Kina, investitor i madh në Shqipëri

1

 

nga Bardhi Quku

 

 

 

Kina është një nga vendet me potencialin më të madh ekonomik në botë. Ajo konsiderohet si ekonomia e dytë globale duke mbajtur një peshë mjaft të rëndësishme në zhvillimin ekonomik botëror. Kina e ka zgjeruar historikisht hartën e investimeve dhe të vendeve ku ka shfaqur interes për të investuar. Në këtë hartë bën pjesë edhe Evropa, që është gjithashtu pjesë e lokomotivës së ekonomisë botërore. Përgjatë dy dekadave të fundit investimet kineze në Evropë kanë arritur nivele të larta.

 

Sipas statistikave të grupit Rhodium, investimet përgjatë viteve të fundit në Bashkimin Evropian kanë arritur nivelin rekord prej 35 miliardë dollarësh në vitin 2016, një rritje kjo 50-fish më e lartë krahasuar me vitin 2008 prej 700 milionë dollarësh. Një aspekt tjetër, janë edhe investimet e huaja direkte kineze në Evropë, të cilat u rritën në mënyrë eksponenciale në gjysmën e parë të vitit 2018, prej 16 miliardë eurosh.

 

Synimi i Kinës për të investuar në vendet evropiane vjen si pasojë e ambicies së Pekinit për t’u bërë pjesë e markave dhe kompanive më të njohura botërore, pjesa më e madhe e të cilave ndodhet në vendet e Bashkimit Evropian. Përmes projektit të saj ambicioz ‘Rruga e Mëndafshit’ Kina ka shfrytëzuar dhe po kërkon mundësi të reja shfrytëzimi për të investuar në energji dhe lëndë të parë në vendet në zhvillim. Ndërsa po kërkon edhe hapësira të reja  për shpërndarjen e energjisë, përmirësimin e infrastrukturës, krijimin e bashkimeve të ndryshme tregtare si dhe blerjen e disa prej markave më të njohura të kompanive teknologjike në Evropë.

 

Fushat në të cilat Kina ka investuar dhe ka shfaqur interes të vazhdueshëm janë të ndryshme. Kështu, Kina zotëron rreth 9.5 për qind të aksioneve në Aeroportin Heathrow të Londrës, 49.9 për qind të aksioneve në aeroportin e Tolouse dhe 82.2 për qind të aeroportit Hahn pranë Frankfurtit në Gjermani. Kina zotëron edhe aksionet e aeroportit të Tiranës, dhe atë të Lubjanës në Slloveni.

 

Kina ka shtrirë hartën e saj të investimeve jo vetëm në hapësirën e vendeve të Bashkimit Evropian, por edhe në hapësirën e vendeve të Evropës Qendrore dhe asaj Lindore, duke realizuar investime të mëdha edhe në Ballkan.

 

Për shembull, blerja e uzinës së çelikut Smederevo kundrejt vlerës 46 milionë euro ishte investimi më i madh i Kinës direkt në Serbi. Në projektet kineze janë edhe ndërtimi i hekurudhës me shpejtësi të lartë midis Beogradit dhe Budapestit, si dhe zgjerimi i termocentralit në Kostolac.

 

Gjithashtu, Greqia u tregua e gatshme të shiste 67% të aksioneve të Portit të Pireut te kompania shtetërore kineze Cosco. Kjo kompani është duke investuar në Portin e Pireut rreth 385 milionë euro për të rritur tregtinë me vendet e Bashkimit Evropian dhe ta përdorë njëherësh atë si platformën e saj kryesore për projektin “Rruga e Mëndafshit”.

 

Nga ana tjetër edhe fqinji ynë, Italia e ka shfrytëzuar maksimalisht raportet me Kinën dhe domosdoshmërinë e investimeve të saj në shtetin italian.  Deri më tani, Italia dhe Kina kanë nënshkruar 29 marrëveshje. Këto marrëveshje kanë të bëjnë me sektorin e energjetikës, turizmit dhe atë financiar, ndërsa vlera e këtyre investimeve shkon deri në 2.5 miliardë euro. Por, Kina nuk është ndalur këtu, ajo parashikuar investime të tjera me vlerë deri në 7 miliardë euro në portet italiane të Genoas dhe Triestes. Pjesa e Mesdheut shihet me mjaft interes për investitorët kinezë dhe për këtë ata po përfitojnë nga skema e natyralizimit të shpejtë që lejon blerjen e pasaportave kundrejt investimeve në vlerën prej më pak se 2 milionë eurosh.

 

Ashtu siç e përmendëm më lart, përveç vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore Kina ka investuar edhe në vendet më të zhvilluara të Evropës. Në vitin 2016, Gjermania, Italia dhe Mbretëria e Bashkuar ishin tre vendet me përfitimin më të madh të investimeve kineze. Ndërsa në vitin 2017 Britania e Madhe, Gjermania dhe Franca kishin përthithur rreth 75% të investimit total të Kinës në Bashkimin Evropian po gjatë atij viti. Kjo ishte edhe përqindja më e madhe në 10 vjet.

 

Duke parë këtë rritje të Kinës me investimet e saj në Evropë, vendet e Bashkimit Evropian kanë miratuar një rregullore për shqyrtimin e investimeve të huaja. Kjo ka qenë edhe një prej arsyeve kryesore të reduktimit të investimeve kineze në dy vitet e fundit. Megjithatë, edhe pse një grup shtetesh i shohin investimet kineze si kërcënim të tjerat janë të hapura kundrejt investimeve kineze për t’u zhvilluar nga ana ekonomike. Gjithashtu, Kina ka investuar në këto vende me vështirësi ekonomike duke iu lehtësuar edhe barrën financiare përmes huave të saj. Në këtë kontekst, duke qenë se Kina është ekonomia e dytë në nivel global dhe është përfshirë intensivisht në tregtinë ndërkombëtare, parashikohet që deri në vitin 2035 fuqia ndikuese e monedhës vendase RMB do të afrohet me monedhën evropiane, Euro. Gjithashtu parashikohet të formohet një sistem ndërkombëtar monetar, i drejtuar nga dollari amerikan, euro dhe monedha kineze RMB.

 

Nga ana tjetër, Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Qendrore Botërore e ka miratuar si mundësi për të qenë rezervë valutore për sa kohë shkëmbimet tregtare ndërkombëtare dhe shumë pagesa bëhen me monedhën kineze, si dhe kur shumë banka pranojnë si depozita, pasi monedha kineze  është një ndër 3-4 monedhat më të mëdha ndërkombëtare të botës.

 

Investimet kineze në Shqipëri

 

Në rrugëtimin 70-vjeçar të raporteve Shqipëri-Kinë kanë dominuar edhe marrëdhëniet tregtare dhe ekonomike midis dy vendeve në varësi të zhvillimeve dhe konteksteve historike. Që nga vitet 60-të e deri në vitet ’80-të ndihma ekonomike e Kinës ka qenë mjaft e domosdoshme për Shqipërinë.

 

Pas rënies së Murit të Berlinit dhe ndryshimeve në Evropën Juglindore vëllimi i shkëmbimeve ekonomike midis dy vendeve u dobësua për t’u rigjallëruar 10 vitet e fundit. Duke iu referuar zhvillimeve historike, politike dhe ekonomike duhet thënë se rikthimi i Kinës me investimet e saj në Shqipëri nuk ishte dhe nuk është veprim në një terren të panjohur.

 

Sipas të dhënave, deri në vitin 2018, sipërmarrjet kineze kanë investuar në Shqipëri afërsisht 900 milionë dollarë në fushat e infrastrukturës, energjisë, burimeve ujore, mineralit etj. Të dyja vendet kanë nënshkruar edhe marrëveshje për bashkëpunim në fushat e burimeve njerëzore, doganës, shëndetësisë, kulturës, komunikime në fushat e kulturës, arsimit, think-tankëve, radio-televizionit etj.

 

Jo rastësisht Kina është partneri i dytë tregtar i Shqipërisë pas Bashkimit Evropian me 8 për qind të totalit të vëllimit tregtar. Midis dy vendeve janë nënshkruar rreth 38 marrëveshje ekonomike, ku midis tyre evidentohen investimet kineze në Shqipëri në fushën e energjisë, infrastrukturës dhe shfrytëzimit të pasurive natyrore. Ndërsa nga ana e saj, Shqipëria eksporton drejt Kinës mineralin e bakrit dhe të kromit. Në vendin tonë ka një numër të shtuar të kompanive kineze për të investuar, ku deri më tani numërohen 30 të tilla.

 

Duke e përfshirë Shqipërinë në strategjinë ‘një brez, një rrugë’, Kina ka intensifikuar investimet e saj në vendin tonë, veçanërisht në vitet e fundit, duke bërë që kompanitë kineze të bëhen lojtare serioze në sektorët strategjikë të ekonomisë shqiptare. Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave, përgjatë viteve të fundit Kina është renditur partneri i dytë më i madh i tregtisë për Shqipërinë, me 7.7 për qind të tregtisë totale ndërkombëtare të vendit, duke lënë pas partnerë tradicionalë të tregtisë si Greqia dhe Turqia.  Me gjithë tkurrjen e ekonomisë, distancën gjeografike midis dy vendeve, raportet tregtare janë sërish  me një volum importesh prej 14.9 miliardë lekësh dhe vlerë eksportesh prej 1.3 miliardë lekë.

 

Duke qenë partneri i dytë tregtar me Shqipërinë, kompanitë kineze kanë shfaqur interes ndaj sektorëve më strategjikë të vendit. Në vitin 2016,  Banker’sPetroleum e Kanadasë lajmëroi shitjen e të drejtave të eksplorimit dhe prodhimit të naftës te Geo-JadePetroleum e Kinës me një çmim prej 384.6 milionë euro. Megjithëse Banker’s kishte filluar të shfrytëzojë burimet e naftës të Patos-Marinzës dhe Kuçovës në Shqipëri që në vitin 2004 duke u bërë një nga kompanitë më të mëdha të huaja në Shqipëri, ato i shitën të drejtat gjigantit kinez.

 

Pas blerjes së kompanisë, Geo-Jade ka importoi nga Kina teknologji për të nxjerrjen e naftës së rëndë, si dhe pajisje e makineri të tjera me kosto të ulët duke reduktuar ndjeshëm kostot e nxjerrjes së naftës. Kompania kineze ka ndërmarrë operacione për të zhvilluar eksplorime për hapjen e puseve të reja teksa ka vlerësuar edhe potencialet e puseve ekzistuese.

 

Një investim tjetër lidhet me sektorin e transportit ajror, ku Kina ka marrë nën menaxhim Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës. Grupi kinez do të ketë të drejtën e menaxhimit të aeroportit deri në vitin 2025, me një dy-vjeçar shtesë deri në vitin 2027.

 

Që nga viti 2005, e gjithë përgjegjësia për zhvillimin, operimin dhe menaxhimin e Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës ishte në dorën e Tirana International Airport SHPK (TIA), me ortakët AviAlliance GmbH (më parë e njohur si HOCHTIEF AirPort GmbH), DEG – Deutsche Investitions- und Entwicklungsgesellschaft mbH (DEG) si dhe Albanian-American Enterprise Fund (AAEF) për të kaluar më pas te gjigantët kinezë China Everbright Limited, një kompani ndërkombëtare investimesh dhe menaxhimi të aseteve e vendosur ne Hong Kong, e cila mori në zotërim 100% të kapitalit aksionar të Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës. CEL, që është themeluar në vitin 1997, është  një degë ndërkombëtare e investimeve të China Everbright Group, një kompani shërbimesh të ndryshme financiare.  Ajo (CEL) menaxhon 33 fonde private dhe zotëron më shumë se 8.7 miliardë dollarë në asete në administrim.

 

Gjithashtu, njihet si kompani me mjaft përvojë të gjerë në industrinë e aviacionit dhe është ortaku i vetëm më i madh i China Aircraft Leasing Group Holdings Limited me aksione të listuar në bursën e Hong Kong.

 

Sipas drejtuesve të kompanisë kineze, blerja e aeroportit përbën një mundësi investimi në infrastrukturë e cila përputhet me Nismën e Kinës mbi Rrugën e Mëndafshtë. Marrja nën zotërim nga ana e kinezëve, e Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës është edhe një zhvillim i mëtejshëm i këtij aeroporti duke qenë i cili mbetet qendra më e rëndësishme e fluturimeve, edhe pse qeveria shqiptare parashikon hapjen e aeroporteve të tjerë në vend.

 

Gjithashtu, një aspekt tejet i rëndësishëm në nxitjen e shkëmbimeve tregtare midis Kinës dhe Shqipërisë është edhe Marrëveshja  SWAP, e nënshkruar në shtator të vitit 2013, midis Bankës së Shqipërisë dhe Bankës popullore të Kinës për monedhat vendase, në shumën maksimale prej 2 miliardë Yuan ose 35.8 miliardë Lek.

 

Transaksioni SWAP ofron një mundësi përmes së cilës bankat qendrore mund të kenë akses në monedhën vendase të palës tjetër. Marrëveshja SËAP ka shërbyer si nxitje për tregtinë dypalëshe dhe të investimeve direkte për zhvillimin ekonomik, mbështetjen e stabilitetit financiar të dy vendeve.

 

Shqipëria në mekanizmin 17+1

Nisma e bashkëpunimit midis Kinës dhe Evropës Qendrore dhe Lindore ka përfshirë në prioritetet e saj edhe Shqipërinë. Në kuadër të kësaj nisme, Shqipëria është treguar mjaft aktive në aktivitetet e organizuara nga Sekretariati i Nismës. Për shembull, në Panairin e Mallrave të Konsumit që zhvillohet çdo vit në Ningbo të Kinës marrin pjesë disa kompani shqiptare të cilat prezantojnë produktet e tyre si vaji ullirit, mjalti, bimët mjekësore, vera, etj.

 

Fushat e bashkëpunimit midis Kinës dhe Shqipërisë në kuadër të kësaj nisme janë në të njëjtën linjë me prioritetet aktuale që ka vendi ynë si energjia, infrastruktura, transporti, industria nxjerrëse dhe përpunuese e mineraleve, bujqësia, zonat ekonomike, arsimi, kultura etj.

 

Gjatë Samitit të 8-të të Bashkëpunimit midis Kinës dhe vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore, që u mbajt vitin e kaluar, u diskutua edhe potenciali i bashkëpunimit midis dy vendeve, veçanërisht mbi zgjerimin e projekteve të investimeve kineze në infrastrukturë, energji, bujqësi, turizëm etj. Udhëzuesi ‘Dubrovnik’ midis Kinës dhe vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore ka specifikuar edhe mbështetjen për Shqipërinë në vendosjen e Qendrës së  Zhvillimit Rinor të kësaj nisme.

 

Shqipëria pjesë e projektit ambicioz kinez, ‘Një brez, një rrugë’

 

Shtrirja e Kinës për të investuar në Evropën Qendrore dhe Lindore përmes strategjisë së projektit ‘Një brez, një rrugë’ e njohur ndryshe si Rruga e Mëndafshit, ka përfshirë në këtë projekt edhe Shqipërinë.

 

Nisma që u  krijua në vitin 2013 përfshin miliarda dollarë investime nga Kina, e cila synon që të përmirësojë infrastrukturën rrugore në vendet përgjatë Rrugës së Mëndafshit, që lidh Kinën me Evropën.

 

Projekti që mban emrin ‘Rruga e Re e Mëndafshit’, në anglisht e njohur si “One Belt one Road”. Itineraret e Rrugës së Mëndafshit të çojnë përmes 60 vendeve në Azi, Evropë dhe Afrikë. Rreth 1000 miliardë dollarë do të investohen në ndërtimin e rrugëve, porteve dhe centraleve energjetike. Projekti financohet nga një fond i posaçëm i krijuar enkas nga qeveria kineze dhe Banka Aziatike e Infrastrukturës dhe Investimeve, një bankë multilaterale zhvillimi, e krijuar me iniciativë të Kinës dhe që aktualisht ka 61 vende anëtare.

 

Duke u ndodhur në një pozitë gjeografike mjaft të favorshme, buzë deteve Adriatik e Jon, projekti “Një brez, një rrugë” dhe mekanizmi i bashkëpunimit “17+1” midis Kinës dhe vendeve të Evropës Qendrore e Lindore, e sheh Shqipërinë si një vend me potencial të madh investimi, veçanërisht në shfrytëzimin e saj në sektorin portual përgjatë Rrugës Detare të Mëndafshit në zonën e Mesdheut.

 

Në vitin 2017 Kina dhe Shqipëria nënshkruan dokumentin e bashkëpunimit për ndërtimin e përbashkët të “Një brez, një rrugë” duke zgjeruar bashkëpunimin në fushat ekonomiko-tregtare, kulturore, arsimore, shëndetësore, të instituteve të studimit të politikave, të bashkëpunimit ndërmjet pushteteve vendore, të burimeve njerëzore etj.

 

Ky dokument bashkëpunimi është reflektuar edhe në investimet kineze në Shqipëri, të cilat kanë arritur afërsisht 900 milionë dollarë si dhe në numrin e turistëve kinezë që kanë vizituar Shqipërinë. Kështu në vitin 2018, 17 mijë turistë kinezë kanë vizituar Shqipërinë, me një rritje vjetore 60%, duke treguar potenciale të mëdha biznesi.

 

Në Forumin e Dytë për Bashkëpunimin Ndërkombëtar mbi ‘Një brez, një rrugë”, që u mbajt në prillin e vitit 2019 u nënshkruan marrëveshje me vlerë 64 miliardë dollarë amerikanë. Gjithashtu, përgjatë këtij forumi, palët kanë krijuar më shumë se 20 platforma të dialogut dhe të bashkëpunimit shumëpalësh mbi ChinaRailway Express, port, financim, doganë, llogaritje, taksë, energji, mbrojtje të mjedisit etj., duke përfshirë edhe mekanizmin e bashkëpunimit mes porteve “Rruga Detare e Mëndafshit”. Ndërkaq, mbi 150 vende dhe organizata ndërkombëtare, përfshirë këtu edhe Shqipërinë si  dhe vendet e tjera të Evropës Qendrore dhe Lindore kanë nënshkruar me Kinën Marrëveshjet e Bashkëpunimit për Ndërtimin e Përbashkët të “Një brez, një rrugë”.

 

Duke iu referuar të dhënave, në vitin  2018, vëllimi tregtar midis Kinës dhe vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore ka arritur 82.2 miliardë dollarë amerikanë, me rritjen prej 21%.  Ndërkohë që investimet direkte ndërkombëtare ishin në rënie investimi i Kinës në 16 vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore është rritur me 67%. Këtu mund t’i referohemi projekteve si hekurudha Hungari-Serbi, ura Pelješaç në Kroaci, fabrika e çelikut Smederevo të Serbisë, autostrada veri-jug e Malit të Zi, autostrada e Maqedonisë së Veriut etj.

 

Gjithashtu më shumë se 6000 trena të rinj të ChinaRailway Express po bëhen si nyje e rëndësishme e lidhjes së botës aziatike me Evropës dhe konkretisht me vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore. Po ashtu, numri i turistëve kinezë në vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore ka kaluar 1.4 milionë, kurse numri i turistëve që vijnë nga vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore në Kinë ka kaluar 350 mijë.

 

Sa i përket infrastrukturës ndërlidhëse me Evropën, strategjia kineze, ‘Një brez, një Rrugë’ ka të bëjë me 4 korridore për të lidhur Kinën me Evropën:

 

– Korridori Tokësor Verior niset nga Pekini nëpër Mongoli, Siberi dhe arrin Moskën, Helsinkin, Berlinin dhe përfundon në Roterdam;

– Korridori Tokësor Qendror niset nga Shangai, përshkon përmes Kinën dhe ish-republikat sovjetike të Azisë Qendrore, Iranin, Turqinë dhe nga Stambolli futet në Ballkan për të përfunduar në Duisburg, Paris dhe Londër;

– Korridori Tokësor Jugor niset nga Guanxhou (Jugu i Kinës) dhe përfundon në portin e Kwadarit në kufirin jugor Pakistan-Iran.

– Korridori Detar parashikon lidhjen detare të Kinës me Indinë, Afrikën dhe me hyrje në Evropë nga porti i Pireut në Greqi.

 

Ndërkaq, duhet vënë në dukje se sipas studimit më të fundit të Bankës Botërore, bashkëpunimi mbi “Një brez, një rrugë” ka ulur koston tregtare globale me 1.1-2.2% dhe e ka ngritur rritjen ekonomike globale me të paktën 0.1% në vitin 2019. Përgjatë viteve të fundit, në kuadër të këtij projekti ambicioz Kina ka pasur interes edhe në fushën e energjisë, konkretisht për hidrocentralin e Sakavicës, hidrocentralet e Vjosës, rinovimin total të shpërndarjes së energjisë elektrike dhe Albpetrol-in.  Kompanitë kineze që kanë paraqitur interes për këta sektorë janë më të mëdhatë në botë, si PowerChina  GeZhouBa, Norinco, ChinaStateGrid etj.

 

Me interes të lartë për të investuar në Shqipëri shihet nga ana e kompanive kineze edhe porti i Durrësit si një nyjë shumë e rëndësishme e lëvizjes dhe lidhjes së transportit të Mallrave, si pjesë e Mesdheut për ‘Rrugën e Mëndafshit’.

 

Një nga projektet i cili u klasifikua me rëndësi strategjike për Evropën deri në vitin 2031 ishte edhe projekti kinez për autostradën adriatike-joniane.  Kinezët e Exim Bank, u propozuan qeverive të Kroacisë, Malit të Zi dhe Shqipërisë një projekt-ide për ndërtimin e Autostradës në të gjithë aksin ballkanik deri në kufirin me Greqinë. Sa i përket pjesës shqiptare punimet do të kushtonin gjithsej 1.4 miliardë euro, ose 50% më lirë se varianti zyrtar i fizibilitetit. Por qeveria shqiptare nuk e pranoi variantin kinez, i cili pritej t’i sillte vendit një zhvillim të jashtëzakonshëm.

 

SHPËRNDAJE