Jens Bastian[1]
Hyrje
Projekti kryesor i politikës së jashtme të Kinës është Nisma Një Brez-Një Rrugë (NBR).[1] Që nga shpallja e tij zyrtare në vitin 2013 nga Presidenti Xi Jinping, NBR investon në shkallë globale në projekte tokësore dhe detare, kryesisht nëpërmjet lidhjes së transportit dhe shtimit të infrastrukturës tregtare. Në kuadrin e NBR-së, autoritetet politike të Pekinit po mbështesin në vendet pjesëmarrëse premtimet për “prosperitetin e përbashkët.” NBR-ja e Kinës kombinon shuma të pashembullta investimesh dhe dhënie kredish për projekte ambicioze infrastrukturore nëpër kontinente, rajone dhe vende të veçanta. Bankat, me qendër në Pekin, janë furnizuesit kryesorë të financimit të marrëveshjeve për këto projekte.
Për Komisionin Europian në Bruksel dhe shtetet e veçanta anëtare të BE-së, NBR ngre çështje të thella, që lidhen me marrëdhëniet e tyre me Kinën. Megjithëse Komisioni kërkon të hartojë një strategji koherente kundrejt ambicieve të NBR-së së Kinës, Pekini është i angazhuar duke iu dhënë mjete financiare, fuqi punëtore kineze dhe shërbime për ndërtimin e urave, autostradave, si edhe modernizimin e porteve dhe hekurudhave nëpër Europë. Aftësia e BE-së për të folur me një zë në bisedimet me Kinën sfidohen nga organizmat institucionale, të tilla si rrjeti i vendeve 17+1, nga Europa Qendrore, Lindore dhe Juglindore, që bashkëpunojnë me Pekinin.
NBR ka leverdi praktike, ambicioze, por në të njëjtën kohë ajo është një punë e diskutueshme në progres. Ajo do të zgjerohet për aq sa do të jetë në gjendje të arrijë rezultate të prekshme dhe të qëndrueshme, nga të cilat përfiton jo vetëm Kina, por edhe vendet pjesëmarrëse, të angazhuara në këto përpjekje. Shtrirja e Kinës në Europën Juglindore po ndodh sepse ajo sheh në atë rajon vlera për të tashmen dhe për të ardhmen. Po ashtu, qeveritë dhe bizneset nga Athina, në Tiranë e deri në Shkup, në Beograd dhe në Sarajevë, janë të gjitha tejet të zellshme për të tërhequr vëmendjen e Pekinit dhe të përfitojnë nga xhepat e tij të thellë financiarë.
Në Forumin e dytë Një Brez-Një Rrugë (FBR), që u zhvillua në Pekin, në prill 2019, Presidenti i Kinës Xi Jinping, u shpreh se që nga shpallja zyrtare e NBR-së, në vitin 2013, Kina ka nënshkruar mbi 170 marrëveshje, të cilat lidhen me NBR-në me më shumë se 125 vende. Në forumin e vitit 2019 morën pjesë krerët e shteteve dhe qeverive nga 37 vende, përfshi edhe Presidentin rus Vladimir Putin, Kryeministrin italian Xhuzepe Konte (Giuseppe Conte), Presidentin serb Aleksandër Vuçiç, si edhe Kryeministrin e Greqisë, Aleksis Cipras dhe Kryeministrin e Hungarisë, Viktor Orban.[2]
Diplomacia infrastrukturore e Kinës në zbatimin e NBR-së, gjatë viteve të kaluara, tani po sfidohet dhe i nënshtrohet rillogaritjes nën dritën e pandemisë Covid-19. Veprimtaritë e shumta të Kinës në marrëdhëniet ndërkombëtare, tani po plotësohen me atë që autoritetet e Pekinit e quajnë “Rruga Sanitare e Mëndafshit”. Kjo u ilustrua me “diplomacinë e maskës” të Kinës gjatë marsit dhe prillit 2020 kundrejt vendeve pjesëmarrëse në rrjetin 17+1. Dhurimi i pajisjeve mjekësore, sigurimi i pajisjeve mbrojtëse për personelin dhe vënia në dispozicion e këshilltarëve kinezë të shëndetësisë paraqisnin karakteristika dhe sfida të reja për angazhimin e Kinës në vendet e Europës Qendrore, Lindore dhe Juglindore.
- Instrumentet politike të Kinës në Europën Juglindore
Si e përcaktojnë autoritetet kineze NBR-në në Europën Juglindore? Kur përfaqësuesit kinezë vizitojnë rajonin, ata theksojnë vazhdimisht se si “ta lidhin” Nismën Një Brez-Një Rrugë me strategjitë e zhvillimit të vendeve pjesëmarrëse në rajon. Në rastet e veçanta të vendeve në seksionin II do të jepen shembuj të një “lidhjeje” të tillë. Sot, disa udhëheqës politikë të rajonit dhe përfaqësues nga sektori i korporatave tregojnë si model Moskën dhe Ankaranë. Pekini po bëhet gjithnjë e më shumë si një magnet për vendimmarrësit në Europën Juglindore.
Kur Kryeministri kinez Li Keqiang vizitoi Dubrovnikun, në prill 2019, për të marrë pjesë në Forumin e 9-të të Biznesit Kina-Vendet e Europës Qendrore e Lindore (CEEC), ai nënvizoi vrullin e bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar me të ashtuquajturin rrjeti 17+1.[3]
- Në vitin 2018, tregtia e Kinës me vendet e Europës Qendrore e Lindore (CEE) u shtua me 21 për qind, duke arritur një rekord prej 82.2 miliard dollarë amerikanë;
- Në vitin 2018, investimet e Kinës në vendet e CEE-së u shtuan me 67 për qind;
- Investimet janë më të dukshme në sektorët e energjisë, minierave dhe pajisjeve shtëpiake;
- Në vitin 2018, në vendet e CEE-së mbërritën nga Kina 1.4 milion turistë, kurse në Kinë shkuan 350,000 vizitorë nga vendet e CEE-së;
- Kina po përdor gjithnjë e më shumë një shumëllojshmëri institucionesh financiare për të siguruar qarkullimin e kredive në projekte madhore infrastrukturore dhe për blerjen e aksioneve në Europën Juglindore. Bankat në pronësi shtetërore (për shembull, Banka Kineze e Zhvillimit dhe Banka Exim e Kinës), Banka Aziatike e Investimeve Infrastrukturore, e drejtuar nga Kina, Fondi i Rrugës së Mëndafshit dhe Shoqata Ndër-bankare Kina-CEEC, vënë në dukje larminë e institucioneve financiare kineze (të mbështetura), që janë aktive në rajon.
Këto zhvillime të ndryshme të sektorit ekonomik, tregtar dhe financiar, nxjerrin në pah një realitet që po shfaqet në Europën Juglindore: Kina ka rëndësi për rajonin. Por nuk bën gabime në dallimet midis vendeve të veçanta. Disa janë më të barabarta se të tjerat. Greqia dhe Serbia shfaqen si flamurtare të investimeve kineze, ndërsa dhënia e kredive për projekte infrastrukturore ka si objektiv Shqipërinë, Malin e Zi, Bosnjë-Hercegovinën dhe Maqedoninë e Veriut. Jashtë është Kosova, që nuk gjendet në hartën e veprimtarive kineze në rajon. Kina nuk ka pranuar të njohë sovranitetin e Kosovës, duke anuar kështu nga Serbia. Ana tjetër e këtij argumenti flet për faktin se rajoni i Europës Juglindore ka një rëndësi të madhe ekonomike, tregtare dhe strategjike për Kinën (Bastian 2018). Përveç projekteve të shumta infrastrukturore, shenja më e dukshme e kësaj rëndësie është përpjekja, që ka bërë Kina, për krijimin dhe për rrjedhojë, për zgjerimin e një arkitekture institucionale për bashkëpunimin dypalësh në kuadrin e rrjetit “17+1”.
Kapaciteti i fuqisë së butë
Me synimin për të promovuar diplomacinë kulturore në më shumë se në 140 vende në mbarë botën, Kina ka krijuar një rrjet të Instituteve të Konfucit (IK) në kampuset universitare dhe kolegjet. Mandati i këtyre qendrave kulturore, jo fitimprurëse, është të vërë në dukje trashëgiminë konfuciste, të mbështesë mësimin e gjuhës kineze dhe të prezantojë larminë e kulturave të saj të shumta. Në Europën Juglindore aktualisht ka 25 qendra IK (shih Tabelën 1). E para u krijua në Serbi, në vitin 2006. Rumania ka katër qendra të tilla, e pasuar nga Hungaria dhe Turia, me nga tri secila. Përsëri, vetëm në Kosovë nuk ka një Institut Konfuci. Të gjitha Institutet Konfuci gjenden nëpër universitetet e rajonit. Këto institute drejtohen nga Hanban, një drejtori e ministrisë kineze të arsimit. Hanbani paguan shpenzimet operative të instituteve, zgjedh tekstet mësimore, punëson, trajnon dhe paguan mësuesit e gjuhës kineze në Europën Juglindore.
Përhapja e instituteve Konfuci në universitetet e Europës Juglindore është e rëndësishme edhe për një arsye tjetër. Ato nuk duhet të shihen vetëm si një rrjet institutesh gjuhësore dhe organizimi të veprimtarive kulturore. Ato mund të shërbejnë edhe si agjenci me ndikim për të përhapur mesazhet dhe zhvillimet, që janë të rëndësishme për autoritetet politike të Kinës. IK-të ftojnë shpesh akademikë nga universitetet e Kinës për të shpjeguar argumentet e Pekinit lidhur me NBR-në.
Tabela 1 Prania e fuqisë së butë të Kinës në Europë Juglindore – Institutet Konfuci
Shteti | Vendndodhja | Viti |
Serbia | Universiteti i Beogradit, Universiteti i Novi Sadit | Maj 2006 |
Bullgari |
Universiteti i Sofjes
Universiteti St. Cyril + St. Methodius Veliko Turnovo |
Qershor 2006
Tetor 2012 |
Hungari |
Universiteti Eotvos Lorand
Universiteti i Miskolcit Universiteti i Szegedit |
Shtator 2006
Dhjetor 2011 Vjeshtë 2012 |
Sllovaki | Universiteti Sllovak i Teknologjisë | Maj 2007 |
Turqi |
Universiteti Bogazici
Universiteti Teknik i Lindjes së Mesme Universiteti Okan |
Mars 2008
Nëntor 2008 Qershor 2012 |
Greqi | Universiteti i Ekonomisë dhe Biznesit Athinë
Universiteti i Thesalisë, Selanik |
Qershor 2008
Nëntor 2019 |
Slloveni | Universiteti i Lubjanës | Gusht 2009 |
Moldavi | Universiteti i Lirë Ndërkombëtar | Shtator 2009 |
Rumani |
Universiteti Babeş-Bolyai i Cluj-Napoca
Universiteti i Brashovit, Transilvania Universiteti Lucian Blaga i Sibiut Universiteti i Bukureshtit |
Tetor 2009
Mars 2012 Shtator 2013 Nëntor 2013 |
Kroaci | Universiteti i Zagrebit | Korrik 2011 |
Maqedoni e Veriut | Universiteti SS Cyril dhe Methodius | Prill 2013 |
Shqipëri | Universiteti i Tiranës | Qershor 2013 |
Mali i Zi | Universiteti i Malit të Zi | Shtator 2014 |
Qipro | Universiteti i Qipros | Shtator 2014 |
Bosnja dhe Hercegovina | Universiteti i Sarajevës
Universiteti i Banja Lukës |
Dhjetor 2014
Nëntor 2017 |
Burimi: Hartuar nga autori. Lista ruan rendin kronologjik, pra, kur janë hapur fillimisht Institutet Konfuci në vendet përkatëse të Europës Juglindore. Tabela bazohet kryesisht te “Confucius Institutes Around the World – 2019” (Digmandarin 2019).
Kapaciteti i fuqisë së butë për planet e Kinës në Europën Qendrore, Lindore dhe Juglindore shtrihet përtej Instituteve Konfuci. Kina po krijon edhe institute studimore dhe think tanks “me karakteristika kineze”, po jep specializime për mësimdhënës dhe bursa për studime universitare në Kinë, për qytetarët e vendeve të Europës Juglindore. Në prill 2017, Akademia Kineze e Shkencave Shoqërore (CASS) krijoi Institutin Kina-CEE, një organizatë me qendër në Budapest, Hungari. Ajo ishte organizata e parë think tank, e krijuar nga Kina në Europë. Në shtator 2015, një organizatë e tillë kineze u krijua në Republikën Çeke. Instituti Rruga e Re e Mëndafshit, në Pragë, kërkon të forcojë lidhjet midis Azisë dhe Europës. Ashtu si homologu i tij në Budapest, instituti i Pragës është regjistruar si organizatë jo-fitimprurëse bamirësie. Së fundi, në nëntor 2019, CASS nënshkroi një marrëveshje me Fondacionin Grek Akaterina Laskaridi për krijimin e Qendrës së Studimeve Kineze në Athinë.
Në tetor 2015 u njoftua krijimi i Rrjetit Think Tank të Rrugës së Mëndafshit (SiLKS) për të siguruar mbështetje intelektuale për Nismën e Brezit dhe të Rrugës. SiLKS e konsideron veten si një rrjet ndërkombëtar, informal, që zuri fill me nismën e përbashkët të organizatave think tanks, ndërkombëtare dhe institucioneve përkatëse nga më shumë se tridhjetë vende. Ai fokusohet në kërkimet, informacionin dhe njohuritë e përbashkëta, që lidhen me NBR-në, si edhe me zhvillimin e kapaciteteve për studimet dhe këshillimet politike. Mes 55 anëtarëve dhe partnerëve ndërkombëtarë nga 27 vende (mars 2019), ka edhe katër organizata pjesëmarrëse nga Europa Juglindore, të cilat janë:
- Qendra e Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe e Zhvillimit të Qëndrueshëm (CIRSD) në Serbi;
- Qendra e Kërkimeve Strategjike e Ministrisë së Punëve të Jashtme e Republikës së Turqisë(SAM);
- Forumi Gjeo-ekonomik i Kroacisë;
- Fondacioni i Shkollës Politike Századvég në
Bashkëpunimi shkencor dhe akademik Kinë-Europa Juglindore po ecën përpara edhe në nivelin dypalësh. Akademia Malazeze e Shkencave dhe Arteve (MASA) dhe Akademia Kineze e Shkencave Shoqërore nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi në shtator 2019. Sipas marrëveshjes, të dyja akademitë duhet të shtojnë partneritetin dypalësh nëpërmjet shkëmbimit të studiuesve, organizimit të konferencave dhe projekteve të përbashkëta të bashkëpunimit, në fushën e shkencave natyrore dhe të teknologjisë. MASA u ftua të kërkonte anëtarësim në Aleancën e Organizatave Shkencore Ndërkombëtare(ANSO), të porsakrijuar me nismën e CASS dhe 36 instituteve të tjera, kërkimore, kineze, në nëntor 2017, për të mbështetur bashkëpunimin global, shkencor dhe teknologjik.
Kina, edhe në vende të veçanta të Ballkanit Perëndimor po krijon, me ndihmën e partnerëve vendas, të ashtuquajturat “Qendra për Nxitjen dhe Zhvillimin e Nismës ‘Një Brez – Një Rrugë.’” Këto qendra shërbejnë për të vënë në dukje nismat politike kineze në vendin pritës, fushat e bashkëpunimit të mundshëm dhe iu japin diplomatëve të Pekinit një platformë për të bashkëpunuar me përfaqësuesit e shoqërisë civile.[4] Në vende të tjera, institucione të tilla, të fuqisë së butë, marrin formën e Qendrave të Nxitjes së Tregtisë dhe Investimeve “Një Brez-Një Rrugë,” si në rastin e Beogradit, në bashkëpunim me Dhomën Serbe të Tregtisë dhe Industrisë.
Në Bosnjë dhe Hercegovinë, institucionet dypalëshe të fuqisë së butë operojnë nën drejtimin e Shoqatës së Miqësisë Bosnjë-Kinë dhe Qendrës së Bosnjë Hercegovinës për Mbështetjen dhe Ndërtimin Një Brez-Një Rrugë. Këto shoqata apo qendra organizojnë seminare për sektorët politikë, akademikë, të biznesit dhe medies, me pjesëmarrjen e shpeshtë të ambasadorit kinez në Sarajevë. Ato shërbejnë për të shkëmbyer pikëpamjet mbi marrëdhëniet e tanishme dhe të ardhme BH-Kinë, vënë në dukje zhvillimin e mundshëm që sjell Nisma Një Brez-Një Rrugë, si edhe e vënë theksin te fakti që vendet pjesëmarrëse nuk duhet t’i humbasin mundësitë e ofruara nga Kina.[5]
Pandemia e Covid-19 ka ndriçuar fort një formë tjetër të ndërhyrjes së fuqisë së butë kineze. Ndërsa korona virusi u përhap nga origjina e tij në Vuhan, administrimi i krizës në Provincën e Hubeit dhe pjesë të tjera të Kinës, në vendet fqinje dhe kontinentet e bë çështje kryesore. Në këto përpjekje bënte pjesë edhe “diplomacia e koronavirusit” e Kinës nëpër Europë. Furnizimi me pajisje mjekësore dhe mjete mbrojtëse nisi drejt Italisë, Shqipërisë, Serbisë, Greqisë, Sllovenisë dhe Bosnjë Hercegovinës. Këto ndihma po jepen ne Bashkërendim me Kryqin e Kuq të Kinës, që po dërgon ekspertë të shëndetit në ato vende. Në vitin 2017, Kryqi i Kuq Kinez krijoi Fondin e Vëllazërimit Rruga e Mëndafshit, i cili tani është një agjenci kryesore ndërkombëtare, ë siguron dhe koordinon diplomacinë kineze të koronavirusit dhe duke e shtrirë jashtë shtetit imazhin e administrimit të krizës së vendit.
Nga se karakterizohen marrëdhëniet e Kinës me vendet e veçanta të Europës Juglindore? Studimi i rasteve të vendeve, që vijojnë, prezantohen me radhë, për të hedhur dritë mbi lidhjen e tyre me politikën kineze në rajon. Në fillim fokusohemi te Shqipëria, një vend, në të cilin, Kina nuk është e panjohur. Pastaj do ta kthejmë vëmendjen te situata në Bosnjë Hercegovinë. Te dy këta shembuj tregojnë për të nënvizuar se çfarë po bën Kina, se për çfarë arsyesh po zhvillohen këto veprimtari dhe se çfarë mjete po përdor Pekini për të arritur objektivat e tij strategjikë, për shembull, në lidhje me investimet e aksioneve apo kreditë për projektet infrastrukturore. Rastet e këtyre vendeve përfshijnë edhe informacione të freskëta në lidhje me zhvillimet përballë krizës së koronavirusit dhe se si ato ndikojnë mbi marrëdhëniet dypalëshe me Kinën.
Shqipëria: Rikthimi te Kina
Shtimi i projekteve të Kinës në Europën Juglindore duket si një nismë e re në vende të ndryshme të rajonit. Por ajo vjen edhe me një lloj bagazhi historik dhe trashëgimie ekonomike. Shqipëria përfaqëson një vend të Ballkanit Perëndimor, ku mund të flitet më me saktësi për një rikthim te Kina. Historia e bashkëpunimit ekonomik kino-shqiptar gjatë periudhës 1949-1978 nuk mund të veçohet nga ajo që Pekini po bën sot në Tiranë. Të dyja vendet i vendosën marrëdhëniet diplomatike në nëntor 1949. Në fakt, Shqipëria ishte vendi i pare që njohu Republikën Popullore të Kinës. Të dy vendet u bashkuan si vëllezër armësh (ideologjike) për të dënuar “revizionizmin sovjetik”, pas Kongresit të 20-të të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, në vitin 1956.[6] Një moment tjetër i rëndësishëm i bashkëpunimit ideologji ishte dënimi i Jugosllavisë së Titos, që ndërmori një “rrugë specifike drejt socializmit.” [7]
Mbështetja e Kinës për ekonominë shqiptare ishte themelore gjate viteve 1970. Në vitet 1973 dhe 1974, Shqipëria dërgonte në Kinë 24 për qind të eksporteve të saj, nga e cila merrte 60 për qind te importeve të saj (pajisje investimesh dhe financime nëpërmjet mbështetjes financiare nga Kina). Vitet 1971-1975 mund të konsiderohet si “vite të arta të bashkëpunimit ekonomik dypalësh.”[8] Atëherë pati 132 nisma investimesh kapitale në të gjithë sektorët e ekonomisë. Investime të mëdha, si Hidrocentrali i Fierzës, Kombinati Metalurgjik në Elbasan, Rafineria e Ballshit, u financuan me kredi nga bankat kineze, ndërsa teknologjia dhe specialistët u sollën nga Kina. Kur punonjësit shqiptarë takoheshin me specialistët kinezë për të diskutuar një projekt, mënyra, me të cilën ishin në gjendje të kapërcenin pengesat gjuhësore të gjuhës kineze dhe shqipes, ishte të flisnin së bashku rusisht!
Ndërsa lidhjet ekonomike me Kinën shtoheshin, aty nga mesi i viteve 1970 e në vazhdim, marrëdhëniet politike kino-shqiptare filluan të degjeneronin gradualisht. Udhëheqja shqiptare me Enver Hoxhën nuk ishte dakord me disa aspekte të politikës së jashtme kineze dhe sidomos me hapjen e rrugës për vizitën e Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Riçard Nikson, në Kinë, në shkurt të vitit 1972. Hoxha u distancua edhe nga “Teoria Kineze e Tri Botëve.”[9] Prishja ndodhi më në fund, në vitin 1978, kur Kina, nën drejtimin e Ten Hsiao Pinit, iu dha fund marrëdhënieve të saj tête-à-tête, të veçanta, tregtare dhe diplomatike, me Shqipërinë.
Pas një zbrazësie më shumë se 30 vjeçare, rikthimi i Kinës në Shqipëri motivohej kryesisht nga investimet përkatëse në sektorët e transportit dhe të energjisë.
- Në shkurt 2014, Jiangxi Copper, prodhuesi më i madh i bakrit i Kinës, mori 50 për qind të aksioneve nga Nesko, një kompani turke, që operonte në minierat e bakrit në Shqipëri për 62.4 milion dollarë amerikanë. Nesko është pjesë e grupit turk të metaleve dhe minierave, që vepronte në Shqipëri me anën e një kompanie vartëse shqiptare, Beralb, edhe në minierat e bakrit të Munellës dhe Lakroshit, si edhe në fabrikën e pasurimit në Fushë Arrëz, në Shqipëri.
- Në mars 2016, Banker’s Petroleum e Kanadasë i shiti të drejtat e saj të shpimit dhe shfrytëzimit në fushat naftëmbajtëse shqiptare të Patos-Marinzës dhe Kuçovës për t’u lidhur me kompaninë e Kinës Geo-Jade Petroleum, me një çmim prej 6 milion euro.
Këto investime fillestare kineze në sektorin energjetik shqiptar mund të shihen si investime infrastrukturore. Ata shërbyen si katalizatorë të veprimtarive të ardhshme nga kompanitë kineze në sektorë të tjerë.
- Në tetor 2016, China Everbright dhe Friedmann Pacific Asset Management Ltd. (të dyja me qendër në Hong Kong) morën 100 për qind të aksioneve të Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës (TIA). Kjo blerje përfshinte edhe një licencë koncesionare, për të vepruar në aeroport deri në vitin 2027.
Këto investime aksionare të kohëve të fundit hedhin dritë mbi ndryshimin e natyrës së bashkëpunimit ekonomik kino-shqiptar. Sot, Shqipëria eksporton materiale energjetike në Kinë, ndërsa në vitet 1970, profili i tregtisë dypalëshe ishte pikërisht nga ana e kundërt. Po ashtu, 40 vjet më parë, shteti kinez i siguronte kredi shtetit shqiptar. Sot, kompanitë kineze, disa prej të cilave veprojnë jashtë Hong Kongut, janë investitorë me aksione në Shqipëri, pasi kanë blerë aksionet nga kompanitë e huaja private. Së fundi, ndryshimi i rolit në bashkëpunimin kino-shqiptar është i dukshëm edhe nga vrojtimi i mëposhtëm. Në vitet 1960 dhe 1970, Kina kërkonte të mbështeste të gjithë ekonominë e Shqipërisë. Sot, kompanitë fokusohen në sektorë të zgjedhur, të tillë si energjia dhe infrastruktura e transportit, me qëllim qe t’iu përgjigjen kërkesave të burime të brendshme (për shembull, bari dhe nafta) apo ata synojnë te projektet infrastrukturore të transportit me një potencial të madh zhvillimi, të tillë si Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës.
Shtimi i lidhjeve kino-shqiptare shtrihet edhe në bashkëpunimin gjatë pandemisë së Covid-19. Më 25 prill 2020, Zëvendësministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Mira Rakacolli dhe Zëvendësministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Etjen Xhafaj, pritën të dy në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës një furnizim me pajisje mjekësore të dhuruara nga qeveria kineze për Shqipërinë. Ndihma e Kinës në përpjekjet e vendit për të luftuar pandeminë e koronavirusit përfshinte edhe pajisje për analiza, veshje mbrojtëse, maska fytyre, syze dhe doreza për punonjësit e spitaleve. Aty u shprehën dhe u shkëmbyen fjalë mirënjohjeje dhe solidariteti me ambasadorin kinez në Shqipëri, Zhou Ding.[10]
Bosnjë Hercegovina: Kina hedh hapa për të ndërtuar hidrocentrale
Pas shumë vonesave, në Bosnjë Hercegovinë po duket një projekt i madh infrastrukturor, i financuar nga Kina, që është gati për të filluar. Në shtator 2019, ndërtimi i një vepre publike, Elektroprivreda BiH (EPBiH) 450 MW Njësia 7, në centralin termal të Tuzlës, mori dritën jeshile nga Këshilli i Ministrave në Sarajevë. Një konsorcium i kompanive inxhinierike civile po kryen punën përgatitore. Me t’u kompletuar ajo, faza tjetër e projektit i dorëzohet Kompanisë së Grupit Gezhouba të Kinës dhe Institutit kinez të Projektimit të Centraleve Elektrike Gunagdong.
Shtimi i vëllimit të energjisë elektrike, që pritet të prodhojë Njësia 7 në Tuzla, do të bazohet te qymyri. Investimi afatgjatë financohet 85% me një kredi nga Banka Import-Eksport e Kinës, me një total prej 614 milion euro. Kostoja totale e projektit llogaritet në 722 milion euro, duke e bërë atë nismën më të madhe infrastrukturore, të financuar nga të huajt në atë vend. Detajet e projektit kino-boshnjak janë të rëndësishme për një varg arsyesh.
- Elektroprivreda B&H nënshkroi një marrëveshje për një kredi të dytë me Sberbank-ën ruse, në nëntor 2019. Kjo kredi do të përdoret për të mbuluar pjesën e mbetur, që nevojitet për projektin Tuzla 7. Si garanci për këtë kredi, Elektroprivreda ka hipotekuar bllokun ekzistues Tuzla 6 TPP dhe një pjesë të zyrave të tij qendrore. Me pak fjalë, dy aktorë, jashtë BE-së, Rusia dhe Kina, tani janë financuesit kryesorë të projektit TPP të Tuzlës!
- Kreditorët shumëpalësh europianë, si Banka Europiane e Investimeve (BEI) dhe Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), që të dyja kanë qenë aktive me dekada në Bosnjë-Hercegovinë, nuk pranuan të financonin ndërtimin e termocentraleve të reja me qymyr, si Njësia 7, në Tuzla. Ndaj, autoritetet në Sarajevë kërkuan burime alternative financimi dhe i gjetën ato në Pekin dhe në Moskë.
- Bosnjë-Hercegovina është pjesë e Komunitetit Europian të Energjisë (KEE).[11] Kjo anëtarësi përfshin zbatimin e normave dhe standardeve në procedurat e prokurimeve publike dhe vlerësimin e ndikimit mjedisor. Sarajeva është e angazhuar edhe për të zbatuar normat e BE-së mbi financimet shtetërore në sektorin energjetik. Mbi bazën e këtyre detyrimeve, garancia e kredisë, që Federata e Bosnjës i jep Bankës Exim të Kinës, mund të përbëjë një shkelje të rregullave të ndihmës shtetërore. E thënë ndryshe, pyetja, që shtrohet në korridoret e Brukselit dhe Sarajevës është si vijon. A i lejohet Bosnjës të sigurojë një garanci të tillë për një projekt të diskutueshëm energjetik, sipas rregulloreve të tanishme të KEE-së?
Këto kundërshti rreth kredisë kineze, ndërtimi i termocentraleve me qymyr dhe garancitë e kredisë, të dhëna nga autoritetet federale në Bosnjë-Hercegovinë, errësojnë shpesh edhe një aspekt tjetër të debatit. Deri në çfarë shkallë është i përfshirë publiku në ndërtimin dhe madje, edhe në procesin e vendimmarrjes? Shembuj ka kudo, por ende jo në Ballkanin Perëndimor, ku Kinës po i thuhet se nuk mund të vazhdojë me disa projekte energjetike, në qoftë se ato nuk përputhen me kërkesat e vlerësimit të ndikimit mjedisor dhe me një proces të përshtatshëm konsultimesh me shoqërinë civile. Le ta ilustrojmë: në qershor 2019, Gjykata Kombëtare Mjedisore në Kenia revokoi licencën mjedisore të kompanisë kineze Power Global, duke bllokuar në këtë mënyrë ndërtimin e mëtejshëm të termocentralit të parë me qymyr në atë vend.[12] Mos, vallë, është një çështje kohe që shembulli i Kenias të mbërrijë në Bosnjë-Hercegovinë apo në ndonjë vend tjetër të Ballkanit Perëndimor?
Pandemia Covid-19 po i mbyll kufijtë dhe po e kufizon bashkëpunimin tregtar midis vendeve, por kjo nuk e ndalon arritjen e marrëveshjes me karakteristika kineze në Bosnjë-Hercegovinë. Në prill 2020, aksionerët e shkrirjes së aluminit në Bosnjë, Aluminij d.d. Mostar, miratuan një ofertë të rishikuar nga M.T. Abraham Group i Izraelit dhe partnerët e tij kinezë – China Machinery Engineering Corporation (CMEC) and China Nonferrous Metal Industry’s Foreign Engineering & Construction (NFC). Konsorciumi kino-izraelit arriti një marrëveshje qiraje fillestare, pesëmbëdhjetëvjeçare, për vlerat e prodhimit si prodhues i shkrirjes së aluminit. Qeveria e Federatës së Bosnjë-Hercegovinës është aksioneri kryesor i Aluminit me 44 për qind të aksioneve. Qeveria e Kroacisë kontrollon 12 për qind. Pjesa tjetër zotërohet nga aksionerët më të vegjël. Marrëveshja e qirasë e detyron konsorciumin kino-izraelit të mbajë në punë 900 punëtorët për një periudhë mbi 5 vjet. Përveç fonderisë, Alumini ka edhe uzinat e anodës dhe elektrolizës. Alumini i mbylli operacionet në korrik 2019 për shkak të borxhit (afërsisht 220 milion euro) , që u shkaktua nga çmimet e larta të energjisë elektrike dhe aluminit.
Për më tepër, Kina është e angazhuar shumë për ta ndihmuar Bosnjë-Hercegovinën për administrimin e krizës se pandemisë Covid-19. Që nga marsi 2020, Kina i ka dhuruar vazhdimisht pajisje mjekësore. Përveç kësaj, ajo ka hapur një kanal për autoritetet në Sarajevë për të prokuruar mallra në Kinë (Bosnja Daily 2020). Në një korrespondencë me homologun e tij në Bosnjë-Hercegovinë, Kreun e Presidencës, Šefik Džaferovic, Presidenti Xi Jinping i kujtoi se 2020 është 25 vjetori i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Kinës dhe Bosnjë-Hercegovinës.
III. Reagimi i BE-së ndaj shtimit të pranisë së Kinës në Europën Juglindore
Për gati dy dekada, vendet e Ballkanit Perëndimor kanë kërkuar anëtarësinë në Bashkimin Europian. Gjatë kësaj kërkese për integrim, gjashtë vendet e rajonit kanë bashkëpunuar edhe me vende të tjera jo-anëtare të Bashkimit Europian. Mes tyre shquhen Rusia[13] dhe Turqia. Por që nga viti 2013, në hartën e ekonomisë politike të rajonit është shfaqur një rival i ri ndaj Brukselit, Moskës dhe Ankarasë. Në fakt, etiketimi “rival” duhet cilësuar. Moska, Brukseli dhe Ankaraja, kanë arsye të shëndosha për ta parë Pekinin si një rival [potencial] në Ballkanin Perëndimor.[14] Por Podgorica, Sarajeva, Shkupi, Beogradi dhe Tirana nuk kanë një klasifikim të tillë për investimet, kreditë dhe projektet infrastrukturore kineze që po realizohen në atë rajon.
Megjithatë, që nga viti 2019, Kina po fillon të përballet me një Komision Europian shumë më aktiv. Kjo vendosmëri nuk kufizohet vetëm në imponimin e marrëveshjeve transparente financiare, në zbatimin e standardeve Bashkimit Europian për prokurimet dhe procedurat me tendera të hapura. Komisioni në Bruksel po kalibron përsëri edhe vështrimin e tij strategjik kundrejt Kinës. Në komunikatën e tij të marsit 2019, Komisioni e etiketonte Kinën
“njëkohësisht, në fusha të ndryshme politike, një partner bashkëpunimi, me të cilin Bashkimin Europian ka objektiva të bashkërenduara, një partner bashkëbisedues, me të cilin Bashkimin Europian duhet të gjejë një ekuilibër interesash, një konkurrent ekonomik në rrugën për udhëheqjen teknologjike dhe një rival sistemi, që mbështet modele alternative qeverisjeje.”[15]
Për ata, që janë të njohur me fjalorin diplomatik dhe kompromiset retorike, të nevojshme, në komunikatat e Komisionit, vështrimi strategjik BE-Kinë, i marsit 2019, përfaqësonte një nisje të fuqishme dhe në shumë drejtime, një nisje të re në përcaktimin e marrëdhënieve aktuale midis Bashkimit Europian dhe Kinës. Por kjo deklaratë as nuk duhet mbivlerësuar. Në fakt, Kina mund të lexojë çdo lloj karakterizimi për veten në këtë komunikatë të Komisionit. Ajo mund të zgjedhë ta vërë theksin te klasifikimet e partnerit, ndërkohë që anashkalon etiketimin si rival sistemi.
Me inaugurimin e rrjetit 16+1 në prill 2012, në Varshavë, Polonia-Kina mori pjesë në garën e ndërtimit të institucioneve në Europë. Shtatë vjet më vonë, rrjeti u zgjerua në 17+1, pasi Greqia mori pjesë në Samitin e Dubrovnikut, në prill 2019. Rrjeti 17+1 cilësohet nga Pekini si një kombinim “fitim-fitim” për vendet pjesëmarrëse nga Europa Qendrore, Lindore dhe Juglindore. Ai integrohet në platformën e Bashkëpunimit midis Kinës dhe Vendeve Europiane Qendrore dhe Lindore. Gjatë shtatë viteve të kaluara, Kina e forcoi këtë arkitekturë institucionale, e cila organizon Samitin vjetor Europa Qendrore dhe Lindore-Kina. Selia e rrjetit 17+1 gjendet ne Pekin. Mbledhjet mujore të grupit të punës zhvillohen në nivelin e ambasadorëve pjesëmarrës në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kinës. Në lidhje me platformën 17+1, Komisioni shprehet qartë se
“As Bashkimi Europian apo ndonjë nga Shtetet Anëtare nuk mund t’i arrijë me efektivitet objektivat e tij me Kinën pa një unitet të plotë. Duke bashkëpunuar me Kinën, të gjitha Shtetet Anëtare, më vete dhe në kuadrin e bashkëpunimit nën-rajonal, si formati 16+1, kanë përgjegjësi të sigurojnë përputhjen me të drejtën, normat dhe politikat e Bashkimit Europian.” (Po aty, theksohet në origjinal).
Është pikërisht kjo nevojë për konsekuencën dhe unitetin e qëllimit kundrejt Kinës, e cila përfaqëson sfidën më të madhe të Bashkimit Europian, të shteteve të tij anëtare dhe të shteteve kandidate në Ballkanin Perëndimor. Një nga fushat kryesore, politike, lidhet me ekzaminimin e rregulloreve të investimeve. Për të mbështetur rikalibrimin e tij retorik dhe strategjik kundrejt Kinës, Komisioni në Bruksel miratoi rregullore të reja, që përcaktojnë një kuadër të tillë për ekzaminimin e investimeve të huaja, të drejtpërdrejta, nga vende jashtë Bashkimit Europian. Rregullorja hyri në fuqi në prill 2019 dhe do të zbatohet plotësisht në shtetet anëtare tetëmbëdhjetë muaj më pas, domethënë nga nëntori 2020 e në vazhdim. 27 shtetet anëtare të Bashkimit Europian, përfshi edhe 12 vendet e Bashkimit Europian, që janë pjesë e platformës 17+1, duhet të miratojnë legjislacionin e tyre kombëtar për të pasqyruar rregulloret e Komisionit për kontrollin e investimeve. Ndërkohë që rregullorja e Bashkimit Europian siguron një kornizë, e drejta e çdo shteti anëtar të Bashkimit Europian për të vendosur nëse duhet të shqyrtojë apo jo një investim të huaj, direkt, jo nga BE, nuk mund të kufizohet nga Komisioni në Bruksel.[16]
Për vendet e Ballkanit Perëndimor, debati lidhur me shqyrtimin e procedurave të investimeve, në veçanti, në lidhje me Kinën, praktikisht nuk ekziston. Në rastin e vendeve kandidate dhe aspiruese për në BE, as Serbia, as Shqipëria, as Mali i Zi, as Maqedonia e Veriut, as Kosova dhe as Bosnjë-Hercegovina nuk kanë miratuar ndonjë rregullore të tillë për shqyrtimin e procedurave. Do të shihet se si Komisioni në Bruksel mund të insistojë që mekanizma të tilla kontrolli të zbatohen gjatë bisedimeve të pranimit me Serbinë dhe Malin e Zi, kurse më pas edhe me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Përballë kësaj situate, pyetja, që bëhet, është kjo: çfarë po bën BE në Ballkanin Perëndimor në lidhje me pasojat e pandemisë Covid-19? Përveç një ndalimi fillestar të eksportit të pajisjeve mjekësore në vendet jo-anëtare të Bashkimit Europian, furnizimet në vendet e rajonit janë duke mbërritur. Por duket dhe kjo jo për herë të parë, se BE po humbet përsëri fushatën e marrëdhënieve me publikun kundrejt Pekinit.
Në këtë pandemi kanë rëndësi edhe perceptimet, madje edhe nëse faktet në terren vinë në kundërshtim me to. Në reagimin ndaj epidemisë së koronavirusit, Komisioni Europian (2020) premtoi një paketë ndihmash urgjente për vendet e Ballkanit Perëndimor, me një vlerë totale më shumë se 410 milion euro.[17] Por këto burime të konsiderueshme financiare po errësohen nga dhurimet dhe aeroplanët me ngarkesa, që zbresin në Tiranë, Sarajevë apo Beograd, nga Pekini.
Gjatë dekadës së kaluar, Kina ka fituar terren strategjik në Europën Juglindore. Kjo u arrit nëpërmjet shtimit të rrjetit të projekteve të infrastrukturës, kredive nga bankat kineze dhe shtimit të vëllimit tregtar. Duke vepruar në këtë mënyrë, Kina e paraqet veten si një partner me vizion afatgjatë dhe xhepa të thellë financiarë. Trashëgimia historike dhe lidhjet e mëparshme ekonomike, për shembull, me Shqipërinë dhe Serbinë, kanë siguruar ura për rikthimin e Kinës apo futjen në Ballkanin Perëndimor. Sot, vendi i zgjedhur nga Kina nuk është Shqipëria. Vendin kryesor, në lidhje me volumin e investimeve kapitale e mban Serbia. Për Europën Juglindore, në përgjithësi, është Turqia.
Veprimtaritë e Kinës në Europën Juglindore nuk nxiten vetëm nga NBR. Disa nga investimet e saj, kreditë dhe veprimtaritë për zhvillimin e infrastrukturës u kryen përpara fillimit zyrtar të NBR, më 2013. Edhe pse disa vende dallohen, në mënyrë të veçantë, investimet në Turqi, Greqi dhe Serbi, qasja e Kinës qëndron në perspektivën rajonale.[18] I vetmi përjashtim, për arsye politike, është mospërfshirja e Pekinit në Kosovë dhe angazhimi me Serbinë. Për më tepër, Kina po mëson edhe nga angazhimi i saj në vendet e Europës Juglindore. Gjatë dekadës së kaluar, Pekini ka krijuar një kuptim më të mirë mbi mjedisin operativ dhe sfidat politike me të cilat përballet në rajon, sidomos në Ballkanin Perëndimor. Kjo përvojë e grumbulluar pasqyrohet në rregullimet politike në terren.
- Financimi i projekteve po bëhet i shumëllojshëm për të përfshirë institucionet shumëpalëshe europiane, të tilla si BERZH dhe BEI. Në rastin e projektit të Urës së Peljeshacit në Kroaci, kompanitë kineze të ndërtimit po përfitojnë nga marrëveshjet e bashkëfinancimit, të siguruara nga programet e fondeve strukturore të Bashkimit Europian. Kjo arritje në programet dhe institucionet europiane të financimit është reflektim edhe i bankave kineze, që po bëhen më të shtrënguara në politikat e tyre të kredive.
- Ura e Peljeshacit ngre një problem më të madh edhe për politikën e konkurrencës, që zbaton BE kundrejt Kinës. Projekti është i financuar 85 për qind nga fondet strukturore të BE-së, për të cilat autoritetet kroate kanë dorë të lirë. Por dhënia e tenderit ofertës më të ulët ngre pyetje nëse ndërmarrje të tilla shtetërore të subvencionuara, si China Road and Bridge Corporation (CRBC), a duhet të kualifikohen në vendin e parë? Marrëveshja Qeveritare e Prokurimeve (GPA)[19] e OBT-së përcakton kushtet në cilat firmat duhet të futen në tendera publike.
- Autoritetet kineze janë më të vetëdijshme se projektet infrastrukturore, të një shkalle të gjerë, në rajon, nevojiten për të mbështetur ekonominë vendase, duke iu dhënë dorë SME-ve dhe nënkontraktorëve vendas. Qasja fillestare e kompanive kineze për të siguruar financime, fuqi punëtore dhe materiale ndërtimi për projekte të tilla kundërshtohet gjithnjë e më shumë nga përfaqësuesit e shoqërisë civile, nga media dhe njihen si të vjetruara nga ministritë e vendeve pritëse.
- Projekti trepalësh, hekurudhor, kino-hungarezo-serb, ka qenë një mësim, që kanë nxjerrë autoritetet kineze, lidhur me karakterin e ndërlikuar të realpolitikës së Bashkimit Europian. Kjo përvojë përfshin kërkesat për shtimin e transparencës në projektet infrastrukturore, që lidhen me NBR-në dhe me një proces prokurimi të hapur sipas normave të Bashkimit Europian në shtetet anëtare të tij.
- Ndërkohë që projektet infrastrukturore kineze, që zbatohen dhe financohen në Ballkanin Perëndimor, po materializohen, debati rreth ndikimit mjedisor është shtuar shumë. Sidomos në Bosnjë-Hercegovinë, ndërtimi dhe modernizimi i termocentraleve me qymyr e ka vënë Kinën në shënjestër. Kontradikta e hartimit të politikës është e dukshme. Presidenti Xi Jinping ka mbrojtur fuqimisht Marrëveshjen e Parisit për Klimën, që nga viti 2016. Por njëkohësisht, bankat kineze po financojnë dhe firmat kineze po ndërtojnë termocentrale me qymyr në Tuzla dhe kanë përfunduar punën në një termocentral tjetër në Stanari, në Republikën Srpska.[20]
Duke e parë nga perspektiva e vendeve të rajonit, ne mund të themi se fillimisht, bashkëpunimit të tyre me Kinën i mungon koherenca politike. Hartimi i një strategjie të plotë të vendit kundrejt Kinës po bëhet gradualisht.[21] Përcaktimi i saj është rezultat edhe i mësimeve të nxjerra gjatë dekadës së kaluar, kur u angazhuan me Kinën. Ajo që vëmë re është transformimi i nismave të rastit me Kinën drejt shfaqjes së një vargu përparësish strategjike, të një kuptimi më të mirë lidhur me implikimet ligjore të financimit të projekteve infrastrukturore me bashkëbiseduesit kinezë, përgatitjen e studimeve të pavarura për fizibilitetin, si edhe njohjen e urgjencës për ndërtimin e kapaciteteve në ekspertizën administrative. Kjo është një punë në vijimësi për shumicën e vendeve, që bëjnë marrëveshje me homologët kinezë, sidomos për ato të Ballkanit Perëndimor. Me pak fjalë, vendet e rajonit janë në procesin e krijimit të agjencive dhe kapaciteteve kundrejt Kinës.
Angazhimi i Kinës në rajon po shtrihet në sektorë që vetëm gjashtë vjet më parë konsideroheshin si të pamundur. Theksi në fillim vihej në kreditë koncensionare për zhvillimin e infrastrukturës dhe investime infrastrukturore, që shërbenin si katalizatorë. Sot, projektet e bashkëpunimit dypalësh të Kinës përfshijnë zgjerimin e rolit të marrëveshjeve të siguruara. Në verën e vitit 2019, zyrtarët kinezë u angazhuan me patrulla të përbashkëta policie me homologët e tyre në qytete të caktuara në Kroaci dhe në Serbi. Kompania e telekomunikacionit e Kinës, Huawei, furnizon me kamera për njohjen e fytyrës dhe programe kompjuterike tri projekte “Qyteti Inteligjent”, në Serbi dhe Bosnjë-Hercegovinë.[22]
Ajo çka i bën veprimtaritë e Kinës një sfidë të tillë për hartuesit e politikës europiane është fakti se nëpërmjet NBR-së, vendet e rajonit e vënë veten në një pozitë për të zbatuar projekte infrastrukturore të shkallës së madhe pa pasur nevojën e asistencës [financiare] nga Bashkimi Europian. Në fillim, Bashkimi Europian bëri shumë pak për të kundërshtuar thellimin e angazhimit të Kinës në Europën Juglindore. Me fillimin zyrtar të NBR-së, më 2013, Kina sinjalizoi synimin e saj për të zgjeruar investimet dhe tregtinë. Ndërkohë që NBR-në po e nënshkruanin më shumë vende nga Europa Juglindore, udhëheqja e tyre politike shihte një hapje të pashembullt: nevoja për përmirësime infrastrukturore mund të plotësohej me anën e një politike me karakteristika kineze.
Përfaqësuesit e qeverive nga Tirana, në Sarajevë, nga Beogradi në Podgoricë, vazhdojnë të theksojnë se preferenca e tyre e dorës së parë për të bërë biznes mbetet Bashkimi Europian. Por çfarë ndodh, kur kjo retorikë fillon t’i humbë provat në praktikë? A po përgatitet Kina ta prezantojë veten si një alternativë e dorës së parë për drejtuesit e politikës në Ballkanin Perëndimor? A mund t’i kontrollojë rreziqet e qenësishme politike dhe operative? Zyrtarët e Bashkimit Europian kanë të drejtë të shqetësohen rreth sfidave që krijon kjo çështje. Gatishmëria e Kinës për të ndërtuar rrugë, hekurudha dhe porte në Ballkanin Perëndimor duket e vështirë për t’iu kundërvënë. Në vitet e ardhshme, debati rreth këtyre sfidave do të ndizet. Kina, njëkohësisht, do të vazhdojë t’i magjepsë dhe t’i tërheqë udhëheqësit politikë të rajonit. Kina nuk kërkon rezultate afatshkurtra, të menjëhershme. Qeveria e Pekinit fokusohet atje, ku Kina do të jetë në 20 deri 30 vitet e ardhshme. Në Europën Juglindore, Bashkimi Europian po përballet me një aktor jashtë Bashkimit Europian, që po e pozicionon veten për t’u bërë një aleat me zgjedhje për vendet e rajonit.
Epilog: Covid-19 dhe bashkëpunimi kino-europianojuglindor
Ndërsa vendet e Europës Juglindore kërkojnë të merren me përballimin e pasojave të pandemisë Covid-19, në sektorët e tyre të shëndetësisë, në shoqëri dhe me rënien ekonomike, ata duhet të shqyrtojnë përsëri marrëdhëniet e tyre dypalëshe me Kinën. Kjo gjë ndodh edhe me Kinën, e cila kërkon të rishkruajë narrativin e korona virusit. Fokusi i Pekinit është kalimi nga inkubatori i pandemisë në Vuhan, në Provincën e Hubeit, te një udhëheqës global aktiv, që ndihmon vendet e tjera në kohë nevojash urgjente. Ndihma kineze për dhënien e furnizimeve mjekësore për Shqipërinë, Greqinë, Serbinë, Bosnjë-Hercegovinën dhe Turqinë, gjatë pandemisë, në mars dhe prill 2020, tregon përpjekjet e saj për ta ripozicionuar veten nga pikëpamja diplomatike dhe praktikisht me mbështetje në terren.
Shtrirja e këtyre veprimtarive tregon se si Kina po e përdor pandeminë si një mundësi tjetër për të vënë në dukje avantazhet e modelit të saj për administrimin e krizës dhe forcimin e marrëdhënieve ndërkombëtare. Përveç kësaj, aeroplanët me ndihma kineze, që zbresin në kryeqytetet europiane juglindore, të ngarkuar me maska për fytyrën, barna mjekësore dhe pajisje mbrojtëse, tregojnë kapacitetin e Kinës për të ndërhyrë në zinxhirin e furnizimeve mjekësore të vendeve të tjera. Pavarësisht nga veprimet e saj me qëllime të mira, “diplomacia e dhurimeve” nga Kina zgjeron perimetrin e angazhimit të saj. Një diplomaci e tillë mund të shfaqet te një audiencë ndërkombëtare, si një levë, që Kina mund ta përdorë për prodhimin e pajisjeve shëndetësore dhe farmaceutike.
Energjitë për ndërtimin e kapaciteteve institucionale, që ajo ka harxhuar gjatë dekadës se fundit në rajon, i ndihmojnë këto përpjekje. Kina e ka përdorur rrjetin 17+1 për të organizuar takime me video konferenca mbi Covid-19, me pjesëmarrjen e vendeve nga Europa Qendrore, Lindore dhe Juglindore. Por veprimtaritë e rëndësishme për Kinën dhe marrëdhëniet e saj me vendet e Europës Qendrore, Lindore dhe Juglindore, në vitin 2020, duhej të shtyheshin. Samiti i nëntë vjetor i rrjetit 17+1 ishte planifikuar të zhvillohej në mesin e prillit 2020 në Pekin. Presidenti Xi Jinping do të mbante fjalimin kryesor dhe do të takohej me krerët e shteteve pjesëmarrëse nga të tre rajonet. Fakti që, vetë Presidenti Xi do të drejtonte ngjarjen e prillit, vë në dukje rëndësinë politike që Pekini i kushton rrjetit 17+1 në Europë.
Një nga fushat kryesore të bashkëpunimit të Kinës me vendet e Europës Juglindore duhet të trajtojë shqetësimet lidhur me prishjen e rrjeteve komplekse dhe të integruar, të furnizimeve globale. Ky zhvillim ka pasoja të menjëhershme për sektorin e transportit detar tregtar midis Kinës dhe nyjës së saj detare europiane në Portin e Pireut, pranë Athinës. Aty pritet që nga viti në vit të bjerë trafiku me kontejnerë. Për më tepër, transporti i mëtejshëm i këtyre produkteve dhe i shërbimeve nëpërmjet Europës Juglindore dhe përpara drejt Europës Perëndimore aktualisht është i kufizuar.
Një sektor tjetër, që do të ketë ndikim mbi vendet e Europës Juglindore, lidhet me mbërritjen e turistëve nga Kina dhe qëndrimin natën. Gjatë dekadës së fundit, vende të tilla si Greqia, Kroacia, Mali i Zi dhe Serbia, janë fokusuar gjithnjë e më shumë te politikat e tyre të turizmit për akomodimin e qytetarëve kinezë, që vizitojnë qytetet, vendet historike dhe linjat e tyre bregdetare. Duke pasur parasysh kufizimet ekzistuese për udhëtimin dhe kufizimet e lirisë së lëvizjes, faturat e pakta nga ardhja e turistëve do të ndikojnë negativisht mbi linjat vendase, aeroportet, anijet e udhëtarëve, restorantet, hotelet, muzetë e të tjera.
Tani, me korona virusin ne mund të vëmë re se si Kina po e përdor pandeminë si një leve për të forcuar objektivat e saj strategjike. Kina ndodhet ne një pozitë të favorshme – në lidhje me dhënien e ndihmës praktike në terren – për të organizuar me shpejtësi dhe për të financuar aeroplanët me ngarkesa plot me mallra mjekësore për Tiranën, Beogradin apo Sarajevën. Kapaciteti i Kinës si fuqi e butë me Institutet Konfuci dhe përdorimin e rrjetit 17+1 i jep mundësi Pekinit të plotësojë ndihmën mjekësore me një ofensivë diplomatike dhe shfaqje të përsëritura në marrëdhëniet me publikun për qëllimet e saj, me sa duket, të mira.
Gjate administrimit të krizës së pandemisë Covid-19, zyrtarët kinezë po adoptojnë një element të ri në marrëdhëniet ndërkombëtare. Ne vëmë re shembuj të shumtë, me kundërshti, të “politikës së shpirtmadhësisë,”[23] në Europën Juglindore. Përfaqësuesit diplomatikë kinezë theksojnë se këto përpjekje për ndihmat humanitare dhe mjekësore bëhen nën frymën e ndërtimit “së bashku” të “një komuniteti me një të ardhme të përbashkët.”[24] Vazhdimi i “diplomacisë së maskave” (që lidhet me maskat e fytyrës dhe pajisjet mbrojtëse të dhëna nga Kina) dhe zbatimi i një “politike të tillë bujarie” shkojnë krah për krah me objektivin për të fituar zemrat e mendjet e shoqërive të rajonit. E thënë ndryshe, lufta kundër pandemisë Covid-19 është një shembull tjetër i një aktori të jashtëm, jo anëtar i Bashkimit Europian, që zgjeron më tej praninë e tij politike dhe ekonomike në Europën Juglindore. Kjo sferë tani përfshin sektorin e shëndetësisë të atyre vendeve, që kanë burime të pakta në një sektor publik me pak financime dhe me pak investime.
Së fundi, gjatë dekadës së fundit, Kina e ka zgjeruar lidhjen e saj detare dhe ndërkufitare nëpërmjet NBR-së. Projekti i rëndësishëm i politikës së jashtme të Kinës bazohet fort mbi kufij të hapur, lëvizjen e krahut të punës, si edhe në eksportet e mallrave dhe shërbimeve. Ndërlidhja e zinxhirëve të furnizimit global është një element tjetër i rëndësishëm i përparimit të NBR-së. Të gjitha këto karakteristika – lëvizja, lidhja dhe zinxhiri i furnizimeve operative, nëpërmjet infrastrukturës së re të transportit – tani iu nënshtrohen kufizimeve nga qeveritë kombëtare në çdo kontinent. Për rrjedhojë, NBR përballet me pengesa të pashembullta politike dhe institucionale në shumë vende pjesëmarrëse. Prandaj ne mund të presim që rikalibrimi i NBR-së, e cila po kryhej para pandemisë Covid-19 – kryesisht duke i ndryshuar përparësitë, duke u fokusuar mbi projektet e diskutueshme të infrastrukturës së transportit dhe energjisë, të financuara nga bankat kineze – do të përshpejtohet. Për këtë arsye, disa vëzhgues shprehen se ndihma mjekësore dhe farmaceutike nga Kina, që po jepet tani jashtë shtetit, është pararendëse për zgjerimin e NBR-së drejt “Rrugës Sanitare të Mëndafshit.”[25]
Bibliografi:
Bastian, Jens. “The potential for growth through Chinese infrastructure investments in Central and South-Eastern Europe along the “Balkan Silk Road”, independent report commissioned by the EBRD, shtator 2017, [Gjendet Online]: https://www.ebrd.com/news/2017/what-chinas-belt-and-road-initiative-means-for-the-western-balkans.html, shënime më 9 tetor 2019.
Bastian, Jens. “China’s Expanding Presence in Southeast Europe. Taking Stock in 2018”. Reconnecting Asia, December 19, 2018. [ONLINE] Gjendet në: https://reconasia.csis.org/analysis/entries/chinas-expanding-presence-southeast-europe/.
Bastian, Jens. “The Embrace Between a Russian Bear and the Panda Bear. An Emerging Sino-Russian Axis”, ELIAMEP Working Paper No. 108/2019, qershor 2019.
Borrell, Josep. “The Coronavirus pandemic and the new world it is creating”, 24 mars 2020, gjendet online: https://eeas.europa.eu/delegations/china_en/76401/EU%20HRVP%20Josep%20Borrell:%20The%20Coronavirus%20pandemic%20and%20the%20new%20world%20it%20is%20creating (accessed 06.07.2020).
Bosnia Daily. “China Will Help BiH”, 10 prill 2020.
CEE Bankwatch Network. “Stanari lignite power plant, Bosnia and Herzegovina”, [Online available]: https://bankwatch.org/project/stanari-lignite-power-plant-bosnia-and-herzegovina, shënime më 11 tetor 2019.
China.org.cn. Full text of Chinese Premier Li Keqiang’s speech at 9th China-CEEC Business Forum, 13. April 2019, [Online available]: http://www.china.org.cn/china/Off_the_Wire/2019-04/13/content_74677826.htm, shënime më 8 tetor 2019.
Digmandarin. “Confucius Institutes Around the World – 2019”. [Online available]: https://www.digmandarin.com/confucius-institutes-around-the-world.html, shënime më 8 tetor 2019.
Doehler, Austin. “From Opportunity to Threat. The Pernicious Effects of China’s Belt and Road Initiative on Western Balkan-EU Integration”, Center for European Policy Analysis, September 2019.
European Commission. Joint Communication [with the High Representative of the Union for Foreign Affairs and Security Policy] to the European Parliament, the European Council and the Council, EU-China – A Strategic Outlook, 12. March 2019, JOIN (2019) 5 final.
European Commission. “EU mobilises immediate support for its Western Balkan partners to tackle coronavirus”, 30th March 2020, online available: https://ec.europa.eu/neighbourhood-enlargement/news_corner/news/eu-mobilises-immediate-support-its-western-balkan-partners-tackle-coronavirus_en (shënime më 06.07.2020).
Hackaj, Ardian. “China and Western Balkans”, Policy Brief, Cooperation and Development Institute, Tirana, mars 2018.
Kuo, Lily. “China sends doctors and masks overseas as domestic coronavirus infections drop”, 19th March 2020, online available: https://www.theguardian.com/world/2020/mar/19/china-positions-itself-as-a-leader-in-tackling-the-coronavirus (shënime më 06.07.2020).
Mayerbrown. “EU Agrees on FDI Screening Framework”, 18. December 2018. [Online available]: https://www.mayerbrown.com/en/perspectives-events/publications/2018/12/eu-agrees-on-fdi-screening-framework, shënime më 2 prill 2019.
Qiyue, Zhang. The Single Soul of Empathy Dwelling in our Bodies”, Kathimerini (English edition), 23 mars 2020.
Tonchev, Plamen. “A Glimpse into China’s Soft Power in the Western Balkans”, in: Friedrich-Ebert-Stiftung, Briefing Political Trends & Dynamics, Chinese Soft Power in Southeast Europe, Vol. 3, 2019, f. 18-24.
Turcsanyi, Q. Richard. “Slovakia’s Overdue China Strategy”, The Diplomat, 03. November 2017, [Online available]: https://thediplomat.com/2017/11/slovakias-overdue-china-strategy/, shënime më 17 tetor 2019.
Xinhua News Agency. “Seminar on BiH-China relations held in Sarajevo”, 13. tetor 2019, [Gjendet Online]: http://www.xinhuanet.com/english/2019-10/13/c_138467225.htm, shënime më 15 tetor 2019.
Zickel, Raymond and Walter R. Iwaskiw. Albania: A Country Study. Washington: GPO for the Library of Congress.
Zivanovic, Maja. “China’s Growing Role in Serbia’s Security Field”, Bosnia Daily, 22 gusht 2019, f. 12-13.
[1] Një fjalë për terminologjinë duhet sqaruar që në fillim. Që nga shprehja e saj prej Presidentit Xi Jinping në vitin 2013, përfaqësuesit e Kinës përdorin termin Një Brez – Një Rrugë (One Belt – One Road – OBOR). Termi Nisma e Brezit dhe e Rrugës (NBR) u përdor në vitin 2016 si një rregullim gjuhësor në gjuhën angleze. Në analizën tonë ne do të përdorim terminologjinë e NBR-së.
[2] Në forum u përfaqësuan me kryeministrat apo presidentët e tyre shtatë shtete anëtare të BE-së (Austria, Greqia, Hungaria dhe Italia me kryeministrat) dhe (Republika Çeke, Qiproja dhe Portugalia me presidentët). Deri më tani (korrik 2020), 22 vende europiane kanë nënshkruar me Kinën marrëveshje bashkëpunimi në kuadrin e NRB-së.
[3] China.org.cn (2019): Teksti i plotë i fjalimit të Kryeministrit kinez Li Keqiang 9th në Forumin e Biznesit Kinë-CEEC, 13 Prill 2019.
[4] Plamen Tonchev. “A Glimpse into China’s Soft Power in the Western Balkans”, në: Friedrich-Ebert-Stiftung, Briefing Political Trends & Dynamics, Chinese Soft Power in Southeast Europe, Vol. 3. 2019.
[5] Xinhua News Agency. “Seminar on BiH-China relations held in Sarajevo”, 13 tetor 2019
[6] Raymond Zickel and Walter R. Iwaskiw. Albania: A Country Study. Washington: GPO for the Library of Congress. 1994.
[7] Kur Shqipëria u bë anëtare e OKB-së, në dhjetor 1955, një nga veprimtaritë e saj kryesore ishte të artikulonte dhe mbështeste interesat politike kineze. Meqenëse Kina u pranua në OKB vetëm në vitin 1971, ajo mund të mbështetej në port-parole-n e saj te Tirana.
[8] Ardian Hackaj. “China and Western Balkans”, Policy Brief, Cooperation and Development Institute. (Tirana. 2018.)
[9] Teoria e Tri Botëve mbrohej nga Mao Ce Duni. Sipas saj, marrëdhëniet ndërkombëtare të Kinës karakterizohen nga tri botë të ekonomisë politike: bota e parë përbëhet nga “superfuqitë”, dmth, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Sovjetik, bota e dytë përbëhej nga “fuqi pak më të vogla” (përfshi edhe Kinën), kurse bota e tretë nga “kombet e shfrytëzuara”. Të tria botët shërbenin për të justifikuar thellimin e marrëdhënieve diplomatike e tregtare kino-amerikane pas vizitës së Presidentit Nikson në Kinë, më 1972.
[10] Gjithsesi, Kina nuk është vetëm një aktor i jashtëm, jo pjesëtar i BE-së, që ndihmon Shqipërinë gjatë pandemisë Covid-19. Nga mezi i majit, edhe Qatar Fund for Development dërgoi për Shqipërinë një aeroplan plot me furnizime mjekësore në mbështetje të përpjekjeve të vendit për të frenuar shpërthimin e pandemisë së koronavirusit.
[11] Të gjashtë vendet e Ballkani Perëndimor bëjnë pjesë në KEE. Marrëveshja udhëhiqet nga direktiva ligjërisht detyruese sipas Traktatit të Komunitetit për Energjinë. Synimi i këtij traktati është futja në një linjë e politikave energjetike dhe standardeve mjedisore të Ballkanit Perëndimor me ato të BE-së në tërësi.
[12] Marrëveshja dy miliard dollarë u nënshkrua me Power Global për të financuar një termocentral tjetër me qymyr. Ky termocentral është afër një vendi të trashëgimisë kulturore të UNESCO-s. Projekti financohet me një kredi eksporti nga Banka Industriale dhe Tregtare e Kinës (ICBC).
[13] Jens Bastian. “The potential for growth through Chinese infrastructure investments in Central and South-Eastern Europe along the “Balkan Silk Road”, independent report commissioned by the EBRD. Shtator 2017.
[14] Austin Doehler. “From Opportunity to Threat. The Pernicious Effects of China’s Belt and Road Initiative on Western Balkan-EU Integration”, Center for European Policy Analysis. 2019.
[15] European Commission. Joint Communication [with the High Representative of the Union for Foreign Affairs and Security Policy] to the European Parliament, the European Council and the Council, EU-China – A Strategic Outlook, 12 mars 2019, JOIN (2019)
[16] Mayerbrown. “EU Agrees on FDI Screening Framework”. 2018.
[17] €38 million are being made available in immediate support for the Western Balkans to tackle the health emergency. An additional €374 million from the Instrument for Pre-Accession Assistance are being re-directed to help the socio-economic recovery of the region.
[18] Jens Bastian. “The potential for growth through Chinese infrastructure investments in Central and South-Eastern Europe along the “Balkan Silk Road”, independent report commissioned by the EBRD. Shtator 2017.
[19] GPA është një marrëveshje shumëpalëshe brenda kuadrit të OBT-së. Ajo rregullo konkurrencën ndërkombëtare në tregjet e prokurimeve të hapura reciprokisht, qeveritare, mes vendeve nënshkruese. Kroacia i pranoi rregullat e GPA-së më 2013 dhe Kina e nënshkroi GPA-në e rishikuar më 2014.
[20] Termocentrali i Stanarit u ndërtua nga firma kineze Dongfang dhe u financua nga Banka Kineze e Zhvillimit. TEC filloi zyrtarisht operacionet tregtare në shtator 2016. Në atë kohë Stanari ishte i vjetruar në lidhje me standardet mjedisore. Leja e tij mjedisore përcakton pajtimin me Direktivën e vjetër të BE-së mbi TEC-et me djegie, por jo me Direktivën e re mbi Gazrat Industriale (CEE Bankwatch Network 2019).
[21] Më 2017, qeveria e Sllovakisë ishte vendi i parë në rrjetin 17+1, që krijoi një “Strategy for the Development of Economic Relations with China 2017-2020” (Turcsanyi 2017).
[22] Maja Zivanovic. “China’s Growing Role in Serbia’s Security Field,” Bosnia Daily. (2019)
[23] Josep Borrell. “The Coronavirus pandemic and the new world it is creating”, (2020)
[24] Zhang Qiyue. “The Single Soul of Empathy Dwelling in our Bodies,” Kathimerini (botimi anglisht). (2020)
[25] Lily Kuo. “China sends doctors and masks overseas as domestic coronavirus infections drop”, The Guardian, (2020)