Mbresa të jashtëzakonshme nga Kina nga HARIS VONGLI
Kina është padyshim ndër vendet më të bukura, larmishme dhe mistike në botë. Të lexosh e dëgjosh për Kinën, dhe nga ana tjetër ta jetosh atë, janë dy gjëra fondamentalisht të ndryshme, rrugët e të cilave takohen fare pak me njëra tjetrën, që herë ngjajnë e herë jo. Marrja e informacioneve mbi Kinën të lë shije të caktuara lidhur me të, por të zhvendosesh në Kinë dhe të nisësh ditët e tua në vendin më të populluar në botë, dhe thuajse aspak të ngjashëm me vende të tjera të planetit, të krijon opinione, bindje dhe qëndrime për të; të mundëson të krijosh kujtime të pakrahasueshme dhe jetëgjata, ndodhi zinxhir që ridimensinojnë personin tënd në shumë drejtime.
Jeta në Pekin i ka të gjitha ngjyrat. Në Kinë, unë pata mundsinë dhe kënaqësinë të formohesha më tej akademikisht por edhe profesionalisht. Në vitin 2015, mora një bursë nga Ministria e Tregtisë e Kinës për të studiuar në Universitetin Tsingua të Pekinit, që është një ndër universitetet më të mira në Kinë, Azi dhe në botë. I themeluar në vitin 1911 fillimisht ky universitet njihet me emërtesën “Tsinghua Xuetang”, ndërsa emrin aktual e mori që në vitin 1928. Si një nga universitetet e mirënjohura, Tsingua është shndërruar në një institucion i rëndësishëm për thithjen e talenteve në fushën e arsimimit dhe të mësimdhënies por dhe të mbledhjes së talenteve në fushën kërkimore dhe shkencore.
Duke qenë një arsimdashëse, studiuese e globalizimit dhe kurioze mbi multukulturalizmin, traditat theksueshëm të ndryshme nga kontinenti plak, Europa, e pranova menjëherë mundësinë e specializimit në Kinë. Kisha shume ëndje për të njohur kulturën dhe gjithashtu për të mësuar, pse jo, gjuhën e tyre. Universiteti Tsingua më emocionoi tej mase, që në momentin kur kërkova mbi historikun e tij. Aty zbulova se, përvevçse numrit tejet të madh të pedagogëve kinezë të diplomuar nga universitetet më me zë në botë, Universitetin e vizitonin si lektorë nderi edhe emra me famë ndërkombëtare si Stiglitz, Harari, Fukuyama, Zuckerberg, Mamdani, Zaha Hadid, Perry Anderson, Huri Islamoglu etj. Unë i kam parë dhe takuar të gjithë këta e shumë të tjerë. Emocion shumë i madh. Master në administrim publik, qeverisje dhe zhvillim ndërkombëtar, ishte hapi im i madh i rradhës në Lindjen e Largët.
“Pekini më bën të dukem e vogël. Ky qytet është shumë i madh për mua”, – mendova ditën e parë kur zbrita në Pekin. Çdo gjë ishte kaq e ndryshme, kaq e gjerë, kaq e madhe, kaq e mbushur me njerëz. Qendra e një Province është po aq e madhe sa një shtet i Evropës. Kur fillova të jetoja në Pekin, gjeta një qytet të mbushur me tempuj, hutongje, labirinte dhe rrugë të ngushta, rrugica mbreslënëse me dritare të vogla, trotuare që i ngjanin korsive interurbane, liqene, pemë, zambakë uji dhe kombësi nga më të rrallat e të veçantat. E vjetra dhe modernja ishin të përziera, dhe nuk kishte asgjë të njohur në ato hieroglife kineze, si të shkruara, të dizajnuara ashtu dhe të pikturuara. Kishte aq shumë për të mësuar nga çdo lagjie dhe person që përshkonte ngjashëm apo jo rrugëtimin tim. Ndihesha shpesh e mbingopur nga emocionet, mikpritja dhe fytyrat e hareshme të popullit kinez.
Ushqimi ishte gjithashtu një sfidë më vete, një planet kurioz me përbërës, gjellëra, erëza, çajra dhe biskota nga më të shijshmet, shumicën e të cilave nuk i kisha parë apo provuar kurrë më parë. “Jeta këtu duhet të jetë tamam si një tenxhere e madhe e nxehtë, një hot-pot“, mendova. “Një përzierje e gjithçkaje”, pikërisht si specialiteti kinez mbi 1000 vjeçar i vjetër, hot-poti.
“Në fund të fundit, jeta a nuk është e gjitha e ndërlidhur ngushtë me zgjedhjet që ne bëjmë”?
Epo, unë duhet të zgjedh më të mirën e saj,”- i pëshpërita qytetit të perandorëve.
Rosa e thekruar e Pekinit, e mbështjellë nga shurupi prej mjalti, dhe më tej e zhytur në sheqer dhe e kombinuar me perime e salca karakteristike të saj, u bë pjata e ëndrrave të mia – pjata e të gjitha festave të shënuara në Pekin. Unë e dua atë qytet. Unë u dashurova me shikim të parë me të. Nata e parë u konsumua me gjumë, prej ndryshimit të orës. Ditën e dytë bleva menjëherë biçikletën time klasike dhe të shpejtë. E mbaj mend sikur të ishte mbrëmja e djeshme. Pasi perëndoi dielli, duke lënë pas në qiel një shkëlqim portokalli dhe vjollcë, unë bëra një shëtitje të gjatë rreth kampusit të pafund të Universitetit Tsinghua, për t’u njohur me botën time të re.
Çuditërisht e bukur ajo botë! Të lë pa frymë! Një vizion! Kudo, vërdallë meje, shihja aq shumë të rinj e kjo më gëzonte tej mase. Ata ishin burimi i energjisë të atij qyteti, në fakt të gjithë qyteteve anë e mbanë Kinës ku munda të shkel, e të impresionohesha çdo herë e më shumë. Ky ishte sekreti: një energji që gjendet jo lehtësisht në qytete të tjera. Pekini është shumë i madh për një arsye. Ka vend për shumë njerëz që kërkojnë kultura të reja, kuriozitet, gjetje të vetvetes, politikë e rregulla interesante për t’u studiuar, aventurë, miqësi, lumturi dhe dashuri, dhe unë gjeta kaq shumë nga të gjitha këto, në Kinë.
Kina është realisht një ambient shumë i dashur dhe njerëzit janë shumë të ngrohtë; është një vend shumë i madh, një shtet ku është shpërngulur jo pak herë e gjithë vëmendja botërore, sidomos kur flitet për ekonominë. Zhvillimi ekonomik i Kinës ka bërë që të vihet në lëvizje e tërë ekonomia botërore dhe bashkë me të shkëmbimet njerëzore, arti, kultura etj.
Pas studimeve dy vjeçare, kur pata mundësinë të punoja për Radion e Jashtme të Kinës, e të mësoja edhe më shumë, në praktikë, në terren, mbi zhvillimin ekonomik të Kinës, u shënua një periudhë tjetër e paharrueshme e jetës sime në Kinë. Vizitova qendra të tjera e zona shumë të thella të Kinës. U mahnita me Provincën Hubei, e shtrirë në rrjedhën e mesme të Lumit Jance. Hubei është një djep i rëndësishëm i qytetërimit kinez me kulturë e tradita shumë të pasura. Hu Bei ka burime të bollshme ujore, prandaj quhet edhe si provinca e mijëra liqeneve. Kryeqendra e provincës Hubei është Wuhan-i, një qendër kryesore transporti si dhe qendër politike, kulturore dhe ekonomike e Kinës qendrore. Provinca e Hubei-t quhet shpesh “Toka e Peshkut dhe e Orizit”.
Provinca Guizhou është një tjetër zonë shumë e bukur e ndodhur në brendësi të Kinës jugperëndimore, në kufi me Chongqing, Sichuan, Hunan, Yunnan dhe Guangxi. Guizhou është një qendër e transportit për jugperëndimin e Kinës, një qendër e rëndësishme për florën dhe faunën në mbarë vendin. dhe një nga katër rajonet prodhuese të mjeksisë bimore kineze në vend. Destinacionet turistike malore me famë botërore dhe provincat malore të lumit Guizhou ndodhen në rrjedhën e sipërme të lumit Yangtze dhe të lumit Zhu Jiang.
Hunan-i është provinca e shtatë më e populluar e Kinës dhe e dhjeta për nga hapësira që zë. Edhe në Hunan, qendra, qytete e fshatra të saj kam qenë. Pyjet e hershme të Hunan-it janë banuar për herë të parë nga paraardhësit e kombësive Miao, Tujia, Dong dhe Yao. Provinca Hunan është e njohur për pikat e saj turistike, të cilat janë të përfshira në listën e UNESCO-s. Ndër mrekullitë e Hunan-it janë qytetet historike të Hongjiang-ut dhe Qianjiang-ut; po ashtu shpella e Dragoit të Verdhë, malet Zhangjiajie në zonën Wulingyuan (nga ku është inspiruar regjisori i filmit Avatar) dhe mali Tianmen.
Sichuan, një tjetër zonë përrallore e Kinës, njihet edhe si provinca e mijëra lumenjëve, ku ndodhen afërsisht 1400 lumenjë të cilët kalojnë nga SiChuan. Chongqing-u, është komuna më e madhe e Kinës dhe është pushtet vendor i varur drejtpërsëdrejti nga ai qëndrori. Chongqing-u, i pasur me kulturë e histori të lashtë, është një ndër qendrat më të rëndësishme ekonomike të Kinës. Industria e prodhimit të makinave teknologjike, e makinave me energjj të re është një ndër sektorët që po njeh zhvillim të madh. Duhet përmendur këtu se një në tre laptopë në botë prodhohen këtu në Chongqing.
Kur vizitova provincën Yunnan, doja të mos kthehesha më kurrë. Lijiang-u ishte pikërisht qyteza ku doja të qëndroja. Banorët vendas merren kryesisht me veprimtari artizanale, me përpunimin e sendeve të bakrit, argjendit, lëkurës, tekstileve etj. Qyteti i vjetër i Lijiang-ut, me një arkitekturë të lashtë, rrugica me kalldrëm, ndërtesa të vjetra e dyqane artizanale, njerëz të qeshur, punëtorë e mikpritës, me ajër të pastër e shumëllojshmëri ushqimesh, duket si një pikturë dhe fton këdo që ta vizitojë atë, kulturën, energjinë dhe tradicionalen që gjenden në mënyrë të përsosur në harmoni me njëra tjetrën.
Nuk di ç’të tregoj më parë. Çfarë ndjesish! Duke u përhumbur e kam njohur edhe më përtej Kinën! Shumë bukuri ka dhe tani kam unë shumë nostalgji. Ia vlen të rrëfehem publikisht, e dua Kinën.