Në Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit, kushtet klimaterike dhe të lagështirës do të funksionojnë tashmë sipas standardeve europiane, falë mbështetjes së Ambasadës Kineze në Shqipëri.

Ambasadori i Republikës Popullore të Kinës në Shqipëri, Zhou Ding ka vizituar Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit për të dhuruar një sistem ftohës, i cili siguron ruajtjen e 44 mijë bobinave. Kjo paisje ishte prishur prej 16 vitesh, duke bërë që dokumentet të rrezikoheshin vazhdimisht nga lageshtira.

Në fjalimin e tij gjatë inagurimit, Ambasadori Ding ka vleresuar Arkivin si një vend ku ruhen dokumentet e cmuara të miqesisë midis Shqiperisë dhe Kinës.

Ambasdori tha se ambasada kineze i ka dhuruar arkivit pajisjet për kontrollin e lagështisë dhe ka financuar projektin e rinovimit të sistemit të kontrollit të temperaturës, për të zgjatur jetëgjatësinë e materialeve. Ai shprehu entuziazem per projektin, duke vleresuar dokumentet ne Arkiv si trashëgimi kulturore të Shqiperisë.

 

 

 

 

 

 

Në fjalën e tij përshëndetëse, zoti Ambasador u shpeh qartë se falë miqësisë tradicionale kino-shqiptare dhe përpjekjeve të përbashkëta, shkëmbimi kulturor artistik midis dy vendeve ka qenë gjithmonë shumë aktiv.

“Vitin e kaluar u shënua 70-vjetori i marrëdhënieve diplomatike midis Kinës e Shqipërisë dhe me këtë rast janë zhvilluar mjaft shkëmbime midis dy vendeve si dhe e kanë vizituar Shqipërinë shumë grupe artistike kineze dhe numri i turistëve kinezë në Shqipëri është rritur me 20%, por dhe se dhe ky Arkiv ndërtoi bashkëpunimin me Arkivin Kombëtar të Filmit të Kinës. Ne presim që, pas kësaj pandemie, të thellojmë bashkëpunimin me Ministrinë e Kulturës dhe të gjithë institucionet kulturore shqiptare, për të nxitur lulëzimin e kulturave të dy vendeve, si dhe njohjen e ndërsjelltë midis dy popujve tanë. Kam besim që Arkivi i Filmit do të luajë rolin e veçantë në këtë fushë,” tha ai.

E pranishme në ceremoni ishte edhe Ministria e Kulturës Elva Margariti. Në fjalën e saj ajo u ndal tek misioni i Arkivit Qendror të Filmit dhe perspektiva.

“Arkivi nuk mund të jetë një magazinë filmi, arkivi duhet të jetë një muze, një hapësirë për dialog, duhet të jetë një hapësirë për fëmijët, një hapësirë krenarie për të gjithë ne,” vlerësoi ministrja Margariti.

Drejtoresha e këtij arkivi, zonja Iris Elezi shtoi se një nga përgjegjësitë e Arkivit ka qenë krijimi i kushteve të favorshme për jetëgjatësinë e filmit.

“Jemi duke folur për temperaturën edhe lagështirën. Sikundër na mbështet Ministria e Kulturës, këtë vit na mbështet edhe Ambasada e Kinës dhe më në fund lagështia në AQSH është sipas standardeve. Kompresori i dytë i sistemit ftohës, i vitit 1984 i ndërtuar nga suedezët është këtu dhe kemi kthyer 100 për qind sistemin ftohës që nuk funksiononte”.

Përpos kësaj, në Arkiv po punohet edhe për restaurimin e shtate filmave me metrash të gjatë.

“Jemi duke bashkuar fuqitë me bashkinë për të restauruar “Koncert në vitin 1936”, kjo është fatkeqësia që në mes të viteve 1979-‘80 janë larë në banjon e gabuar të kimikateve 7 filma artistikë, 20 dokumentarë edhe 20 të animuar. Është një trashëgimi e madhe që ka humbur ngjyrat. Por, ende se kemi zgjidhur këtë shqetësim pavarësisht përpjekjeve,” tha drejtoresha e Arkivit.

Elezi gjithashtu theksoi se digjitalizimi dhe inventarizimi i materialeve filmike është një tjetër punë në procese për specialistët e arkivit.

Pas inaugurimit të kompresorit ftohës në Arkiv të Filmit u prezantua për të pranishmit dhe filmi dokumentar “Krah për krah” me regji të Endri Kekos.

Ne te kaluaren, kinemaja shqiptare dhe sidomos filmat e periudhës së para viteve ’90 kanë qene shumë të dashur për publikun kinez. Midis vitit 1958 dhe vitit 1999, Kina importoi afro 30 filma shqiptarë, ku mbi 10 prej tyre kishin si temë antifashizmin. Filmat shqiptarë ndoshta ishin filmat e vetëm të huaj që mund të shiheshin në atë kohë nga populli kinez.

Megjithëse tashmë në kinematë e Kinës transmetohen filma të ndryshem të huaj, filmat Shqiptarë përseri mbeten një ndër më të preferuarit për publikun kinez.

 

 

SHPËRNDAJE