Influenca e Kinës në Ballkanin Perëndimor

0

ILIR KALEMAJ, PHD

Ndikimi i Kinës në Ballkanin Perëndimor po merr formën e një “fuqie të mprehtë” për shkak të kombinimit të influencës politike, ndikimit ekonomik por edhe diversifikimin e burimeve të informacionit që përdor. Kina është një fuqi tashmë e konsoliduar rajonale me aspirata globale e cila është duke kërkuar të korrigjojë qasjen shpeshherë unilaterale të Shteteve të Bashkuara duke provokuar atë që shumë vëzhgues gjeopolitikë po e quajnë një “luftë të re të ftohtë” (Gladstone 2020). Të tjerë ndërkohë e quajnë thjeshtë një konflikt të zakonshëm tregtar i cili do të ketë si finalité politique një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ndoshta pas zgjedhjeve presidenciale amerikane.

Përsa i përket interesit specifik të Kinës për vendet e Europës Juglindore dhe më specifikisht për ato të Ballkanit Perëndimor, mund të themi që vitet e fundit, investimet infrastrukturore apo në sektorë si energjia, transporti dhe nafta kanë ardhur duke u shumëfishuar, duke i’u përshtatur njëkohshëm dhe natyrës diverse që kanë ekonomitë e secilit vend. Ndër të dhënat që na vijnë nga rajoni, për shembull për Maqedoninë e Veriut, niveli i investimeve kineze dhe kontratat e siguruara me këtë vend ka shkuar mbi 400 milion dollarë përgjatë viteve 2005-2018, por me një kreshendo të mëtejshme sidomos në vitet e fundit. Për Kinën, Maqedonia Veriore është një lidhje midis investimeve të saj me portin e Pireut në Greqi ku investimet kineze kanë shkuar rreth rreth 10 miliardë euro dhe Serbisë, ku Kina deri më tani ka shpenzuar afërsisht të njëjtën shumë, 10.2 miliardë euro (Seaman et al. 2017).
Shumica e këtyre vendeve të vogla të Ballkanit janë mjaft të ndjeshëm ndaj investimeve kineze, vençarisht pas krizës financiare globale që nisi në 2008-ën dhe vazhdoi për disa vjet dhe këtu mund të vecojmë rastin e Greqisë të nënvizuar edhe më sipër. Ndërkohë që krizat e mëpasshme, nga ajo e dyndjes së refugjatëve nga Afrika dhe Lindjes së Mesme dhe duke kulminuar me recesionin ekonomik që po përjeton thuasje çdo vend si pasojë e koronavirusit, kanë bërë që gjithnjë e më tepër sytë të kthehen nga Kina për të përfituar vençarisht financime apo hua të pakondicionuara apo të bashkë-shoqëruara më kushte politike.

Në fakt disa vende kërkojnë financim investimesh dhe për projekte jo fort rentabël nga pikëpamja ekonomike si për shembull Mali i Zi. Së fundmi për shembull, malazezët janë duke ndërtuar një projekt të madh infrastrukuror me pak kosto-përfitim, nga ata që në literaturë njohen rëndom si ‘elefantë të bardhë’, siç është ky i një autostrade 165 km i financuar nga qeveria kineze dhe që është “projektuar për të lidhur portin e Tivarit në bregdetin Adriatik të Malit të Zi me fqinjën e tij pa dalje në det Serbinë” (Barkin & Vasović 2018). Kjo ka rritur dramatikisht koston e borxhit të Malit të Zi në rreth 2 miliardë euro, gjë që për një vend me vetëm 650 mijë banorë është i konsiderueshëm si përqindje e PBB-së.
Kina gjithashtu ka shpenzuar dhe po shpenzon aktualisht në termocentrale në Serbi dhe Bosnjë dhe Hercegovinë, si dhe në hekurudhat në Malin e Zi dhe Maqedoninë Veriore por edhe në Shqipëri. Kina ka rënë dakord gjithashtu të financojë, përmes një kredie, 85 përqind të kostos së azhurnimit të linjës hekurudhore prej 3 miliardë eurosh që lidh Beogradin me Suboticën, e cila në vetvete do të jetë pjesë e një linje 350 kilometra që lidh Beogradin me Budapestin. Për më tepër, siç ka vërejtur kohët e fundit një stjuduese: “projektet kineze përqendrohen në Serbi, e cila ka ekonominë më të madhe të rajonit dhe përbën 44 përqind të PBB-së rajonale. Vendi është përcaktuar për projekte me vlerë më shumë se 2.5 miliardë euro. Projekti më domethënës është azhurnimi i hekurudhës Beograd-Budapest” (Zeneli 2019).

Prioriteti i Serbisë në planet e Kinës për Ballkanin Perëndimor përmban gjithashtu ndikim politik, përveç influencës ekonomike. Qysh nga koha kur ambasada kineze u vu në shënjestër gabimisht nga bombardimet ajrore të NATO-s në 1999 që ishin kundërpërgjigje ndaj fushatës së spastrimit etnik të Millosheviqit në Kosovë, marrëdhëniet Kinë-Serbi kanë qenë të ngushta, me Kinën vazhdimisht duke mbështetur pozicionin e Serbisë ndaj Kosovës si dhe duke mos pranuar formulë tjetër përpos asaj që do të dakordësohej mes dy vendeve në një marrëveshje formale mes tyre, një pozicionim ky me mjaft rëndësi për Serbinë, duke marrë parasysh edhe faktin që Kina është antare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara me të drejtë vetoje në çështje të tilla.
Kina ka investuar edhe më shumë në vendet e Visegrád (Evropa Qendrore) nën programin 16 + 1, i cili në vetvete është pjesë e mega-projektit Rrugë dhe Brez, një projekt që është ekonomiko-financiar dhe gjeostrategjik. Autorë të ndryshëm e kanë quajtur “projektin kryesor të politikës së jashtme kineze, ku nga viti 2013 kur u lançua, Kina ka nënshkruar më tepër se 180 projekte me 125 vende” (Bastian 2020). Hungaria është përfituesi më i madh deri më tani, ku ndërmarrja e saj kryesore Huaëei punëson drejtpërdrejt 2,500 njerëz në Pejë dhe gjithashtu ka fituar tenderin për administrimin e linjës së urgjencës në vend. Hungaria është gjithashtu vendi me përqendrimin më të madh të diasporës kineze midis vendeve të Evropës Qendrore. Nga projekti 16 + 1 me vendet e Evropës Juglindore, 3/4 e eksporteve kineze dhe 2/3 e importeve janë me vendet e Vishegradit. Sllovakia gjithashtu ka përfituar nga huatë dhe financimet në projekte teknologjike, ndërsa Polonia është e 15-ta në botë për sa i përket vëllimit të tregtisë me Kinën. Ndërsa në Bullgari, ndër të tjera, po financon hekurudhën dhe centralin bërthamor Belene.

E fundit, por jo më pak e rëndësishmja, Shqipëria nuk mbetet shumë më pas kur bëhet fjalë për investimet ekonomike të kinezëve në rajon. Këto investime shpesh kanë zëvendësuar ato perëndimore, si ai gjerman (aeroporti i Rinasit) ose ai kanadez – Bankers Petroleum (nafta dhe përpunimi i tij), si dhe të tjerët në industrinë e minierave, etj. Këto janë vetëm disa nga aspektet e rritjes së investimeve kineze në Shqipëri vitet e fundit.

Kina synon të avancojë interesat e saj gjeo-strategjike me vendet e Ballkanit Perëndimor ku përfshihet edhe Shqipëria, përmes marrëveshjeve tregtare dhe faktit që është ndër vendet eksportues kryesorë si dhe investitor kyç përmes kompanive gjysëm-shtetërore dhe private, si dhe një diplomacie të sukseshme ekonomike. Gjithashtu Kina po përdor gjithnjë e më shpesh forma të diplomacisë kulturore të tilla si Instituti Konfucius, qendrat kineze të kulturës, kultivimit të aktiviteteve të trashëgimisë kulturore, bursave për studentë, nxitjes së turizmit dypalësh etj., iniciativave të ngjashme.

Në rastin e Shqipërisë, Kina përmes përfaqësuesve të saj zyrtarë dhe jo vetëm, i referohet shpesh së kaluarës historike, marrëdhënies së ngushtë që kanë pasur dy vendet përgjatë viteve 70-të të shekullit të kaluar, investimeve kineze në energjetikë dhe industrinë e rëndë apo eksporteve kulturore të Shqipërisë komuniste si filmat e kinostudios por njëkohësisht duke këmbëngulur në faktin që Kina bashkëpunon me sisteme të ndryshme politike dhe nuk ndërhyn në punët e brendshme duke respektuar sovranitetin e vendeve të caktuara. Kjo narrativë dhe këto teza janë përdorur en bloc për të avancuar tezën e thellimit të bashkëpunimit ndër-shtetëror mes Shqipërisë dhe Kinës.

Referencat

Bastian, Jens. 2020. “China’s Evolving Footprint in the Western Balkans: Navigating between the Belt and Road Initiative and the Covid-19 Pandemic.” Tirana Observatory: Foreign Policy & International Relations. Vol.2, No. 3. Tiranë: Albanian Institute of International Studies.

Bastian, Jens. 2017. “The potential for growth through Chinese infrastructure investments in Central and South-Eastern Europe along the “Balkan Silk Road”. Report prepared for European Bank for Reconstruction and Development.

Barko, Noah & Alexandar Vasović. 2018. Chinese ‘highway to nowhere’ haunts Montenegro. Reuters. See for more: https://www.reuters.com/article/us-china-silkroad-europe-montenegro-insi/chinese-highëay-to-nowhere-haunts-montenegro-idUSKBN1K60QX

Gladstone, Rick. 2020. How the Cold War Beteeen China and U.S. Is Intensifying. New York Times. July 22. https://www.nytimes.com/2020/07/22/world/asia/us-china-cold-war.html

Seaman, John et al. eds. 2017. Chinese Investment in Europe: A Country Level Approach. French Institute of International Relations (Ifri), Elcano Royal Institute, Mercator Institute for China Studies.

Zeneli, Valbona. 2019. “China in the Balkans: Chinese investment could become a challenging factor for the European future of the Western Balkans.” The Globalist. See for more: https://www.theglobalist.com/balkans-china-fdi-belt-and-road-eu/

The place of North Macedonia in China’s strategy for the Western Balkans. Konrad Adenauer Siftung. www.kas.de

SHPËRNDAJE