Kukullat Matrioshka dhe sistemi arsimor në kalbëzim

1

Ditën e parë të vitit të ri shkollor, disa muaj pasi dyert e institucioneve arsimore kishin qenë të mbyllura, për shkak të pandemisë, ish-ministrja e arsimit përcolli mesazhin e saj tradicional të urimit për publikun, për të njoftuar vetëm pas pak orësh zëvendësimin e saj. Në një takim disi të pakëndshëm, por formalisht me mirësjellje e kafe, Kryeministri i uroi Besa Shahinit gjithë të mirat për të ardhmen e familjes së saj. Ky është një tipar dallues i Rilindjes në mesazhet e largimit: paç fat dhe suksese në jetë!

Emërimi i Shahinit në një moment të caktuar shkaktoi një stuhi në opinionin publik, duke pasur parasysh shqetësimet legjitime se ajo nuk do t’i kuptonte dhe nuk do t’i trajtonte dot siç duhet vështirësitë e mëdha me të cilat përballej sistemi arsimor në Shqipëri. Gjatë viteve që drejtoi ajo, plasën skandale lidhur me mungesën e sigurisë dhe me abuzime të mëdha brenda shkollave. Ato nuk ishin krejtësisht gabimet e saj, megjithëse ajo mund t’i kishte trajtuar më mirë.

Përveç kësaj, disa nga protestat e mëdha të studentëve, që u zhvilluan vitin e kaluar, tronditën me të vërtetë sistemin “fasada-e para!,” të ngritur nga besnikët e Ramës. Besa Shahini u bë atëherë fytyra dhe zëri për “Paktin me studentët”, ku teorikisht caktoheshin masa për të trajtuar shqetësimet e tyre, kurse praktikisht – shumë pak, shumë vonë.

Kur flitet për sistemin arsimor në Shqipëri, njerëzit pohojnë një gjë mjaft të dhimbshme: paaftësinë dhe mungesën e gatishmërisë së qeverive, njëra pas tjetrës, për ta modernizuar atë, për ta përshtatur me kërkesat e tregut, për t’i çliruar radhët e tij nga praktikat e politizuara të marrjes në punë, si edhe nga përdorimi i tij politik. Ekzistenca e shkollave të dëmtuara, e fëmijëve të fshatrave, që për të shkuar në mësim duhet të kalojnë mbi ura të varura mbi lumenj, e fjetoreve dhe dusheve të studentëve, të mbetura si në “kohën e qepës”, përballë pamjeve të fëmijëve të politikanëve, që ndjekin institucione arsimore, private, luksoze, është si një thikë e ngulur në zemër të pabarazisë social-ekonomike në Shqipëri, si edhe një tregues i qartë i korrupsionit dhe i qeverisjes së keqe.

Ministrat, njëri pas tjetrit, trashëgojnë një sistem, që po kalbet gradualisht akoma më shumë. Aty këtu përmirësohen disa shkolla me anën e rikonstruksioneve (shumica e tyre të zhytura në korrupsion dhe abuzime), por gjithsesi, kalbëzimi vazhdon. Shahini, ashtu si pasardhësit e saj nuk bënte dot më shumë… Kjo na çon drejt e te pasuesja e saj. Ajo u zëvendësua me një grua tjetër, por këtë herë me një përvojë të konsoliduar në sektorin universitar, megjithëse me njolla plagjiature, siç dëshmohet nga disa raportime të botuara kohët e fundit.

Ajo iu ngjan shumë grave të tjera të “Rilindjes”, të cilave iu mungon zëri i tyre, që imitojnë gjestet me duar të udhëheqësit të tyre, që binden me çdo kusht dhe që e duartrokasin në të gjitha rastet.

Duket sikur kemi të bëjmë me një sasi të pafundme kukullash Matrioshka, të gjitha njëlloj, njëra më e vogël se tjetra, të gjitha të gatshme për t’u zëvendësuar në krye të sektorëve të ndryshëm të qeverisë shqiptare.

Nuk është për t’u çuditur, që kur vjen puna lidhur me emërimin e grave nëpër poste, treguesit e barazisë gjinore në Shqipëri paraqiten të mira. Veçse herë pas here duhen hedhur sytë te problemet reale….

SHPËRNDAJE