Procesi i hapjes së negociatave të anëtarësimit mes Shqipërisë dhe BE është shtyrë. Komiteti i Përfaqësuesve të Përhershëm, ra dakort se Shqipëria nuk është ende gati të mbajë konferencën ndër-qeveritare që do të shënonte formalisht hapjen e negociatave për pranim. Tek sa ambasadorët e Bashkimit Evropian i njohën Shqipërisë reformat në disa fusha, ata vendosën theksin tek nevoja për më shumë progres, në mënyrë që të përmbushen kriteret për çeljen e diskutimeve për anëtarësim. Italia u përpoq të zbuste gjuhën në draftin e përgatitur nga ambasadorët e BE-së, por dështoi të bindte vendet e tjera anëtare.
Përse procesi ka ngecur për Shqipërinë?
Nga lista e kushteve të qarta të vendosura nga Këshilli i Çështjeve të Përgjithshme për të hapur negociatat e pranimit me Shqipërinë në Mars, asnjë prej kushteve nuk është përmbushur plotësisht. Sidoqoftë, prioritet mban funksionimi i Gjykatës Kushtetuese, që ende nuk është plotësuar si kusht.
Albert Rakipi, Kryetari i Institutit Shqiptar të Studimeve Ndërkombëtare, thekson se “vendosja e një Gjykate Kushtetuese funksionale, është hapi i parë për të rikthyer rendin kushtetues në vend. Kjo nuk është një çështje e hapur për negocim nga ana e Bashkimit Evropian, por mbi të gjitha, Shqipëria ka nevojë për Gjykatën Kushtetuese me apo pa procesin e integrimit, pasi prania e saj është thelbësore për vetë mbijetesën e një shteti normal demokratik. Shqipëria ka nevojë për Gjykatën, jo BE-ja,” u shpreh Rakipi.
Së fundmi, Ambasada Amerikane në Shqipëri ka shumëfishuar thirrjet e saj që vendimmarrësit të mbyllin çështjen e Gjykatës Kushtetuese brenda këtij viti. Ekspertët pretendojnë se procesi i ndërtimit të Gjykatës po vonohet nga lufta e brendshme politike e shumicës për të arritur interesat e saj politike afatshkurtra.
Ndërkohë pika e dytë e kërkuar me vendosmëri nga BE, po aq e rëndësishme sa e para, është reforma zgjedhore konsensuale. Në qershor të 2020, të gjitha partitë politike në Shqipëri, përfshirë partitë opozitare që aktualisht ndodhen jashtë parlamentit, arritën një marrëveshje, pas një ndërmjetësimi të fortë nga ana e komunitetit ndërkombëtar, për të zbatuar reformën zgjedhore me konsensus. Marrëveshja u ndërmjetëssua nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara, Mbretërisë së Bashkuar, si dhe delegacioni I Bashkimit Evropian në Shqipëri.
Marrëveshja madje u vlerësua dhe nga Sekretari i Shtetit të SHBA-së Mike Pompeo, si dhe Përfaqësuesi i lartë i BE, Borrel. Megjithatë në tetor shumica parlamentare miratoi ndryshimet kushtetuese që nuk ishin diskutuar apo dakordësuar me opozitën, ndryshime të cilat Komisioni i Venecias i interpretoi si “jashtëzakonisht të nxituara”.
Këto veprime u shoqëruan me një pakënaqësi të konsiderueshme nga ana e aktorëve kryesorë të BE-së, përfshirë këtu Gjermaninë, një shtet anëtar përgjithësisht në favor të zgjerimit. Ekspertët besojnë se BE ka artikuluar qartë se mungesa e konsensusit mbi reformën zgjedhore, veçanërisht vetëm disa muaj përpara raundit tjetër të zgjedhjeve të përgjithshme, është tejet problematike. “Thirrjet e përsëritura të BE-së për të ndryshuar kushtetuën vetëm me marrëveshje midis palëve, u injoruan nga shumica. Pavarësisht faktit se kanë kaluar disa dekada nga rënia e komunizmit, Shqipëria është i vetmi vend në rajon që ka dështuar në mënyrë të përsëritur testin më themelor të mbajtjes së zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, si dhe transferimin e pushtetit brenda standardeve të pranuara ndërkombëtarisht,” u shpreh Rakipi për revistën Europa. Ndaj ngjan për momentin e vështirë të mendohet se një vendim pozitiv në lidhje me mbajtjen e konferencës së parë ndër-qeveritare me Shqipërinë të mund të merret në mars të vitit 2021.” Burime diplomatike pohuan per Europa se skenari më i mundshëm do të ishte në qershor të vitit të ardhshëm, e kjo vetëm nëse Shqipëria do të realizonte një proces zgjedhor paqësor, të lirë dhe të ndershëm.
Shqipëria: një heshtje shurdhuese
Heshtja nga shumica për të adresuar këtë problem flet qartë për dështimin e qeverisë në përmbushjen e kërkesave të listuara nga BE. Pozicioni i Shqipërisë në raport me Bashkimin Evropian ka qenë përherë ai i luajtjes në mbrojtje. Në raste të ndryshme, kryeministri Edi Rama është shprehur se Shqipëria i ka përmbushur kriteret e vendosura për çeljen e negociatave të anëtarësimit, por krizat e brendshme dhe zgjedhjet në disa prej vendeve anëtare, veçanërisht Hollandë, po ndikojnë rrugëtimin e Shqipërisë drejt BE-së. Kësaj here ngjan disi më vështirë të pranohet ky version i realitetit dhënë nga Rama, për sa kohë që vetë BE ka argumentuar qartazi se mungesa e hapjes së dritës jeshile për Shqipërinë, ka ardhur si rrjedhojë e dështimit të qeverisë Rama për përmbushjen e kritereve të kërkuara në mars nga vendet anëtare.
Në anën tjetër, lideri i opozitës Lulzim Basha e ka bërë të qartë në javët e fundit se dështimi i hapjes së negociatave për anëtarësim, do t’i atribuohet direkt keqqeverisjes së Ramës, si dhe votimit të ndryshimeve në ligjin zgjedhor pa përfshirjen e opozitës.
Maqedonia e Veriut: sërish një veto nga fqinjët
Rasti i Maqedonisë së Veriut është i ndryshëm nga ai i Shqipërisë. Bullgaria ka bllokuar për momentin negociatat për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut për dy arsye: Sofja zyrtare pretendon se maqedonishtja është një dialekt i gjuhës bullgare, dhe se nuk ka një minoritet maqedonas në Bullgari. Në momëntin që këto dy çështje do të sheshohen, Maqedonisë së Veriut do t’i ofrohet një datë për mbajtjen e konferencës ndër-qeveritare. Qeveria e Zaev në anën tjetër ka refuzuar të pranojë pretendimet bullgare. Burime pranë presidencës gjermane të BE-së kanë thënë për mediat se do bëhen të gjitha përpjekjet deri në minutën e fundit për të zgjidhur mosmarrëveshjet mes dy vendeve.
Pasi zgjidhi përplasjen disavjeçare me Greqinë mbi emrin, me jo pak debate të brendshme apo edhe të jashtme, Maqedonisë së Veriut i duhet një tjetër herë të adresojë si ngërç kryesor për rrugëtimin drejt BE-së, një problematikë me një vend kufitar.