nga Ratela Asllani
Sot një sërë faktorësh, na përballin me ndryshime të rendit të ri botëror. Ky rend, i cili do të kishte kryefjalë një sistem një-polar, të paktën me përfundimin e Luftës së Ftohtë, në ditët e sotme sa vjen dhe po bëhet me shumë multi-polar. Aktorë të rëndësishëm shtetërorë, multilateral dhe global luajnë rol jo më pak të rëndësishëm në ruajtjen e ekuilibrave gjeopolitik. Kina, një superfuqi në rritje, ka ndikim të fuqishëm në shumë çështje me karakter global, rajonal por edhe dypalësh mes dy shteteve. Sigurisht, që kjo nuk do të lëjë pa prekur edhe ato mes Kinës dhe Shqipërisë, për ta parë edhe më gjerë.
Kina dhe Shqipëria janë aq sa të ndryshme, por aq sa edhe të ngjashme. Për të vlerësuar dhe analizuar ndryshimet dhe ngjashmëritë kërkon një studim të plotë dhe njohje të thellë të gjeopolitikës së të dy vendeve. Megjithatë, aktualisht marrëdhënia midis dy vendeve është e gërshetuar në rrafshin botëror, në atë rajonal, por edhe dypalësh. Pavarësisht niveleve të përfshirjes, ajo përcjell një gërshetim të ndërthurjes midis mundësive dhe sfidave të reja.
Pikë së pari, në kuadrin e gjeopolitikës dhe në rrafshin botëror, bashkëpunimi është më fleksibël, për shkak se Kina është, dhe do të vazhdojë të jetë një aktor dhe faktor i rëndësishëm në rritje, duke u angazhuar më shumë në çështjet që kanë karakter botëror, të prezantuara gjithashtu, edhe në Axhendën 2030 të OKB-së, ku Shqipëria është zotuar gjithashtu për zbatimin e saj. Sigurisht përceptimi, këndvështrimi dhe qasja e Kinës, do të jetë ndryshe nga ajo që njohim, por do të sjell një risi dhe zhvillim në mënyrën e të menduarit, ndërveprimit dhe përballjes mes alternativave të ndryshme për çështjet botërore, përfshirë dhe çështjen e pandemisë me të cilën bota është duke u përballur, por e cila nuk është e vetmja sfidë.
Ndryshimet klimatike kanë marrë përmasa të rëndësishme, po aq sa edhe zhvillimet ekonomike dhe teknologjike. Ndryshimet klimatike përfaqësojnë një kërcënim ekzistencial po aq shqetësues sa lufta bërthamore, për të mos anashkaluar çështje të rëndësishme si migrimi, siguria njerëzore, trafikimi i qenieve njerezore, të drejtat e njeriut, zhvillimi i qëndrueshëm, të cilat janë çështje shumë të rëndësishme dhe imediate.
Rol të rëndësishëm luajnë sigurisht edhe aktorët globalë si, SHBA-ja, NATO dhe BE, të cilat po përballen me një sfidë dhe qasje të re ndaj Kinës. Kjo mbetet për t’u parë se si do të zhvillohen politikat dhe ngjarjet nga Uashingtoni dhe Brukseli, në përballjen me rendin e ri botëror dhe sikurse do të jetë qasja ndaj Kinës dhe përcjellja e saj në arenën ndërkombëtare. Nuk mund të anashkalohet edhe roli i Shqipërisë në NATO, ku Kina konsiderohet një konkurent, sidomos në aspektin e 5G, në të cilën Kina ka një epërsi teknologjike. Këto sigurisht janë sfida edhe për Shqipërinë, sikurse shumë vendeve të tjera në BE dhe NATO, pasi Kina nuk është idiologjikisht siç ishte ish-Bashkimi Sovjetik dhe nuk është si konkurrentët e tjerë. Me pak fjalë për Shqipërinë sfidë është gjithashtu ruajtja e ekuilibrave gjeopolitikë mes SHBA-së dhe BE-së, në raport me Kinën.
Megjithë sfidat në horizont, paraqitja e projektit “një brez një rrugë/Rruga e Mëndafshit” në 2013 nga Kina, i cili ka karakter global dhe ka për qëllim zhvillimin ekonomik dhe lidhjen midis Azisë, Lindjes së Mesme, Afrikës dhe Europës, është një mundësi e re edhe për Shqipërinë. Të kuptosh se ku është zanafilla e këtij vizioni, duhet një njohje e thellë e historisë së Kinës, ku gjatë periudhës së dinastisë Qing dhe Ming, kanë luajtur një rol shumë të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik dhe prosperitetin e vendeve ku kalon rruga detare dhe tokësore, nga Azia deri në Evropë. Tregtia e mëndafshit ishte një faktor i rëndësishëm për lulëzimin e ekonomive të vendeve ku kalonte kjo rrugë. Sot, kjo filozofi Konfuciane me baza historike, e përshtatur me një koncept bashkëkohor dhe me teknonologji të avancuar, është prezantuar nga Kina me një vizion të qartë, duke iu ofruar vendeve të cilat preken nga kjo rrugë një alternativë ndryshe për të zhvilluar ekonomitë e tyre, për një të ardhme më të begatë, dhe prosperitet të vendeve të tyre.
Ky projekt i cili bazohet në pesë shtylla: bashkërendimi i politikave; tregëtia; lidhja infrastrukturore; integrimi financiar; dhe lidhja mes popujve, ka një ndikim të rëndësishëm gjeopolitik.
Kjo është një qasje pragmatiste e politikës së jashtme të Kinës për të krijuar ura bashkëpunimi. Pavarësisht se ajo ka dimension ekonomik në thelb, nuk është domosdoshmërisht e paprekur nga ndikimi gjeopolitik, madje edhe në sfera të tjera jo më pak të rëndësishme. Çelësi i kësaj ure bashkëpunimi është komunikimi. Duke ecur me hapa të ngadaltë, por të kujdesshëm, komunikimi luan një rol të rëndësishëm, për të krijuar urat e bashkëpunimit dhe Kina është duke e zhvilluar atë në planin afatgjatë, duke ofruar stabilitet ekonomik por dhe zhvillim teknologjik.
Për ta realizuar vizionin e vet po përdor një politikë gjithëpërfshirëse, përfshirë si aktorë të mëdhenj, por pa anashkaluar edhe të aktorë të vegjël, si Shqipëria. Nëpërmjet komunikimit, Kina ndjek një qasje për të kuptuar, njohur dhe mos anashkaluar interesat e aktorëve të vegjël, dhe mospërfshirja në çështjet e brendshme të vendeve, dhe sistemeve të ndryshme politike edhe ekonomike, pavarësisht interesave globale, ku është e përfshirë Kina.
Së dyti, në kuadrin e bashkëpunimit rajonal, Kina ka prezantuar mekanizmin e saj në Evropë, të njohur si Iniciativa 17+1 (17 shtete të Evropës Qëndrore dhe Lindore-ku 12 janë vende të BE plus Kina), ku Shqipëria gjithashtu bën pjesë, dhe komunikimi ka luajtur një rol të rëndësishëm për afrimin e këtyre vendeve.
Sigurisht që edhe këtu vihen re të dy anët e medaljes si në ofrimin e mundësive, por edhe sfidave të reja. Kina mbështet integrimin sa më shpejtë edhe të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, pasi kjo do të ishte në interesin edhe të saj për një treg më të unifikuar, se sa me tregje të vogla por të paintegruara. Kina ka interes të luajë një rol bashkëpunues dhe plotësues me institucionet e BE-së, sidomos për vendet e Ballkanit Perëndimor, për përshpejtimin e procesit të integrimit në BE. Ky mekanizëm, ka ndikuar në përafrimin e vendeve të Evropës Qendrore, Lindore dhe Ballkanit Perëndimor. Shqipëria, si pjesë e ketij mekanizmi, është ende në hapat e parë si në kuadrin institucional, ashtu edhe në të ekonomik dhe akoma e paqartë për të harmonizuar politikat e saj edhe me Brukselin, por kjo mbetet si një mundësi për zhvillimin ekonomik.
Sigurisht sfidat mbeten përpara, pasi Shqiperia si një vend i vogël dhe treg i vogël ekonomik, është sigurisht nën ndikimin e aktorëve të rëndësishëm dhe interesave të ndryshme dhe kjo është e pashmangshme. Në kuadrin e BE-së, integrimi i Shqipërisë në tregun e përbashkët rajonal me Ballkanin Perëndimor, me mekanizma të tilla si CEFTA, Procesi i Berlinit apo Mini-Schengen, janë mbështetëse për integrimin në BE, por edhe për interesin e Kinës dhe të Shqipërisë.
Për Shqipërinë, ky mekanizëm gjithashtu është një faktor i rëndesishëm për zhvillimin dhe prosperitetin ekonomik, e cila përkon edhe me interesat e vendit. Sigurisht që perceptimi i BE-së ndaj Kinës luan një rol shumë të rëndësishëm për të harmonizuar politikat e Tiranës me Brukselin. Duke qënë se BE në kuadrin politik është e ndarë në qasjet ndaj Kinës, kjo sigurisht ka ndikim edhe në Shqipëri. Pavarësisht se BE në aspektin ekonomik ka hartuar nje strategji bashkëpunimi dhe ndërveprimi me Kinën, Shqipëria ende është në hapat e para të diskutimit vetëm për 5G, pavarësisht presionit të madh që vjen nga komuniteti i biznesit për zhvillimin ekonomik. Megjithatë, në nivel zyrtar dhe institucional mbetet ende me mungesë të një qasje/orientimi të qartë ndaj Kinës.
Së treti, në planin dypalësh qasja e Kinës ndaj Shqipërisë dhe anasjelltas, është mbështetur në aspektin historik të marrëdhënieve politike dhe ekonomike të viteve ’60 -70, periudhë kur të dy vendet kishin përafërsi ideologjike. Zhvillimi ekonomik i Shqipërisë kulmoi pikërisht me kohën kur marrëdhëniet midis dy vendeve ishin shumë të ngushta. Ngrirja e marrëdhënieve politike midis dy vendeve që nga mesi i viteve 70-të, ka lënë një hendek të madh ndërveprimi edhe bashkëpunimi edhe në fushat e tjera.
Pavarësisht se Kina do të ndiqte një politikë të hapur ndaj perëndimit dhe Shqipëria ndoqi një politikë izoluese, përsëri nuk do të kishte një qasje bashkëpunimi edhe ndërveprimi edhe pas viteve ’90, çfarë e thelloi më tepër këtë hendek. Nëse, në konteksin e kohës në ato vite, politika dhe diplomacia shqiptare do të lobonte fuqishëm për njohjen e Kinës në arenën ndërkombetare, pas viteve ’90 do të ishte tepër indiferente edhe në kuadrin ekonomik. Në aspektin kulturor ka patur shkëmbime më të konsiderueshme. Ndërkohë që katedra e gjuhës shqipe në Pekin do të nxirrte shumë njohës të Shqipërisë, edhe pas viteve ’70, nuk do të pengonte Pekinin të njihte kulturën dhe gjuhën shqipe, ndërkohë që nuk do të ishte e njëjtë nga ana e Shqipërisë.
Krijimi i institutit Konfuci në Tiranë në 2013 në kuadrin e mekanizmit 17+1 dhe vizionit të “Rrugës së Mëndafshit”, ka ndikuar pozitivisht në shkrirjen e akujve në nivelin dypalësh. Gjithashtu, përtej disa marrëveshjeve institucionale ende të pazbatuara me projekte konkrete dypalëshe, Kina mbetet një aktor i rëndësishëm në aspektin ekonomik, përmes tregtisë dhe investimeve. Megjithatë, për Tiranën mbetet një sfidë shumë e madhe ndërveprimi në nivel dypalësh pasi edhe mungesa e kapaciteteve njerëzore dhe instrumenteve institucionale për angazhim më të drejtpërdrejtë është ende problematike, pavarësisht qasjes dhe orientimit të politikës së jashtme shqiptare drejt diplomacisë ekonomike.
Së fundmi, të ndërveprosh me Kinën është një sfidë shumë e madhe, pasi është një oaz i paeksploruar dhe i panjohur jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për aktorë të mëdhenj global, si SHBA dhe BE. Kina, përtej historisë dypalëshe me Shqipërinë, ka një histori 5000 mijëvjeçare.
Kina, një nga anëtarët e Këshillit të Sigurimit të OKB-së; një superfuqi bërthamore me sistem politik një-partiak, e cila si shtet i vetëm përfaqëson 1/7 e popullësisë botërore, ka ndjekur një politikë të hapur ekonomike që nga vitet ’70; me një politikë të jashtme “Një vend, dy Sisteme”, pas viteve ’90 ; me një politikë dhe qasje globale akoma më të hapur me paraqitjen e projektit “Një Brez një Rrugë/Rruga e Mëndafshit” në 2013; duke prezantuar teknologjinë e avancuar 5G në 2019, dhe përballja e parë me pandeminë globale, COVID 19 në 2020, e rreshton në aktor të rëndësishëm global dhe gjeopolitik.
Zhvillimi i saj ekonomik në rritje në një kohë që kriza globale e 2008, ka luajtur një rol jo pak të rëndësishëm në arenën ndërkombëtare, e ka angazhuar Kinën të jetë më aktive dhe përfshirëse në çështjet me karakter global. Orientimi i Shqipërisë ndaj Kinës do duhet të krijojë një qasje gjithëpërfshirëse, pa paragjykimi, stereotipe apo ngatërresa ideologjike. Shqipëria duhet të kuptojë se Kina sot, nuk përfaqëson Kinën e viteve ’70, por një superfuqi globale që ka ndërvepruar, për gati 50 vjet ekonomikisht dhe intelektualisht me Perëndimin, duke investuar në zhvillimin që shohim sot, pa prishur strukturat e saj shtetërore.
Ratella Asllani eshte eksperte e gjeopolitikës, diplomuar në Marrëdhenie Ndërkombetare (M.A dhe B.A), ka eksperiencë në kerkime me Think Tanks, organizata ndërkombetare dhe struktura shteterore në Shqiperi dhe Kosove, pedagoge edhe në universitete brenda dhe jashtë vendit.