nga Diana Çuli
Pak histori: marrëdhëniet kulturore midis Kinës dhe Shqipërisë kanë filluar me intensitet veçanërisht në periudhën kohore midis viteve 1960 – 1978, e cila përkon edhe me periudhën e forcimit të miqësisë Kinë-Shqipëri, ndërtuar së pari mbi baza ideologjike, por që u zgjeruan më pas në shkëmbime të rëndësishme kulturore dy palëshe deri në mbarim të lidhjes zyrtare, të shkëputur nga pala shqiptare. Në periudhën e lulëzimit të këtyre marrëdhënieve në Shqipëri u botuan në gjuhën shqipe mjaft autorë kinezë, shoqëruar edhe me shkëmbime grupesh artistësh në të dy vendet: koncerte, shfaqje operistike, drama etj. Shqiptarët filluan të njohin – brenda kornizave të ideologjisë marksiste të kohës, tejet të radikalizuar edhe në krahasim me vendet e tjera të Bllokut socialist – një kulturë të madhe të një vendi me qytetërim të hershëm. Edhe shikuesi kinez pati mundësinë të njihte personazhe shqiptarë përmes filmave artistikë të prodhuar nga Kinostudioja Shqipëria e Re, me filma si “Ngadhnjim mbi vdekjen” (1967), “Horizonte të hapura” (1968), “Gjurmët e bardha” (1980), etj. Në vitet ‘60- ‘70 ndër 27 filma në gjuhë të huaj që u përkthyen nga studioja kinematografike e Shangait, 15 ishin filma shqiptarë.
Në këtë periudhë u ndërmorën edhe shkëmbime të tilla, si përshembull pjesëmarrja e artistëve shqiptarë në shfaqjen e baletit “Detashmenti i kuq i grave” krijim i artistëve kinezë, në kuadrin e shkëmbimeve artistike ndërmjet të dy vendeve. Gjithashtu, dërgimi i ndërsjelltë i studentëve në të dy vendet forcoi mjaft shkëmbimet arsimore mes tyre. Në atë kohë, që prej vitit1960 në Fakultetin e Filologjisë dhe të Historisë, në degën e gjuhës dhe të letërsisë në Tiranë, dha leksione mbi letërsinë klasike kineze dhe mbi gjuhën kineze profesor Tong Çingbing, studiues i mirënjohur i këtyre fushave. Në 40 vjet qëndrimi në Shqipëri ai dha kontribut edhe për katalogimin e letërsisë kinezë në Shqipëri.
Në ato vite pati një numër të madh botimesh të autorëve shqiptarë në gjuhën kineze dhe anasjelltas, duke filluar nga nga botimi më i hershëm i përmbledhjes së veprës së Migjenit në vitin 1954, disa vepra të Ismail Kadaresë dhe të Dritëro Agollit, po edhe autorë të tjerë shqiptarë. Krahas letërsisë shqipe vijnë edhe emra të njohur të letërsisë kineze, të sjella me mjeshtëri në gjuhën shqipe si : “Poezitë e zgjedhura të Du Fu-së”; përmbledhje me poezi të Konfucit, një vepër të shkrimtarit Cao Y botim i vitit 1954; më pas vepra të shkrimtarit të mirënjohur Lu Sun apo të nobelistit kinez Mo Yan, etj. Në përkthimet e këtyre veprave u përfshinë përkthyes e shkrimtarë të njohur si Alqi Kristo, Sadik Bejko, Nazmi Qamili e të tjerë.
Si pasojë të këtij bashkëpunimi Biblioteka Kombëtare u pasurua me një numër të madh të librave kinezë dhe u përkthyen 64 vepra letrare nga gjuha kineze në shqip, me një volum prej 510.000 kopjesh.
Pas ndërprerjes së marrëdhënieve diplomatike midis dy Republikave Popullore, të Shqipërisë dhe Kinës, rindërtimi i tyre pas viteve ’90-të mori shumë kohë, kushtëzuar edhe nga ndryshimi i sistemit politik, ideologjik, ekonomik e social në Shqipëri, ndryshim që përthithi të gjitha energjitë e shqiptarëve për të ecur në një rrugë të re e pothuajse të panjohur krejtësisht.
Ndërkohë, marrëdhëniet me Kinën Popullore nisën të marrin jetë përsëri, kësaj radhe më ngadalë, duke patur edhe rezonancën e miqësisë së shkuar: nuk ishin dy vende, dy popuj dhe dy kultura të panjohura. Mund të gjendeshin përsëri pika të përbashkëta; në veçanti kultura mund të hidhte ura lidhëse mbi hapësirat boshe dhe të kapërcente dekadat e humbura.
Kështu, që në vitin 2001 mes marrëveshjeve që lidhen mes dy qeverive për zgjerimin e bashkëpunimit në fushat e shëndetit publik, bujqësisë dhe turizmit, për të pasuruar lidhjet e ndërsjellta, një vend të rëndësishëm zënë edhe ato të kulturës. Ato përtërihen dhe fitojnë gjallëri në këtë periudhë të re, ashtu si vetë marrëdhëniet me Shqipërinë zënë një vend të veçantë në historinë e re diplomatike të Kinës.
Ky moment u shoqërua më vonë nga një sërë shkëmbimesh kulturore, më së shumti në fushën e librit, po edhe në fusha të tjera. Iniciativa e mirënjohur e ndërmarrë nga Kina “Një brez, një rrugë” dhe pjesëmarrja e Shqipërisë në platformën kineze “16+1” kanë shënuar një zhvillim të rëndësishëm në marrëdhëniet politike dhe kulturore të viteve të fundit, gjë që ka mundësuar rritjen e bashkëpunimit mes dy vendeve. “Ky bashkëpunim dha frytet e veta”, shkruan Dr. Dong Hongjie,[1]. “Politika e lëvizjes së lirë ka kontribuar edhe për të zhvilluar komunikimin kulturor, akademik, tregtar dhe shkëmbimet mes dy vendeve. Në Tiranë, sot mund të gjesh ushqimin origjinal kinez, mjekësinë tradicionale kineze, si dhe muzikën e filmat kinezë. Gjitashtu në tavolinat kinezë mund të shijosh mjaft produkte shqiptare të ardhura përmes eksportit, ose turistëve që sjellin produketet e preferuara nga Shqipëria. Miqësia Shqiptaro-Kineze u bashkua në një simbiozë të ngushtë kulturore shumë vite më parë dhe vazhdon të jetë e ngrohtë edhe sot ashtu siç shkruhet në një varg të një poezie të mirënjohur kineze se ‘një mik i shtrenjtë, vendin e largët e sjell më pranë.’
Sot shumë shqiptarë po rizbulojnë kulturën kineze, një numër jo i vogël aktualisht kryejnë studimet e larta në universitetet kineze. Të shumtë janë edhe ata që marrin pjesë në programet kineze të shkëmbimeve ndërkombëtare duke rritur kështu marrëdhëniet kulturore, si dhe duke shtuar vizibilitetin e shqipërisë në studimet ndërkombëtare të sinologjisë.”
Pas hapjes në vitin 2013 në Universitetin e Tiranë e Institutit Konfuci, vazhdojnë të jepen kurse të gjuhës kineze. Gjuha kineze jepet mësim edhe në pesë shkolla fillore dhe të mesme. Numri i studentë të regjistruar në Institutin Konfuci i kalon 600 vetët dhe është gjithnjë në rritje.
Po ashtu, kuadër të këtyre shkëmbimeve, në vitin 2017 u shënua një zhvillim i rëndësishëm në promovimin e kulturës shqiptare. Pranë Universitetit të Gjuhëve të Huaja të Pekinit u krijua qendra e parë kërkimore shkencore mbi Shqipërinë në Azi. Kjo arritje erdhi si rrjedhojë e rëndësisë gjithnjë e në rritje të Shqipërisë në rajon, po edhe të këmbënguljes së profesores së mirënjohur kineze e letrave shqipe në Pekin Ke Jing, e cila është njëkohësisht edhe shefja e qendrës, e cila ka dhënë e jep një ndihmesë të madhe në zhvillimin e gjuhës, kulturës dhe shkëmbimeve akademike midis dy vendeve. Në sajë të këtij kontributi të madh, në vitin 2018, Profesores Ke Jing iu akordua personalisht nga Kryeministri Edi Rama Medalja e Mirënjohjes së Kryeministrit.
Një rol të rëndësishëm në zhvillimin e marrëdhënieve kulturore mes dy vendeve dhe për njohjen e letërsisë kineze, veçanërisht, në Shqipëri, ka dhënë Shoqata e Botuesve Shqiptarë, e cila që në vitin 2015 nënshkroi në Tiranë një marrëveshje bashkëpunimi me përfaqësues të institucioneve të larta shtetërore të Republikës Popullore së Kinës, për të mundësuar ardhjen në gjuhën shqipe e autorëve të ndryshëm të këtij vendi dhe po ashtu më shumë autorë dhe tituj nga letërsia shqipe në gjuhën kineze. Kryetari i kësaj shoqate, z.Petrit Ymeri dhe zëvendësministri z. Song Mingchang ishin nënshkruesit e kësaj marrëveshjeje Bashkëpunimi për Përkthimin e Botimin e letërsisë. Në këtë marrëveshje parashikohej që brenda 5 vjetëve të përkthehen dhe të botohen jo më pak se 50 tituj (25 për secilën gjuhë) nga autorë të njohur dhe vepra të shquara të letërsisë së dy vendeve. Për këtë gjë, të dyja palët ngritën grupe specialistësh për përzgjedhjen e titujve dhe autorëve dhe shumë shpejt filloi edhe puna konkrete për realizimin e këtij projekti shumë të rëndësishëm. Marrëveshja mbështetet nga Administrata Shtetërore te Botimeve, e Radio, Film, Televizionit të Kinës dhe Shtëpisë Botuese kineze “Gjuhët e Huaja në Mësimdhënie dhe Kërkim”.
Disa shtëpi botuese, të përfshira në këtë program, po edhe me marrëveshje dypalëshe me shtëpi botuese kineze, kanë përkthyer deri më sot vepra të autorëve të shquar kinezë. Shtëpia Botuese Dituria, e ka pasuruar katalogun e saj me letërsi kineze për fëmijë të autorëve Gao Hongbo, Tang Sulan, Huang Beijia, Jin Bo, etj. Përparësi i jep kjo shtëpi botuese autorëve të shquar e klasikë të letërsisë kineze si Cao Hsuequin – një punë voluminoze me disa vëllime po edhe historisë së së Kinës dhe kulturës tradicionale të saj ( Zhang Çizhi) e shumë vepra të tjera me temë globalizmin, kulturën, etj.
Shtëpia botuese Fan Noli ka sjellë në shqip autorë të tjerë kinezë me famë botërore si Mo Yan, Lu Sun, Konfucin, e të tjerë, shumica përkthyer nga përkthyesi i njohur Xhimi Lazri, i cili gjithashtu ka sjellë në shtyp edhe një pjesë të madhe të punimeve të presidentit të Kinës Xi Jinping.
Nuk ka mbetur pas as shtëpia botuese Onufri, e cila u nderua edhe me çmimin “Special Book Award of China” e që është dhe çmimi më i lartë që qeveria e Republikës Popullore të Kinës akordon për autorët, përkthyesit dhe botuesit e huaj, të cilët kanë shënuar arritje të dukshme në prezantimin dhe përkthimin e librit kinez si edhe në nxitjen e shkëmbimeve kulturore.
Pikërisht pas marrjes së këtij çmimi u u themelua shoqata e botuesve Kinë-Vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore 16+1. Në këtë projekt një kapitull i veçantë i dedikohet librit. Ideja është që këto vende të botojnë dhe përkthejnë libra mes tyre, apo të marrin pjesë në panaire të përbashkëta.
Aktivitetet e shumta mbi librat e autorëve kinezë në gjuhën shqipe janë të shumta. Me rastin e 70-vjetorit të themelimit të marrëdhënieve diplomatike midis Kinës e Shqipërisë, për shembull, u hap në Tiranë ekspozita “Autorë shqiptarë për Kinën, autorë kinezë për Shqipërinë”, ku u paraqitën mbi 400 vepra të përkthyera në gjuhët respektive. Në Panairin e 23-të Ndërkombëtar të Librit në Pekin u zhvillua Forumi i Shkëmbimeve Kulturore Kino-Shqiptare dhe promovimi i librit “Nënë Shqipëri”, në gjuhën kineze me nismën e Administratës Shtetërore të Botimeve, Radio, Film, Televizionit të Kinës, Shtëpisë Botuese kineze “Gjuhët Huaja në Mësimdhënie dhe Kërkim”. Në këtë forum morën pjesë përfaqësues të të dy vendeve si këshilltari i Departamentit të Importimit të Botimeve pranë Administratës Shtetërore të Shtypit dhe të Botimeve Chen Yingming, kryetari i Shoqatës së Botuesve Shqiptarë dhe drejtor i Shtëpisë Botuese “Dituria”, Petrit Ymeri, kryetari i Shoqatës Kulturore Shqipëri-Kinë Ijaz Spahiu, drejtori i Shtëpisë Botuese “Onufri” Bujar Hudhri, anëtari i Institutit të Studimeve Artistike të Kinës dhe përkthyes i njohur i letërsisë shqipe në gjuhën kineze Zheng Enbo, zëvendësrektori i Universitetit të Gjuhëve të Huaja të Pekinit dhe kryetar i Shtëpisë Botuese “Gjuhët Huaja në Mësimdhënie dhe Kërkim” Cai Jianfeng etj.
Në shkurt 2018, Shoqata e Gjuhësisë Shqiptare, që drejtohet nga akademiku Prof. Dr. Emil Lafe organizoi në Bibliotekën e Kryeministrisë në Tiranë një takim me albanologen e shquar kineze Ke Jing. Në këtë takim merrnin pjesë studiues shqiptarë, profesorë, akademikë dhe studenë kinezë, që studiojnë në Universitetin Shtetëror të Tiranës, ambasadorë dhe përfqësues të shumtë të mjedisit akademik shqiptar. Në fjalën e saj albanologia kineze Ke Jing paraqiti për pjesëmarresit punimin “ Albanologjia në Kinë, arritjet dhe perspektivat” dhe theksoi se “Katedra e Gjuhës Shqipe në Pekin, e krijuar në vitin 1961, është e vetmja në Kinë dhe Azi”.
Në vitin 2019 Presidenti i Republikës Ilir Meta dekoroi me titullin “Naim Frashëri” dy personalitete të shquara kineze, dy albanologë, Profesorin Zheng Enbo, studiues, publicist e përkthyes dhe gazetarin, publicistin, përkthyesin e shkrimtarin Wang Hongçi, gjatë një ceremonie solemne të zhvilluar në institucionin e Kreut të Shtetit, për kontributin e tyre në komunikimin e vlerave të dy popujve te njeri tjetri.
Në tetor të vitit 2019 në Tiranë u hap ekspozita “Autorë shqiptarë për Kinën – autorë kinezë për Shqipërinë” përmes botimeve të rralla nga arkiva e Bibliotekës Kombëtare, që pasqyrojnë rrugëtimin e gjatë të marrëdhënieve dy-palëshe Shqipëri – Kinë. Ekspozita u organizua nga Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë, në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, Universitetin e Gjuhëve të Huaja të Pekinit, Shtëpinë Botuese të Librit Universitar dhe Kërkimor – Pekin dhe Shoqatën Kulturore Kinë-Shqipëri. Ekspozita përmbante botimet e para të autorëve dhe letërsisë kineze në gjuhën shqipe, botime që sjellin kulturën dhe qytetërimin e lashtë kinez, filozofinë dhe gjuhën kineze, e më tej duke u ndalur në marrëdhëniet ekonomike mes dy vendeve. Përveç veprave letrare të autorëve shqiptarë dhe kinezë, të cilat i përmendëm më sipër, në këtë ekspozitë nuk mungonin botimet dhe veprat mbi kulturën dhe qytetërimin kinez, botime mbi folklorin, albume, etj. Po ashtu ditare udhëtimi, që reflektojnë kujtime të diplomatëve shqiptarë në Kinë si “Në Kinën e popullit” i Qamil Buxhelit (1951); “Shqipëri – Kinë, dëshmi të një bashkëjetese” të autorit Enver Bytyçi (2014); “Shqipëria dhe Kina, një aleancë e barabartë” i Elez Biberaj (2014); “Marrëdhëniet shqiptaro-kineze në Luftën e ftohtë 1956-1978” i Gjon Boriçit (2016), etj.
Në këtë klimë mjaft të ngrohtë të krijuar në dy dekadat e fundit në shkëmbimet kulturore Shqipëri Kinë, është padyshim i dukshëm fakti se ajo do të zhvillohet e do të zgjerohet edhe më shumë në vitet që pasojnë.
[1] Dr. Dong Hongjie është pedagog i sociolinguistikës pranë Universitetit të Gjuhë Letërsisë së Xi’an-it, në Kinë. Në vitet 2011-2013, ai punoi si mësues i gjuhës kineze në Universitetin e Tiranës. Është gjithashtu autor i mjaft artikujve shkencorë mbi politikat gjuhësore në Shqipëri.