Beteja kundër Harresës

Kultura e kujtesës

1

Dr. Sylë Ukshini

Dr. Sylë Ukshini

Sipas autorit të njohur amerikan të veprës së tij “Hitler’s Willing Executioners”[1] historianit Daniel Jonah Goldhagen, i cili  holokaustin e paraqet si “aksiomë kulturore” të dhunshme antisemitike dhe si një formë unike antisemitizmi të zhvilluar në shekujt,  krimet e regjimit Milosheviqit mbi shqiptarët e Kosovës kishin shumë paralele dhe ngjashmëri me përndjekjen e hebrenjve nga regjimi nazist i Hitlerit.  Kur filloi “spastrimi etnik” nga trupat dhe policia serbe në Kosovë, sipas tij, qëllim politik ishte, krijimi i “lebensraum” ose hapësirë ​​jetës për serbët dhe arritja e një zgjidhje finale sipas modelit të elitës naziste[2]. Si Hitleri ashtu edhe Milosheviqi krimet e tyre i bënë në emër të ideologjisë, e cila zhvlerëson jetët e të tjerëve dhe duke u nisur nga ideja se njerëzit kanë të drejtë që t’i vrasin të tjerët, nëse ata u dalin përpara në rrugë.

 

Ushtare britanike në Kaçanik të Kosovës në 1999, duke nderuar të rënët aty ku dyshohej për një varr masiv.

Hitleri dhe Milosheviqi – vrasës në masë

Natyrisht, Goldhagen nënvizon se në ideologjitë e tyre ekzistojnë edhe dallime të jashtëzakonshme, dhe në atë çfarë kishte bërë Hitleri dhe Millosheviqi në luftën e Kosovës, por ngjashmëria qëndron në atë se të dy ishin vrasës në masë dhe të dytë motivuan shumë njerëz për t’ i mbështetur planet dhe ideologjitë e tyre. Synimi i qarqeve politike dhe akademike serbe për realizimin e projektit politik të Serbinë e Madhe nënkuptonte jo vetëm bashkimin e të gjithë serbëve në një shtet të madh, por, gjithashtu, edhe dëbimin me forcë të të gjithë e qytetarëve jo serbëve nga një shtet i tillë, të shqiptarëve, boshnjakëve dhe kroatëve. Gjykata e Hagës për Krime të Luftës në Ish-Jugosllavi  padinë e saj kundër Milosheviqit e bazoi mbi një mal dëshmish, përfshi edhe pohimet e dëshmitarëve okularë nga mijëra refugjatë shqiptarë që kishin parë vrasje, vende të masakrave dhe varre masive. Kjo gjykatë po ashtu arriti në përfundim se operacioni i koduar serb “Patkoi” ishte një plan ushtarak i hartuar nga shtabi i përgjithshëm i Beogradit nën kontrollin e drejtpërdrejtë të Sllobodan Milosheviqit dhe që për qëllim kishte spastrimin etnik të Kosovës, që u shoqërua me një eksod biblik dhe vrasje masive. Sipas komisionerit të lartë të Kombeve të Bashkuara për refugjatët (UNHCR), brenda disa javëve nga fillimi i bombardimit të NATO-s forcat qeveritare serbe dëbuan nga Kosova 862,979 shqiptarë etnikë, ndërsa qindra mijëra të tjerë u zhvendosën brenda për brenda, dhe këtu nuk llogariten ata që ishin zhvendosur para marsit 1999. Më shumë se 80% e tërë popullsisë së Kosovës – 90% e shqiptarëve – u dëbuan nga shtëpitë e tyre, thuhet në raportin “Nën pushtetin e urdhrave”,[3] të organizatës ndërkombëtare Human Rights Watch, në të cilin dokumentohen  torturat, vrasjet, masakrat, përdhunimet, dëbimet e dhunshme dhe krimet të tjera lufte të kryera nga forcat qeveritare serbe kundër shqiptarëve të Kosovës vetëm në periudhën 24-12 qershor 1999, e cila është edhe periudha, në të cilën u zhvillua fushata ajrore e NATO-s kundër regjimit serb të Milosheviqit. Në fakt, askush në Perëndim nuk kishte parashikuar shpejtësinë të tillë dhe shkallë të dëbimeve kaq masive të shqiptarëve të Kosovës. Nën ndikimin e politikës agresive dhe nacionaliste të regjimit të Milosheviqit, shumica e serbëve lokal dhe atyre në Serbi e mbështesnin eliminimin e shqiptarëve nga Kosova, ngjashëm si gjermanët që e dëshironin zhbërjen e hebrenjve nga shoqëria gjermane, dhe autorët e krimeve masive dhe të spastrimit etnik në Kosovë  bënë atë që bënë sepse menduan se ishte “e drejtë dhe e nevojshme” ose ishte krejtësisht indiferent ndaj asaj që po ndodhte me fqinjët e tyre shqiptarë. “Kësodore, thotë Branimir Anzuloviç, froca parësore që shpie  në gjenocid nuk është patologjia e individëve që organizojnë dhe shkaktojnë gjenocidin, por patologjia e ideve që iu prin atyre”.[4]

Ndaj, profesori amerikan i diplomacisë globale John G. Stoessinger në librin e tij “Why nations go to war[5], në gjetjet e tij mbi luftërat e shekullit 20 në Ballkan dhe mizorit e regjimit të Milosheviqt mbi popullsinë civile shqiptare në Kosovë, konstaton: “Eksodi shqiptar do të përshpejtohej nga grabitjet, vrasjet, përdhunimet, djegiet dhe terrori në një shkallë aq të gjerë sa mund të krahasohej me Gjermaninë naziste. Të gjitha dokumentet e identifikimit do të konfiskoheshin me qëllim që shqiptarët të mbeteshin pa shtetësi dhe të bëhej e pamundur rikthimi i tyre në Kosovë. Të vetmen gjë që Milosheviqi nuk e kopjoi nga Hitleri ishin dhomat me gaz të Aushvicit. Në vend të tyre, viktimat e tij të mjera do të dëboheshin në shtetet fqinje; në Shqipëri, Mal të Zi dhe Maqedoni. Sigurisht, Milosheviqi e llogariti që kjo “zgjidhje përfundimtare” jo vetëm që do ta rriste autoritetin e tij në sytë e popullit  serb, por do t’i garantonte edhe vazhdimin e qëndrimit të tij në pushtet. I gjithë ky mekanizëm ishte shumë i njohur. Vetëm identiteti i viktimave ndryshonte. Këtë herë ata do të ishin shqiptar dhe jo hebrenj…..”.

Ky diskurs antishqiptarë i elitës politike dhe shtetërore serbe ishte kultivuar në trajta të ndryshme pre shumë dekadash, por intensifikimin nga viti 1987, kur në Serbi erdhi në pushtet Sllobodan Milosheviq, i cili   krejt hapur e kishte bërë të qartë se Kosovën dëshironte ta administronte pa shqiptarë dhe bëri thirrje serbëve për mobilizim vullnetarë që shkojnë e të jetojnë në Kosovë,[6] që nënkuptonte një thirrje për kolonizim dhe serbizim të Kosovës. Në qendër të optikës së regjimit serb në Beograd mendohej se ekzistenca e shqiptarëve dhe e Kosovës si entitet politik i kundërvihej interesave serbe dhe për këtë qëllim e inkurajoi “psikozën e kombit në rrezik”. Përçmimi dhe urrejtja  për shqiptarët e Kosovës do të përdorej si retorikë e mobilizimit të masave dhe si një kanosje e hapur për justifikimin e përdorimit të armëve ndaj shqiptarëve të pambrojtur, duke e paraqitur veten si “ledh për të mbrojtur kulturën evropiane, qytetërimin dhe religjionin. Siç shprehej Milosheviqi në shkurt të vitit 1990, “serbët malazezët në Kosovë nuk kanë qenë vetëm…Kohët e fundit gjithnjë e më shumë njerëz janë shprehur të gatshëm të shkojnë në Kosovë për të mbrojtur  me armë në dorë fëmijët dhe gratë, tokën dhe kombin”.[7] Thirrja për një mobilizim të vullnetarë serbë që të shkojnë e të jetojnë në Kosovë, “drejt jugut për një mision të madh pune dhe ringjallje”, u përdor si trysni për kufizimin e të drejtave dhe statusit të shqiptarëve të Kosovës, që vite më vonë do të merrte trajtën e një fushate ushtarake kundër për zhbërjen përfundimtar të një populli të tërë.

Ishte pikërisht ky synim i Milosheviqit, i cili asnjëherë gjate viteve 90-ta te shekullit nuk u pajtua asnjëherë për një zgjidhje paqësore te kontekstit Kosovë-Serbi, nuk zgjodhi asnjë mjet për realizimin e një “zgjidhje finale”,  përkatësisht ndryshimin e përbërjes etnike të popullatës me ndihmën e vrasjeve, terrorit dhe dëbimeve, siç ishte e zakonshme në Evropën e viteve ’30 dhe ’40 të shekullit të kaluar. Politika e Milosheviqit nga viti 1989, thotë ish-shefi i diplomacisë gjermane, Joschka Fischer, pothuajse deri në detaje ishte identike me elaboratin e nacionalistit radikal serb, Vasa Çubrilloviqit (1937), që synonte kolonizimin hap pas hapi, por nëse kjo mbetej pa afekt, atëherë si rrugë e vetme mbetej, dëbimi masiv.[8]

Në fakt Milosheviqi dëbimin në shkallë të gjerë e filloi nga pranvera e vitit 1998,  që mbështetej në përvojat nga planimetrit e vjetra serbe, “Naçertinja” dhe “Elaborati i Çubrillovit e deri te Memorandumi i Akademisë Serbe(1986). Ndërsa para dhe gjatë marrëveshjes Holbrooke-Millosheviç kishte hartuar planin e koduar ushtarak  “Paktoi”[9], i cili kishte filluar se dhe filluar së zbatuari derisa përfaqësuesit e tij ishin ulur ne tryezën e bisedimeve ne Rambouillet dhe ne Paris.[10]

Nëse NATO-ja nuk do të kishte vepruar  në fund fare për të ndalur të parandaluar gjenocidin, atëherë tragjedia e Kosovës do ta linte nën hije gjenocidin në Bosnjë dhe në të njëjtën kohë do të rriteshin ambiciet panserbe ndaj vendeve tjera të rajonit. Ky obsesion, për të fituar statusin e një fuqie rajonale, bashkë me ideologjinë e viktimizuese është transformuar në armë ideologjike për legjitimimin e luftës në modifikimin me forcë të kufijve. Duke besuar se do ta blejë paqen, duke mbyllur sytë para suprimimit të autonomisë së Kosovës, Perëndimi nuk e parandaloi luftën dhe ambiciet e Milosheviqit, i cili më pas ja mësyu edhe Sllovenisë, Kroacisë dhe Bosnjë e Hercegovinës.  Lufta u bazua mbi keqinterpretimin fantastik: agresori e shfaqte veten si martir  ndërsa viktimat, shqiptarët, kroatët, sllovenët dhe boshnjakët paraqiteshin si përgjegjës për tragjedinë dhe prishjen e unitetit shtetëror. Duhej të ndodhte Srebrenica, Vukovari, Reçaku për ta kuptuar bota se makineria e Beogradit duhet të stopohej me forcën ushtarake. Dhe pikërisht për shkak të ndëshkimit që mori nga Perëndimi, qarqet politike, intelektuale, fetare dhe kulturore edhe sot provojnë ta kontestojnë vërtetësinë e këtyre ngjarjeve makabre duke dashur që përmes një narracion të kundërt t’i shmanget vetëdijshëm ballafaqimit kritik me të kaluarën. Provohet të mos ketë kujtesë për të kaluarën.

Fillimviti 1998: Procesion funerali në Hreq, në kufirin mes Shqipërisë dhe Kosovës. Wolfgang Eilmes/FAZ

“Heroizmi” serb në justifikimin e krimeve në Kosovë

 

Dhuna dhe krimet në Kosovë e gjetiu justifikohet si një lloj heroizmi i popullit serb kundër “terroristëve” shqiptar dhe komplotit ndërkombëtar. “Dora-dorë, siç vërente një gazetar  në Beograd, “pagëzimi i kriminelëve si heronj kombëtar të luftës, ose  populizmi primitiv”, do ra shndërrojë Serbinë “në një fortesë të izoluar “nacionalistësh patriotë” njerëzish që mendojnë në mënyrë uniforme.”[11] Distopia[12] serbe, duke heshtur në mënyrë permanente atë çfarë kishte ndodhur në Kosovë, apo duke deformuar realitetin, synohet që brezit t’i fshihet e vërteta, në mënyrë që ata të mos rriten me ndjenjën e fajësisë për krimet e prindërve apo gjyshërve të tyre. Në mungesë guximit, distopia serbe i është rikthyer retorikës nacionaliste të viteve nëntëdhjeta të shekullit të kaluar, mohimit jo vetëm të fajësisë, por edhe të rolit të viktimës dhe njëkohësisht edhe të mohimit të drejtës për shtetësi të Kosovës, Malit të Zi dhe popujve të tjerë. Është e dukshme se Beogradi provon, që duke imituar rolin dhe ndikimin rus në ish vendet satelite, ta rikthejë dominimin e dikurshëm në Ballkan.

Megjithatë një ditë brezi i ri serb do të provoj ta mësoj arsyen e vërtetë të sulmit të parë ushtarak të NATO-s, sepse nuk mundet askush përgjithmonë ta mashtrojë një shoqëri se demokracitë perëndimore bombarduan caqet ushtarake serbe pa asnjë arsye të qëndrueshme. Prandaj, në shoqërinë serbe edhe njëzet vjet pas përfundimit të luftës në Kosovë, nuk është tejkaluar trauma mentale të bombardimit shtetit serb nga NATO-ja për shkak të shqiptarëve.

 

Qershor 1999: Një rrugë me banesa dhe njësi shërbimi e shkatërruar gjatë luftës në Prishtinë. (C) Wolfgang Eilmes/FAZ

Ideja serbe- Kosova pa shqiptarë

 

“Politika e Milosheviqit nga viti 1989, ishte pothuajse identike me pamfletin e nacionalistit radikal serb, Vasa Çubrilloviq, i cili u hartua në mars të vitit 1937 në Beograd”, shkruan ish-ministri i jashtëm gjerman Joshka Fisher, në librin e tij me memoare “ Vitet kuq-gjelbër. Politika e jashtme gjermane – nga Kosova deri me 11 shtator”. Politika serbe qysh në vitet e para të pushtimit të Kosovës në mbarim të luftërave ballkanike 1912/13 dhe Luftës së Parë Botërore ishte përballur me sfidën e nacionalistëve për zgjidhjen e këtij problemi të mbështetur në metodat e zakonshme atëbotë në Evropë. Nëse Gjermania ishte në gjendje t’i dëbonte dhjetëra mijë hebrenj, ndërsa Rusia të zhvendoste me miliona njerëz nga një pjesë e kontinentit në pjesën tjetër, atëherë edhe politika nacionaliste e Beogradit  nuk besonte se do të bëhej problem ndërkombëtar dëbimi i qindra mijëra shqiptarëve të Kosovës. Ideja e Kosovës pa shqiptarët ishte konceptuar që nga gjysma e shekullit 19 me projektin e Grashaninit “Skica”, sipas të cilit serbët synonin restaurimin e një Serbie të Madhe (Serbisë së Madhe) dhe në jetësimin e këtij synimi justifikohej përdorimi i çfarëdo mjeti dhe dhune. Ajo që nuk ishte arritur të bëhej mes dy luftërave botërore me Planin e Çubrilloviqit dhe marrëveshjen jugosllavo-turke dhe më pas edhe me aksionin e armëve dhe riaktualizimin e planeve nacionaliste për zhbërjen etnike të Kosovës, politika serbe provoi t’i realizonte në luftën e fundit përmes planit të koduar “Patkoi”, i cili ekzistonte që nga fundi i vitit 1998 dhe i cili në vetvete përmbante planet për dëbimin e shqiptarëve të Kosovës. Në fakt, ky plan mbështetej mbi planimetri dhe metodologji të njëjtë me fushatën e  mëparshme serbe të spastrimit dhe dëbimit gjatë viteve  1877-1877 si dhe atë të planit të Çubrilloviqit. Për më tepër, bërja publike e planit “Paktoi” kishte vlerë për Perëndimin, për shkak se trondiste tezën e dëbimit spontan të kosovarëve nga ana e forcave serbe të sigurisë, siç pretendonte propaganda serbe e regjimit të Milosheviqit. Përveç kësaj, qëllimi i  Beogradit ishte që nëpërmjet valës së refugjatëve të provokonte kaos në Maqedoni dhe Shqipëri, për të destabilizuar kështu para së gjithash rajonin dhe për të rrezikuar zonën vendimtare për marshimin NATO-s. Instrumenti kryesor i dëbimit i udhëheqjes kriminale të luftës ishte dëbimi i shqiptarëve të Kosovës  dhe zgjidhja sipas modelit të spastrimit etnik të rajoneve shqiptare në periudhën e Krizës Lindore. Por, Milosheviqi dhe ideatorët e Serbisë së Madhe, të ravijëzuar edhe përmes Memorandumit famëkeq të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Serbisë me 1986, nuk e kishin llogaritur se në vitin 1998-1999 nuk mund të toleroheshin dëbime dhe spastrime masive në Evropën e fillimshekullit 20, kur pati miliona arratisje dhe dëbime të popujve nga rajone të ndryshme të Evropës.

Në fakt, i gjithë shekulli i njëzetë për shqiptarët e Kosovës dhe në viset tjera të ish-Jugosllavisë ishte periudhë më e rëndë e diskriminimit, e represionit masiv, e asimilimit, kolonizimit dhe e dëbimeve e zhvendosjeve masive përtej kufijve, kryesisht në drejtim të Shqipërisë dhe Turqisë. Gjatë kësaj periudhe ishte evidente brutaliteti i madh ndaj popullatës civile shqiptare si rezultat i luftërave ekspansioniste dhe, nga ana tjetër, riorganizimit të hartave politike midis viteve 1912 dhe 1941, të cilat synon përmbysjen me dhunë të demografisë shqiptare. Kjo politikë diskriminuese vazhdoi edhe pas Luftës së Dytë Botërore, edhe pse me ritme pak më sporadike dhe nën petkun e luftës kundër nacionalizmit shqiptar m, dhe pas në mënyrë pak më sporadike edhe pas Luftës së Dytë Botërore, kur qindra mijëra shqiptarë u bënë viktima të kësaj forme specifike të dhunës së qeverive të Beogradit. Për afro një shekull, numri i të prekurve nga ky fat ishte rritur në qindra mijëra njerëz, ndërsa vetëm në luftën e fundit 1998/1999 regjimi i Milosheviqit dëboi afro shqiptarë ishin dëbuar me forcë ose formuluar me terma tjerë, mbi 80 për qind e popullsisë së Kosovë. Përmes kësaj strategjie e cila mbështetej në planin e koduar ushtarak “Paktoi”, përkundër kontestimeve, u bë sinonim për dëbimin e gjithë popullsisë shqiptare te Kosovës,[13] regjimi i Milosheviqit synonte të jetësonte idenë e Serbisë së madhe dhe në të njëjtën kohë të destabilizonte Shqipërinë, Maqedoninë dhe Malin e Zi.

Pavarësisht diskutimeve dhe dilemave nëse plani “Patkoi” i udhëheqjes serbe ekzistuar ose jo, në rrjedhën e luftës, në të cilën u përfshi edhe NATO-ja, erdhi deri te intensifikimi i “spastrimit etnik’ në Kosovë dhe në këtë mënyrë synohej të krijoheshin rrethana që shqiptarët e dëbuar të mos ktheheshin kurrë. „The nature of the plan was not known in detail, but the codename itself indicated the principle on which it would work: a controlled near-encirclement, designed to force people inside the “horseshoe” to exit in one particular direction. “Exit” in this case, would turn out to mean leaving Kosovo altogether, and the aim of the Serbian police was to ensure that they would never come back”,[14] konstaton historiani britanik Noel Malcolm.

Kjo metodë e “spastrimit etnik” ishte vetëm vazhdim një model i ngjashëm si në Bosnjë: së pari, serbët lokalë u rekrutuan për të identifikuar shtëpitë shqiptare, pastaj ushtria dhe paramilitaret serbë goditën shtëpitë shqiptare, grabitën pasuritë, paratë dhe gjësendet e tyre nga banorët, si dhe shkatërruan bazamentin e jetës së tyre dhe më pas i dëbuan.[15] Ndërsa NATO-a vazhdonte sulmet ajrore caqeve ushtarake serbe, në tokë vazhdonte vrasja në masë (varreza masive), si dhe, bazuar në informacionin e UNHCR, forcat ushtarake dhe paramilitare serbe përdhunuan, rrëmbyen dhe torturuan nga gra dhe vajza të panumërta shqiptare, kryesisht nën moshën 25 vjeçe.[16]  Prandaj, këto vuajtje të evidentuara edhe nga organizatat ndërkombëtare e bëjnë krejtësisht të arsyeshëm të flasim për shekullin e 20-të si një “shekull i përndjekjes dhe dëbimit” të shqiptarëve të Kosovës.

 

Tridhjetë vjet më pas

 

Tridhjetë vjet pas fillimit të shpërbërjes së përgjakshme të Jugosllavisë dhe njëzet vjet pas përfundimit të luftës në Kosovë, Ballkani, edhe pse në sipërfaqe duket se ka bërë shumë, nuk ka arritur akoma të shkëputet plotësisht nga rrethi vicioz i politikave nacionaliste, madje pa një prani “robuste” të NATO-s është krejtësisht e papërfytyrueshme se si do të dukej ky rajon. Kundërshtarët e intervenimit të NATO-s, qoftë në Beograd apo në qendrat tjera të majtizmit radikal,  fashizmin serb dhe përndjekjen kolektive të shqiptarëve provuan ta fshihnin prapa paragrafëve të së drejtës ndërkombëtare për sovranitetin shtetëror. Është e qartë se një qëndrim i tillë është i motivuar nga dy faktorë: një se ata akoma pas përfundimit të luftës së Ftohtë e shikojnë NATO-n me dioptri bolshevike, dhe dy, ngase kanë qenë kundër pavarësimit të mundshëm të Kosovës si dhe kundër faktorizimit të shqiptarëve në Ballkan.

Kur afro dy dekada më parë kishte ndodhur arrestimi dhe ekstradimi në Tribunalin e Hagës i kriminelit serb të luftës, Sllobodan Milosheviq, përgjegjësit kryesor për dhunën dhe luftërat dhjetëvjeçare në hapësirën ish-jugosllave, mendohej se ishte hapur rruga për një politikë të re të pajtimit dhe të normalizimit të marrëdhënieve midis popujve të rajonit. Nëse shikojmë me vëmendje në këtë hark kohor ,raportet shqiptaro-serbe, kroato-serbe, boshnjako-serbe, pak gjëra kanë ecur në drejtimin e duhur dhe nuk mund të thuhet se ka ndodhur normalizim i plotë i raporteve ndër fqinjësore, në radhë të parë sepse Beogradi, në thelb, nuk ka ndryshuar konceptin e politikës karshi Kosovës, Kroacisë, Bosnjë-Hercegovinës madje edhe ndaj Malit të Zi e Maqedonisë. Pra, në Beograd, edhe pas dy dekadave që nga largimi të shfronësimit të regjimit të Milosheviqit,  nuk ka ndodhur ndonjë një ndryshim cilësor demokratik, atje ose janë ricikluar elitat e vjetra nacionaliste ose në pushtet janë rikthyer mbetje politike nga regjimi i Milosheviqit, që kanë vazhduar idenë e bashkimit të të gjithë serbëve në një shtet, por tani duke përdorë instrumente dhe strategji më të sofistikuara. Në të njëjtën kohë, regjimi i shkuar sa glorifikimet për idenë e madhe kombëtare po aq akuzohet, jo për krimet e bëra në Kosovë, Bosnjë e Hercegovinë, Kroaci dhe Slloveni, por paaftësinë e realizimit të idesë për restaurimin e  një shteti të madh serb. Në këtë kontekst, serbët, por jo vetëm ata, nxjerrjen e përgjegjësve për krime të luftës para Gjyqit Ndërkombëtar të Hagës, nuk e kanë mirëpritur asnjëherë, dhe si rrjedhojë efektet i dënimeve ka qenë minimal. Jo rrallë herë edhe në disa qendra ndërkombëtare të vendosjes, sikur u provua që problemeve të Ballkanit t’i mbyllej kapaku duke bërë një simetri artificiale për krimet e bëra në gjithë hapësirën e ish-Jugosllavisë. Në këtë kuptim, ky pozicion i lëkundur i Perëndimit u shfrytëzua nga të gjitha kryeqendrat politike rajonale, duke hapur shtegun për ikjen e përgjegjësisë, për mohimin e krimeve ose duke bërë simetri “të gjithë kemi bërë krime”. Në këtë kontekst, derisa Perëndimi fliste për procese demokratike në Beograd, në të njëjtën kohë, elita politike serbe në Beograd edhe sot glorifikon hapur të kaluarën e Milosheviqit, dhe deri para disa vitesh ajo kishte strehuar për një kohë të gjatë kriminelët më në zë të luftës, si Karaxhiq e Mlladiq e të tjerë. Në këtë kuadër, themelimi i Gjykatës Speciale për Kosovën (gusht 2015), në përbërjen e së cilës do të ketë vetëm prokurorë e gjykatës ndërkombëtarë, edhe pse i bërë me votat e Parlamentit të Kosovës, në fakt, nga shumica shqiptare perceptohet si ndëshkim i kauzës së luftës çlirimtare, derisa pala serbe e sheh si triumf të pretendimeve të saja për ta dëmtuar ose mbase një ditë për ta zhbërë mundësisht shtetësinë e Kosovës. Në këtë kontekst, kjo sjellje larg çdo rezoni shtetëror e ka krekosur qeverinë e Beogradit, e cila nuk ka rreshtuar për mohimin  e krimeve serbe në Kosovë të bëra në luftën e fundit,

në anën tjetër, ka ndjekur diskursin e vjetër të viktimizimit të popullit “martir” serb. Sigurisht, sikur edhe pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore po të kishte kaq hamendje dhe kaq luhatje për të dënuar krimet e të regjimit të Hitlerit dhe sikur të ishte provuar të bëhej simetri mes krimeve të nazistëve dhe krimeve të jo gjermanëve si pasojë e luftës, kur pas tërheqjes së forcave gjermane, qindra mijëra dhe miliona civilë gjerman u bënë viktima të hakmarrjes nga ushtritë e shteteve fituese të luftës. Trajtimi brutal i gjermanëve, u ndëshkua më vonë në shtetet dëbuese vetëm në disa raste të jashtëzakonshme.  Vetëm gjatë “marshimit të vdekjes së Bërnos” , duke filluar më 31 maj 1945, ngjarje që luan një rol vendimtar në kujtesën kolektive të gjermanëve sudetë, u dëbuan drejt Austrisë 27,000 njerëz, kryesisht gra, fëmijë dhe të sëmurë, ndërsa numri i viktimave sipas studiuesve konsiderohet rreth 5 mijë njerëz.

Prill 1999: Gra dhe fëmijë të rraskapitur prej luftës pushojnë në Kukës. Wolfgang Eilmes/FAZ

Shembulli gjerman  i Willy Brandit-it

 

Pavarësisht këtyre krimeve të dënueshme, askush nuk guxoi të relativizonte krimet e regjimit të Hitlerit dhe askush nuk provoi të gjente çfarëdo justifikimi brenda apo jashtë Gjermanisë, për të provuar të gjejë mundësinë e shfajësimit dhe të ikjes së përgjegjësisë së Gjermanisë për atë çfarë u kishte bërë popujve të tjerë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Përkundrazi, gjermanët njohën përgjegjësinë e tyre historike për krimet e nacional socializmit dhe ndër breza punuan me përkushtim për ndërtimin e besimit tek fqinjët e tyre, të cilët kishin mosbesim dhe kujtime të hidhura nga e kaluara. 25 vjet pas përfundimit të luftës botërore, një gjest gjerman lëvizi botën, në dhjetor 1970 kancelari Federal Willy Brandt bëri gjunjëzimin historik në emër të Gjermanisë para memorialit të viktimave të kryengritjes në geton e Varshavës. Për guximin e tij nga e gjithë bota u përgëzua kancelari socialdemokrat, ndërsa gjermanët reaguan me skepticizëm. Ishte ky udhëtimi më i vështirë i Brandt-it, një antifashist gjerman, i cili kishte ikur në mërgimi nga nazistët dhe për këtë arsye ishte sulmuar nga të djathtët për “tradhti të atdheut” pasi njihte fajin gjerman. Duhet shtuar se modeli gjerman dhe përballja me të kaluarën ishte një ndërmarrje e madh e elitave kombëtare politike dhe kulturore gjermane dhe ndërkombëtare. Madje pati edhe ndëshkim të rëndë, vendimi i fuqive fitimtare për dorëzimin e një çerek territori të Rajhut gjerman në Poloni, nuk e bëri më të lehtë situatën për gjermanët. Qeveria Brandt asokohe njohu riorganizimin territorial të Evropës, të vendosur në Potsdam nga fuqitë aleate fitimtare më 1945. Në të njëjtën kohë, ai u përpoq të zbuste dhe kapërcejë ndarjen e Evropës dhe, mbi të gjitha, Gjermaninë përmes perdes së hekurt.

Ndërsa, në Beograd edhe dy dekada pas përfundimit të luftës në Kosovë dhe më shumë se dy dekada pas Marrëveshjes së Dejtonit, mungon vullneti dhe guximi i elitave intelektuale e politike për t’u përballur në mënyrë kritike me të kaluarën, me krimet e shtetit serb të periudhës së Millosheviqit, të cilat nga studiues dhe institucione relevante ndërkombëtare janë cilësuar si krimet më të rënda që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore. Arratisja dhe dëbimi i popujve joserb, varrezat masive, fati i pazbardhur i mijëra personave të pagjetur, vuajtjet e gjata nëpër burgjet serbe e jugosllave, i bëjnë të vështira marrëdhëniet me (serbët/fqinjët serb)në periudhën e pasluftës, ndërkohë që serbët vazhdojnë propagandën e tyre për një komplot antiserb nga Perëndimi, Vatikani, të cilit i janë bashkuar nga shqiptarët, kroatët, boshnjakët e të tjerët. Çështja se në cilën formë Beogradi duhet të përballet me historinë më të re dhe me krimet e luftës, si edhe më parë mbetet e diskutueshme. Në mesin e elitës politike dhe kulturore serbe ekzistojnë pak emra që mund të përballen me këtë barrë të madhe të së kaluarës.

Sa e vështirë është për shoqërinë serbe të merret me të kaluarën e afërt, është evidente nga diskursi që aktualisht ndjek Beogradi për krimet e bëra gjatë luftës në Kosovës, si dhe qasja  agresive që mban edhe sot Beogradi zyrtar për bombardimet e NATO-s kundër infrastrukturës represive të regjimit të Milosheviqit. Në këtë kontekst, presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, gjatë vizitës në Kosovë në shtator 2018 në vend se të përkulej në vendet e krimit, në Reçak, në Izbicë ose gjetiu, ai lartësoi figurën e kriminelit të luftës Sllododan Millosheviq, duke shprehur edhe një lloj keqardhje për mosrealizimin e projektit të tij në Kosovë. Mbase edhe nuk është befasi, pasi po ta kishte një mundësi të tillë edhe një ministër i informacionit të qeverisë naziste, nuk do bënte gjestin e Brandit-it, por do të provonte ta justifikonte projektin dhe të bëmat e Hitlerit. Sjelljet e deritashme të kreut serb, veçanërisht në lidhje me mohimin e krimeve mbi shqiptarët e Kosovës, pretendimet e vazhdueshme territoriale mbi Kosovën, dhe synimet për ta pritur një moment të ri për ripushtimin e saj, ose për ta ndarë territorin e saj, pastaj, mos zbardhja e fatit të personave të pagjetur, janë dëshmi e mos gatishmërisë së kreut të shtetit serb për një fillim të ri.  Gjithashtu se se Beogradi nuk është i gatshëm dhe ai i interesuar për një ballafaqim me të kaluarën dhe nuk distancohet nga krimet e regjimit të Milosheviqit, dëshmon rasti i akademisë ushtarake të Serbisë, e cila vite më parë angazhoi si ligjërues gjeneralët dhe oficerët e përfshirë drejtpërdrejt në krimet e luftës në Kosovës, që dëshmon se shteti serb agresionin dhe politikën shfarosëse ta etabloj në një doktrinë të re e të posaçme lufte për ripushtimin e Kosovës. Ligjërimi nga ata që kanë bërë krime kundër shqiptarëve të Kosovës është forma më e rrezikshme e të menduarit në shoqërinë serbe dhe për më tepër paraqet një potencial destabilizues për rajonin dhe cënon stabilitetin afatgjatë

Mbi këtë paradigmë duhet parë edhe përpjekjen e politikës aktuale serbe me në krye Vuçiqin që edhe 21 vjet pas përfundimit të luftës në Kosovë të mohojë masakrën mbi civilët shqiptarë në Reçak dhe për ta paraqitur atë si një fabrikim të diplomatit amerikan William Walker. Kjo mënyrë e sjelljes së presidentit serb e shtyri ish-ambasadorin e OSBE-së që t’i kundërpërgjigjej ati duke ia përkujtuar se “ai e di të vërtetën që ndodhi Recak. Besoj se ishte ministër i informimit apo diçka e tillë në kohën e Millosheviqit. Pra, ai është politikan i llojit të Millosheviqit. Ka njerëz në këtë botë, që përkundër të gjitha provave apo shkencës, besojnë që toka është e rrafshët. Ne ishim në Hënë dhe pastaj filluan të dyshojnë se ne kemi shkuar atje. Ky për mua është Vuciq. Ai beson në tokë të rrafshët, apo që ne nuk kemi shkuar në Hënë, apo që masakra e Recakut asnjëherë nuk ka ndodhur. Por jam i sigurt që ai e din që masakra ka ndodhur. Ai ishte pjesë e komandës”, ka thënë Walker.

Për më tepër, mohimi dhe revizionizim serb është jo vetëm në kundërshtim me vlerat e Bashkimit Evropian dhe me projektin e integrimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, por është një tendencë permanente për vazhdimin e politikës së vjetër për realizimin e idesë për Serbisë së Madhe. Ashpërsimi i fundit i marrëdhënieve ndërmjet Malit të Zi dhe Beogardit pas miratimit të një ligjit për Liritë Fetare në parlamentin malazias si dhe lufta permanente kundër shtetësisë së Kosovës na risjell ndërmend ngjarjet dhe trazirat e fillimviteve 90-të të shekullit 20, kur Milosheviqi nisi organizimin e trazirave të serbëve në jashtë territorit të Serbisë me qëllim realizimit të projektit të bashkimit të të gjithë serbëve brenda një shteti. Prandaj, as Perëndimi dhe askush në rajon nuk duhet të nënvlerësoj potencialin destabilizues të qeverisë së Beogradit, i cili mund të jetë i sponsorizuar edhe nga aleatët e saj strategjik, në radhë të parë nga Rusia. Në këtë kuptim reagimi i vendosur  Perëdnimi do të ishte sinjal i duhur se kësaj radhe do të pamundësohet çfardo skenari i fundshekullit të kaluar.Në këtë kuadër, përjashtim pozitiv përbëjnë pak emra nga Beogradi, si politikani liberal Çedomir Jovanoviq, pastaj Kryetarja e Komitetit të Helsinkit serb për të Drejtat e Njeriut, Sonja Biserko apo kryetarja e Fondit për të Drejtën Humanitare. Natasha Kandiq ka qenë një ndër të rrallët në Beograd, që ka justifikuar ndërhyrjen e NATO-s në vitin 1999 dhe këtë e ka thënë hapur. Për më teprë, themeluesja e Fondit për të Drejtën Humanitare, Natasha Kandiq, vitin e kaluar kishte kërkuar që të ngrihet një memorial në Batajnicë të Beogradit, për civilët shqiptarë të vrarë nga forcat ushtarake të Serbisë, e të varrosur fshehtas në varrezat masive në Batajnicë. Por, Kandiq dhe Biserko i përkasin rrethit të vogël të atyre intelektualëve që kërkojnë një përballje të guximshme me të kaluarën e afërt. Shumica e tyre e kishin luftuar politikën nacionaliste të Beogradit, gjatë mbretërimit të Millosheviçit. Ata janë të bindur se serbët sot nuk e kanë të lehtë të sillen sikur asgjë nuk ka ndodhur.  Zërat e pakët kritikë ankohen se shoqëria serbe, veçanërisht elita politike dhe intelektuale, nuk ka asnjë interes real për t‘u ekspozuar me krimet serbe të luftës. Në shoqërinë serbe nuk dëshirojnë të dëgjojnë dhe të flasin për krimet e luftës, ndërsa shtypi nuk raporton ose rrallë raporton për këtë. Përballja me krimin është testi themelor për shoqërinë serb dhe shkallën e tij të emancipimit, e cila është shtytje dhe parakusht për bashkëpunim me popujt tjerë të Ballkanit. Pra, serbët përfundimisht duhet të ballafaqohen në mënyre kritike me të kaluarën e tyre, ashtu siç bën gjermanët pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Përgjegjësia ndërkombëtare e Serbisë, edhe sipas të drejtës ndërkombëtare publike, është përgjegjësi politike materiale dhe morale.

Historiania serbe Latinka Peroviq, në një nga kontributet e saj, flet për “indiferencën e tmerrshme” të serbëve ndaj atyre me të cilët kishin jetuar deri vonë në të njëjtin shtet. Por, një gjë është e sigurt se serbët nuk mund të bëhen se nuk dinë çfarë ka ndodhur me fqinjët e tyre shqiptarë, meqë ata i brohorisnin fushatave represive të Milosheviqit kundër shqiptarëve të Kosovës, madje në fillim të viteve 90-të shumica e tyre mendonin se ai ishte lideri i duhur për ta realizuar Serbinë e Madhe. Ishte elita intelektuale, sidomos Akademia Serbe e Shkencave dhe Kisha Ortodokse serbe që u bë nxitëse e pasioneve nacionaliste dhe pikërisht këto qarqe edhe sot e bëjnë të pamundur një diskutim publik për të kaluarën dhe raportet me fqinjët. Dihet tashmë se kur kishte filluar ngritja dhe shkëlqimi i diktatorit serb, ata kanë qenë forcë e mobilizimit histerik antishqiptar, antikroat dhe antiboshnjak, duke u bërë kështu paraprijës të luftërave të përgjakshme në fundshekullin XX dhe shkaktar kryesor të shpërbërjes së përgjakshme të federatës artificiale jugosllave.

Prill 1999: Babë e bir të dëbuar nga atdheu i tyre pushojnë në Morinë, në afërsi të Prizrenit. Wolfgang Eilmes/FAZ

Fytyra  e drejtësisë ndërkombëtare

 

Kosova dhe popullsia shumicë shqiptare, duke qenë viktimë e qeverive të Beogradit, nuk ka arritur të ndërtojë në institucion të profesionalizuar, që në rend të parë do të merrej me ndriçimin e krimeve të luftës pa dallim etnie, e më pas të merrej me ndërtimin në mënyrë sistematike të kulturës së kujtesës. Po ashtu, e ndodhur përballë agresionit të vazhdueshëm politik të Beogradit, ka qenë e vështirë ndërtimi i një qasje e institucionalizuar dhe profesionale për përballjen kritike me të kaluarën. Edhe më të vështirë këtë proces e ka bërë qasja e drejtësie ndërkombëtare, e cila në disa raste në Kosovë ka zhvilluar procese të stërzgjatura për krime lufte, të cilat ishin të orientuara më shumë se kundër pjesëtarëve të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës sesa kundër ushtrisë, policisë dhe njësiteve paraushtarake serbe (një pjesë e të cilëve akoma janë pjesë  strukturave shtetërore në Serbi), që ishin përgjegjëse për krimet masive (vrasje, burgosje dhe përdhunime) dhe spastrimin etnik si dhe dëbimin e afro një milion të civilëve shqiptarë si dhe për krimet. Deri në fund të vitit 2008 drejtësia në Kosovë dominohej nga prokurorët dhe gjyqtaret ndërkombëtarë të UNMIK-ut, të cilët kishin trajtuar zgjidhur afërsisht 40 çështje për krime lufte, kryesisht kundër komandanteve dhe drejtuesve të nivele të ndryshëm komanduese të UÇK-se. Kjo përgjegjësi u mor përsipër nga Komponenti Policor i EULEX-it që nga dhjetori 2008, Shërbimi Policor i Kosovës (SHPK), i krijuar që nga shtatori 1999, u përjashtua nga këto hetime.[17] Kështu, në 2009-n, prokurorët e EULEX-it e nga UNMIK-u kishin marrë afërsisht 66 çështje për krime lufte në faza të ndryshme të hetimit, ndjekjes penale apo apelimit.[18] Pjesëtarët dhe ish-komandantëve e UCK-se u bë objekt i ndjekjes dhe nga Tribunali i Hagës në janar

2003[19], dhe në mars 2005, ku niveli i pretendimeve të drejtësie ndërkombëtare preku edhe rangun e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së.[20] Në të njëjtën kohë në Kosovë as drejtësia ndërkombëtare dhe as ajo vendore nuk kanë arritur të qartësojnë disa vrasja enigmatike e shumë veprimtarëve politikë dhe pjesëtarë të UÇK-së, të cilat vetëm sa kanë kontaminuar ambientin politik në Kosovë dhe kanë krijuar terren për akuza të ndërsjella.

Në përgjithësi strategjia drejtësisë ndërkombëtare synonte dhe synon t’i japë përparësi ndjekjes penale të krimeve të bëra në luftë, por rastet e suksesshme ishin të pakta. Elemente tjetër kyç ka qenë mbrojtja e dëshmitarëve, të cilët kanë ka qenë prej kohësh një problem në gjyqet e krimeve të luftës në Kosovë,[21] por edhe për Tribunalin e Hagës gjatë ndjekjes së ish-pjesëtarëve të UÇK-së. Po ashtu, çështja e personave të zhdukur gjithashtu nuk kishte ndonjë përparësi dhe njëzet e një vite pas përfundimit të luftës nuk dihet fati i 1641 personave nga Kosova. Mbase gabim u bë në Marrëveshjen Ushtarako-Teknike të Kumanovës[22] me 9 qershor 1999, kur NATO-ja anashkaloi trajtimin e kësaj çështje dhe të burgosurve shqiptarë.

Paralelisht me këto procese, Serbia ka ndjekur penalisht shqiptarë etnikë të Kosovës, të cilët qysh nga periudha e regjimit të Milosheviqit ishin në listën e policisë dhe të autoriteteve serbe si të dyshuar për krime lufte lidhur me rrëmbime gjatë luftës së Kosovës 1998/1999 dhe në vijim.

Në sytë e shqiptarëve kjo drejtësi me apo pa të drejtë është perceptuar si selektive dhe që pikënisjen për vendosjen e drejtësisë e ka mbështetur mbi dosjet e një regjimi okupues e represiv, i cili për më shumë se një dekadë me metoda politike, juridike, ekonomike, policore dhe ushtarake kishte provuar të jetësonte idenë hegjemoniste serbe për një Kosovë pa shqiptarë.

Veç kësaj, rezistenca e brendshme e shoqërisë shqiptare ndaj drejtësie ndërkombëtare rezultonte edhe nga një lloj inercie rezistuese përballë sjelljes agresive të politikës serbe në Beograd dhe i mbajtjes gjallë të idesë për restaurimit të idesë Serbisë së madhe dhe të ripushtimit të Kosovës, si dhe glorifikimit të politikës represive të regjimit të Milosheviqit ndaj shqiptarëve të Kosovës. Veç kësaj, përpjekja permanente e elitës politike serbe për mohimi i shtetësisë së Kosovës është perceptuar nga shqiptarët si përpjekje për mohimin lirisë së shqiptarëve, për tendencë për mohimin e së kaluarës dhe mbi të gjitha të vuajtjeve të tyre prej shumë se një shekulli, respektivisht nga pushtimi me 1912/1913, kur gjatë periudha të ndryshme u zhvilluan fushata për dëbimin dhe kolonizimin e Kosovës.[23] Po kështu, në kulturë ballkanike është e njohur tradita e narratives së padrejtësisë dhe vet-viktimizimit, e cila ishte bërë shtysë për të bërë krime, luftëra dhe gjenocid gjatë procesit të shpërbërjes së ish-Jugosllavisë. Sipas kësaj narrative, kryerësit e këtyre veprave besonin se kishin të drejtë të vepronin me brutalitet dhe veprimet skajshmërish çnjerëzore ndaj etnisë tjetër, në këtë rast kundër shqiptarëve apo popujve të tjerë të synonin krijimin e shteteve kombëtare, besonin se ishin të justifikueshme.

Prill 1998: Një baba nga fshati Herq i jep lamtumirën e fundit birit të tij dhe tetë pjesëtarëve të familjes së tij. (C) Wolfgang Eilmes/FAZ

Lista e zezë e SHBA-së dhe e BE-së

 

Në pamundësi për të mbajtur një qëndrim ekuilibrues dhe kritik me të keqen, ShBA ashtu edhe Bashkimi Evropian kanë aplikuar sanksione politike e diplomatike ndaj disa personaliteteve politike e ushtarake shqiptare, sidomos disa figura të luftës, duke i futur në listën e “ zezë ”, e cila  kurrë nuk ishte transparente sa duhet, por edhe nuk u kontestua edhe aq zëshëm nga vetë ata që gjenden në këtë listë. Po ashtu mjaft debatuese ka qenë edhe mënyra e themelimit të Gjykatës Speciale për Kosovën, apo siç emërohet me ligj “Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar”, nga Parlamenti i Kosovës, meqë ajo do të merret vetëm me krimet e pretenduara të njërës palë, të UÇK-së, e cila duhet ta pranojmë se gjatë luftës u tregua e tepër e kujdesshme në raport me serbët lokal. Ajo e kishte të qartë se për ta tërhequr ndërhyrjen e NATO-s në luftën e Kosovës, duhej të ndiqte në mënyrë konsekuente tri objektiva: që lufta e saj të mos ishte cenuese ndaj popullsisë civile serbe; t’i shmangej ngjyrimeve ideologjike; të refuzonte çdo lloj bashkëpunimi me luftëtarë nga vendet islamike.  Në të kundërtën, ajo do të përligjte pretendimet e propagandës së regjimit të Milosheviqit se kjo luftë e shqiptarëve kishte elemente “fetare” dhe terroriste “. Por, tani edhe 21 vjet pas përfundimit të luftës në Kosovë, fraza standarde që vazhdimisht përdoret nga ndërkombëtarët është se gjyqësia nën regjinë e tyre do të vendosë drejtësinë dhe do të identifikojnë viktimat, por nuk do të gjykohet UÇK-ja dhe lufta saj, madje edhe atëherë kur shpërfaqen pretendimi ndaj gjithë hierarkisë së saj. Për më tepër, duke pak e besueshme, kur ashiqare ka një tendencë për ta dejonizuar luftën mbrojtëse të shqiptarëve me qëllim që të krijohet një simetri mes krimit të organizuar shtetëror serb. Por, mbase edhe  Kosova ishte vonuar për të ndëshkuar keqbërësit e mundshëm dhe për të identifikuar viktimat dhe përgjegjësit e krimeve, sepse, si në çdo rast, edhe në Kosovë mund të kenë ndodhur gjëra jo të mira, ka pasur individ të papërgjegjshëm, por ngjarjet e këtilla ishin rrjedhojë e luftës, të izoluara dhe jo platformë shtetërore. Ndërsa, tek kjo gjykatë ndërkombëtare Kosova erdhi si pasojë e rezolutës së Këshillit të Evropës, që kërkonte hetime mbi supozimet e një senatori zviceran Dick Marty, i cili pretendonte se pjesëtarë të UÇK-së kanë kryer krime lufte. Tri elemente janë indikativë te pretendimet e senatorit zviceran: e para, koha e publikimit të këtij raporti ishte vetëm pak muaj pas goditjes juridike dhe diplomatike që kishte marrë Serbia nga GJND-ja lidhur me opinionin e saj mbi ligjshmërinë pavarësisë së Kosovë në rrafshin e të drejtës ndërkombëtare, gjë që mund të “lexohet” si përpjekje e kundërshtarëve te pavarësisë se Kosovës për ta lënë nën hije opinionin e GJDN-së. E dyta, materia e akuzës ishte shumë identike me pretendimet e policisë dhe të gjyqësisë serbe të regjimit të Milosheviqit, i cili përdorte çdo mjet dhe instrument për ta damkosur luftën për liri të shqiptarëve dhe të UCK-se. Dhe e treta, lista e personave përgjegjës në raportin e senatorit zviceran është e ngjashme me listën e palës serbe.

Pamje nga një xhami e shkatërruar. (C) Wolfgang Eilmes/FAZ

Mohimi i krime nga pala serbe

 

Kjo qasje për drejtësi selektive, duke mohuar ose minimizuar krimet e bëra nga pala serbe, është edhe rezultat i dobësisë së brendshme, mungesës së rezonin shtetëror dhe në përgjithësi i shmangies të elitave nga ideja për konsolidimin e brendshëm dhe të jashtëm të shtetit të Kosovës. Tani kur ajo ka ndodhur,  ka vetëm një rrugë, duhet pritur derisa këto akuza të sqarohen para kësaj gjykate dhe shihet se sa të bazuara ishin pretendimet e senatorit zviceran.

Por, një gjë dihet se raporti Marty-t nuk ishte krejt rastësi, si për nga përmbajtja ashtu edhe për nga koha e publikimit. Raporti i tij shpërfaq vetëm pak muaj pas opinionit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë mbi pavarësinë e Kosovës, përmes të cilit u konfirmuar se shtetësia e Kosovës nuk binte ndesh me të drejtën ndërkombëtare, dhe vinte vetëm pak kohë para fillimit të bisedimeve të ashtuquajtura teknike ndërmjet Kosovës dhe Beogradit. Pra, raporti i senatorit zviceran ishte mirë i kalkuluar, synonte ta godiste Kosovën që kishte fituar në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, dhe t’ia lehtësonte Beogradit relacionet deri atëherë të vështira me BE-në, për shkak të mosdorëzimit të Mlladiqit dhe Karaxhiqit në Tribunalin Ndërkombëtar për Krime Lufte në Hagë.

Në këtë situatë, raporti i Dik Marty-it i pamundësoi Kosovës kapitalizmin e këtij opinioni të një institucioni më të lartë të OKB-së, përkatësisht që ta përdorte si instrument në fuqizimin e pozicionit ndërkombëtar të Kosovës. Në të njëjtën kohë i dha mundësi Beogradit të vazhduar fushatën agresive kundër shtetësisë së Kosovës dhe përmes Rusisë për ta penguar konsolidimin në planin ndërkombëtar. Ekzistojnë dëshmi se edhe vetë raportit të Dick Marty-it i kishte paraprirë një kërkesë e një përfaqësuesi të federatës ruse në Këshillin e Evropës, Konstantin Kosachev, i cili besohet se nismën e tij kundër Kosovës në Këshillin e Evropës e ndërmori vetëm pak kohë pas publikimit të librit të  ish-kryeprokurores së Gjykatës së Hagës, Carla Del Ponte “The Hunt: Me and the War Criminals” (2008), në të cilin ajo pretendon se kinse luftëtarët shqiptarë në Kosovë i kanë vrarë disa dhjetëra serbë dhe i kanë shitur organet e tyre. Por, meqë kërkesa e rusit ishte injoruar, flamurin e mori senatori zviceran, i cili bëri kërkese për të filluar hetimet përmes ngritjes së një gjykate ndërkombëtare. Ishte kjo një ngjarje fatale për Kosovën si pasojë e angazhimit rus, që më parë kishte dështuar për ta bllokuar intervenimin e NATO-s në Këshillin e Sigurimit në mars 1999 dhe së dyti me kërcënimin e përdorimit të vetos në Këshillin e Sigurimit me 2007, nëse do të vihej në agjendë Propozimi i Ahtisaarit për pavarësinë e Kosovës.

Qëllimi ishte e qartë, përmes kësaj goditje synohej të cenohej pozicioni i shtetësisë së Kosovës, të provohej të argumentohej se çështja e shtetësisë ishte e papërfunduar dhe përmes tij të amnistohej Serbia për krimet e bëra në periudhën e Milosheviqit, me pretendimin se të gjitha palët kanë bërë krime. Pra, edhe më tej kërkohet të bëhet një simetri artificiale për krimet e ndodhura gjatë luftës së Kosovës. Por, në këtë rast duhet shtruar pyetjen, nëse të gjithë janë të njëjtë dhe të gjithë kanë bërë krime, bëri Serbia agresion ndaj Kosovës apo Kosova ndaj Serbisë? Pra, sa herë flitet për  shpërbërjen e Jugosllavisë dhe luftërat e viteve 90-të të shekullit të kaluar, provohet të thuhen shumë gjëra, përveç fakteve. Në vend se të shikohet në mënyrë racionale e kaluara dhe në bazë të faktografisë, shpesh me shfaqje në forma të ndryshme bëhet mohimi i krimeve të regjimit të Milosheviqit. Kjo gjë nuk thuhet vetëm në Serbi, por edhe në rrethe të caktuara ndërkombëtare, ku me apo pa qëllim thuhet se të gjitha palët janë njësoj fajtorë për luftën dhe krimet, të gjitha palët kanë vrarë dhe secila palë duhet të shikojë në oborrin e vet ose të përballet me fajin dhe përgjegjësinë për të keqen e të së kaluarës së fundit.

Është e vërtetë se për luftë janë të domosdoshme dy palë, por jo në të gjitha rastet ato kanë projeksione dhe mjete të njëjta. Dihet botërisht se në tubimin e Fushë Kosovës në qershor 1989, kur Kosovës i ishte rrënuar çdo lloj autonomie dhe shqiptarët ishin shpallur në fakt heretikë, Milsoheviqi krejt hapur e kishte bërë të qartë idenë e tij për Serbinë e Madhe dhe për bashkimin e të gjithë serbëve brenda një shteti etnik. Ai kishte lëshuar thirrjen, se toka e premtuar për popullin serb do të jetësohej me ose pa luftë. Në fakt, ky është momenti kur Beogradi edhe zyrtarisht ndezi makineritë e luftës kundër Kosovës, Sllovenisë, Kroacisë dhe Bosnjës, por Perëndimi shikonte akoma me huti dhe ishte i papërgatitur për ta frenuar Milosheviqin, mbase edhe për faktin se në këtë moment ishte i preokupuar me çështjen e dekompozimit të Bashkimit Sovjetik, që po ndërkohë shfaqej në horizonte. Pra, versioni i balancimit të së keqes nuk ka ndihmuar pajtimin e popujve të rajonit, përkundrazi, ka krijuar hapësirë për mohimin e krimeve dhe keqpërdorimin politik të së kaluarës si dhe për instrumentalizimin e të kaluarës për nevoja të politikës së brendshme ditore. Në këtë kontekst, Beogradi, që është përgjegjës për të gjitha luftërat, tregimin për luftën e krimet e ka ngritur në diskurs zyrtar, sipas të cilit serbët gjithmonë ishin viktima të pafajshme dhe se formacionet ushtarake serbe  nuk kryen krime ndaj të tjerëve.

Në anën tjetër, shqiptarët e Kosovës, viktima të agresionit dhe represionit serb që nga pushtimi në tetor dhe nëntor të vitit 1912, të ndodhur nën administrimin ushtarak dhe civil ndërkombëtar, u motivuan t’i shmangen retorikës së kaluarës dhe gradualisht të shpërfaqin një lloj amnezie përballë krimeve serbe. Në këtë rrethanë, por edhe të ndodhur përballë çështjes së statusit të padefinuar deri në shkurt të vitit 2008, si dhe të ndodhur nën trysninë e pasojave të trazirave të pasqaruara deri në fund të marsit 2004[24], shqiptarët e Kosovës nuk arritën të ndërtonin kulturën e mirëfilltë të kujtesës. Në vend të kësaj, kjo mungesë alarmuese e ndriçimit të paanshëm të së kaluarës u mbushë me publikime diletanteske, të cilat më shumë se i shërbenin qëllimin për çfarë publikoheshin, dukesh një lloj propagande e keqe.  Shpeshherë publikimet pa kritere shkencore ose reagimet pompoze, folklorike dhe jo profesionale të disa institucioneve dhe sidomos të disa  individëve me dije rudimentare akademike nëpër konferenca shtypi apo nëpër rrjete sociale mbi përmasat dhe natyrën e krimeve serbe të luftës në Kosovë, më shumë se zbardhjes së tyre, më shumë sesa të ndriçimit të kaluarës, ato më shumë e kanë dëmtuar të vërtetën dhe pozicionin tonë si shtet. Me një fjalë, jemi duket palë tepër jorezioze. Thjeshtë ato janë përdorur për konsum dhe pozicionime të brendshme e që në të shumtën e herëve i kanë kontribuar krijimit të një histerie nacionaliste, e cila më shumë sesa përballjes kritike me të kaluarën, qoftë edhe me të bëmat jo të lavdishme brenda radhëve tona, i ka  shërbyer palës tjetër për shfajësim dhe viktimizim. Për më tepër, sjellja e tillë diletante e qarqeve të caktuara në Kosovë, e motivuar më shumë nga intenca politike, për fshehjen e dështimit në përmbushjen e agjendës shtetërore, na ka shpërfaqur jo serioz dhe qesharak në çështje të tilla dhe i ka dhënë më shumë argument palës kundërshtare për arsyen e ngritjes të një gjykate të tillë ndërkombëtare.

 

Interpretimi i kulturës  së krimit si heroizëm

 

Në fakt, në gjithë periudhën e pasluftës shqiptarët e Kosovës kanë pritur më shumë në ballafaqimin e drejtësisë: deri më tani pak pjesëtarë nga elita ushtarakë dhe politike serbe janë dënuar për krime të luftës në Kosovë, për dhjetëra masakra mbi civilët shqiptarë dhe për mijëra shqiptarë të burgosur dhe të torturuar në burgjet dhe gjatë fushatës së dëbimit masiv apo për përdhunimet e mijëra grave shqiptare. Dokumentimi i krimit serb, edhe pse ishte i dirigjuar nga hierarkia shtetërore në Beograd, mbetet një sprovë edhe për gjyqësinë ndërkombëtare, meqë të gjitha të dhënat për personat përgjegjës për civilët e vrarë, varrezat masive, vrasjet masive, personat e zhdukur, të burgosurit politikë dhe të burgosurit e luftës, dhunën fizike, dhunën psikologjike, arrestimet arbitrare dhe personat e zhvendosur kryesisht janë në pronësi të shtetit serb, i cili edhe këtë ndërmarrje shtetërore kundër shqiptarëve, jo që nuk e konsideron si krim,  por glorifikon si një kauzë madhore në kontekstin e përpjekjeve historike për realizimin e Serbisë së Madhe. Në anën tjetër, mekanizmat ndërkombëtarë, ICTY-ja, UNMIK-u, EULEX-i, mbase duke pasur si pikënisje pajtimin me çdo kusht, me apo pa dashje kanë krijuar një lloj simetrie për krimet e së kaluarës, ndërkohë që krimet eventuale në Kosovë asnjëherë nuk kanë qenë një platformë apo program shtetëror i orientuar kundër pakicës serbe në Kosovë. Në fund të fundit problemi shqiptar i Kosovës nuk ka qenë një konflikt ndërmjet shqiptareve dhe serbeve lokal në Kosovë, por një luftë gati njëqindvjeçare ndërmjet shqiptarëve të diskriminuar dhe Beogradit. Por, gjithmonë këto raportet janë dëmtuar nga politika qendrore në Beograd , e cila me apo pa vullnet ka mbajtur peng dhe instrumentalizuar serbet lokal. Edhe sot barrierë kryesore për një klimë më të shëndoshë politike në rajon, respektivisht ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është elita politike në Beograd dhe veçanërisht hierarkia aktuale e Kishës Ortodokse Serbe, e cila vazhdon të jetë cytëse e ksenofobisë dhe pasioneve nacionaliste.

 

Imponimi i Gjykatës Speciale

 

Natyrisht një gjë e tillë ka zbehur reputacionin  e gjyqësisë ndërkombëtare në sytë e shqiptarëve dhe në të njëjtën kohë sjellja mohuese dhe agresive e elitës serbe ka influencuar negativisht krijimin e një klime të mirëbesimit dhe të pajtimit në rajon. Në këtë mes, veçanërisht një pengesë tjetër serioze për një klimë më të shëndoshë politike në rajon, respektivisht ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është hierarkia aktuale e Kishës Ortodokse Serbe, e cila paraqet  shtypjen e fqinjëve “joqiellor” si një luftë kundër të keqes. Është i saktë mendimi i historianit kroat Branimir Anzulovuvić, kur thotë se „njerëzit që do të duhej të përfaqësonin ndërgjegjen morale të kombit dhe t’i dënonin krimet e kryera në ngarendjen për Serbinë e madhe, janë në fakt nacionalistë të zjarrtë dhe cytës të ksenofobisë”.[25]

Praktika e deritanishme dhe sjellja e elitave politike dhe kulturore në kryeqendrat ballkanike ka qenë sinjikative dhe një tregues se bërja e drejtësisë dhe ndjekja e kriminelëve të luftës nuk mund të të realizohet me paanshmëri nga gjykata dhe gjykatës vendorë, meqë apriori kriminelët do të kërkoheshin në rend të parë ose vetëm në taborin kundërshtar, tek etnia tjetër. Për më tepër, në kulturën e ballkanasve, me pak përjashtime, edhe më tej kultura e krimit vazhdon të interpretohet si heroizëm, aq më tepër kur bëhej fjalë për krimet ndaj një etnie tjetër. Në kohën kur Tribunali  Ndërkombëtar për Krime të Luftës përmbylli ndjekjen e krimineleve të luftës, edhe pse me rezultate mjaftë modeste, ndërkombëtarët i imponuan Kosovës formimin e Gjykatës Speciale, e cila ndodhi kryesisht si pasojë e raportit dhe e pretendimeve spektakulare të zviceranit Dick Marty se UÇK kishte bërë krime lufte. Në fakt, pretendimet e senatorit zviceran si zakonisht nuk u morën shumë seriozisht nga shqiptarët, por koha tregoi se pohimet e tij po bëheshin gjithnjë e më shumë problematike. Mungesa e largpamësisë shqiptare për të themeluar vet një Gjykatë Speciale në Kosovë për krime lufte, dhe me i adresuar sa më shpejt të jetë e mundshme pretendimet e senatorit zviceran, mbase do ta evitonte trysninë ndërkombëtare për themelimin e Dhomave të Specializuar anë Hagë në vitin 2015.

Për më tepër, tani kapitulli me Gjykatën Speciale në Hagë-  në të cilën deri më tani janë ftuar mbi 100 pjesëtarë të UÇK-së, së fundi edhe presidenti i vendit Hashim Thaçi dhe ish-kryetari i Kuvendit te Kosovës, Kadri Veseli- po bëhet problematik, ngase nëse atje akuzohet e gjithë hierarkia e UÇK-se, të kota janë pohimet retorike se nuk po gjykohet kjo organizatë politiko-ushtarak, e cila, është sinonim i luftës së shqiptarëve për liri nga okupimi i egër i regjimit të Milosheviqit. Për më tepër, lufta e shqiptarëve erdhi si domosdoshmëri e mbijetesës dhe si rezultat i injorimit ndërkombëtar të rezistencës paqësore ose siç deklaroi ish- ambasadori holandez Robert Bosch, UÇK-ja u paraqit pas rezistences se gjate paqesore “ në fund të viteve ‘90-ta dhe bëri luftë të ndershme, as me pak e as më shumë se mbijetesë”. [26]

Kjo qasje e drejtësisë ndërkombëtare ne vend se t’i ndihmojë përballjes me të kaluarën, ajo ka filluar të perceptohet si një tentative për ndryshimin e historisë se Kosovës dhe si një përpjekje për një simetri ndërmjet krimit te organizuar shtetërore dhe krimeve individuale te cilat me shume ishin rrjedhoje e luftës dhe e hakmarrjes individuale. Kjo qasje po ashtu ka tendence qe 21 vjet pas përfundimit te luftës ta përmbysë kufirin ndërmjet agresorit dhe viktimës. Është ironike që në Bruksel të trajtohet si politikan i moderuar dhe njeri i paqes ish-ministri i Informacionit ne qeverinë e Milosheviqit, ndërsa me Hagë në të njëjtën ditë të ndodhë intervistimi i Presidentit të Kosovës me pretendimin për “krime kundër njerëzimit”.

Natyrisht, kjo qasje e bënë më të diskutueshëm angazhim ndërkombëtar për drejtësi dhe i jep asaj më shumë dimension politik dhe e bënë një drejtësi me standard të dyfishtë. Është fakt i njohur se ne fund te Luftës se Dyte Botërore dhe ne vitet ne vijim u përndoqën ne shenjë hakmarrje miliona gjermanë,  madje vetëm nga  Çekosllovakia atëhershme u përndoqën më se tre milion gjermanë (Sudetendeutsche), por askush nuk guxoi dhe as që i shkon ndërmend të provojë të ngrejë paralele mes këtyre krimeve dhe krimeve të regjimit naziste te Hitlerit. Pra, nëse Kosove, ne periudhën e pasluftës mund te ketë ndodhur krime nga individë te caktuar, ato duhet shikuar ne kontekstin e pasojave të luftës, si krime individuale qe nuk mund t’i adresohen UÇK-se, kur ajo nga 20 qershori 1999 përfundimisht ishte demilitarizuar.[27]  Në këtë kontekst, është i drejtë mendimi gjeneralit gjerman i trupave paqeruajtëse të KFOR-it, Helmut Harff, në janar 2000, se është jo realiste që “pas gjithçka që kishte ndodhur ne Kosove dhe vrasjeve dhe shkatërrimeve t’u kërkohej shqiptareve qe ti përqafonin serbet si vëllezër dhe motra”, duke shtuar se te paktën ne këtë brez do te jete e vështirë te realizohet qëllimi i “bashkësisë ndërkombëtare për një Kosove multietnike”.[28]

Në anën tjetër, është e pritshme që paralelisht me intensifikimin e punës së kësaj gjykate, Beogradi do të vazhdojë fushatën agresive kundër shtetësisë së Kosovës, thellimit të përçarjeve të brendshme për autorësinë e deponimeve të akuzave në këtë gjykatë, dhe bashkë me të edhe të mohimit krimeve serbe mbi shqiptarët si në kohën e regjimit të Milosheviqit ashtu edhe në periudhat e mëhershme. Gjithsesi kjo qasje e pamundëson normalizimin e raporteve ndërfqinjësore dhe ndërshtetërore ndërmjet Kosovës dhe Beogradit, madje as pas bisedimeve shumëvjeçare në Bruksel të ndërmjetësuara nga BE-ja

Gjithsesi në normalizimin e raporteve ndëretnike në hapësirën ballkanike një rol të veçantë do të mund të luante historia, e cila tani duhet të deideologjizohet dhe rishikohet me sy kritik, si dhe të zhvishet nga të “ vërtetat historike “ të secilit popull, të cilat në të kaluarën u bënë forcë e mobilizimit negativ dhe luftërave të shumta midis popujve të Ballkanit. Kjo nuk do të thotë assesi amnezi kolektive, por vetëm drejtësi dhe ballafaqim kritik me të kaluarën. Mbi këtë premisë është i mundshëm një restaurim demokratik dhe pajtim midis popujve të Ballkanit. Në të kundërtën, paqja pa drejtësi është e paqëndrueshme.

 

Raporti me të kaluarën

 

Prapa gatishmërisë për kooperim dhe dialog ekziston pak vullnet për ballafaqim të mirëfilltë me krimet e së kaluarës dhe një mosgatishmëri e  tillë nuk mund të kompensohet me argumentin se Beogradi ka bashkëpunuar me Tribunalin e Hagës kur ka dorëzuar Millosheviqin, Mlladiqin, Kraxhiqin para gjykatës ndërkombëtare protagonistët kryesorë të luftës. Denazifikimi i një shoqërie është një ndërmarrje më e gjerë politike dhe kulturore, një angazhim permanent dhe afatgjatë i elitave kulturore dhe politike, duke filluar nga demitizimi i historisë dhe depolitizomi i kishës nacionale, e cila nga qenë njëra nga institucionet kryesore të shoqërisë serbe që ka mbajtur gjallë idenë e ribërjes të një shteti të madh serb dhe të ripërtrirjes së perandorisë mesjetare serbe mbi gërmadhat e Perandorisë Bizantine. Në këtë kontekst, në historinë serbe duhet të shënohet si një ngjarje kulmore ndëshkimi ushtarak ndërkombëtar në mars të vitit 1999, në vend se të cilësohet komplot i fuqive të mëdha kundër popullit serb, të kuptohet rëndësia e saj vendimtare për çlirimin e shoqërisë serbe nga një elitë nacionaliste dhe si predispozitë e domosdoshme për demokratizimin e shtetit serb. Raporti me krimin është testi themelor për qytetërimin serb dhe shkallën e tij të emancipimit, e cila është shtytje dhe parakusht për bashkëpunim me popujt tjerë të Ballkanit. Pra, serbët përfundimisht duhet të ballafaqohen në mënyre kritike me të kaluarën e tyre, ashtu siç bën gjermanët pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore. Përgjegjësia ndërkombëtare e Serbisë, edhe sipas të drejtës ndërkombëtare publike, është përgjegjësi politike materiale dhe morale.  Pranimi i guximshëm përgjegjësisë për krimet e të kaluarës përbënë themelin e pajtimit midis popujve të hapësirës ballkanike, përkatësisht paraqet një predispozitë thelbësore për pajtimin e popujve të rajonit. Në të kundërtën, çdo përpjekje për mbajtjen e krimeve “nën tepih“  krijon teren për instrumentalizimin dhe keqpërdorimin e tyre për qëllime politike, njëjtë siç ndodhi në fillim të viteve 90-ta të shekullit të kaluar, kur krimet e Luftës ës Dytë Botërore u ekzagjeruan për qëllime të politikës nacionaliste dhe kur propaganda serbe e viktimizimit u përdor për homogjenizim nacional dhe justifikim e luftërave ekspansioniste për bashkimin e të gjithë serbëve në një shtet. Natyrisht, ballafaqimi kritik me të kaluarën e errët është një proces i gjatë, i vështirë dhe i dhembshëm për të gjitha kombet. Ashtu si gjermanët pranuan se vendi i tyre ishte shkaktare e Luftës së Dytë Botërore dhe e vuajtjeve të popujve të pushtuar, ashtu edhe Beogradi duhet më në fund të pranojë përgjegjësinë për agresionin dhe krimet në Kosovë, Slloveni, Kroaci dhe në Bosnjë dhe Hercegovinë. Kjo nuk duhet të ndodhë për fqinjët, por në rend të parë për vetë shoqërinë serbe, për krijimin e besueshmërisë ndaj fqinjëve të saj.  Nëse tejkalimi i armiqësive të trashëguara gjermano-franceze ishte themeli bartës i Evropës së re, po ashtu edhe tejkalimi i armiqësive Kosovë-Beograd duhet të jetë themeli i një rajoni të integruar në BE. Por, ashtu si dikur që SHBA-ja dëshironte një Evropë mbi-kombëtare, si përgjigje ndaj vetëshkatërrimit evropian, edhe tani SHBA dhe BE duhet ta ndihmojnë rajonin për tejkalimin e armiqësive të së kaluarës. Por, kjo nuk bëhet  as duke bërë simetri të krimeve, as duke harruar të kaluarën dhe anashkaluar atë çfarë ka ndodhur, por duke bërë një betejë të madhe për përballje kritike me të kaluarën, pasi kjo mbetet rruga e vetme të cilën e ka ndjekur edhe Evropa pas Luftës së Dytë Botërore. Daniel J. Goldhagen, derisa po ndodhte lufta në Kosovë, kishte bërë thirrje për një “zgjidhje gjermane” në Ballkan, që nënkuptonte okupimin dhe riedukimin e Serbisë sipas shembullit të Gjermanisë Perëndimore nga viti 1945[29]. Kjo qasje do të pamundësonte çfarëdo keqpërdorimi të së kaluarës për qëllime të politikës ditore dhe përdorimin e narracionit të luftës si heroizëm.

Në këtë kontekst, edhe normalizimi i marrëdhëniet shqiptaro-serbe, përkatësisht arritja e një marrëveshje të qëndrueshme ndër fqinjësore Kosovë-Beograd nuk mund të ndodhë përtej këtyre parametrave dhe modelit evropian të pas Luftës së Dytë Botërore. Për më tepër, rajonit të Ballkanit i duhet një version i Marrëveshjes së Elizesë (1963) si model për ndërtimin e një fqinjësie kontruktive mes dy popujve dhe vendeve të vogla, Kosovës dhe Serbisë. Kjo do të nënkuptonte gjithsesi njohjen e ndërsjellë e të pakusht ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, një premisë mbetet me rëndësi qendrore për stabilitetin afatgjatë të rajonit.

 

 

 

 

[1] Goldhagen, Diniel Jonah: Hitler’s Willing Executioners, New York: Alfred Knopf, 1996, f. 284.

[2] Goldhagen, Daniel Jonah: Hitler’s Willing Executioners, f 8–9.

[3] Human Rights Watch: Nën pushtetin e urdhërave, f.4, https://www.hrw.org/reports/2001/kosovo/HRW2.pdf

[4] Anzulovuvić, Branimir: Serbia hyjnore. Nga miti te gjenocidi. Koha, Prishtinë, 2017, f.12

[5] Stoessinger, John G.: Përse kombet shkojnë në luftë. Instituti i Studimeve Ndërkombëtare, Tiranë 2015, f. 176-184.

[6] Cohen, Lernard J.: Milosheviç, misteri i pushtetit. AIIS, Tiramë, 2010, f.21-22.

[7] Cohen, Lernard J.: Milosheviç, misteri i pushtetit. AIIS, Tiramë, 2010, f.21.

 

[8] Fischer, Joschka: Die rot-grünen Jahre: Deutsche Außenpolitik vom Kosovo bis zum 11. September, Kiepenheuer & Witsch, 2007 , f.181-182.

[9] Hufeisenplan existiert , Memento vom 19. November 2004 im Internet Archive, Das Parlament Nr. 16, 13. April 2000.

[10] Deutscher Bundestag: Plenarprotokoll 14/32 vom 15. April 1999, f: 2627f; http://dip21.bundestag.de/dip21/btp/14/026/14032026.28

[11]  Cohen, Lenard J.: Milosheviq, misteri i pushtetit, f.108.

[12] Është antonim i utopisë, një term që u krijua nga Thomas More dhe figuron si titulli i veprës së tij më të njohur “Utopia”, e botuar në 1516. Distopitë shpesh karakterizohen nga dehumanizimi dhe qeveri tiranike. Disa autorë përdorin termin për t’iu referuar shoqërive ekzistuese, shumë prej të cilave janë ose kanë qenë shtete ose shoqëri totalitare.

[13] Naimark, Norman M: Flammender Hass. Ethnische Säuberungen im 20. Jahrhundert, München, 2004,   f. 224.

[14] Malcolm, Noel: The War over Kosovo, në: Blitz, Brad K. (Hrsg.): War and change in the Balkans. Nationalism, conflict and cooperation, Cambridge, 200, f. 143-155, (151)

[15] Khs: Greilinger, Philipp Georg: Kosovo und Serbien: Von der Gemeinsamkeit zur Einsamkeit Eine Untersuchung der Re-Nationalisierung in Serbien im Lichte der Auseinandersetzungen um Kosovo. (Diplomarbeit), Wien, 2009, f.120.

[16] „Die Welt“, 26. Mai 1999: „Neue Welle von Vertreibungen“, online in Internet: http://www.welt.de/print-welt/article572161/Neue_Welle_von_Vertreibungen.html

[17] Groposja e së kaluarës- 10 vjet pandëshkueshmëri për zhdukejn me force në Kosovës, Amnesty International Qershor 2009, f.35, file:///C:/Users/syle.ukshini/Desktop/eur700072009sqi.pdf

[18] Groposja e së kaluarës- 10 vjet pandëshkueshmëri për zhdukejn me force në Kosovës, Amnesty International Qershor 2009, f.37, file:///C:/Users/syle.ukshini/Desktop/eur700072009sqi.pdf

[19] Tribunali bëri dy akt-akuza publike kundër shqiptarëve të Kosovës. E para u bë në 24 janar

2003, kur kundër Fatmir Limajt, Haradin Balës dhe Isak Musliut, anëtarë të UÇK-së, u ngrit

akt-akuza publike për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte, Prokurori kundër. Fatmir Limajt, Haradin Balës, dhe Isak Musliut (IT-03-66), marrë nga http://www.icty.org/x/cases/limaj/ind/en/lim-2ai040212e.pdf

[20]  Akt-akuza e dytë publike kundër shqiptarëve të Kosovës u bë nga Tribunali në mars 2005, dhe sërish kishte të bënte me pretendime rrëmbimesh. Akuzoheshin për krime kundër njerëzimit Ramush Haradinaj, ish-komandanti i UÇK-së dhe më pas kryeministri i Kosovës, Idriz Balaj, një ish-komandant njësie, dhe Lahi Brahimaj, një anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së: Prokurori kundër Ramush Haradinaj, Idriz Balaj dhe Lahi Brahimaj, (IT-04-84).

jhttp://www.icty.org/case/haradinaj/4#tjug, përdorur në prill 2009.

[21] Haxhiaj, Serbeze: Strategjia e re e Kosovës për krimet e luftës përballet me pengesa politike, Prishtinë, BIRN, March 13, 2019, https://balkaninsight.com/2019/03/13/strategjia-e-re-e-kosove-per-krimet-e-luftes-perballet-me-pengesa-politike/?lang=sq

[22] Military Technical Agreement

between the International Security Force (“KFOR”) and the Governments of the Federal Republic of Yugoslavia and the Republic of Serbia, https://www.nato.int/kosovo/docu/a990609a.htm

[23] Obradović, Milovan: Agrarna reforma i kolonizacija na Kosovu 1918-1941. Priština 1981.

[24] Qeveria e Kosovës dhe të gjitha institucionet tjera përgjegjëse kosovare asnjëherë nuk kishin informacione të sakta se kush realisht qëndronte prapa këtyre ngjarjeve, të cilat më së shumti goditën Kosovën dhe hapën shtegun për koncesione të mëdha në negociatat për adresimin e statusit të Kosovës të drejtuara nga UNOSEK . Pikënisje e këtyre ngjarjeve ishte reagimi ndaj provokimeve të pakicës serbe, të bllokimit të vazhdueshëm të akseve rrugore në Kosovë, por aktet e dhunshme kundër monumenteve fetare serbe, edhe pse më pas u riparuam me financat  e Qeverisë së Kosovës, ishin si argument që në dokumentin final të Ahtisarit të parashiheshin edhe zonat e mbrojtura për kishat serbe. Ndërkohë qeveritë e Kosovës kanë ndarë dhjetëra miliona euro për riparimin e dëmeve materiale nga këto trazira. Gjatë trazirave shqiptare të marsit 2004 u vranë 17 personave: 11 shqiptarë dhe 6 serbë  dhe djegien e disa kishave ortodokse serbe, u nxitën si pasojë e mbytjes në rrethana enigmatike të tre fëmijëve shqiptarë  nga serbët lokal në një lumë në afërsi të fshatit Çabër (Mitrovicë). Shih: Arkiva e Këshillit për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut (KLDMNJ), Lista e te vrarëve në trazirat e marsit 2004; Altmann, Franz-Lothar / Reljić, Dušan: Kosovo nach den Unruhen im März, SWP-Aktuell, 15. April 2004, Berlin, f. 1 dhe  Collapse in Kosovo, Europe Report Nr. 155, 22. April 2004; “Die Hasen vom Amsfeld”, Der Spiegel, 19/2004.

[25] Anzulovuvić, Branimir: Serbia hyjnore. Nga miti te gjenocidi, f.280.

[26] Bosch: UÇK-ja bëri luftë të ndershme, as me pak e as më shumë se mbijetesë, telegrafi.com, 15 korrik 2020,  https://telegrafi.com/bosch-uck-ja-beri-lufte-te-ndershme-pak-e-shume-se-mbijetese/

[27] Undertaking of Demilitarisation and Transformation by the UCK, 20 June 1999; https://peacemaker.un.org/sites/peacemaker.un.org/files/990620_Undertaking%20of%20Demilitarization%20and%20Transformation%20by%20the%20UCK.pdf

[28] Follath, Erich/ Koelbl, Susanne/ Szandar, Alexander: „Gerade noch davongekommen“, Der Spiegel, 24.01.2000

[29] Goldhagen, Daniel J.: Eine “deutsche Lösung” für den Balkan, “Süddeutsche Zeitung”, 30.4.1999.

SHPËRNDAJE