NGA LEDION KRISAFI
Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë ende larg konferencës së parë ndër-qeveritare me Bashkimin Evropian. Arsyet e kësaj gjendje për të dyja vendet janë të ndryshme. Ndërkohë që në rastin e Maqedonisë së Veriut ato janë më së shumti të jashtme, përkatësisht kundërshtimi i Bullgarisë për të lejuar nisjen e negociatave para se Maqedonia e Veriut të pranojë se disa periudha dhe figura të rëndësishme të historisë së saj janë të lidhura ngushtësisht me historinë e Bullgarisë; në rastin e Shqipërisë arsyet janë më së shumti të brendshme, të lidhura me mosplotësimin e Gjykatës Kushtetuese mbi të gjitha, por edhe të Gjykatës së Lartë. Në të njëjtën kohë, për Shqipërinë vazhdon kundërshtimi hollandez ashtu si dhe herët e tjera vitet e fundit, e cila hedh dyshime mbi kushtet që ka plotësuar Shqipëria.
Në mars të këtij viti, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut morën dritën jeshile për hapjen e negociatave të pranimit me Bashkimin Evropian. Në rastin e Shqipërisë, hapja e negociatave u shoqërua me një listë prej 15 kushtet të cilat duhet të plotësoheshin para se të organizohej takimi i parë ndërqeveritar. Ndër kushtet ishin të zakonshmet në vitet e fundit për plotësimin e Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës së Lartë, vazhdimit të procesit të ndërtimit të institucioneve të reja të drejtësisë dhe zbatimit të tyre nga të sapokrijuarat SPAK dhe Byroja Kombëtare e Hetimit. Këtyre kushteve i ishin shtuar dhe tre të reja për ndaljen e valës së azilkërkuesve, një problem i madh vitet e fundit veçanërisht në Francë, si dhe kushtet për ligjin e ri për minoritetet, ligjin e ri të censusit të popullsisë në vitin 2020 dhe rregjistrimi i pronave në bregdetin e jugut.
Në takimin e para disa ditëve mes ministrave të jashtëm të Bashkimit Evropian, Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Michael Roth deklaroi se Shqipëria i ka plotësuar kushtet. Po kështu, në fillim të tetorit, gjatë paraqitjes së raportit të Komisionit Evropian për Ballkanin Perëndimor, Komisioneri për Zgjerimin, Oliver Varhelyi deklaroi se Shqipëria është gati për konferencën e parë ndërqeveritare. Sipas raportit të paraqitur nga Komisioni Evropian, Shqipëria i ka plotësuar kushtet dhe ka bërë përparim të ndjeshëm në reformat kyçe. Në përgjithësi raporti thoshte se Shqipëria ka një përgatitje mesatare në çështjet kryesore. Më herët, edhe nga Gjermania ka patur përpjekje që me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut të realizohen konferencat ndërqeveritare deri në fund të këtij viti.
Por duket se për të dyja vendet procesi ka mbetur pezull. Bullgaria duket e vendosur në kundërshtimin e saj, ndërkohë që në Shqipëri Gjykata Kushtetuese ende nuk është plotësuar. Për momentin Gjykata Kushtetuese ka katër anëtarë nga nëntë, ndërkohë që pritet emërimi i anëtarit të pestë për të formuar kuorumin e domosdoshëm për marrjen e vendimeve. Në 19 nëntor, ambasadori i BE-së në Shqipëri, Luigi Soreca, deklaroi se nuk do ketë konferencë ndërqeveritare për Shqipërinë nëse nuk plotësohet Gjykata Kushtetuese. Nga ana tjetër, për Bullgarinë kjo është mundësia e fundit për të arritur qëllimet e saj kundrejt Maqedonisë së Veriut dhe për këtë arsye qëndimi kundërshtar bullgar duket i palëvizshëm për momentin.
Një çështje tjetër e rëndësishme për Shqipërinë është dhe Kodi Zgjedhor, veçanërisht ndryshimet Kushtetuese të 30 korrikut, të miratuara në Kuvendin e Shqipërisë në 5 tetor, me kundërshtimin e opozitës jashtëparlamentare. Presidenti Meta e dërgoi ligjin për këshillim në Komisionin e Venecias, përgjigja e të cilit pritet në fillim të dhjetorit. Komisioni Evropian në tetor këshilloi Kuvendin e Shqipërisë që të presë përgjigjen e Komisionit të Venecias. Në rast se Komisioni do i vlerësojë si jo konform Kushtetutës ndryshimet e 30 korrikut, një pjesë e procesit për zbatimin e Kodit të ri Zgjedhor do të duhet të nisë nga fillimi, gjë që sigurisht do shtyjë konferencën e parë ndërqeveritare.
Në përgjithësi, si për Shqipërinë ashtu dhe për Maqedoninë e Veriut duket e vështirë që të mbajnë konferencën e parë ndërqeveritare brenda fundit të këtij viti, veçanërisht kjo për Maqedoninë e Veriut, ndërsa për Shqipërinë ende mund të ketë shpresë tek një plotësim i shpejtë i anëtarit të pestë të Gjykatës Kushtetuese. Megjithatë, koha në dispozicion deri në fund të vitit është shumë e paktë për një emërim kaq të rëndësishëm në Gjykatën Kushtetuese.