nga Ledion Krisafi, Ph.D
Lufta e dytë e Nagorno-Karabakut përfundoi në 9 nëntor me një marrëveshje armëpushimi të ndërmjetësuar nga Rusia. Sipas marrëveshjes, përgjatë vijës së frontit në Nagorno-Karabak dhe përgjatë korridorit Lachin do të ketë një kontigjent paqeruajtës të Federatës Ruse. Marrëveshja do të ketë një mandat 5 vjeçar me rinovim automatik për një periudhë tjetër 5 vjeçare, përveçse nëse njëra nga Palët do të jape njoftim paraprak 6-muajsh për të kundërtën. Gjithashtu sipas marrëveshjes, Armenia do t’i kthejë Azerbajxhanit tre rajone, të mbajtura deri më tani nga forcat armene. Marrëveshja u prit me reagim të ashpër në Armeni ku cedimi i tre rajoneve është etiketuar si ‘tradhti’.
Në terma të gjerë marrëveshja pasqyronte situatën ushtarake në terren. Armenia ishte në një humbje të qartë, kryesisht për shkak të një ushtrie azerbajxhanase të pajisur më mirë dhe pajisjeve të vjetra ushtarake armene të stilit sovjetik. Për shkak se nuk ishte në gjendje të ruante avantazhin ushtarak të Azerbajxhanit, Armenia filloi të sulmonte qytete thellë në territorin Azerbajxhan, duke vrarë shumë civilë.
Azerbajxhani fillimisht fitoi ushtarakisht, duke çliruar shumicën e rajoneve të pushtuara dhe të kontrolluara nga Armenia që nga lufta e vitit 1994. Territoret e kthyera kanë një popullsi me shumicë Azerbajxhanase. Azerbajxhani fitoi gjithashtu në arenën diplomatike, ku Nagorno-Karabak do të vazhdojë të njihet ndërkombëtarisht si pjesë e Azerbajxhanit, ndërsa statusi i Nagorno-Karabakut nuk është nën diskutim.
Në një nivel rajonal, Kaukazi ka qenë gjithmonë në pikën e takimit midis tre ish-perandorive, Perandorisë Ruse, Turke dhe Persiane, dhe ku Fuqitë Evropiane dhe Shtetet e Bashkuara kanë munguar kryesisht nga zhvillimet në rajon. Ky model historik u konfirmua edhe në këtë konflikt ku Rusia dhe Turqia ishin thelbësore në arritjen e armëpushimit dhe marrëveshjen përfundimtare. Edhe pse Rusia ka një aleancë ushtarake me Armeninë, u tregua e kujdesshme gjatë luftës që të mos dilte në favor të ndonjë prej palëve luftarake. Kjo ndodhi për dy arsye: së pari, sepse Presidenti Putin deklaroi se konflikti po ndodhte në territorin e Azerbajxhanit; dhe së dyti për shkak të rëndësisë së Azerbajxhanit për stabilitetin, ekonominë dhe infrastrukturën e naftës dhe gazit në rajon, për të cilën Rusia është e vetëdijshme.
Konflikti në Nagorno-Karabak është një nga pasojat e trashëgimisë së shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, siç janë dhe Abkhazia, Osetia e Jugut dhe Transnistria. Shpërbërja e Bashkimit Sovjetik dhe rënia e fuqisë Sovjetike në rajon në fund të viteve ’80, panë shpërthimin e konflikteve etnike midis Armenëve dhe Azerbajxhanëve në Oblastin e atëhershëm autonom Nagorno-Karabak, një rajon autonom brenda Republikës Sovjetike Socialiste të Azerbajxhanit, por me një shumicë armene (75%) popullsi kryesisht e zhvendosur në këtë enklavë nga Persia pas luftërave ruso-perse në fillim të shekullit të XIX-të. Gjatë viteve të ardhshme, pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, konflikti u përshkallëzua në një luftë të plotë ndërmjet Armenisë dhe Azerbajxhanit, kur në vitin 1994 Armenia me mbështetjen e një fuqie rajonal pushtoi Karabakun dhe shtatë rajone fqinje të Azerbajxhanit jashtë rajonit të Nagorno-Karabakut, të banuar nga azerbajxhanasit (98%).
Në të ardhmen e afërt, Azerbajxhani do të ketë mundësinë të ushtrojë juridiksionin e tij territorial në të gjithë territorin e tij që njihet ndërkombëtarisht. Ndërsa Armenia nga ana tjetër humbi edhe në frontin diplomatik. Ajo u perceptua si luftënxitëse në konflikt dhe nuk ndryshoi asgjë në statusin e Nagorno-Karabakut që do të vazhdojë të njihet si pjesë e Azerbajxhanit. Tashmë zërat nacionalistë në Armeni po bëjnë thirrje për hakmarrje. Por palët e interesuara në rajon duhet të jenë të përgatitur, dhe mundësisht të sigurojnë se kjo nuk do të ndodhë më.