NATO-n sa më thellë, gjë që shkon përtej supozimit se ato janë “plotësuese”?

Nëpërmjet atij, që ai e quan “sovranitet teknologjik”, a nuk ringjall Presidenti francez (duhet thënë, me mjeshtëri) të gjithë çështjen e politikës industriale në Europë? Ai nënvizon kalimthi se këto probleme teknologjike, si edhe problemet e mbrojtjes, do të jenë përgjegjësi e komisionerit të ardhshëm francez. Gjithsesi, po a ka Franca instrumente apo politika specifike për të propozuar? Në mënyrë të ngjashme, cili është plani për “stimulimin e buxhetit”, që kërkon Makroni.

Një çështje tjetër, akoma më e ndjeshme, lidhet me marrëdhëniet me Rusinë. Pasi e vë theksin te prishja serioze e solidaritetit pas braktisjes së FDK-së nga Trampi dhe ofensivës turke, Presidenti thoshte: “Kjo na çon te dy gjëra mjaft themelore në nivelin ushtarak dhe strategjik. Së pari, te mbrojtja europiane – Europa duhet të bëhet autonome në lidhje me strategjinë dhe  aftësinë ushtarake. Dhe së dyti, ne duhet të rihapim një dialog strategjik me Rusinë, pa u treguar naivë dhe kjo është një gjë që do të kërkojë kohë. Sepse të gjitha këto tregojnë se ne kemi nevojë për ta ripërshtatur politikën tonë të fqinjësisë, se ne nuk mund ta lemë që ajo të drejtohet nga palët e treta, që nuk kanë të njëjtat interesa.”

Konfirmim i zhvendosjes makroniane drejt Rusisë

Rifillim i dialogut strategjik me Rusinë për shkak të ndryshimit të solidaritetit brenda Aleancës Atlantike? Argumenti mund të duket jo logjik në kryeqytetet europiane, që tashmë janë të shqetësuara me atë që duket si një “cavalier seul” (kalorës i vetmuar) francez, i angazhuar që nga koha e verës në këtë fushë. Mos vallë arsyetimi logjik – që hera-herës ka meritat e tij – nuk qëndron edhe në vlerësimin se qëndrimi i ri kategorik rus është një nga arsyet për nevojën e forcimit të mbrojtjes së Europës?

Emanuel Makronit i pëlqen t’iu qaset marrëdhënieve Rusi-Europë nga një kënd tjetër. Ai i drejtohet analizës1 klasike të hendekut midis ambicieve të jashtme të Rusisë dhe dobësisë së saj të brendshme (PPB i barabartë me atë të Spanjës, problemet demografike dhe të tjera.) Ai mendon se “modeli” i tanishëm i Rusisë – “mbi-militarizimi, shumëfishimi i konflikteve” – nuk është “i qëndrueshëm” për një periudhë afatgjatë. Po cilat do të ishin variantet e tjera të Moskës? Varianti i parë: “rikrijimi i një superfuqie.” Sipas Emanuel Makronit, “konservatorizmi bazuar te identiteti” i Putinit në Rusi e ka shkëputur atë nga rezervat e emigrantëve muslimanë, që mund ta kishin fuqizuar ekonominë e tij. Kjo zgjidhje tani është mbyllur. Varianti i dytë: “modeli euroaziatik.” Ky do të arrinte në pranimin e teknologjisë satelitore nga Kina. Për Presidentin francez, i vetmi variant real i Rusisë është “Rivendosja e një politike ekuilibri me Europën. Të jesh i respektuar.” Gazetarja i vë në dukje të intervistuarit se arsyetimi i tij bazohet mbi logjikën dhe jo mbi sjelljen e Putinit.

Presidenti përgjigjet se, përkundrazi, ai kishte parasysh psikologjinë e bashkëbiseduesit të tij të Kremlinit: “Sjellja e tij në vitet e fundit ka qenë ajo e një burri, i cili ishte stërvitur nga shërbimet [ e sigurimit], në një shtet, që është më i çorganizuar se sa mendojmë ne. Ai është një vend shumë i madh me logjikën e fuqisë në qendër të tij. Dhe me një lloj zjarrmie rrethimi, që do të thotë me një ndjenjë e të qenit i rrethuar nga çdo anë. Ai e provoi terrorizmin para nesh. Ai forcoi strukturën e shtetit (ne e admirojmë eufemizmin!) në kohën e luftërave çeçene dhe pastaj ai thoshte: ‘po vjen te ne nga Perëndimi.’” Pak më herët, Presidenti kishte thënë për homologun e tij rus se: “Sipas tij, marrëveshja e vitit 1990 nuk ishte respektuar dhe ‘zonë të sigurt’ nuk kishte.” Me pak fjalë, komentet e Zotit Makron kanë një argument të mirënjohur, që padyshim përforcohet nga bisedat e tanishme, mjaft të shumta, që ai kishte pasur me Putinin. Tani, bindja e tij duket se është ngulitur: “Në qoftë se ne duam të ndërtojmë paqen në Europë dhe të rindërtojmë autonominë strategjike europiane, atëherë ne duhet të rivlerësojmë qëndrimin tonë ndaj Rusisë.”

Zoti Makron përsërit kalimthi edhe argumentin se “ne kemi të drejtën e autonomisë dhe jo vetëm të ndjekim sanksionet amerikane”, pa hequr dorë nga ndjenja e tij që “në të njëjtën kohë” (en même temps në frëngjisht): të rishikojmë marrëdhëniet strategjike me Rusinë, pa u treguar aspak naivë dhe të jemi po aq të këmbëngulës ndaj procesit të Minskut dhe ndaj asaj që po ndodh në Ukrainë.”

Ajo që bie në sy në analizën e Zotit Makron është vizioni afarist mbi Rusinë, racionalizmi që ai iu atribuon vendimmarrësve të Kremlinit.

Pyetjes se “Çfarë do të thotë kjo praktikisht?”, Emanuel Makroni iu përgjigj duke përmendur shpejt e shpejt disa rrugë: terrorizmin, konfliktet e ngrira dhe sigurinë kibernetike. Çuditërisht – duke pasur parasysh dallimet lidhur me Sirinë dhe goditjet e kufizuara ruse kundër Daesh-it – ai e përmend terrorizmin si një subjekt “me të cilin jemi lidhur.” Përtej atyre rrugëve, Presidenti imagjinon një lloj dialogu me zemër të hapur me Putinin: “Çfarë garancie kërkon ai? Mos vallë është në thelb një garanci për BE-në dhe NATO-n për të mos avancuar më tej në një territor të caktuar? Ja, këtë kuptim ka. Që do të thotë: cilat janë shqetësimet e tyre kryesore? Cilat janë tonat? Si iu qasemi ne atyre së bashku?”

Po përse edhe komentet e revistës The Economist nxitën reagime negative në Europë?

Pa dyshim që ka arsye të ndërvarura, forca e zakonit, tërheqja pas Uashingtonit apo keqardhja qe një nismë e tillë vinte nga një vend si Franca,  cila nuk është aq shumë e interesuar drejtpërsëdrejti me çështjen ruse (marrëdhëniet me Rusinë kanë shumë më pak ndikim këtu se sa në Gjermani apo Poloni).

Reagimi i Donald Tusk, pasi merr udhëheqjen e PPE-së, është simptomatik, me një keqkuptim më të thellë: “Dhe kjo është arsyeja se kur unë dëgjoj fjalët e Makronit, ‘ne duhet të rishikojmë qëndrimin tonë ndaj Rusisë, të rishqyrtojmë marrëdhëniet strategjike’, unë vetëm mund të shpresoj se kjo gjë nuk do të ndodhë në kurriz të ëndrrave tona të përbashkëta rreth sovranitetit të Europës.” Lidhur me dëshirën që ka shprehur Presidenti në intervistë, që Viktor Orbani të ndihmojë për të bindur polakët, Zoti Tusk i përgjigjej “Ndoshta, por jo mua, Emanuel.”

Ajo që bie në sy në analizën e Zotit Makron është vizioni afarist mbi Rusinë, racionalizmi që ai iu atribuon vendimmarrësve të Kremlinit. Një pjesë e madhe e opinionit europian – jo vetëm në Poloni dhe në Shtetet Baltike, por edhe në vendet skandinave dhe në Gjermani –para së gjithash, nuk i shohin veprimet e një shteti armiqësor, armiqësia e të cilit nuk bazohet në gabimet e supozuara politike të Perëndimit, as në arsyet historike, por në motivet e tanishme dhe sistemike të ndërtimit të një sistemi të kundërt me modelin perëndimor. Fytyra e vërtetë e Rusisë për fqinjët tanë duket në aneksimin e Krimesë, që Makroni e përmend rastësisht, megjithëse ajo përfaqëson mohimin e “Europës humaniste” që ai duket sikur e mishëron. Plaga është akoma e hapur për vendet që janë më afër nga pikëpamja gjeografike.

Çfarë udhëheqësi europian dëshiron të jetë Emanuel Makroni?

Intervista e Presidentit francez te revista The Economist zbulon një paradoks të dyfishtë. Së pari, reagimet negative ndaj asaj interviste në Europë mund të kenë të bëjnë më shumë me formën se sa me përmbajtjen. Ato, në fakt, mund të zbulojnë një masë më të madhe konsensusi se sa mendojmë ne, për një varg çështjesh. NATO-ja, autonomia strategjike e domosdoshme, sovraniteti teknologjik e madje edhe mundësia për një hapje të llogaritur drejt Rusisë. Paradoksi do të ishte se duke thënë me zë të lartë atë, që shumë njerëz vetëm sa e pëshpëritin, Emanuel Makroni, me brutalitetin e shprehjes së tij dhe me një farë ngathtësie, ka shtyrë nevojën urgjente për një marrëveshje të gjerë intra-europiane. Nga ana tjetër, ka shpresa se kur pluhuri të jetë shpërndarë, ndoshta sapo të ketë kaluar prova e Samitit të NATO-s, mes europianëve do të zhvillohet një debat më i thellë për çështjet vitale që ngre Presidenti.

Paradoksi i dytë qëndron në vokacionin e dukshëm të Emanuel Makronit si udhëheqës europian dhe jo vetëm nga mosveprimi, në kontrast me qëndrimin e njëanshëm, që ai duket se po praktikon gjithnjë e më shumë (formimin e detyruar të Komisionit të ri Europian, dialogun me Rusinë, zgjerimin dhe tani me NATO-n). Po si mund t’i tërheqë pas tij Presidenti francez europianët, kur i trajton ata me një kujdes kaq të vogël? A mund ta ndërtojmë dot ne Europën mbi një bazë që do të ishte vetëm franceze? Komenti më i ashpër në lidhje me të vinte nga një gazetar rus, Vladimir Frolovi, në një artikull të botuar në Moscow Times, më 14 nëntor. Autori i shkrimit beson se “Presidenti francez Emanuel Makron ka marrë stafetën nga presidentët Vladimir Putin dhe Donald Tramp për t’u bërë forca kryesore destabilizuese në Europë dhe shkatërrues i rendit botëror perëndimor.” Ky autor mendon se vizioni gjeostrategjik i Presidentit francez mbivendoset kryesisht me atë të Presidentit Putin, për shembull, në lidhje me përgjegjësitë e Perëndimit në destabilizimin e botës arabe dhe krizën e emigracionit që pasoi apo për rolin e Shteteve të Bashkuara në konfliktin me interesat ruse në Europë.

Gjithsesi, Vladimir Frolovi arrin në përfundimin se “në qoftë se Makroni është në anën tonë”, kjo nuk është arsye qe Moska të jetë e favorshme ndaj tij, sepse ai “shihet si një peshë e lehtë politike nga Kremlini” dhe “se idetë e tij ka shumë mundësi të mos gjejnë asnjë mbështetje në aleatët e tjerë europianë e kryesisht nga  Gjermania.

Po le t’i lemë komentatorët rusë te spekulimet e tyre. Vetë Zoti Makron vë në dukje se megjithëse plani i tij për të ringjallur marrëdhëniet me Rusinë është afatgjate, vetëm rezultatet e shpejta e sidomos në Ukrainë, mund t’i japin atij mundësi për të kapërcyer ngurrimin e europianëve të tjerë. Në përgjithësi, Presidenti francez ka thelluar një hendek të pamohueshëm me partnerët e tij, pjesërisht sepse ata – dhe para së gjithash Gjermania – nuk e pritën topin dot që iu hodhi ai në fillim të mandatit të tij.

Presidenti francez ka thelluar një hendek të pamohueshëm me partnerët e tij, pjesërisht sepse ata nuk e pritën dot topin që iu hodhi ai në fillim të mandatit të tij.

A nuk gjendet tani atje, ndërkohë që po nis punën një Komision i ri dhe rreziqet po akumulohen, një hapësirë më e madhe për lëvizje nga të dyja anët midis atij dhe kryeqyteteve kryesore europiane? Duke bllokuar disa çështje apo duke marrë drejtimin në disa të tjera, Emanuel Makroni ka krijuar hapësirë për manovra, për të negociuar më mirë me Bashkimin Europian dhe për të krijuar koalicione e nevojshme për të avancuar idetë e tij. Zhgënjimi i tij me Europën vjen kryesisht nga Gjermania. Një nga aspektet më interesante të intervistës së tij në The Economist është shqetësimi i dukshëm për të zëvendësuar polakët dhe për të punuar me Viktor Orbanin (armikun tipik vetëm një vit më parë!). Makron Strategu ngre alarmin. Po a do të kërkojë Makron Taktiku ta përfshijë Gjermaninë në aleancat e papritura? Mos, vallë, ai, në një farë mënyre, synon të ri-fuqizojë marrëdhëniet me Berlinin me mënyra të tjera, si për shembull,  duke llogaritur ndonjë ndryshim në programin e CDU-së nën influencën e të Blertëve? Çfarë udhëheqës europian do të ishte ai nëse e izolon veten? Mos, vallë, ai tani kërkon të bashkohet me qëllim që të arrijë statusin e udhëheqësit të vërtetë, për të cilin ka nevojë Europa?

 

Michel Duclos

Këshilltar Special – Gjeopolitikë, Ish-Ambasador

Mishel Duklo, këshilltar special në Institutin Montaigne, ka një karrierë të gjatë diplomatike. Ai ishte ambasador i Francës në Siri nga 2006 deri më 2007. Mishel Duklo është autor i studimit “Syria: To End a Never-Ending War”, botuar nga Instituti Montaigne në qershor 2016 dhe i  La Longue Nuit Syrienne (Les éditions de l’Observatoire, 2019). Ai udhëhoqi projektin Bota e Neo-autoritarizmit me botues Les éditions de l’Observatoire. Ai shkruan vazhdimisht në periodikë të ndryshëmdhe është bashkë punëtor i Këshillit të Atlantikut (Uashington).

 

1 Klasik dhe ende i diskutueshëm: për udhëheqjen e tanishme ruse, kriteri i suksesit gjendet në aftësinë për të ekzistuar në botë, por jo si një fuqi ekonomike. Të projektosh mbi llogaritjet e udhëheqësve të Kremlinit mendimin, që do të jetë i yni, duke qëndruar në pozitat e tyre, është gjithmonë gabim.

SHPËRNDAJE